Postuar më: 02 Mars 2018

Ekonomia në shifra, reflektim i angazhimit të kësaj qeverie për konsolidim fiskal dhe përshpejtim të rritjes ekonomike. Reformat përmirësuan fondamentet e ekonomisë.

Fjala e Ministrit Ahmetaj në takimin e zhvilluar sot me mediat për zhvillimet e fundit ekonomike

Përshëndetje,

Sic edhe kishim komunikuar me ju, sot do të ndajmë të dhënat më të fundit për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2017 dhe disa detaje të ecurisë së fiskut dhe ekonomisë në muajt e parë të vitit 2018.

Rritja ekonomike në 9-mujorin e 2017 është 3.9%. Ajo që dua të shkëpus nga çka ka thënë dhe Banka e Shqipërisë, si një institucion i pavarur që skanon ekonominë shqiptare dhe jep opinionet e veta zyrtare: “Ekonomia e vendit pritet të ndjekë një trajektore rritëse, të qëndrueshme për periudhën në vazhdim, duke konverguar gradualisht drejt potencialit të saj”. Pra, kemi hyrë në një periudhë të përshpejtimit të rritjes ekonomike, konsolidimit të rritjes ekonomike dhe të kapjes së potencialeve ekonomike të sektorëve.

Nëse shohim tremujorët, për të ilustruar dhe cilët sektorë kanë kontribut në rritje. Kontributet kryesore në rritje i ka dhënë tregtia, ndërtimi dhe industria. Përsa i përket shpenzimeve, kemi një rritje të konsumit final të popullatës me mbi 3%. Pra, një reflektim i drejtpërdrejtë i rritjes së fuqisë blerëse të qytetarëve si dhe vazhdimi i kontributit të investimeve, ajo që i referohemi formimi bruto i kapitalit fiks, i cili edhe pse me rritje dhe ulje, gjithmonë ka qenë në ritme shumë pozitive.

Ndërkohë, tremujori i tretë i vitit 2017, është 3.25 %, që është e konsiderueshme.

Kam sjellë një analizë të sektorit të ndërtimit, për ju që jeni opinion-bërës dhe gazetarë të mediave kryesore që merren me zhvillimet ekonomike, për të furnizuar dhe argumentin pse ndërtimi rritet dhe për t’ju kundërpërgjigjur edhe atyre tentativave për ta veshur ndërtimin me lloj-lloj nofkash jo ekonomike, jo politike dhe jo racionale.

Huatë e reja për ndërtim kanë një rritje nga viti në vit 67.7%, huatë për ndërtim. Nga dalin paratë e ndërtimit?! Këto nuk janë të dhëna të Ministrisë së Financave apo të qeverisës, këto janë të dhëna të Bankës së Shqipërisë. Ky grafik është domethënës dhe rrëzon çdo lloj pretendimi emocional apo politik të kujtdo qoftë. Huatë e reja për pasuritë e paluajtshme janë rritur 7.9 %, nga sistemi bankar. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme, për ju që jeni gazetarë të ekonomisë, por edhe për gjithë qytetarët që na dëgjojnë e na ndjekin, për të kuptuar se nga vjen rritja e sektorit të ndërtimit.

Ndërkohë, kam sjellë dhe një të dhënë interesante, sërish për të luftuar atë tentativë për të bërë pis sektorin. Shikoni ndërtesat për banim në gjithë Shqipërinë, në vlerë. Në vitin 2013, 22.12 miliardë; në vitin 2014, 34.4 miliardë; në vitin 2017, 26 miliardë. Rënie 24 %. Pra, e gjithë ajo bolori fjalësh “ndërtimi, droga, paratë e drogës”, ja ku e keni. Është një fakt domëthënës që rrëzon çdo lloj aludimi të qëllimshëm dhe naiv, sepse ka aludim të qëllimshëm, ka edhe aludim nga padituria.

Do t’ju lutesha që të shikoni në grafik, lejet e bashkisë së Tiranës, krahasuar 2014 me 2017, në vlerë. 24.9 miliardë në 2014, 24.79 miliardë në 2017. Pak më pak se 2014, por po e quaj njësoj. Ku është efekti i emocionit dhe i naivitetit? Mund të themi çfarë të duam në emocion, naivitet apo papërgjegjshmëri, por shifrat janë shifra. Nga çdo podium, por sidomos nga ky podium, duhet folur vetëm me shifra.

Punësimi u rrit në vitin 2017 ndërsa papunësia në 2017 në krahasim me vitin 2014 ka një ulje drastike prej 4% dhe ka nga ana tjetër një rritje serioze gati 4% të pjesëmarrjes në forcat e punës. Pra, gjithë rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit dhe papunësia, në mandatin e dytë të qeverisë Rama, tenton të shkojë 1 shifrore, nga 17.6% në 13.6 %.

Punësimi në bujqësi, për të furnizuar argumentet tuaja racionale, por edhe për të luftuar atë emocionin “humbën vende pune në bujqësi”. Grafiku tregon sezonalitetin bujqësor. Në vitin 2013, në bujqësi, për shkak të sezonalitetit, janë humbur 101 mijë vende pune, ndërsa në vitin 2017, për shkak të sezonalitetit, një normalitet numerik, në 17 mijë, të cilat zëvendësohen me turizmin. Pra, e kuptoni çfarë jemi duke folur për një sektor i cili, më në fund, në dy vitet e fundit ka filluar rritjen.

Për investimet e huaja direkte, në qoftë se do të ecim me të njëjtën logjikë të dy tremujorëve të fundit, T2 dhe T3, sepse T4 i 2017 nuk është publikuar ende, ne mendojmë që në qoftë se 9-mujori ka faktin e 676 milionë euro, dhe nëse do ecim me të të njëjtin normalitet prej 250 apo 280 milionë euro investime të huaja në tremujor, atëherë do të kemi pothuajse të njëjtën shifër si në vitin 2016, ashtu edhe në vitin 2017. Viti 2016 ka qenë rekord. Pra, në shifër 9-mujori është 676 milionë dhe nëse do të kemi një rritje normale të investimeve tremujore në 250 milionë euro apo 280 milionë euro, do të thotë që sërish viti 2017 do të jetë një vit shumë i mirë për investimet e huaja.

Përsa i përket inflacionit, ai vazhdon luahtjet e veta normale, nuk është se ka ndonjë nxehtësi në ekonomi për shkak të prurjeve të mëdha të parave.

Besimi në ekonomi vazhdon të jetë mbi mesatare. Tre nga pesë treguesit e TNE vlerësohen shumë kënaqshëm dhe shpresojmë që të vazhdojë i njëjti sentiment për ekonominë shqiptare.

Kam sjellë numrin e bizneseve të reja. Neto, janë 14 mijë biznese të reja në vitin 2017. Kam sjellë edhe shifrën për dy muajt e vitit 2018, janë 2840 biznese të reja neto, nga të cilat 248 janë biznese të huaja, pra janë investime të huaja. Për të treguar fakte përtej debatit që bën politika, jo u regjistruan, jo u ç’regjistruan. Në finale, kemi Qendrën Kombëtare të Biznesit që na tregon çfarë ka ndodhur konkretisht në ekonominë shqiptare përsa i përket bizneseve të reja që ç’regjistrohen dhe që regjistrohen.

Kam sjellë një slide interesant për kredinë që flet shumë. Përse i sjellim gjithë këto slide? Për të kuptuar që nuk kemi ngjarje të çuditshme, por kemi ngjarje normale, përmirësim dhe përshpejtim në fondamentet ekonomike, e shumë slide më pas do ta mbështesin profesionalisht këtë që unë ju them. Kredia për sektorin privat shënoi rritje mesatare prej 3.2% në tremujorin e katërt dhe kreditë me probleme janë ulur nga 24% në Mars 2014, në 13.2 % në Dhjetor 2017, korrektim spektakolar në favor të shëndoshjes së sistemit bankar dhe në favor të rritjes së kredisë.

Shikoni eksportet dhe importet për të kuptuar nga vijnë paratë, nga vjen euro, për të kuptuar nga vjen monedha e huaj. Shikoni çfarë rritje ka. Gjatë vitit 2017 eksportet shënuan rritje 12.1% dhe ndërkohë, kemi një perspektivë shumë pozitive të eksporteve, rritja e eksporteve në janar është 23.6%. Pra, ka përmirësim të ndjeshëm të bilancit të pagesave. Janë përmirësuar fondamentet e ekonomisë për shkak të reformave. Fondamentet e ekonomisë, për shkak të reformave.

Eksportet e ushqimeve dhe mallrave bujqësore në 2017 u rritën 19%, krahasur me 2016, ndërsa vetëm për janarin 2018 janë rritur 40.3%. Nga vijnë paratë?

Kam sjellë një slide të importit të makinerive dhe pajisjeve. Vetëm në janar kemi një rritje 28%. Fondament i ekonomisë. Pra, për çfarë flasim? Po flasim për importet e makinerive dhe pajiseve që hyjnë në procesin e prodhimit dhe të shërbimit në krye të 6 deri në 8 muaj. Nga çfarë është rritur kjo? Është rritur nga besimi në ekonomi, nga kërkesa, nga konsumi, nga përmirësimi i fondamenteve ekonomike dhe nga reformat në ekonomi.

Kam sjellë strukturën e eksporteve për të parë që konjukturalisht eksportet kanë ndryshuar pozitivisht. “Tekstile dhe këpucë”, në 2013 kanë qenë 28%, sot janë 43%. Shikoni “Minerale e lëndë djegëse, energji elektrike”, në 2013 kanë qenë 40%, tani janë 15 % edhe për shkak të çmimeve. Megjithatë, eksportet janë rritur nominalisht dhe në përqindje. “Ushime, pije duhan” kanë qenë 5.9 %, sot janë 11 %. “Materiale ndërtime dhe metale”, një rritje prej gati 1.3%. “Makineri, pjesë këmbimi dhe pajisje” nga 3.3 në 5.5 %. Pra, po ta shikoni, ka një perspektivë pozitive të eksporteve, një ndryshim në strukturën e tyre.

Kam sjellë gjithashtu performancën e të ardhurave në Janar-Shkurt, vazhdon angazhim ynë për konsolidim fiskal. Tatime, Dogana, Sigurime, viti i kaluar ka qenë 56.477 miliardë lekë, ndërsa këtë vit, e njëjta periudhë, është 60.5 miliardë lekë, një rritje 7%. Tatime dhe Dogana, të krahasuara pa sigurimet, 7.5% dhe krahasuar me 2017, rreth 3.2 miliardë më shumë, ose 32 milionë dollarë më shumë në të njëjtën periudhë.

Borxhi publik. Do t’ju lutesha të fokusoheni tek trajektorja e borxhit 2005-2017 dhe perspektivën. Në 2005 borxhi ishte 58.2 %. Në 2013 borxhi shkoi 70.4 %, e kontabilizuar nga të gjitha institucionet, Ministria e Financave, nga Thesari, Banka e Shqipërisë, FMN, Banka Botërore, Komisioni Euriopian.

Në vitin 2017 borxhi ishte 70%. Ka filluar pa kthim trajektorja ulëse e borxhit publik. Janë shumë të rëndësishme momentet, 2005, 2013, 2017. Në 2005, 58.2 %. Në 2013, 70.41 %. Në 2017, 70 %. Shikoni korrektimin që ka kaluar ekonomia shqiptare dhe konsolidimin fiskal, pa kthim. Perspektivën e shikoni. Mos harroni që ia vlen të përmendet që kjo qeveri ka vendosur në ligjin organik të buxhetit rregullin e artë të borxhit publik, nuk ka rritje të borxhit nga asnjë qeveri, ka vetëm ulje deri kur borxhi të shkojë 45 %. Shqipëria e ka akoma borxhin e lartë dhe do të duhet të vazhdojë me këmbëngulje ta ulë borxhin në vitet që vijnë, pa asnjë dilemë, pa asnjë mëdyshje. Nuk ka mëdyshje në domosdoshmërinë e uljes së borxhit publik. Nuk ka dhe nuk ka asnjë lëvizje nga angazhimi ynë për konsolidim të mëtejshëm fiskal.

Kam sjellë edhe balancën e përgjithshme. -2 % ishte deficiti. Shikoni si ka qenë në vite. Shikoni balancën primare. E kam thënë dhe do e them sa herë të takohemi, kur balanca primare është negative do të thotë që qeveria ka krijuar sërish borxh të ri, kur është neutrale ose pozitive do të thotë që qeveria jo vetëm nuk ka krijuar borxh të ri, por i ka shërbyer borxhit që kanë marë qeveritë e kaluara, pra borxhin e trashëguar. Pra, jo vetëm që nuk ka krijuar borxh të ri në këto tre vite qeveria Rama, por ka shërbyer borxhin e marë nga qeveritë e kaluara. Këto janë grafikë domethënës të angazhimit të një qeverie për konsolidim fiskal dhe përshpejtim të rritjes ekonomike.

Kam sjellë një grafik tjetër për të parë përgjegjshmërinë në menaxhimin e borxhit, për të parë se si e kemi ndryshuar cilësisht borxhin dhe ngarkesën në buxhet gjithashtu.

Ndërkohë, kam sjellë vlerësimin e agjencisë ndërkombëtare Standard and Poor’s, publikuar vetëm një muaj më parë. Nëse ne konsiderohemi stabël, ata thonë që kjo vjen për arsye të reformave që vendi ka ndërmarrë dhe gjithashtu një rritje e qëndrueshme ekonomike, dhe në përgjithësi përmirësimit të financave publike. Kjo është kompania S&P, e mirënjohur botërisht si një nga agjensitë më të mira të vlerësimit të vendeve. Këta e thonë ata, nuk e themi ne, nuk e thotë qeveria, por e thotë një arbitër ndërkombëtar që na gjykon në zhvillimet ekonomike.

Reduktimin e varfërisë e kemi diskutuar, po ju kam sjellë një slide shumë interesant për të provokuar pozitivisht atë debat që ne bëjmë me njëri-tjetrin. Viti 2012 ka qenë viti më i varfër për shqiptarët, në të paktën 15 vitet e fundit. Viti 2012, në bazë të asaj që Banka Botërore raporton, ka qenë pika më e ulët përsa i përket varfërisë, periudha më e varfër për shqiptarët. Më pas ka filluar përmirësimi, që do të donim të ishte më i shpejtë, por ka përmirësim dhe këtu kam sjellë një krahasim midis 2015-2016  se si ka ndryshuar struktura e buxhetit të familjeve sipas prefekturave. Shikoni “ushqim dhe pije joalkoolike”, nga 48% ka zbritur në 45%. Por çfarë është rritur? Shpenzime për “banesa, ujë, energji elektrike” 10.2%, një ulje e lehtë por thuajse nuk ka ndryshuar. Shikoni “mobilim, elektroshtëpiake dhe mirëmbajtje”, nga 4.8% në 5%; “komunikimi” nga 3% në 3.3%; “argëtim dhe kulturë” nga 2.9% në 3%, “arsim” nga 2.1% në 4.4%, “restorante dhe hotele” nga 3.6% në 4.4%, të tjera mallra dhe shërbime nga 5.8% në 6.5%. E kuptoni çfarë debati qesharak bëhet ndonjëherë në podiumet politike?! Këto janë shifra që flasin, rritja e konsumit, struktura e konsumit, investimet e huaja, importet, eksportet, financat publike, ndërmarrjet, të gjitha në rritje, fondamentet e ekonomisë.

Një grafik interesant nga Banka e Shqipërisë është ai i kursit të këmbimit. “Kursi i këmbimit të lekut është ndër më të qëndrueshmit në rajon dhe luhatjet e tij tentojnë historikisht të kenë një shpërndarje normale”, - thotë BSH. Ato efektet kanabis, droga, etj-etj., ja ku e keni të vërtetën. Përtej diskutimeve emocionale në podiumet politike, e vërteta është kjo që thotë BSH. Nga analiza statistikore rezulton se mbiçmimi i kursit të këmbimit gjatë gjysmës së parë të vitit 2017 duket një ngjarje normale. Kursi i këmbimit vlerësohet të jetë pranë nivelit të ekuilibrit të tij në përputhje me ecurinë e faktorëve fondamentalë, siç thotë BSH. Por faktorët fondamentalë cilët janë? Të gjitha ato që reflektojnë tek bilanci i pagesave, importet, eksportete. Eksportet në tërësi për herë të parë kanë pasur kontributin pozitiv neto, duke futur kontributin shumë serioz pozitiv të turizmit.

Pra, këto janë fondamentet e ekonomisë dhe mbiçmimi i tij gjatë periudhës së fundit “pasqyron ndër të tjera, – thotë BSH, përmirësimin e faktorëve fondamentalë, sidomos përmirësimin e bilancit të pagesave dhe miksin e politikave monetare dhe konsolidimin fiskal, si dhe nivelin e lartë të investimeve të huaja direkte”.

Pra, është thelbësor ky slide, për të përkthyer se sa naiv dhe i qëllimshëm nganjëherë është debati politik për fondamentet ekonomike. Tregon shumë qartë se çfarë ka ndodhur. Kthehemi dhe një herë tek grafiku i kursit, është i njëjtë me periudhën e 2006 – 2007-2008-2009, në ato luhatje jemi. Prandaj ju solla një kuadër pak më të gjërë këtë herë për t’ju furnizuar më një racionale statistikore që të ndërtojmë racionalen e komunikimit me median për çfarë ndodh me fondamentet ekonomike.