Postuar më: 24 Janar 2018

Konvergjenca, rezultat i reformave strukturore. Integrimi në BE, jo peng i politikës së ditës.

Konvergjenca, rezultat i reformave strukturore. Integrimi në BE, jo peng i politikës së ditës.

Besoj që disa nga elementët që u përmenden këtu do duhet të ritheksohen, sepse përbëjnë thelbin ose boshtin e asaj që Ballkani Perëndimor dhe Ballkani në tërësi, do duhet të sfidojë në të paktën 15-20 vitet që kemi përpara.

Po flasim për konvergjencën, qoftë “policy convergence” (politikat e konvergjencës), qoftë dhe konvergjenca e të ardhurave dhe jam i bindur që të gjithë ata që folën përpara, duke filluar që nga Presidenti i nderuar, apo Guvernatori, Znj. Zëvendës Kryeministre apo dhe moderatori, edhe ju si pjesëmarrës, e konceptoni që është konseguencë.

Konvergjenca është konseguencë e politikave të vazhdueshme, të thella, të pandërprera strukturore. Çdo vend, i parë në profilin e vet politiko-institucional apo ekonomik, sa herë që ka pasur sukses në rritjen ekonomike, që është thelbi dhe shtrati ku bazohen të gjitha ato që flasim, ka parë reforma të thella strukturore, të vështira, në dukje të pamundura, por me rezultat rritjen ekonomike.

Rritja ekonomike në finale ka në sfond konvergjencën e të ardhurave me atë që ne synojmë, pra integrimin europian. Thënë kjo, çdo vend që ka trajektore apo lëkundje në rritjen ekonomike, menjëherë, po ta studiosh, shihet që ka pasur lëkundje në vendosmërinë për reformat strukturore, ekonomike apo institucionale, që në finale furnizojnë rritjen ekonomike.

Prandaj unë do dua t’i marr në bllok ato që unë mendoj që janë të rëndësishme për vendet tona, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenti e tha që “GPD e gjithë rajonit shkon 90 miliardë dollarë”, në mos gabohem, një GDP shumë e vogël e krahasuar me ekonomitë e mëdha të Europës dhe për të thënë të vërtetën, me atë logjikë që iu referua zoti President “që ne do të duhet të kemi një politikë të përbashkët”, sot fatkeqësisht apo fatmirësisht, të gjitha vendet e rajonit kanë profile të ndryshme ekonomike, të cilat divergojnë, pra që nga politikat fiskale, që nga logjika e manifakturës, që nga logjika e turizmit, që nga logjika e industrializimit dhe deri tek profili i punësimit.

Unë do t’i mar një nga një dhe besoj që çdokush nga salla mund t’i sfidojë ato që unë do t’i konturoja si blloqe të zhvillimit, në mënyrë që pastaj secili nga ne të ketë logjikën e vet, e në finale kjo konferencë të ketë dhe konkluzionet apo rekomandimet e veta.

Pikë së pari, pa asnjë dyshim, pa një kuadër të shëndetshëm makro-fiskal çdo gjë që diskutojmë bëhet e pamundur. Një miku jonë i përbashkët i Shqipërisë, profesori i Universitetit të Harvardit, Ricardo Hausmann, thotë me të drejtë që “rreziku makro-fiskal është si puna e atij ujkut virtual në pyll”, që kushdo që është në qytet thotë ujku është përrallë, nuk ekziston, e megjithatë, kur e keqja ndodh, aty ke kuptuar që ujku të ka ngrënë gjysmën e trupit.

Pra, pa një kuadër të fortë makro-fiskal, askush nuk mund të mendojë se do të ketë një stad zhvillimi normal, të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë, apo edhe të zgjuar.

Kjo është e para dhe besoj që Shqipëria këtu, është kthyer në një shembull se si nga një disbalancë totale të financave publike e makro-ekonomike në 2013, arriti që për herë të parë në 25 vite, të ketë në një vit zgjedhjesh parlamentare ulje të borxhit publik, balancë primare pozitive dhe një defiçit 2%. Balanca primare pozitive, për të gjithë ata që nuk e ndjekin, apo nuk e njohin si term teknik, është kur qeveria nuk krijon një borxh të ri në operacionet e veta korrente në një vit. Cdo vit në tre vitet e fundit, ne kemi pasur balancë fiskale pozitive dhe tendencë ulje borxhi me ato objektiva që kemi.

Blloku i dytë, patjetër që do t’i referohemi integrimit europian. Besoj që rajoni nuk ka më asnjë dilemë, qoftë në partitë e majta, qoftë në partitë e djathta, qoftë në partitë e qendrës, kudo në gjithë Ballkanin Perëndimor, janë të bindur, janë të fokusuar, sigurisht me shpejtësi të ndryshme, tek integrimi europian. Ky gjashtëmujor për Shqipërinë është vendimtar dhe debati i brendshëm politik shpresoj të mos e dëmtojë potencialin e hapjes së negociatave. Nga hapja e negociatave përfiton çdo qytetar shqiptar. Nga mos hapja e negociatave çdo qytetar shqiptar është i dëmtuar. Pra, nuk ka parti politike, nuk ka lider, nuk ka lidership që përfiton nga hapja e negociatave, por përfitojnë qytetarët shqiptarë. Dhe besoj që tek integrimi europian sigurisht që vazhdimi i reformave është thelbësor.

Qeveria shqiptare ka një paketë të plotë të reformave, duke filluar që nga thellimi i reformës në drejtësi deri tek reformat e fundit të financave publike që besoj kanë bërë një diferencë në menaxhimin e financave publike, në transparencën ndaj qytetarëve, por sigurisht edhe në atë shëndetshmërinë makroekonomike.

Blloku i tretë përfshin investimet dhe këtu nuk përjashtoj investimet publike, pra po them investimet publike, investimet private vendase e të huaja dhe këtë do ta lidh jo pa qëllim me konektivitetin, për ta thënë pak më thjeshtë, me nevojat infrastrukturore që ka Ballkani. Kur filluam gjithë këtë rrugëtim, që unë besoj se do të jetë shumë i frytshëm, nga Berlini në Trieste, konektiviteti ishte thelbi i gjithë debatit dhe së bashku me gjithë rajonin bëmë një përllogaritje fare të thjeshtë: nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të investonin nga burimet buxhetore që kanë, për të përmirësuar konektivitetin në ato parametra teknikë që nuk besoj se do të duhet të hyjmë këtu, do t’i duheshin 80 vite nga dita e sotme, ose do të duhet ta çonin borxhin publik në 180%, që është e pamundur, dhe sigurisht që këtu instrumentet, qoftë Partneriti Publik Privat, qoftë mbështetja e Bashkimit Europian, janë të domosdoshme, ndryshe do të jetë e pamundur që ne të konvergohemi fizikisht si rajon ndër vete, dhe me Bashkimin Europian.

Blloku i katërt është ekonomia e hapur. Vendet e Ballkanit nuk janë interesante akoma për investimet e mëdha, pra të “brand names” që nga industria, që nga turizmi, apo dhe nga sistemi bankar, në respekt të bankave që kemi të pranishme sot këtu. Arsyeja është se tregjet janë të fragmentuara akoma, të vogla dhe akoma jo të hapura. Po ju sjell një fakt nga puna ime e përditshme, nga një debat me një nga vendet e rajonit për heqjen e barrierave jo tarifore, konkretisht certifikatat fito-sanitare. Na është dashur një debat katër vjeçar për të hequr 4 certifikata fito-sanitare dhe në fund e dini si vepruam? Kryeministri vendosi që të kishim një përqasje unilaterale, i hoqëm ne si Shqipëri dhe po presim që shteti fqinj në Ballkanin Perëndimor të bëjë të njëjtën gjë. Pra, imagjinoni se sa e vështirë është për të shkuar te ajo që teorikisht ne i referohemi si ekonomi e hapur. Nëse nuk është ekonomi e hapur, pra në kufij, në lëvizjen e kapitalit, në lëvizjen e fuqisë punëtore, tregu bëhet jo interesant dhe do të fillojmë të mbetemi tek ato përpjekjet tona të vogla, ndërkohë që organikisht do të duhet të kishim shumë më shumë investime të huaja, por e pengojmë vetë me ekonomitë e mbyllura, akoma të izoluara, megjithëse teorikisht në letër janë të hapura.

Blloku i pestë që besoj është gjithashtu determinant, është deregulimi, sepse e theksova që në momentin e parë që konvergjenca është konseguencë e reformave të brendshme për të shkuar në atë tregun më të madh. Deregulimi, në konceptin më të thjeshtë, është thjeshtimi i procedurave administrative midis qeverisë dhe sipërmarrjes, qeverisë dhe qytetarit. Para disa ditësh po bënim një përllogaritje të avancuar dhe me atë paketë deregulimi që ne kemi bërë brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, janë gati 56 vite të kursyera në 1 vit. Pra me gjithë atë fshirje të procedurave që kemi bërë janë 56 vite të kursyera për sipërmarrjen dhe qytetarin në një vit. Është kthyer në një reformë bazë dhe fondamentale e qeverisë, një iniciativë e përditësuar, e ndjekur nga vetë Kryeministri, me besimin që nëqoftëse çlirojmë këtë energji nëpërmjet thjeshtimit të procedurave, me qytetarin dhe me sipërmarrjen, konseguenca do të jetë investime të huaja, investime vendase, patjetër rritje të ardhurash dhe konsenguenca e konvergjencës me Bashkimin Europian. E kam thënë në një konferencë të kësaj natyre që në qoftë se Bashkimi Europian rritet me 1% dhe ne rritemi me 6%, llogaritet që afërsisht në 10 vitet që vijnë ne të konvergojmë të ardhurat me qytetarët e Bashkimit Europian. Kjo gjë nuk po ndodh. Bashkimi Europian po rritet më shumë se 1%, ne akoma nuk kemi shkuar në 5%, që do të thotë se konvergimi nuk është më 10 vjet, por është më larg, që do të thotë që ne do të vazhdojmë të kemi diferencë të ardhurash dhe nivel jetese.

Blloku i gjashtë është punësimi. Këtu dua të ndaj me ju që shumë shpejt Kryeministri, qeveria, do të lançojë platformën e promovimit të punësimit. Por, ajo që dua t’ju them ka të bëjë dhe me atë që përmendëm pak më lart, pra profilet e ndryshme të ekonomive të rajonit. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë arsyesh ka? Ka arsye politikash të ndryshme? Jo. Po t’i shohësh politikat ekonomike dhe fiskale në rajon, janë pak a shumë të konverguara, me diferenca të vogla. Ama po të shohësh profilin e fuqisë punëtore, ka diferencë jashtëzakonisht shumë të madhe. Çfarë ka bërë diferencë? Në këndvështrimin tim, ka bërë diferencë arsimi profesional. Pra, nëqoftëse Serbia ka mbajtur logjikën e industrializimit të nivelit të lartë, në qoftë se Maqedonia ka mbajtur një profil të orientuar nga eksporti, me zonat ekonomike, Shqipëria akoma ka mbetur me shpresat tek turizmi, tek energjia, pra te uji, nafta që na ka falur natyra, dhe jemi akoma te manifaktura e vlerës akoma të ulët në ekonomi.

Diferencën do ta bëjë aftësia e fuqisë punëtore dhe këtu kemi një reformë të thellë në atë që duam të afrojmë në arsimin profesional, për të kaluar në ato aftësi të cilat kanë të bëjnë me industrializimin e lehtë të vendit, jo në konceptin sovjetik, por në konceptin shembull për të gjithë që mund ta ndjekin, logjika italiane, kuptohet për standardin shqiptar, ku ndërmarrja e vogël dhe e mesme prodhon dhe eksporton.

Blloku i shtatë është vizioni politik. E vërteta është që të gjithë vendet e rajonit, megjithëse mendojnë afatshkurtër dhe afatmesëm, kur vjen puna për afatmesëm dhe afatgjatë kapen tek politika e ditës, tek benifiti politik i ditës dhe heqin dorë nga të menduarit afatgjatë për vendin. Dua t’ju provokoj me një statistikë. Jam i bindur që kur ta keni në mendje do ju ngjallë pikëpyetje. Imagjinoni që me ritmet demografike që ka rajoni, por po i referohem Shqipërisë, në 40 vitet që vijnë Shqipëria përfundon me 1.8 milionë banorë, nga të cilët 43 % do të jenë pensionistë. Çfarë po bën politika? Jo thjesht për këtë, por po ju provokoj për politika afatgjata që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit dhe që kanë të bëjnë me të ardhmen e rajonit.

Besoj që integrimi është një politikë, një vizion, një e ardhme, një aspiratë që na bashkon të gjithëve. Besoj se në qoftë se e zëvendësojmë politikën e ditës me politikën e të ardhmes në Bashkimin Europian, rajoni, Shqipëria, ka sukses dhe ka të ardhme dhe ka konseguencë fare të thjeshtë, nëse bëjmë këtë, konvergjencën e të ardhurave.

Faleminderit.