Postuar më: 01 Mars 2017

FMN vlerëson sërish suksesin e Programit me Shqipërinë

Fondi Monetar vlerëson sërish programin e suksesshëm me Shqipërinë dhe arritjet kryesore të tre-vjecarit

Pas takimit të Bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për shqyrtimin e dy rishikimeve të fundit (nëntë dhe dhjetë) të Programit, në një tjetër deklaratë të postuar ditën e djeshme në faqen zyrtare të FMN, programi me Shqipërinë vlerësohet i përmbyllur me sukses, duke e vënë theksin tek arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare në tre vitet e fundit.

“Në 24 shkurt 2017, Shqipëria përfitoi transhin e fundit nga linja e kredisë me FMN, që në total shënon vlerën e 377.2 milionë euro, duke përmbyllur me sukses programin e saj tre-vjecar, të fokusuar tek rimëkëmbja ekonomike dhe rikthimi i rritjes, si dhe vënien në kontroll të borxhit të lartë publik që kërcënonte stabilitetin ekonomik” – thuhet në deklaratën e FMN.

Nga ana e saj, Anita Tuladhar, shefja e Misionit të FMN për Shqipërinë shprehet se programi ka arritur në mënyrë të suksesshme të vendosë Shqipërinë në udhën e rimëkëmbjes ekonomike me financa publike të shëndetshme. “Falë angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne mundëm të mbështesim reformat që janë kritike për rritjen ekonomike. Programi ndihmoi në përforcimin e kuadrit institucional, uljen e dobësive të ekonomisë dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik pavarësisht kushteve të jashtme jo të favorshme”- vlerëson Tuladhar.

Dy ditë më parë, në një takim me mediat për të ndarë vendimin e Bordit të FMN, Ministri I Financave Arben Ahmetaj ritheksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të avancuar me angazhimet e marra në kuadër të programit, edhe përgjatë periudhës pas marrëveshjes, me fokus uljen e mëtejshme të borxhit publik, përshpejtimin e rritjes ekonomike, konsolidimin e kuadrit makroekonomik e fiskal dhe mbi të gjitha, vazhdimin e reformave.

“Reformat na kanë shpërblyer me rritjen ekonomike, me rritjen e pagave dhe pensioneve, me rritjen e punësimit, me rritjen e numrit të ndërmarrjeve, me rritjen e investimeve të huaja, me rritjen e importeve dhe me rritjen e eksporteve. Kjo do të thotë që është e domosdoshme, është kusht jetik vazhdimi i reformave, vazhdimi i konsolidimit fiskal deri në uljen e borxhit në nivelin nën 60%. Viti 2017 do e ulë borxhin në 68.9%. Të gjitha janë të parashikuara, sëbashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar në nivele, të cilat na garantojnë përgjegjshmëri totale drejt përmirësimit të mëtejshëm të financave publike” – tha Ahmetaj.

Në deklaratën zyrtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar rendit disa nga arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare gjatë tre viteve të fundit në kuadër të Programit ndërsa jep edhe disa rekomandime, duke vënë një theks të vecantë domosdoshmërisë së avancimit të reformës në Drejtësi dhe reformave strukturore të lidhura me të, që adresojnë problematikat e institucioneve të qeverisjes si dhe ineficencën e sistemit të drejtësise.

***

Ndër arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare në tre vitet e fundit, FMN thekson:

  • Rritja ekonomike u përshpejtua në mbi 3%
  • Deficit fiskal u ul me rreth 3 pike përqindje të PBB, I mbështetur kryesisht nga rritja e të ardhurave
  • Ulja e borxhit publik
  • Pagesa e detyrimeve të prapambetura
  • Buxheti tashmë shënon një deficit primar pozitiv
  • Avancimi I konsiderueshëm I reformave në  sistemin e pensioneve dhe sistemin energjetik, duke ulur mbështetjen nga buxhetii shtetit për këta sektorë
  • Ulja e nivelit të kredive me probleme dhe miratimi në parlament I ligjit të falimentit, për zgjidhen e problemit të kredive të këqija.
  • Konsolidimi I kuadrit të përgjithshëm fiskal dhe financiar                                         

 

Sugjerimet për vazhdimin e rimëkëmbjes dhe konsolidimit të ekonomisë:

  1. Uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe nevojave për huamarrje
  2. Reformimin e taksës së pronës dhe reduktimin e përjashtimeve
  3. Modernizimin e administratës fiskale dhe rritjen e eficencës së menaxhimit të financave publike
  4. Uljen e mëtejshme të nivelit të kredive me probleme
  5. Avancimin e reformës në drejtësi të iniciuar së fundmi me mbështetjen e BE dhe reformave strukturore të lidhura me të, që adresojnë problematikat e institucioneve të qeverisjes si dhe ineficencën e sistemit të drejtësise.

 

Duke iu referuar fillimeve të Programit me qeverinë shqiptare, FMN thekson se ekonomia e vendit gati frenoi si pasojë e rënies së kërkesës nga partnerët kryesorë tregtarë si Greqia dhe Italia ndërsa borxhi publik ishte rritur; ishin krijuar detyrime të prapambetura si pasojë e abuzimeve në periudhën zgjedhore; Sistemi i pensioneve ishte i paqendruesëm dhe ai energjetik gati në kolpas; Sistemi bankar, përmes të cilit qeveria financonte shumicën e deficitit, ishte dobësuar si pasojë e nivelit të lartë të kredive me probleme duke rritur presionet e financimit.

Marrëveshja me FMN ndihmoi në adresimin e këtyre sfidave financiare dhe fiskale dhe rikthimin e rritjes ekonomike në Shqipëri.