Postuar më: 10 Dhjetor 2017

Investimi në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit, përmirësim i shërbimit, lehtësim i procedurave për qytetarët dhe sipërmarrjen

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte në Doganën e Hanit të Hotit, për të parë nga afër realizimin e projektit të investimit për terminalin e ri dhe godinën, një investim në vlerë rreth 1.8 milionë euro financuar nga Komisioni Europian.

“Është një investim i Bashkimit Europian prej 1.8 milionë euro. Qëllimi është i drejtpërdrejtë për të përmirësuar kushtet e punës por këtu ka një specifikë, investimi sjell pikën e kalimit kufitar në nivelin e kushteve standarde të Schengenit dhe do të përdoret nga 3 institucione shumë të rëndësishme. Do të përdoret nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe nga Agjensia e Kontrollit Ushqimor. Sigurisht që jo vetëm që rrit, përmison, kushtet e punës por rrit edhe cilësinë e shërbimit ndaj sipërmarrjes, ndaj qytetarëve, përshpejton dhe lehtëson tregtinë ndërkufitare, është dhe pjesë e projektit të madh të lehtësimit të tregtisë rajonale dhe besoj që do të ketë efektet e drejtpërdrejta edhe në rritjen e të ardhurave, në transparencën e punës së 3 institucioneve Drejtoria e Policisë Kufitare, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Agjensia e Kontrollit Ushqimor, në raport me qytetarët dhe me sipërmarrjen” – tha Ministri Ahmetaj.

Pika e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, konsiderohet si pikë e kalimit kufitar të kategorisë së parë, bazuar në aktivitetin e përditshëm, funksionin dhe trafikun e transportit të personave dhe mallrave dhe është e vetmja pikë e kalimit kufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, e hapur për transportin e mallrave me natyrë tregtare në rrugë tokësore, por edhe një pikë kyce në kalimin e aksit që lidh Italinë e Slloveninë me Ballkanin jugor.

Hapësira e kufizuar dhe mungesa e korsive të mjaftueshme për përballimin e lartë të fluksit të transportit, kanë qenë një problematikë për këtë pikë kufitare, duke shkaktuar edhe vonesa për qytetarët dhe sipërmarrjen.

Projekti i rikonstruksionit të Pikës se Kalimit Kufitar, ofron një zgjidhje më kosto-efektive, duke mundësuar ndarjen e trafikut të rëndë nga mjetet e vogla të pasagjerëve. Dy komponentët e projektit, ishin Pika e Kalimit Kufitar me ndërtimin e godinës së re ku shumë shpejt do të vendosen zyrat (front office) e Doganës, Policisë dhe AKU, godina e kontrollit të vijës së dytë dhe së dyti, terminali i ri doganor ku do të pozicionohet administrata e Doganes dhe Agjencitë Doganore për kryerjen e procedurave të zhdoganimit për cargo me mallra (deklarata importi-eksporti).

Implementimi i Projektit do të mundësojë një kontroll kufitar më të shpejtë dhe të sigurtë në aksin kryesor midis Shqipërisë dhe Malit te Zi, për trafikun kufitar dhe transportin e mallrave, përpunimin në kohë më të shkurtër të kamioneve me mallra dhe lehtësim të procedurave doganore. Për më tepër, facilitete të tjera për kontrolle të perbashkëta të Policise Kufitare dhe Doganës, ashtu si edhe për kontrollet veterinare dhe fitosanitare nga AKU.