Postuar më: 11 Qershor 2014

Burimet alternative të financimit, ministri Cani viziton Arabinë Saudite

Në datat 8-10 qershor, me ftesë të Bankës Islamike për Zhvillim (BIZH), Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani zhvilloi një vizitë në Arabinë Saudite.

Në takimet me zv/presidentin operacional. z.Birama Boubacar Sidibe dhe me zv/presidentin e shërbimeve korporatave, z.Ahmet Tiktitk, ministri Cani, pasi parashtroi situatën makroekonomike dhe problemet e borxhit të vendit, u njoh me ecurinë e projekteve të BIZH dhe forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të realizimit të çdo projekti në afatin e parashikuar.

Në takimet me drejtorët e zhvillimit rural dhe bujqësisë, të sigurimeve të investimeve dhe kredisë së eksportit, të shërbimeve financiare islamike, të infrastrukturës së partneritetit privato - publik, të investimeve, të kërkimeve shkencore dhe trajnimeve, etj., z.Cani u njoh nga afër me mundësitë e shumta që ofron Banka Islamike për Zhvillim.

E njohur si një financuese vetëm për projekte qeveritare, ministri kërkoi  më shumë angazhim nga të dyja palët për ta bërë alternativën e tregut financiar islamik më të njohur dhe më të prekshme, si për qeverinë dhe institucionet publike, ashtu edhe për sektorin privat.

Në takimin e veçantë me presidentin e Bankës Islamike për Zhvillim, Dr. Ahmed Mohamed Ali, kreu shqiptar i Financave, shprehu falënderimet për pritjen, për pjesëmarrjen e deritanishme të Bankës në Shqipëri, për kontributin e saj si një nga institucionet financiare ndërkombëtare të rëndësishme në financim dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit.

Ministri Cani, pas prezantimit të situatës ekonomike në vend, problemeve me borxhin e fshehur, marrëveshjeve dhe huave nga FMN dhe BB, sugjeroi që bashkëpunimi midis Bankës Islamike për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare mund të përmirësohet ndjeshëm, në qoftë se banka hap një zyrë përfaqësimi në Tiranë.

 

Për ministrin, është e rëndësishme që publiku dhe biznesi të njihet më mirë me mundësitë që ofron Banka, duke renditur nga ana tjetër projektet e programit të qeverisë në fushat e infrastrukturës (rrugë), ujë, energji, turizëm, bujqësi, aeroporte, port etj. Mund të studiohet më në detaje alternativa e rinovimit të eurobondit me produktin “sukuk”.

 

Presidenti i BIZh, Dr Ahmed Mohamed Ali, vlerësoi lart bashkëpunimin e BIZH me qeverinë shqiptare. “Vizita e Ministrit të Financave është e një rëndësie të veçantë për t’i çuar këto marrëdhënie më tej. Menjëherë strukturat përkatëse të fillojnë të përgatisin një delegacion të dedikuar për të vizituar Shqipërinë me synim të identifikimit të projekteve të mundshme. Çdo gjë e mundshme që përputhet me kriteret tona do të jetë në mbështetjen tuaj pa rezerva”, tha Dr. Ali.

Në fund të vizitës, palët ranë dakord për të vijuar më tej bashkëpunimin në të ardhmen, duke synuar që produktet e tregut financiar islamik të jenë një alternativë në zgjidhjen e problemeve me përfitime reciproke.