Postuar më: 03 Dhjetor 2017

Investime të duhura në favor të qytetarëve, minimizuan dëmet nga përmbytjet.

Situata e përmbytjeve, Ahmetaj viziton banorët në Rrikaj, “Investimet në kanalin e Darcit, minimizuan dëmet nga përmbytjet”

 

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte sot në fshatin Rrikaj të Kavajës, ku u takua me banorët e prekur nga shirat e ditëve të fundit.

Në maj 2017 filloi faza e parë e investimit për pastrimin e segmentit prej 6 km të Kanalit përgjatë Përroit të Darcit, pas më shumë se 25 vitesh harresë. Si rezultat i këtij investimi, zonat e banuara përgjatë këtij segmenti nuk janë prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Problem mbetet segmenti i dytë, puna për pastrimin e të cilit, sikurse premtoi Ministri, do të fillojë në vitin 2018.

Përroi me një gjatësi rreth 18,5 km prek zonat në 5 njësi administrative ndërmjet Kavajës dhe Rrogozhinës, dhe në vitet e fundit ka përmbytur mbi 2000 ha tokë, duke sjellë dëme të konsiderueshme në banesa, tokën bujqësore por edhe gjënë e gjallë.

“Në kuadër të emergjencës nga përmbytjet erdhëm sot të inspektojmë zonat e fushës së Kavajës, fshatrat Rrikaj dhe Hajdaraj. Ajo që vemë re është se aty ku kemi investuar, tek pjesa e parë e kanalit të Darcit, prej mbi 6km, fatmirësisht nuk ka asnjë përmbytje.

Pjesa e dytë, pra segmenti i dytë që është planifikuar per t’u pastruar gjatë vitit 2018, ka problematikën e vet të përmbytjes. Është një zonë me rrjet kanalizimesh që nuk është prekur për më shumë se 25 vite.

Siç e theksova, kemi filluar të investojmë në pjesën e parë, rezultatet janë të dukshme. E ndërkohë, duke parë çfarë ka ndodhur këtu, kemi detyrim të vazhdojmë të jemi pranë njerëzve dhe sigurisht që të vazhdojmë investimin e nisur, në mënyrë që të kemi rezultate të dukshme, të përputhura me ato investime që do të duhet të bëjmë.

Dëmet megjithëse janë të vogla, sigurisht që ka, në shtëpi, në gjë të gjallë, por sërish më duhet të them që në krahasim me vitin 2015, situata është jo në atë ekstremitet, por sigurisht që prezenca e ujit ka prekur shumë shtëpi” – tha Ahmetaj.

Ndërkohë, Bashkisë së Kavajës do t’i akordohet një fond emergjence për vazhdimin e punës për pastrimin e kanaleve dytësore.

“Besoj që duke qenë afër njerëzve ashtu si e gjithë qeveria, të gjithë institucionet, për t’ua lehtësuar sa më shumë atë ngarkesë që kanë këto ditë, edhe Bashkisë së Kavajës nesër do t’i akordohet një fond emergjence për të reaguar në pastrimin e kanaleve dytësore, për ta lehtësuar sa më shpejt situatën” – u shpreh Ministri.