Postuar më: 25 Janar 2018

Ikonat e krimit dhe korrupsionit që lyen duart me gjakun e shqiptarëve!

Ikonat e krimit dhe korrupsionit që lyen duart me gjakun e shqiptarëve!

Ligji për Këshillin Ekonomik Kombëtar jep një mundësi shumë të mirë që të debatojmë në thellësi për zhvillimet ekonomike, për zhvillimet e biznesit, për klimën e biznesit, për ato që janë bërë mirë dhe për ato që do duhet të bëhen më mirë.

Sigurisht që, e përdorët këtë foltore për të gërthitur, për të mbledhur në 27 janar sipas jush, shqiptarët që do ju mbështesin juve.

I referoheni varfërisë, i referoheni investimeve, i referoheni rritjes ekonomike në përrallat tuaja. Shqipëria nuk është vend rozë. Sigurisht që ka probleme të shumta ekonomike, sociale, infrastrukturore nëse doni. Në të gjithë sektorët ka probleme, po nuk është Shqipëria as e 2009, as e 2013. Është një Shqipëri tjetër. Është mirë që përpara dates 27 të bëjmë një kronologji të ngjarjeve, se kë do të mbështesin shqiptarët.

Të njëjtin njeri, që sa herë që thotë ndonjë gjë vazhdon e ikën se nuk rri dot të dëgjojë për ç’ka vjen. Është i njëjti person të nderuar, të dashur bashkëqytetarë, i njëjti person që në ’94 ka bërë kontrabandën e naftës kundër këtij vendi dhe kundër Kosovës. Ka nevojë populli për kronologji dhe për të vërteta, patjetër, edhe për firma dhe për kontrata t’i nxjerrim këtu, dhe për firmat e porosite “jepja Shkëlzenit”, ka nevojë t’i shohin këtu gjithë shqiptarët, ta dinë se kë po mbështesin.

E dyta, është autori i parë i ekonomisë famëkeqe të skemave piramidale. Ka thënë janë paratë e pastra të shqiptarëve dhe përfunduan 3 mijë të vdekur. Këtë do mbështesin shqiptarët në 27? Këtë do mbështesin?  Është i njëjti njeri që shkatërroi institucionet në ’98-ën. Ai, ikona e krimit e korrupsionit që i ka duart me gjak, me gjak shqiptarësh. I ka sot duart me gjak shqiptarësh dhe jo një herë, por më shumë se dy e tre herë, se edhe ka spiunuar shokët, edhe i ka çuar në pritë shokët.  E doni më tej, është autori i Gërdecit. 26 shpirtra i harroi. Do dalin shqiptarët për çfarë, për të mbrojtur atë të Gërdecit? Ka shkatërruar ekonominë shqiptare me atë gropë prej 1.5 miliardë tek Rruga e Kombit dhe s’ka mbaruar akoma Rruga e Kombit, të dashur qytetarë. Ka nevojë qytetari për kronologjinë, ta di kë do mbështesë në datën 27, ta di mirë.

21 Janari, a i keni pyetur të nderuar qytetarë, pse nuk e bënë këtë protestën në 21 Janar? Pse nuk e bënë në 21 Janar, por e shtynë në 27 Janar, dini gjë? Në 21 Janar kanë vrarë shqiptarë këta për të mbajtur pushtetin, se menduan se po u binte pushteti dhe vijnë kërcënohen këtu tani, se me demek do sulmojnë institucionet në 27. Hajdeni pra sulmojini institucionet.  Doni të bëni protestë, bëni protestë, mos dilni këtu e thoni “do ta shikoni ju në 27, ku do futeni ju në 27”.

Ne në 27 do të jemi aty ku kemi qenë dhe herët e tjera. Do ju respektojmë protestën, do të vazhdojmë punën tonë, do ju dëgjojmë patjetër, do ju kthejmë përgjigje kur është për t’u kthyer, etj.

Flisni për krimin dhe për korrupsionin e për varfërinë. I nxora shifrat më parë, sërish do i nxjerr. Më vjen keq që nuk është këtu. Ja cila është e vërteta: 2008-2012 e varfëruat këtë vend dhe vini e flisni për varfërinë. Nuk është i pasur ky vend, e do kalojë akoma përpjekje të mëdha që të pasurohet, por është më mirë se sa në 2013. Është më mirë se në 2013.

Do iu jap një sqarim qytetarëve në fakt sepse ju nuk e meritoni. Paskeni zbuluar ju kontrata inceneratoresh! Po jua them me bindje të plotë, atë punë që ka bërë ministria e Mjedisit në mandatin e parë, me ato vepra publike, është gjëja e duhur dhe po t’i ktheheshim prap, prap do të duhet t’i kishim bërë.

Qenkam unë pronari i inceneratorëve? E para njëherë, mbi të gjitha, kam pasur fatkeqësinë që të mos jem autoriteti kontraktor, por e vërteta është se janë gjëja e duhur edhe për Elbasanin, edhe për Fierin, edhe për Tiranën. Nxirrini kontratat. Kush është pronari? Është Edi Rama dhe Arben Ahmetaj?! Është Bashkia e Elbasanit, o të pa-lexuar, o të pazotë. Është Bashkia e Fierit. Dhe Tirana është investim totalisht privat, totalisht privat që bashkitë e Kamzës, e Tiranës, e Vorës, e Rrogozhinës shkojnë dhe depozitojnë në bazë të asaj që kanë për të depozituar aty dhe paguajnë tarifën. Po ja ku e keni strategjinë sepse flisni brroçkulla, nxirrni kalamaj e të paditur në atë foltore dhe flisni brroçkulla.

E keni strategjinë këtu more zotërinj, për ato që i quani bio mbetje urbane, bio degraduese dhe më bëtë tani të lexoja strategjinë e mjedisit. Ai, ai që iku sepse nuk rri dot, në vitin 2011 e ka shkruar: “rikuperime të tjera, për shembull rikuperimi i energjisë”. Ai ka caktuar në strategji që tek mbetje urbane, mbetje e bio degradueshme, ato që digjen, janë 62% e të gjitha mbetjeve. Ai që del e thotë brroçkulla. E pastaj, nxjerr të tjerë e thonë kanë bërë një vendim të ndihmës shtetërore.

Të paktën lexoni kontratat dhe lexoni ligjet. Ka ligj të drejtpërdrejtë të energjisë së rinovueshme, i kaluar këtu në Parlament, që e detyron qeverinë të japë mbështetje sepse në strategjinë tuaj thoni që është e pamundur nga ana ekonomike që të rrinë në këmbë. Çfarë do t’i bëni ju mbetjeve? Do i lini kapicë në Elbasan? Kapicë në Tiranë? Kapicë në Fier? Kapicë gjetkë? Është problem që duhet ndërmarrë një veprim e një reformë. U bë. E nisi ministria e Mjedisit në 2013, sot e falenderojnë qytetarët.

Edhe mos thoni brroçkulla, njëherë vini me 400 milionë, pastaj vini me 385 milionë, pastaj vini me 178 milionë, pastaj thoni u zbuluan kontratat. Shumë mirë, i zbuluat kontratat. Ku qenka firma ime atje? Firma e Arben Ahmetaj, ku është? Unë e falënderoj Ministrinë e Mjedisit të asaj kohe që e ka bërë atë për qytetarët e Elbasanit. Doni qytetarët e Elbasanit që të vijnë këtu e t’ju mbështesin në protestë? Për çfarë, që t’i kishit mbytur në plehra? Apo qytetarët e Tiranës që e latë varrezë, sikur është në luftë Tirana aty te grumbullimi i plehrave.

Më nxorët dje një të palexuar në foltore dhe thatë: “Shikoni, Komiteti i Mbështetjes Shtetërore ka mbështetur inceneratorët”. E para dhe mbi të gjitha, ka një strategji të bërë nga ju, ka një ligj të votuar në Parlament, ka një detyrim të Komitetit të Ndihmës që është një organ kolegjial përtej ministrit të Ekonomisë, në rastin konkret Financave dhe Ekonomisë, dhe po ju sjell një vendim tuajin, se dilni atje dhe thoni “si ka mundësi këta nuk mbështesin energjinë e rinovueshme”. Lexojeni ligjin, sepse është energjia e rinovueshme dhe e pastër.

Dhe tjetra, vendimi nr. 27, datë 18.08.2008, Komiteti i Ndihmës Shtetërore me Kryetar Genc Ruli. Çfarë ka bërë? Po jua lexoj që të kënaqeni me pallavrat që dëgjoni nga platforma blu me të bardhë: “Skema e përjashtimit nga akciza për lëndët djegëse të përdorura nga subjektet të cilat ndërtojnë burime të energjisë elektrike, termocentral me fuqi të instaluar jo më pak se 5 MËH”. Pra, i keni falur akcizën. Keni bërë mirë apo keni bërë keq, ky është një diskutim më vete. Këtu është çështje faktesh dhe ky është fakt. Është vendimi Nr.27.

E së fundmi, mbi të gjitha, këto janë element i të vërtetës. Flisni sa të doni, edhe personalisht, ikona e korrupsionit dhe e lyerjes së duarve me gjak. Asnjë firmë! Kontrolloni përditë.