Postuar më: 15 Shkurt 2018

Inceneratorët e mbetjeve, vendimi i opozitës që u bë realitet

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament:

Besoj që sa herë flasim për sektorin e energjisë elektrike është e udhës që t’i kthehemi situatës që gjetëm në 2013, një situatë tejet e falimentuar, një situatë në kurriz të buxhetit të shtetit dhe një sektor që gjeneronte cdo vit borxh mbi buxhetin e shtetit dhe kishte kaskadë 1.5 miliard dollarë borxhe në sistem, për shkak të një privatizimi korruptiv që sot po del në dritë dalëngadalë nëpërmjet investigimit dhe nëpërmjet medias.

Patjetër që sytë dhe veshët e shqiptarëve do dëgjojnë çudira, por në vitin 2013 po flisnim për falimentim të sektorit, sot po flasim për bursën e energjisë. Sigurisht që 2013 nuk është 1938 sepse po të ishte, të gjithë ne nuk do të ishim fare sot këtu, por jemi të njëjtët njerëz, të njëjtët njerëz që e denoncuan aferën, të njëjtët njerëz që e bënë aferën. Kështu që, për 1938-ën i dashur mik nga Elbasani, ty të takonte të ngriheshe këtu e të mbështesje Ministrin që foli por, nuk ka problem,  je i detyruar politikisht të pranoje të gëlltisje gjithë ndyrësitë që vinin nga landfilli i Elbasanit, se sa të ngriheshe këtu para qytetarëve, por kjo është çështja jote personale dhe politike.

Tani, unë dëgjova përgjigjen e Ministrit dhe përsiatjen e zonjës, dhe m’u referua me emër, por gjej rastin t’i përgjigjem edhe pseudo-akuzave që sjell opozita. E para, zonjë e nderuar, i referohesh gushtit 2017. Unë nuk kam qenë Ministër atëherë. Çfarë kam firmosur?! E më vjen keq që nuk kam qenë Ministër sepse do ta mbështesja përsëri atë projekt, i cili ka shpëtuar jetën e qytetarëve të Elbasanit dhe do të shpëtojë jetën e qytetarëve të Tiranës. Çfarë përgjigjeni keni për mbetjet? Çfarë përgjigjeni keni për landfillet? Na tregoni procedurat. Çojini sot, pse nuk i çoni sot në prokurori? Çojini sot.

Kompanitë krijohen për sic quhet “special purpose vehicle” për projekte dhe vijnë me garanci financiare, dhe garancitë financiare verifikohen. Garancitë financiare fillojnë nga A tek ZH. Çfarë është Zh? Eshtë aseti. Asetin jua tregoi Ministri këtu. Shkoni shikojeni dhe mbështetini qytetarët e Elbasanit. Çfarë keni me qytetarët e Elbasanit që i doni të helmuar? Po me të Fierit e të Tiranës? Keni ndonjë zgjidhje për Tiranën, që është gjysma e Tiranës me plehra? Keni ndonjë zgjidhje? E më tregoni Ministri i Financave, Ministri i Financave. Nuk është pronësi e kompanisë, është pronësi e bashkisë nesër. Nesër është pronësi e bashkisë së Fierit. Nesër është pronësi e bashkisë së Elbasanit. E ka shteti.

Dhe këtë vendimin këtu që e citoi me të drejtë Ministri, është vendimi nr. 178, 6.3.2012, qeveria e Sali Berishës, për incenerimin e mbetjeve. Jua bëmë ëndrrën realitet pra. Ja ëndrra juaj me vendimin 178, jua bëmë realitet. Deshët incenerimin e mbetjeve? Shumë bukur. Bëtë edhe strategjinë ku thoni 62.7 % e lëndëve biodegraduese duhet të digjen? Jua bëmë realitet. Deshët që të prodhonit energji? Jua bëjmë realitet. E çfarë vini e thoni tani? Tjetra që thoni, jo ajo kompani, jo kjo kompani. E dini çfarë kompanie është tek projekti i Tiranës, apo jo? Një nga kompanitë më të mëdha në botë dhe është 40% qeveria e Luksemburgut. Shikojeni mirë kur vini.

Dhe pastaj kjo historia juaj, se ju e keni këtë ndjesinë vajtët kaq kohë, çfarë PPP për TVSH?! Do bëhej PPP e TVSH-së e u ngrit Saliu këtu. Ku e keni PPP e TVSH-së? Përkundrazi, është rritur TVSH me 12 % dhe po bëjmë tani fiskalizimin. Po nuk bini dakord ju, patjetër, sepse ju vini këtu me emocione politike. Njëherë thoshte 400 milionë. Pastaj kur e pyeti Kryeministri nëse e jepte dorëheqjen po të ishin 400 milionë, tha jo, nuk e jap dorëheqjen unë se është 388. Pastaj doli 178, pastaj del 54. Ore jeni në vete?

Dakord, është në të drejtën tuaj që të kritikoni. Nuk është në të drejtën tuaj të shani, por këtë e bëni, po të paktën merrni letrat. Jepini përgjigje këtij vendimi, se ju bë ëndrra realitet. E mua më vjen keq se e keni në koalicion Ministrin që e ka iniciuar, në emër të një qeverie, për të zhdukur landfillet që është një gangrenë dhe stil i vjetër. Po kështu godisni veten tuaj.

Pas Klodian Zotos qëndronka Arben Ahmetaj?! E para, Klodian Zoto qenka biznesmen dhe unë nuk e kam mik, por unë i kam të gjithë biznesmenët e Shqipërisë miq, sepse deregulimi më lidh me ta, thjeshtimi i procedurave tatimore më lidh me ta, bërja e ligjeve fiskale më lidh me ta. Po pse, janë armiq ata dhe kur kalojnë ata do t’i gjuajmë ne? Pse, u bënë dy botë këtu? Bota e biznesit andej dhe qeveritarët këtej, e kush kalon nga biznesi t’i biem? Çfarë e keni këtë histori?

Së fundi, e dini që një ditë, njëri nga ju këtu që nuk është sot, u gëzua e tha “kemi kapur Arben Ahmetajn që ka bërë një transfertë të dyshimtë”! E dini për çfarë e kishin fjalën? Pagesat që i janë bërë inceneratorit të Fierit dhe këta, asnjëri nga këta, dhe ai atje që merr vesh nga buxheti i shtetit, nuk i tha se Ministri i Financave nuk bën pagesa, i bën Autoriteti Kontraktor.

Po dhe një njeri që merr vesh, edhe ai nuk flet, sepse tjetri iku. Ridvani iku. E kuptoni se çfarë thoni? Bëheni qesharakë. Mos u bëni qesharakë. Krenohuni që ëndrra juaj u bë realitet. Ëndrra juaj që keni shkruar në vendimin nr. 178, në 6.3.2012 për incenerimin e mbetjeve, u bë realitet. Gëzohuni. Iu bë realitet atij djalit që iku. Do i bëhet realitet Tiranës. Do Zoti e puna, i bëhet realitet dhe Fierit.

Faleminderit.