Postuar më: 19 Shkurt 2018

Deregulimi sapo ka filluar. Reduktohen së shpejti lejet dhe licensat

Fjala e Ministrit Ahmetaj në tryezën për Deregulimin

Ahmetaj, “Deregulimi sapo ka filluar. Reduktojmë lejet dhe licensat. Posta shqiptare dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, qasje të re dhe shërbime të thjeshtuara për qytetarët dhe sipërmarrjen”

Përshëndetje,

Unë do të fokusohem në dy-tre elementë dhe më pas mund të diskutojmë për mendime, sugjerime ose edhe detajim nga ndonjë institucion, Dogana, Tatime, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Posta patjetër që, në arsyetimin tonë dhe në mendimin tonë, do të kthehet dhe një platformë shumë e rëndësishme deregulimi, por edhe thjeshtimi procedurash në aspektin e komunikimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Ka një urdhër të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë përsa i përket detajimit të gjithë proceseve që ne i quajmë deregulim, proceseve të thjeshtimit të marrëdhënies me qytetarët dhe me sipërmarrjen.

Dua të theksoj rëndësinë që ka Qendra Kombëtare e Biznesit. Besoj ka një ecuri shumë të mirë me komunikimin në portalin e-Albania. Në mos gabohem janë 14 mijë nënshkrime elektronike dhe janë më shumë se 800 printime me vulë dixhitale. Unë do të kërkoja nga ju që ta marketoni shumë më shumë me sipërmarrjen dhe me qytetarët, edhe me linjat e komunikimit që ju keni me listën e sipërmarrjeve të regjistruara atje. Do të jetë shumë mirë për sipërmarrjen që të vazhdojë të përdoret nënshkrimi elektronik dhe printimi elektronik, për t’i larguar nga sportelet e administratës, ku harxhojnë më shumë kohë dhe kosto është patjetër më e madhe.

Ne jemi në një proces për thjeshtimin e licencave, autorizimeve dhe lejeve. Jemi në bashkëveprim me një grup kolegësh, ministrash për të hequr 10 licenca të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Këtu dua të nënvizoj atë qëndrim që e ka theksuar dhe Kryeministri, që ne do të përdorim vetëm QKB-në si një dritare për autorizimin, licencimin dhe lejet, duke i thjeshtuar, por në mënyrë që të kemi një inventar të plotë, të saktë dhe të drejtë të asaj që ndodh në ekonomi, qoftë me kërkesat, qoftë me licencat, qoftë pastaj edhe me kuptueshmërinë se cilat janë të domosdoshme dhe cilat nuk janë të domosdoshme.

Përsa i përket administratës doganore, besoj puna që është bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave është e qenësishme. Kalimi nga vlerësimi në territor në vlerësimin në qendër, është një arritje shumë e madhe e administratës fiskale. Do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi atë.

Vetëm gjatë vitit 2017 janë dorëzuar 220 mijë deklarata doganore importi për hedhjen në qarkullim të lirë. Me vlerësimin doganor në qendër ky vlerësim do të bëhet tërësisht online. Pra, mos harroni, ju jeni drejtues institucionesh, një veprim i tillë, i menduar dhe i punuar gati një vit, e kemi filluar që në dhjetor të vitit 2016 për ta strukturuar dhe sot e kemi të jetësuar, për një deklaratë doganore që mund të duheshin 1-1.5 orë, sot duhen vetëm 20 minuta përmes kanalit blu. Shumë shpejt do të kemi deklaratat e eksportit në sistem si dhe gjurmimin e gjithë trafikut komercial, që nga portet apo pikat hyrëse, deri në magazinat e subjekteve apo magazinat doganore.

Të njëjtat fjalë dua të them edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.Tashmë është kthyer në gen të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dëshira për t’i kthyer proceset në online, në mënyrë që të lehtësohet puna e qytetarëve dhe e sipërmarrjes. Unë kam sjellë vazhdimisht një shembull, janë 13 vërtetime që janë përdorur, në mos gabohem, 586 mijë herë gjatë një viti. Tani ato janë të gjitha online dhe duket si çudi, por u zhdukën radhët për një ditë. Pra, për një ditë, nga radhët e pafundme për të tërhequr vërtetimet duke i kaluar online, menjëherë patëm atë efekt.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve vazhdon puna për thjeshtimin e procedurave dhe kalimin online për një sërë shërbimesh të tjera. Unë do t’i kërkoja drejtoreshës që të punojmë së bashku me AKSHI-n, por jo vetëm, që të kalojmë edhe komunikimin të rakorduar me nevojat që ka sipërmarrja, pra siç kemi live chat-in dhe qendrën e thirrjeve, t’i vëmë në shërbim të të gjithë sistemit në mënyrë që në sportelet e tatimeve të kemi sa më pak njerëz, vetëm atëherë kur është e domosdoshme që të jenë fizikisht atje.

Shembullin unë e kam sjellë edhe publikisht: me kalimin online të këtyre 13 autorizimeve, në përllogaritjen që kemi bërë ne, lehtësohet jeta e qytetarëve dhe sipërmarrjes, pasi në një vit i kemi kursyer sipërmarrjes 56 vite punë dhe është një përllogaritje shumë korrekte dhe e detajuar.

Nuk dua të ndaloj me Drejtorinë e Përgjithshme të pronësisë Industriale, por duhet të kuptojmë dhe drejtuesit duhet ta kuptojnë shumë mirë që janë pjesë e zinxhirit ekonomik, pjesë e shërbimeve që ne afrojmë për sipërmarrjen dhe për qytetarët, dhe për këtë arsye do të duhet që ta mendojnë si domosdoshmëri thjeshtimin e procedurave.

Pra, hallkat nuk duhet të jenë të dobëta brenda kësaj ministrie dhe jo vetëm, hallkat duhet të jenë të gjitha të mirë-përgatitura për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe sipërmarrjes.

Tek Shërbimi Kombëtar i Punësimit dua të ndaloj pak më tepër, sepse besoj që kjo do të jetë një risi. Këtu dua të kemi një përputhshmëri dhe në analizën që ne bëmë bashkë, unë jua përcolla qasjen dhe orientimin tim. Do të duhet të fokusohemi tek ndërlidhja, kryesisht me ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në mënyrë që të kemi të njëjtën database midis punëkërkuesve aktivë që ne kemi në listat e Shërbimit Kombëtar të Punës, dhe të gjithë listës që përfitojnë nga skemat pasive siç është pagesa e papunësisë, në mënyrë që pastaj të sjellim komponentin e tretë në skemë, që është vendosja e kurrikulumeve në funksion të nevojave të të dy palëve, dhe jo kurrikulume siç rëndom mund të jenë diku-diku që nuk kanë lidhje me nevojën apo me kërkesën, qoftë të sipërmarrjes, qoftë të punëkërkuesve. Vendosja në platformën e-Albania të të dy database-ve është emergjencë, në mënyrë që pikë së pari të dimë kujt t’i shërbejmë me çfarë dhe e dyta, të kursejmë buxhetin e shtetit nga pagesa të panevojshme të skemave dytësore.

Zv.kryeministrja ka hedhur një ide, e cila mua më duket racionale e që besoj që në ditët që vijnë do ta strukturojmë, që edhe pagesa e papunësisë apo shërbimet e tjera të jenë në një çati me Shërbimin Kombëtar të Punës, për t’u rakorduar. Zv. Kryeministrja e sjell si një risi, por të vërtetuar pozitivisht në disa vende të tjera. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.

Do ta mbyll duke thënë që reforma e deregulimit sapo ka filluar. Pra, nuk është se kemi bërë një apo dy hapa dhe do të ndalojmë por, sapo ka filluar. Nuk do të ndalojmë asnjë sekond së thjeshtuari qoftë dhe ndonjë procedurë që në mendjet tonë na duket si procedurë rutinë, por aty jashtë mund të marrë orë, mund të marrë ditë, mund të marrë javë, mund të marrë vite të tëra për sipërmarrjen.

Së fundmi, në lidhje me këtë, Posta Shqiptare do të duhet të bashkohet me QKB dhe me AKSHI-in, jo në kuptimin e strukturimit së bashku, por të punojnë bashkë në mënyrë që të bëjmë të mundur shërbime dixhitale online, në kohë reale, që t’ua bëjmë të lehtë jetën qytetarëve dhe sipërmarrjes.

Faleminderit.