Postuar më: 07 Korrik 2014

Kuvendi shqyrton dy marrëveshjet 220 milionë dollarë për sektorin financiar

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot dy marrëveshjet me vlerë 220 milionë dollarë që synojnë:

 

  1. Zhvillimin e Financave Publike
  2. Modernizimin e Sektorit Financiar

 

Më herët, këto marrëveshje janë firmosur nga ministri i Financave dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, miratuar nga qeveria dhe aktualisht po diskutohen në komisionet e Kuvendit, ndërsa huatë do të akordohen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kreditë janë me interes rreth 2%, disa herë më të buta se sa huatë në tregun privat bankar, me mbi 5%, kurse koha e shlyerjes është afatgjatë (23 vjet).

Me nënshkrimin e këty dy marrëveshje është shënuar një rekord në aspektin e përmbushjes të reformave të rëndësishme për vendin, si dhe për shumat e siguruara me një kosto shumë të ulët.

Këto marrëveshje janë rezultat i ndërmarrjes së një sërë masash të rëndësishme nga ana qeverisë shqiptare për përmirësimin e situatës makroekonomike dhe asaj financiare:

 

  • Forcimin e financave publike, për të mos krijuar më borxhe të fshehura;
  • Përshpejtimin e reformës së pensioneve, për një skemë të sigurt dhe të barabartë;
  • Përmirësimin e situatës në sektorin e energjisë, për të shmagur krizat e përvitshme 

 

Këto marrëveshje janë rezultat i plotësimin të një sërë masash të tjera në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë që do të çojnë në:

 

  • uljen e kredive me probleme për t’i hapur rruge kreditimit të ekonomisë
  • forcimin e mbikëqyrjes të sektorit jo-bankar sidomos të tregut të sigurimeve për të përmirësuar mbulimin më të mirë të publikut
  • futjen në skemën e sigurimeve të depozitave të unioneve të mikrokredive që do të ndihmojë në zgjerimin e financimit të sektorit bujqësor

 

“Firmosja e dy marrëveshjeve të sotme i hap rrugën marrjes së një shume të konsiderueshme prej 220 mln dollarësh që do të mundësojnë shlyerjen përfundimtare të detyrimeve të prapambetura pa shkurtuar shpenzimet publike të këtij viti”, deklaroi ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani, i pranishëm në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Këto marrëveshje janë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frutshëm me BB që do të pasohet nga marrëveshje të tjera të rëndësishme për mbështetjen e reformave në:

  • Energjisë
  • Shëndetësisë
  • Regjistrimit të pronave

 

Marrëveshja I

ZHVILLIMI I FINANCAVE PUBLIKE

87 milionë Euro

Qëllimi i akordimit të kësaj huaje është mbështetja e reformave për përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë nëpërmjet fuqizimit të menaxhimit të financave publike në trajtimin e detyrimeve të prapambetura, si dhe me anë të reformave në sektorin e taksave, pensioneve dhe energjisë me qëllim mbështetjen e stabilitetit makro-fiskal.

 

Politikat e mbështetura nga kjo hua pritet të kenë një ndikim pozitiv mbi rritjen ekonomike në periudhë afat-mesëm dhe afat-gjatë. Në përgjithësi, reformat e mbështetura nëpërmjet saj do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve të reduktimit të varfërisë dhe të mirëqenies së përbashkët duke:

  • siguruar një bazë për stabilitet makroekonomik dhe fiskal, i cili është një kusht i domosdoshëm për një model të qëndrueshëm të rritjes dhe, për pasojë, për zvogëlimin e varfërisë dhe mirëqenies së përbashkët; dhe
  • përmirësuar qëndrueshmërinë fiskale në mënyrë që përfitimet në uljen e varfërisë, si dhe arritjet në rritjen e mirëqenies së përbashkët, të mbështeten në të ardhmen dhe të mos rëndojnë në mirëqenien e gjeneratave të ardhshme.

 

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Financave.

Data e përfundimit të Projektit është 30 Dhjetor 2015.

 

 

Marrëveshja II

MODERNIZIMI I SEKTORIT FINANCIAR

72.6 milionë euro

Qëllimi i akordimit të kësaj huaje është mbështetja e reformës për forcimin e regjimit rregullator dhe mbikëqyrës të sektorit financiar, si dhe zbutja e dobësive kryesore të sektorëve financiar bankar dhe jo-bankar.

Huaja e Politikës së Zhvillimit është strukturuar rreth tri shtyllave:

  • forcimi i rregullores dhe mbikëqyrjes së sektorit bankar dhe rrjetit të sigurisë financiare;
  • përshpejtimi i zgjidhjes së kredive me probleme;
  • forcimi i rregullimit dhe mbikëqyrjes së Institucioneve Financiare jo-bankare.

 

Për të përfituar këtë kredi, Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë ndërmori këto hapa:

 

  • Adoptimi nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH i një Manuali Mbikëqyrjeje të Bazuar në Risk dhe një Politike të re Mbikëqyrjeje Operacionale;
  • Emetimi nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH i një Udhëzimi të ri për bankat për miratimin e Planeve të Rimëkëmbjes;
  • Miratimi nga Këshilli i Ministrave i Amendimit të Ligjit mbi Sigurimin e Depozitave;
  • Miratimi nga KM i draft-amendimit të Ligjit të Taksave;
  • Adoptimi nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH i rregullores së ndryshuar mbi Administrimin e Riskut të Kredive;
  • Emetimi nga BSH i udhëzimeve mbi:

 

  1. ristrukturimit të huave për biznesin;
  2. ristrukturimit të huave për individët;
  3. vlerësimin e pasurive të patundshme.

 

  • Adoptimi nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH i një rregullore të re mbi Administrimin e Riskut për Ekspozimin e Madh të Bankave;
  • Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave emetuan udhëzime të reja për sigurimin e incentivave të bazuara në treg për kompensimin e përmbaruesve privat;
  • Amendimet e Ligjit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ligjit të Nëpunësve Civil dhe Ligjit mbi Pagat, Shpërblimet dhe Strukturat e Institucioneve Kushtetueshmërisht të Pavarura dhe Institucioneve të Tjera të Pavarura të Krijuara me Ligj;
  • Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka adoptuar masa për stabilizimin e tregut për emetimin e:

 

  1. një rregulloreje mbi standardet e rezervës së Detyrimeve Motorike të Palëve të Treta;
  2. plani kohor për plotësimin e financimit të Fondit të kompensimit.

 

Projekti do të zbatohet nga Banka e Shqipërisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Sigurimit te Depozitave.

Data e përfundimit të Projektit është 30 Qershor 2015.