Postuar më: 27 Prill 2017

Mbështetja për pushtetin vendor, më e madhja në 25 vjet!

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

 

Dua të ndaj me ju dhe me publikun një referencë për një ligj shumë të rëndësishëm të vecantë, që bëhet për herë të parë në 20 e kusur vite në këtë parlament, që është ligji I financave vendore. Cfarë do të thotë kjo për njësitë vendore? Më në fund njësitë vendore kanë një garanci ligjore për minimumin e mbështetjes nga qeveria në formën e grantit. Asnjëherë nuk ka qenë mbështetja për njësitë vendore, për decentralizimin, sic është sot dhe e reflektuar në këtë ligj. Ky ligj është reflektim I drejtpëdrejtë I përgjegjshmërisë të një qeverie dhe arsyetimit të reformës që ka një qeveri në favor të decentralizimit.  Është një nga hapat më të rëndësishëm në referencë të asaj reforme administrative që ndërmorëm dy vite më parë.

Sot, pushteti vendor, me këtë ligj do të përfitojë 1% të PBB si minimum, grant. Nuk ka qenë kurrë 1%. Ka qenë 0.8%, ka qenë 0.7%, ka qenë 0.85%, ka qenë 0.5%, asnjëherë nuk ka qenë 1%. Asnjëherë! E pra e kemi vënë si dysheme madje, as si tavan, jo më pak se 1% e PBB.

Ndërkohë për herë të parë ka zgjerim të asaj që quhet ndarje e të ardhurave. Pushteti vendor do të marrë 2% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Për më tepër, kemi dyfishuar të ardhurat nga renta nga 2,5% në 5%. E më tej, është rritur nga 18% në 25% pjesëmarrja në të ardhurat nga taksa e automjeteve.

Dhe I është ofruar fleksibilitet fiskal në taksën mbi pronën, që të ketë diskrecion Këshilli Bashkiak +/- 30%, në varësi të logjikës politike dhe ngarkesës fiskale që një Bashki mund të logjikojë përsa I përket kësaj takse. Vetëm Bashkia e Tiranës, përfiton 12 milionë dollarë plus në 2018, si Bashkia Kryesore e vendit.

Dhe më duhet të them që qeveria e ka ndihmuar pushtetin vendor nëpërmjet llogarisë së shpronësimeve në mënyrë të përditshme dhe në shifra të rëndësishme. Vetëm Bashkia e Tiranës ka marrë 17 milionë dollarë për shpronësimet në më pak se 1 vit e gjysëm.

E ndërkohë, qeveria e ka ndihmuar Bashkinë e Tiranës, që edhe kur nuk arrin të paguajë detyrimet ndaj kredive, nëpërmjet buxhetit qendror, kemi paguar gati 9 milionë dollarë në funksion të mirë-vazhdimit të punëve publike. Ato para që do duhet t’I paguante Bashkia e Tiranës, I paguan buxheti I shtetit, në funksion të suksesit të Bashkisë së Tiranës, të bashkive të Shqipërisë, edhe sigurisht të përfitimit të qytetarëve shqiptarë në këto komunitete.

Nuk duhet harruar edhe gjithe mbështetja nga Fondi I Zhvillimit të Rajoneve, Rilindja Urbane, ku Korca, Kukësi, Shkodra, Gjirokastra e mbi të gjithë Tirana, ka përfituar nga Buxheti qendror drejtpërsëdrejti shuma të konsiderueshme dhe projekte serioze.

Dhe të mos harrojmë që përmes projektit “1 miliardë”, kemi mundësi që t’I mbështesim sërish Bashkitë e Shqipërisë. Vetëm Bashkia e Tiranës do të përfitojë katër milionë dollarë në vit plus, për rinovimin e 20 shkollave, si bashkë-autoritet kontraktues me Ministrinë e Arsimit.

Pra, imagjinoni se cfarë decentralizimi, jo vetëm në funksione, por në mbështetje buxhetore, ka bërë qeveria në këto vite në favor të Bashkive të Shqipërisë. Këtu nuk numërova dhe transfertat e drejtpërdrejta në fund të vitit, për kanalet vaditëse dhe ujitëse dhe për rrugët rurale dhe rajonale brenda bashkive, nga 10 milionë dollarë secila në fund të vitit, pra 20 milionë dollarë.

Po të bëjmë një llogari përfshirë dhe shkollat, vetëm Bashkia e Tiranës ka përfituar gati 49 milionë dollarë transferta, pa llogaritur grantin nga pushteti qendror.

I solla shifrat, për të ndarë me ju perspektivën e një reforme që ka një qeveri, në funksion të decentralizimit dhe në funksion të mbështetjes së njësive vendore, për t’I shërbyer sa më shumë, sa më afër, cdo ditë, sa më intensivisht, qytetarëve.

I përmblodha të tre ligjet bashkë sepse besoj që janë tregues themelor I filozofisë së një qeverie. Filozofia e zhvillimit, filozofia e decentralizimit dhe filozofia e mbështetjes, solidariteti me shtresat në nevojë dhe profesionet që janë konsideruar profesione të vështira.

E gjitha kjo, është bërë ndërkohë që kjo qeveri ka një trajektore ulëse të borxhit, pra ka në background të vet shtyllën kryesore makroekonomike, konsolidimin fiskal. T’i japësh më shumë pushtetit vendor, të mbështesësh më shumë shtresat në nevojë, të bësh paketa solidariteti për pensionistët, për ndihmën ekonomike, për njerëzit me aftësi të kufizuara, për minatorët, për naftëtarët, dhe ndërkohë, të kesh konsolidim fiskal, të ulësh borxhin pas 10 vitesh, të arrish të kesh një vlerësim pozitiv nga të gjithë agjensitë ndërkombëtare si Moody’s para disa ditësh, e ndërkohë të arrish për herë të parë pas 10 e kusur vitesh të kesh një balancë primare pozitive (për ta shpjeguar për qytetarët, qeveria me operacionet e veta korrente nuk krijon borxh të ri, por përkundrazi paguan borxhin), kjo tregon përgjegjshmëri, përgjegjshmëri të në mazhorance, të një qeverie.

E në fund do ta mbyll duke thënë se jemi vetëm 50 ditë larg zgjedhjeve. Cfarë ka ndodhur në 25 vite zgjedhjesh elektorale parlamentare? Shkatërrimi I financave publike! Nuk ka pasur vit kur ka pasur zgjedhje parlamentare, ku financat publike nuk shkatërroheshin.

Shikojini sot financat publike. Vetëm në tre muaj ka 4 miliardë plus nga plani I të ardhurave. Kontroll total I shpenzimeve, I likuiditeteve! Sërish këtë vit ulim borxhin. S’ka ndodhur kurre që në një vit electoral, të jetë ulur borxhi, nuk ka ndodhur asnjëherë. Shikoni 2009, u bënë copash financat publike; shikoni 2013, falimentim I shtetit! 2017, përgjegjshmëri maksimale! Krahasojeni “cadren” e 2013 me këtë qeveri sot, me këtë mazhorancë në 2017. Vit electoral parlamentar, ulet borxhi, kontroll rigoroz mbi financat publike, kontroll rigoroz mbi financat e bashkive nëpërmjet disiplinimit fiskal, sërish me suficit primar e sërish, intensitet monitorimi të punës së tatimeve e doganave.

Kjo është diferencë shumë e madhe dhe besoj që pas zgjedhjeve e në fund të këtij viti, realisht, të gjithë do të kemi mundësi të krenohemi që kemi kaluar një sfidë dhe shpresoj të kthejmë në traditë që në një vit electoral parlamentar, financat publike të kontrollohen, monitorohen, mbahen, sikur të ishte një vit normal sepse ia kemi borxh Shqipërisë që duam, ia kemi borxh tatimpaguesve dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Faleminderit!