Postuar më: 28 Maj 2018

Konsultimet per paketën fiskale, lehtësi të reja për sipërmarrjet

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Falënderoj Unionin e Dhomave dhe të gjithë pjesëmarrësit për të sqaruar ju dhe publikun. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hapur konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale të vitit 2019 të cilën do ta bëjmë me dy hapa.

Hapi i parë do jetë brenda këtij sesioni parlamentar, pra është ajo Paketë të cilën ne jua kemi vënë në dispozicion për ta parë, për ta diskutuar, për ta përmirësuar së bashku deri në momentin që do ta çojmë në Kuvend dhe sigurisht Paketën e Vjeshtës në vartësi të konsultimeve që do të kemi së bashku, në mënyrë që deri në një moment, le të themi fundi i gushtit apo mesi i shtatorit, të gjitha shoqatat, qoftë të vendit, qoftë të huaja, apo konsultime me grupe interesi përtej shoqatave të sipërmarrjes së vogël apo sipërmarrjes së madhe, ne të jemi takuar në vazhdimësi dhe përpara se Ministria e Financave të përgatisë Paketën Fiskale të vitit 2019 dhe atë të vjeshtës, ne jo vetëm ashtu siç e kërkon dhe na detyron ligji që të konsultohemi, por edhe në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të klimës së biznesit, të përmirësimit të procedurave, të kemi arritur së bashku një Paketë në funksion të zhvillimit ekonomik.

Ndërkohë, unë dua që t’i përmend një nga një ato ndryshime ligjore, pjesë të Paketës që ne kemi shpërndarë sot, në të gjitha adresat tuaja të e-mail-it.

Është një Paketë e parë, e cila besoj se do të kalojë në Qeveri dhe në Parlament deri në fund të Korrikut dhe synon uljen e barrës fiskale për një sërë sipërmarrjesh dhe për një sërë sektorësh.

Paketa Fiskale e Qershor 2018, pikë së pari fillon me uljen e barrës fiskale për bizneset duke iu referuar tatim-fitimit. Nëse në vitin 2013, 100 % e biznesve paguanin tatim mbi fitimin 15%, pas këtyre ndryshimeve të fundit që ne jemi duke ndërmarrë, 56 % e bizneseve të regjistruara paguajnë zero tatim-fitimi; 28 % e bizneseve të regjistruara paguajnë 5% tatim-fitimi ose gjysmën e tatim-fitimit që paguanin; 16 % e bizneseve të mëdha të regjistruara paguajnë 15% të tatim-fitimit. Pra, siç e shikoni, rreth 90 % e sipërmarrjeve aktive në vend, praktikisht kalojnë ose në taksë zero, ose në 1/3 –ën e asaj që është maksimale, pra të 15% tatim-fitimi.

Me këtë ndryshim, i cili shoqërohet edhe më një ndryshim procedurial që i referohet tavanit, pra 8 milionë, me iniciativë të Kryeministrit, pas një analize të detajuar të bërë në Ministri të Financave dhe Ekonomisë, ne materializojmë ndryshimin ku edhe fasha nga 8 deri në 14 milionë lekë xhiro, do të përfitojë një ulje të konsiderueshme të tatim-fitimit nga 15 në 5%.

Ju besoj e keni parë, shumëkush nga ju edhe mund të ketë qenë prezent, që ky ndryshim ka ardhur si rezultat i një konsultimi të gjerë publik me sipërmarrjen e vogël, kur ne ulëm dyshemenë përsa i përket detyrimit për deklarim të TVSH-së nga 5 milionë në 2 milionë. Shumica e sipërmarrjes së vogël e mbështeti dhe në konsultë me ta referuan që një nga problemet kryesore që e pengon formalizimin ishte dhe tavani i 5%, pra në 8 milionë. Kështu pra, ky ndryshim besoj do të funksionojë për formalizim të mëtejshëm por sigurisht, mbi të gjtha, ulje të konsiderueshme të barrës fiskale.

Janë edhe dy sektorë që përfitojnë ulje të barrës fiskale në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është sektori energjetik, lehtësimi i investimeve në fushën e energjisë diellore. Është futur një gamë shumë e madhe e linjave teknologjike, një listë e gjerë me pajisje të cilat përfitojnë përjashtim nga TVSH. Ka të bëjë me dy elementë kryesorë, pikë së pari me lehtësimin e barrës fiskale të këtij sektori dhe se dyti, është promovimi i nxitjes dhe rritjes së kapaciteteve për të diversifikuar nga hidro në burime të tjera të energjisë së pastër, për të balancuar atë që ne e kemi parë ndër vite, momentet e thatësirës se çfarë i ndodh balancës energjetike, çfarë i ndodh sektorit energjetik, dhe çfarë i ndodh edhe buxhetit të shetit, se në finale goditja shkon drejpërsëdrejti në buxhetin e shtetit.

Sektori i tretë është bujqësia dhe turizmi, një kombinim intererasnt që ne i referohemi agroturizmi dhe unë do ta shpjegoj pak më poshtë se çfarë po bëjmë konkretisht.

Po kaloj me shpejtësi në detaje çfarë presupozojnë ndryshimet dhe çfarë ligjesh po prekin. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” synon shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë. Norma e tatimit mbi fitimin zbret nga 15 % në 5 %, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë norma e tatimit do të mbetet ajo që ka qenë.

Po brenda të njëjtit ligj, kemi incentivimin e fermerëve të inkorporuar në Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, sipas kuptimit të ligjit përkatës të fushës, duke reduktuar normën e tatim-fitimit korporativ nga 15 % në 5 %.

Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të trajtohen në dy mënyra, në referencë të lehtësimit të barrës fiskale. E para, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, po i referohem kooperativat vullnetare të fermerëve ku bashkojnë qoftë krahun e punës, qoftë diturinë, qoftë teknologjinë dhe ndërtojnë, ngrenë një koorporatë apo një kompani, ata do të trajtohen sikur të jenë një fermer shumë i madh, pa tavan përsa i përket TVSH, që do të thotë që ata, në transaksion me grumbulluesit, do të përfitojnë si një e tërë rimbursim 20 % sikur të ishin fermerë individual, pa u detyruar të deklarojnë. Pra, një hap shumë i madh për të promovuar bashkimin e tyre.

E dyta, menjëherë u incentivua dhe pjesa e tatim-fitimit, pra si koorporatë apo si kompani nuk do të tatohen 15%, por do të tatohen 5%, sa 1/3 e asaj që është sot.

Për më tej, është promovimi i bizneseve që janë licensuar dhe operojnë në fushën e agroturizmit. Ka një definicion shumë të qartë në një vendim qeverie se çfarë do të thotë “agroturizëm”, cili është përcaktimi i një kompanie në agroturizëm dhe këtu reduktojmë për të gjithë këto kompani që do të jenë brenda përcaktimit të këtij vendimi qeverie, do të përfitojnë një normë tatim-fitimi të reduktuar nga 15 % në 5%, gjithashtu.

E ndërkohë, gjatë një konsulte të fundit me të gjithë investitorët në fushën e ndërtimit, kemi përfshirë në paketë edhe përmirësimin e skemës së taksimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim, me qëllim taksimin e drejtë të pronarit të truallit dhe investitorët që operojnë në fushën e veprimtarisë së ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave.

Ka qenë një kërkesë e përhershme nga Shoqata e Ndërtuesve. Pasi e gjykuam, e materializuam në propozimet që kemi bërë të cilat janë sot për mendimmarrje nga ju dhe nga institucionet shtetërore.

Gjithashtu, do të prekim ligjin për TVSH, pra projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e TVSH-së” synon normë të reduktuar të TVSH-së prej 6 % për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licensuar agroturistik.

Pra, siç e shikoni, një maturi në të menduar për promovimin dhe incentivimin e sektorëve. Jo më shumë se gjashtë muaj më parë ne promovuam pjesën e investimeve në resorte dhe hotele, pra strukturave akomoduese 4 dhe 5 yje, duke i krijuar atë lehtësi në tatim-fitim, në TVSH, në taksën e infrastrukturës, në taksën e pronës, pra një lehtësi serioze e konsiderueshme që e përmirësoi Paketën që afron Shqipëria për investimet në turizëm. Tani kapim edhe fashën e agroturizmit dhe e lehtësojmë me tre korrektime dhe lehtësi fiskale, dhe krijojmë një balance shumë të mirë në ofertën turistike ku Shqipëria patjetër ka një sfidë shumë të madhe sepse konkurron me vende shumë të maturuara në industrinë e turizmit në rajon dhe jo vetëm.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për taksat vendore”, është përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve që do të bëhen rishtas me qëllim agroturizëm nga personat e pajisur me certifikatë për veprimtari agroturistike, asaj që iu referova më sipër për përcaktimin që i është bërë në vendimin e qeverisë.

Pra, edhe njëherë, po ta shikoni, oferta turistike dhe e investimeve në turizëm është tashmë e plotësuar. Në këndvështrimin tim është nga më të mirat, për të mos thënë më e mira, në rajon dhe sigurisht që kërkesat për ndërtime të strukturave akomoduese janë në rritje, por unë jam i bindur që dhe kjo shtesë do të promovojë, do të incentivojë të dyja anët e sektorit, qoftë atë që ne i referohemi elitar, qoftë pjesën e agroturizmit që në finale është edhe pjesë e profilit turistik të Shqipërisë.

Unë do të dëshiroja që të merrnim sa më shumë opinione e ide përtej kësaj që ne kemi materializuar në këto ndryshimet e para të Qershor-Korrikut. Do të na shërbejnë qoftë për këtë Paketë, qoftë për Paketën tjetër që do të kemi gjatë vjeshtës, pra i hapim konsultimet që tani, jo vetëm për këtë Paketë, por edhe për Paketën e vjeshtës. E nisëm me Shoqatat Shqiptare të përfaqësimit të biznesit, do të vazhdojmë me Dhomat e Huaja të Tregtisë në ditët, javët dhe muajin që vjen. Do të takojmë çdo shoqatë që të shprehë opinionet e veta.

Ndërkohë, që nga nesër do të funksionojë një adresë e dedikuar e-maili dhe ne do t’ju bëjmë me dije, do t’ju dërgojmë dhe në postat tuaja elektronike nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por edhe me njoftim publik, një adresë, që është: PaketaFiskale@financa.gov.al.

Këtu do t’ju lutesha që të na konsultonit, të na dërgonit opinionet tuaja, të na dërgonit vërejtjet tuaja, qoftë përsa i përket politikave, qoftë përsa i përket procedurave, në mënyrë që jo vetëm tani në Qershor dhe në Korrik, por dhe në Vjeshtë kur të bëjmë Buxhetin e ri të vitit 2019, të kemi një Paketë të mendimmarrë në mënyrë të konsoliduar dhe të detajuar, në funksion të asaj që thashë më sipër, të zhvillimit ekonomik dhe të përmirësimit të klimës së biznesit.

Këtu po ndaloj, qoftë për pyetje, qoftë për mendime, qoftë për opinione.

Faleminderit.