Postuar më: 12 Qershor 2018

Me një qasje rajonale për bashkëpunimin doganor, lehtësimin e tregtisë dhe sigurisë së kufijve

Përshëndetje,

Të nderuar pjesëmarrës, është kënaqësi t’ju mirëpresim sot në Tiranë.

Dua të ndaj me ju që në nisje të fjalës sime se Procesi i Berlinit, është tashmë si një dorë e padukshme e shtrirë në rajonin tonë që ka nxitur dhe vazhdon, bashkëpunimin rajonal pothuajse për çdo aspekt, siç është bërë tashmë e zakonshme organizimi i takimeve si ky i sotmi për të trajtuar çështje, adresuar sfida, me një qasje rajonale dhe të orientuar shumë më shumë nga bashkëpunimi sesa nga ndarjet kufitare.

Janë disa elementë të cilët personalisht i vlerësoj të rëndësishëm kur diskutojmë për rëndësinë dhe rolin e Doganave dhe Administratës Doganore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Së pari dhe mbi të gjitha, që është dhe misioni i çdo organizate doganore, është nxitja dhe lehtësimi i tregtisë përmes uljes së barrierave tarifore dhe jo-tarifore. Çdo qeveri ka për synim rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, që në finale objektiv kryesor ka rritjen e mirëqënies së qytetarëve të vet. Më vete, secili prej vendeve tona përfaqëson ekonomi dhe treg të vogël, të vogël për të tërhequr investime të mëdha, të vogël për të tërhequr teknologji të avancuar, të vogël për të qenë konkurues. Një nga sfidat që secili nga vendet e ka dhe e përjeton përditë.

Parë si një e tërë, ne jemi një treg jo më aq i vogël, jo më aq modest, por me 26 milionë konsumatorë. Është mjaft inkurajues fakti që në fazën e Procesit të Berlinit dhe të takimeve që e pasuan atë në Vjenë, Paris, Trieste, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur qartë angazhimin për ta kthyer rajonin në një hapësirë të përbashkët, jo vetëm politike, por edhe ekonomike me iniciative, qasje dhe projekte të përmasave rajonale, qoftë pikë së pari në konektivitet, qoftë në energji, qoftë në standardizimin e tregjeve kryesore siç është rasti i atij të energjisë. Koordinimi i reformave për lehtësimin e të bërit biznes, apo edhe iniciativat e lidhura me shkëmbime në favor të studentëve, apo të rinjve.

Ne jemi vende anëtare të CEFTA dhe për të vendosur bisedën në kontekstin e bashkëpunimit doganor, në përputhje me objektivat politike të procesit të Berlinit dhe në përgjigje të nevojës për thellimin e mëtejshëm të integrimit tregtar në rajon, kemi negociuar protokollin shtesë 5, i cili synon krijimin e sinergjive midis vendeve të rajonit për lehtësimin e tregtisë. Thjeshtëzimi i inspektimeve, reduktimi i formaliteteve në import-eksport, shkëmbimi elektronik i të dhënave, njohja reciproke e testeve laboratorike dhe programimit të operatorëve ekonomikë të miratuar, zbatimi efektiv i kontrollit të riskut.

Dy shembuj për sa më lart. Në rastin e Shqipërisë së pari, në mënyrë unilaterale ne kemi marrë iniciativë që në kuadër të uljes, apo të kancelimit të barrierave, të njohim në mënyrë siç e theksova më lart unilaterale për disa çertifikata të rëndësishme filosanitare me Kosovën, gjë që jemi në diskutim për ta shtrirë me shumë vende të rajonit. Besoj që nëpërmjet administratave tuaja, apo qeverive tuaja, ju jeni njohur në debatet, diskutimet që qeveritë kanë për heqjen e barrierave jotarifore, do duhet që secili nga vendet në këndvështrimin tim modest dhe personal, të bëjë atë që bën Shqipëria, që vendos në mënyrë unilaterale, të heqi barrier jotarifore të cilat në mënyrë jo shumë të zgjuar përkthehen në pengesa për shkëmbimet tregtare. Nëse do të vazhdojmë gjatë e gjatë këtë diskutim, ku ne nuk njohim çertifikatat e Kosovës, Kosova nuk njeh tonat, pastaj ne nuk njohim të Serbisë, Serbia nuk njeh tonat, dikush thotë që i ka standardet më të larta, dikush thotë që i ka standardet më të ulta, dikush është i zgjuar në një korsi, dikush është më i zgjuar në një korsi tjetër, këto janë vetëm justifikime infantile parapolitike për të mos lejuar hapjen e tregjeve që në finale shkon në dëm të vendeve të rajonit.

Së dyti, para disa ditësh me shumë kënaqësi nisëm një iniciativë të përbashkët me një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës për heqjen e tarifave të roaming dhe krijimin e një pike të përbashkët doganore që lehtëson kohën e biznesit.

Ndërsa, qasja e natyrshme është lehtësimi i lëvizjes, dhe ne po marrim masa konkrete për këtë, është në të njëjtën kohë po kaq e rëndësishme garantimi i kontrollit dhe sigurisë në kufi, edhe në konteksitn e sfidave që paraqet tashmë situata ndërkombëtare.

Këtu do dua t’ju rikujtoj me shumë modesti që Administratat Doganore të rajonit përballen direkt dhe indirekt dhe me një sfidë tjetër të konektivitetit. Pra, fatkeqësisht akoma rajoni nuk ka një infrastrukturë, rrugore kryesisht, në atë nivel që të bëjë të mundur atë lëvizje të shpejtë tregtare, që do të thotë që sfida e administratës është që të kursejë çdo sekond, çdo minutë.

Për sipërmarrjen, ju besoj jeni njohur të gjithë me atë studim të Bankës Botërore, ku në thonjëza do ta them, na “akuzon”, të gjitha administratat që kanë të bëjnë me tregtinë, që kanë të bëjnë me lehtësimin e tregtisë, që i kanë shtuar kosto sipërmarrjes rajonale dhe jo vetëm. Që do të thotë që sfida për secilin nga ne, sfida për secilin nga vendet, është që këtë kosto kohore, e përkthyer patjetër dhe domosdoshmërisht në vlera monetare, ta zerojë të paktën 5 deri në 7 vitet që vijnë.

Kontrolli i kufijve parë në asekttin e sigurisë, por edhe shmangia e krimit ekonomik është një nga elementët që desha të përmendja me ju. Bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese është i domosdoshëm për të garantuar efiçencën dhe për të targetuar më mirë fenomenet e lidhura me evazionin, apo me krimin ekonomik.

Bashkëpunimi që dogana shqiptare ka me agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian, apo me vendet e tjera përtej Bashkimit Europian, apo të rajonit dhe më duhet të përmend me kënaqësi dhe të falenderoj Qeverinë Britanike për ndihmën që i jep administratës tonë doganore. Të falenderoj USAID për ndihmën e vazhdueshme që na jep, me kënaqësi dua të them, çdo ditë në shumë aspekte, apo dhe institucionet e tjera që na mbështesin.

Për ne është sfidë disi e re. Tashmë institucionet tona, sidomos po i referohem Administratës Doganore shqiptare dhe me ligj dhe me akte nënligjore, së fundmi edhe me strukturë ka një detyrë specifike përsa i përket zbulimit, ose frenimit të veprimtarive të ndryshme të krimit ekonomik, apo trafiqeve. Kjo është e pamundur, bëhet e pamundur, në mungesë të bashkëpunimit. Bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese si ato që iu referova, qoftë Britanike, qoftë Evropiane, qoftë të Shteteve të Bashkuara, apo institucioneve ligjzbatuese të rajonit mund të bëjë të mundur, ose më mire, bën të mundur një nivel shumë më të lartë të luftës kundër krimit ekonomik dhe trafiqeve.

Krimi ekonomik nuk pengohet, as luftohet me burokraci, apo me proçedura thjesht letre. Ne duhet të jemi në gjendje të tejkalojmë me njëri-tjetrin këto pengesa mes nesh dhe të jemi një hap para me qasje shumë më shumë proaktive sesa reaktive. Në këtë kuadër, një sërë marrëveshjesh janë në fuqi për shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve për analizat e riskut. Shqipëria në muajin Shkurt, nënshkroi marrëveshjen më të fundit me Her Majesty Revenue and Customs në  Britaninë e Madhe dhe gjej rastin sërisht t’iu falenderoj ambasador për mbështetjen që në vazhdimësi na jepni.

Së treti, modernizimi i Administratës Doganore në funksion të dixhitalizimit dhe përmirësimit të shërbimeve. Qeveria shqiptare ka hyrë tashmë në një fazë të re në raport me përmirësimin e shërbimeve publike dhe dixhitalizmit. Një proces transformues, që në thelb synon përmirësimin e shërbimit, uljen e kohës dhe peshës së burokracisë për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Sigurisht që, rëndom kur e dëgjojmë këtë paragraf ndër vite e vite, duket si klishe burokratike administrative.

Për ne nuk është më një fjali që thjesht duhet të shoqërojë fjalimet tona në tryeza. Për ne është një sfidë e drejtëpërdrejtë për të përmirësuar jetën e sipërmarrjes dhe jetën e qytetarëve. Sot Administrata Doganore Shqiptare, është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe në raport me informatizimin ashtu edhe investimet në infrastrukturën, jo vetëm dixhitale. Po avancojmë me projektin e doganës paperless (pa letër); tashmë një sërë autorizimesh të rëndësishme në doganë ofrohen on line përmes portalit e-Albania që është platforma kryesore e shkëmbimit dhe e punës dixhitale që bën qeveria në përqasje me sipërmarrjen apo administrata në përqasje me sipërmarrjen dhe me qytetarët. Me nje llogaritje të thjeshtë, duke afruar 13 dokumenta online psh. në  Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave i kemi kursyer sipërmarrjes rreth 56 vite kohë pritje në sportele në ditë.

Dua t`jus jell dy shembuj interesant nga praktika e tatimeve dhe doganave. Vetëm kalimi i disa shërbimeve online, zeroi rradhët në sportelet e tatimeve brenda natës, pra brenda natës nuk kishte më rradhë, dhe ndërkohë, besoj se ju e dini që dogana shqiptare ka kaluar në vlerësimin e përqëndruar të deklaratave të importit, një proces që filloi në shkurt dhe po konsolidohet në vazhdimësi dhe besoj që në fund të këtij muaji do të kalojmë edhe vlerësimin e dekleratave të eksportit, në mënyrë të përqëndruar gjë që do t’i kursejë kohë, burokraci dhe do të ulë edhe në potencë mundësinë për abuzim dhe korrupsion, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me doganierin.

Fuksionimi me sukses i këtij të fundit varet nga deklarimi pa letër. Kjo mënyrë funksionimi parashikohet të shkurtojë kohën e deklarimit për operatorët ekonomik të cilët nuk do të jenë të detyruar tashmë të paraqesin dokumentacionin në letër pranë sporteleve doganore por nga ana tjetër u mundëson strukturave monitoruese të DPD-ve një monitorim më të saktë të deklarimit doganor. Gjithashtu, arkiva në letër do të zëvëndësohet me arkivën elektronike.

Kam dëshirë të ndaj me ju edhe një risi shumë të madhe që ne po e shtrijmë në administratën fiskale, qoftë në tatime, qoftë në dogana. Unë i referohem si fiskalizimi, për të ndarë me ju një ndjesi se çfarë do të jetë kjo platformë e re që do të integrohet në platformën e madhe të e-Albania në vazhdimësi.

Pikë së pari, do të dixhitalizojë transaksionet “business to business” (biznes - biznes) dhe “business to customer” (biznes – konsumator), por së fundi, kemi vendosur që aty të fusim në mënyrë elektronike dhe të drejpërdrejtë në llogarinë fiskale të sipërmarrjes dhe deklaratën e importit së bashku me të gjitha faturat shoqëruese, që do të bëjë të mundur një skanim të saktë, të thellë, transparent të llogarive fiskale dhe sipërmarrjes.

Unë vetë isha me drejtoreshën dhe një pjesë të stafit të doganave në Londër, ku në shërbimin që ju referova edhe më sipër të Doganës Britanike, patëm një platformë fantastike “connect”. Më vjen mirë të ndaj me ju surprizën e këndshme dhe ambicjen që në tre-katër vitet e ardhshme edhe Shqipëria të ketë një platformë connect, (mbase jo dhe aq të sofistikuar sa e panë tek ju në Britani, ambasador), por shumë të përafërt me atë platformë, për të bërë të mundur shpejtësi, transparencë, saktësi dhe eficencë në përgjegjësinë fiskale të sipërmarrjeve por edhe një eficensë më të lartë në luftën kundër krimit ekonomik.

Siç e theksova edhe më lart, shumë shpejt do të kemi dekleratat e eksportit në sistem si edhe gjurmimin e të gjithë trafikut komercial, pra që është hapi i dytë pas qendërzimit të gjurmimi të gjithë trafikut komercial qoftë brenda vendit, qoftë tranzit që besoj është gjithashtu një risi që ia vlen ta ndjekim në të gjithë rajonin dhe në një të ardhme afatmesme. Të kemi një qëndër apo një ndërveprim për të gjurmuar trafikun komercial në të gjithë rajonin, deri tek magazinat doganore.

Sa i takon investimeve, në bashkëpunim me delegacionin europian po finalizojmë pikën doganore të Hanit të Hotit - Bozhje dhe Morinë– Vërmicë. Kjo e fundit, një pikë e përbashkët që do të japë shembullin e një ndalese me një kontroll shumë të shpejtë që do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Kjo praktikë e testuar me sukses në pikën e përbashkët të Muriqan-Sukobin, po mendohet të implementohet edhe në pikën e kalimit Qafë Thanë- Kafasan në Maqedoni.

Ju Faleminderit!