Postuar më: 21 Mars 2018

Konsolidimi i Menaxhimit të Financave Publike

Eventi Lançues i Udhëzimit të Procedurave Standarde për Përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Asistencën Teknike të ofruar nga ana e Bashkimit Europian, prezantuan në datën 20 Mars Udhëzimin e ri të Procedurave Standarde për përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm, në prani të ministrive të linjës, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Erjon Luçi, theksoi se ndryshimet në përgatitjen e buxhetit janë pjesë e reformimit të Menaxhimit të Financave Publike në Shqipëri dhe se ato do të kontribuojnë në një lidhje më të fortë midis strategjive të sektorit dhe reflektimit të tyre në buxhet.

Ndërsa, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Zj. Gelardina Prodani, theksoi se dallimi i qartë ndërmjet politikave të vazhdueshme dhe atyre të reja që prezantohet për herë të parë me anë të këtij udhëzimi, rrit transparencën dhe futja e treguesve kryesorë të performancës do të lejojë të gjithë aktorët që të monitorojnë progresin kundrejt objektivave të sektorit. Udhëzimet e reja gjithashtu përcaktojnë rolet, përgjegjësitë dhe formalizojnë procesin e konsultimit me organizatat e shoqërisë civile.

Udhëzimi i ri mishëron një ndryshim konceptual dhe metodologjik të të bërit buxhet, duke u fokusuar tashmë në një qasje të qartë buxhetimi mbi bazë programi dhe performance, ku një risi e dukshme është evidentimi dhe menaxhimi përgjatë gjithë ciklit të buxhetit i Treguesve Kyç të Performancës. Ai është i konturuar në mënyrë të tillë që të prodhojë një PBA të karakterit strategjik ku janë reflektuar qartësisht prioritetet e Qeverisë dhe dokumentat strategjikë, duke evidentuar në mënyrë eksplicite hapësirën fiskale të disponueshme për financimin e Politikave të Reja.

Në këtë udhëzim përcaktohen dy faza të ndara qartë të përgatitjes së PBA, ku në Fazën e 1 do të merren vendimet më të rëndësishme lidhur me alokimet buxhetore, vendime të cilat do të përkthehen më pas në Tavane Buxhetore solide. Faza e 2 do të merret më shumë me detaje teknike që kanë të bëjnë me kostot e programeve buxhetore dhe me përgatitjen e Ligjit Vjetor të Buxhetit.

Ndarja e kërkesave buxhetore nga ana e Njësive të Qeverisjes Qendrore në dy pjesë: Kostot buxhetore të Politikave Ekzistuese dhe Kostot Buxhetore të Politikave të Reja, është një tjetër risi e rëndësishme e këtij udhëzimi.

Një hapësirë të rëndësishme i kushtohet dhe Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, i cili tashmë është bërë pjesë integrale e Programit Buxhetor Afatmesëm dhe e ciklit të Menaxhimit të Shpenzimeve Publike. Nëpërmjet këtij udhëzimi, synohet që të gjitha programet buxhetore të integrojnë në kërkesat e tyre buxhetore elementë të Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor, qoftë në mënyrë të plotë apo të pjesshme.

Vlen për t’u theksuar rëndësia që ky Udhëzim i jep pjesëmarrjes së Shoqërisë Civile në procesin e përgatitjes së buxhetit.