Postuar më: 28 Qershor 2018

Hapja e negociatave, vlerësim për arritjet dhe progresin e Shqipërisë

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend:

Para se të ndaj fjalën time me Parlamentin dhe me qytetarët, dua që të ndaj me qytetarët një video kartolinë urimi për të kuptuar se si qëndron e vërteta.

Këshilli Europian uron Shqipërinë për arritjet, që nga reforma në drejtësi, që nga lufta kundër krimit dhe korrupsionit, që nga zhvillimi ekonomik. Unë e mora vesh çfarë problemi ka Luli. Luli ka problem se këtu paska dalë Jozefina. Këtu tek kartolina e Këshillit të Europës nuk paska dalë Luli si kontributor por paska dalë Jozefina dhe tani e kuptoj gjithë atë fytyrën e rënduar në konferencën e shtypit dhe gjithë atë bolori të fermentuar gojore që zë në gojë vetëm krim, korrupsion, banditë, kriminelë dhe flet për vlerat europiane, ai. Ka ikur të gërhasë tani, por gjithsesi shpresoj që të kthehet.

Për vlerat e tij europiane do të flasim në fund, por të dashur kolegë të opozitës mund ta kishit kthyer dhe ju këtë ditë në një ditë të mirë. Shqipëria ka marrë një datë për të hapur negociatat dhe Shqipëria nuk është pronë e askujt, është pronë e qytetarëve të Shqipërisë dhe duhet ta mbyllni atë historinë e vjetër tuajën që të merrni pushtetin në të zi, në hi flakësh dhe në mjerim. Nuk vjen më ajo ditë për Shqipërinë. Pushteti nuk merret me bolori të fermentuar gojore dhe nuk merret me lutje, që Shqipëria të digjet, të mjerohet dhe të na vijë shpëtimtari për të shpëtuar Shqipërinë. Kuje e zezë. Ditën që vendet anëtare i japin një dritë jeshile shumë të dëshiruar në 30 vite Shqipërisë, ai rrëzon fytyrën nga mërzia. Pse? Sepse kishte hedhur bast që pas kësaj, të fillonte bolorinë e vet mbi qytetarët shqiptarë.

Unë kam parë opozitë. Kam parë dhe lider opozite që ka vendosur të dalë në pension. I keq tek Zoti, por të paktën boshllëk nuk kishte. I keq tek Zoti, e shkatërroi Shqipërinë. Ky mirë që shkatërron Shqipërinë, por ky është edhe bosh dhe vjen këtu e pa pikë ndërgjegje thotë “Shqipërisë i është refuzuar hapja e negociatave”. Domethënë, ky i merr të gjithë shqiptarët për budallenj, i merr për qorr, për shurdhë dhe vjen këtu dhe thotë që negociatat janë refuzuar. Çfarë është refuzuar? Këshilli Europian flet qartë. Çfarë kushtesh i ka vënë Shqipërisë? Ka ndonjë kusht të ri? Vetingun? Jo, Vetingun ia kemi vënë vetes ne kusht. Ne, kjo mazhorancë e ka votuar atë ligj dhe ju thatë që nuk do ta votoni. Ia kemi vënë kusht vetes ne dhe jo për të hapur negociatat, por për të bërë vendin dhe drejtësinë më të mirë.

Cili është kushti tjetër? Kushti për SPAK-un? Jo, e kemi kërkuar vetë ne SPAK-un. Patjetër, e kemi kërkuar vetë, që të mos na ndodhë që me shami hundësh të shpëtosh nga prokuroria, siç ka shpëtuar për 384 milionë, se do vij tek vlerat europiane të tij.

Çfarë kushti tjetër? Kushti për reformën zgjedhore, në bazë të gjithë raportit të OSBE-ODHIR. Po, sepse nuk mund të fluturojmë këtu siç duam ne dhe të fillojmë të sjellim kushte për reformën në drejtësi, e duke kapur veshin e majtë me dorën e djathtë. Jo, nuk bëhet më ajo dhe praktikisht ju do të duhet të ishit të gëzuarit e parë se tani nuk do ta skanonit, me demek, sepse nuk dini ta skanoni ju këtë qeveri, por do ta skanojë akoma më shumë dhe Komisioni Europian, edhe nëpërmjet përgatitjes për negociatat.

Për ekonominë nuk i flas sepse 7 x 7 bëjnë 42. Mondi nuk ia mësoi dot kurrë, nuk e di çfarë i ndodhi, por nuk ka rëndësi. Flet për papunësinë, ikin shqiptarët thotë. Por papunësia ishte 17.6%, është 12.5%. Numrat janë kokëfortë, 450 mijë të punësuar kanë qenë në maj të 2013, 673 mijë janë tani. Po shqiptarë janë, pse i keni marrë kaq inat shqiptarët? Që ju votojnë vazhdimisht kundër? Por, po të bëni këtë bolori, këtë violencë verbale gjithandej dhe violencë edhe fizike, sikur jemi votuar për të qenë gladiatorë. Unë jo njëherë, kam ardhur për tjetër gjë këtu dhe po flas për vlerat europiane të gërhitësit.

“Do të duhet një qeveri me vlera europiane”, tha. Që demek e përfaqësonka ai. Po ku është vlera europiane e atij, që ka 6 muaj që nuk lë fjalë kundër Shqipërisë, që merr para të zeza, financon lloj-lloj njerëzish të inkriminuar për të bërë lobing kundër Shqipërisë? Dhe do t’i vijë dita të japë llogari. Ku është vlera europiane e atij? Që vret në 21 janar? Keni parë ju ndonjë drejtues, Kryeministër në Bashkimin Europian, që të ketë vrarë e të vijë të drejtojë vendin e vet? Keni parë ndonjë Kryeministër ju që të përfaqësojë vlera europiane ndërkohë që prokuroria ka dhënë pretencë 384 milionë euro të vjedhura. Mos të them fare për atë që ka bërë në Bashkinë e Tiranës.

Domethënë, kryetar opozite që të nxijë ditën që Këshilli Europian vendos datë për hapjen e negociatave. Po, në qershor të 2019 dhe do të përgatitemi. Kemi nevojë që të bëjmë grupet e negociimit, kemi nevojë të certifikojmë komplet problemet teknike që kemi, e patjetër, të vazhdojmë edhe Vetingun siç e lamë, të vazhdojmë edhe krijimin e institucioneve të drejtësisë siç e lamë, të bëjmë edhe reformën për çështjet elektorale, pra reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it, dhe pastaj të vijmë në atë datë që tashmë është vendosur.

Kaq inat e keni Shqipërinë? Kaq ngushtë e keni bërë atë gamën e interesit? Nuk është më Shqipëria interesi juaj? Është pushteti? Dhe vini këtu e thoni turpe. E dini se çfarë problemi ka? Unë e kuptoj mirë që politikisht mund të thoni çfarë të doni, por nuk ju merr njeri seriozisht. Nuk e merr njeri seriozisht atë. Mund të thotë gjëra të qëndrueshme, mund të thotë gjëra të paqëndrueshme, mund të thotë 7 x 7 = 42. Nuk e merr njeri seriozisht, është problem shumë i madh dhe është fatkeqësi për Shqipërinë që nuk ka opozitë. Është fatkeqësi për Shqipërinë që vjen e thotë nuk u hapën negociatat, nxin komplet i tëri, ndërkohë që këtu e paska pasur me Jozefinën.

Gjithsesi, unë jam shumë i gëzuar që iu kthyet normalitetit dhe nuk vini të kapni foltoren dhe shpresoj që nga fermentimi gojor të kalojmë në debate reale konkrete në favor të vendit.

Faleminderit.