Postuar më: 20 Qershor 2014

Cani firmos 18 milionë euro për Bypass-in e Vlorës

Qeveria shqiptare nënshkroi sot një kontratë me vlerë 18 milionë euro me Bankën Europiane të Investimeve, që do të sigurojë financimin për ndërtimin e Bypass-it të Vlorës. Kontrata financiare u nënshkrua në selinë e kryeministrisë nga Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani dhe Zëvendëspresidenti i BEI, z. Dario Scannapieco, në një ceremoni ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, ai i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj dhe ai i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Në deklaratën për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Financave, Shkëlqim Cani u shpreh se: “Nënshkrimi i Marrëveshjes së financimit të Bypass-it të Vlorës është një besueshmëri tjetër në seriozitetin e projekteve publike të qeverisë shqiptare dhe në përpjekjet e saj për modernizimin e infrastrukturës kombëtare dhe integrimin rajonal. Bashkëpunimi me Bankën Europiane për Investime është një partneritet tashmë i konsoliduar dhe i padiskutueshëm në rrugën tonë drejt integrimit europian. Projekti i ndërtimit të Bypass-it të Vlorës është një ndër projektet prioritare të qeverisë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Objektivi i tij është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, është rritja e komoditeti dhe e sigurisë në rrugë dhe në lëvizje, si dhe përmirësim i situatës ambientale në qytetin e Vlorës.

Realizimi i këtij projekti si nyje lidhëse në korridorin veri-jug është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, zhvillimin industrial, për turizmin dhe me impakt në bujqësi, për transportin e prodhimeve bujqësore. Fizibiliteti ekonomik i këtij projekti është i lartë në të gjithë skenarët e ekzaminuar. Kosto totale e parashikuar e projektit është afërsisht 53 milionë euro, pa përfshirë TVSH-në, studimin e fizibilitetit apo studimin e detajuar, si dhe supervizionin. Përveç Bankës Europiane për Investime bashkëfinancues janë edhe BERZH-i, gjithashtu është edhe BE me fonde falas nga IPA 2011, si edhe qeveria shqiptare.

Termat e financimit të kredisë së ofruar nga Banka Europiane për Investim janë; Shuma është 18 milionë euro; koha e maturimit është 25 vjet, duke përfshirë edhe 6 vite pa pagesë principali; norma e interesit është e tregut, në momentin e disbursimit. Projekti parashikohet të përfundojë në mars të vitit 2017. Tashmë s’më mbetet tjetër përveç se të uroj ndërtuesit për këtë objekt, si dhe Ministrin e Transportit për sukses në realizimin e këtij projekti”.  

Pas Ministrit Cani, fjalën e morri zv/presidentit të Bankës Europiane për Investim, i cili u shpreh se: “Jam vërtet shumë i lumtur që gjendem këtu me ju dhe që ne mund të nënshkruajmë këtë kontratë sëbashku. Një kontratë që do të kontribuojë më tej, për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe një kontratë që do ta çlirojë qytetin e Vlorës nga trafiku i rëndë, në veçanti në muajt e verës.

 

Zoti ministër, ju na keni shpjeguar se çfarë është projekti, pra, që kemi të bëjmë me 29 kilometra rrugë të reja, të cilat në fakt do të japin një akses më të lehtë dhe më të sigurt në rrugën bregdetare të Jugut të Shqipërisë. Po ashtu, këto rrugë do ta kalojnë trafikun larg qytetit apo qendrës së Vlorës.

 

Por, përveç këtij projekti, më lejoni t’ju them se ndjehemi shumë të kënaqur, pas takimit që patëm përpara pak minutash, në të cilin ne vendosëm që të gjitha këto projekte, të cilat ne financojmë dhe kemi biseduar, t’i vëmë në një kuadër të qëndrueshëm. Dhe, po ashtu, në mënyrë që të fuqizojmë më tej bashkëpunimin mes Bankës Europiane të Investimeve dhe Qeverisë shqiptare. Ne besojmë se është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë, në mënyrë që të njihet akoma më tej roli i saj jo vetëm në pjesën detare të Adriatikut dhe Jonit, por në të gjithë rajonin në përgjithësi dhe që vendi juaj të jetë epiqendra e këtyre projekteve që do të ndodhin në të gjithë rajonin.

 

Ky është një moment i rëndësishëm për të luftuar papunësisë, por edhe për të restauruar rritjen ekonomike. Në këtë moment, ne besojmë që duhet vazhduar që të punohet përsa i përket konkurrueshmërisë, por edhe investimeve jo vetëm në rajon, por natyrisht edhe në Shqipëri.

 

BEI natyrisht që është një bankë, por përveç kësaj është edhe një institucion i Bashkimit Europian,  i cili është themeluar me Traktatin e Romës. Dhe kur na pyesin se çfarë është tamam BEI, është një bankë zhvillimore, unë them nuk është vetëm aq, është më shumë sesa aq, është një bankë që promovon integrimin. Unë mendoj se pikërisht kjo fjalë, fjala integrim është fjala duhur për Shqipërinë, në mënyrë që Shqipëria të përfshihet e të ketë rolin e saj shumë të rëndësishëm në këtë rajon makroekonomik. Më lejoni t’ju siguroj në emër të Bankës, që BEI do të vazhdojë t’ju mbështesë në të gjitha këto projekte.

 

Ndaj më lejoni që t’ju falenderoj nga zemra, për këtë takim kaq të frytshëm që ne patën sot, por jo vetëm për të, por edhe për takimin e mëparshëm që patëm, ku ju në fakt patët mirësinë të na jepnit vizionin tuaj për të ardhmen”.