Postuar më: 16 Korrik 2014

BERZH mbështet Agjencinë e Sigurimit të Depozitave të Shqipërisë

Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani, zv.Presidenti i BERZH, Phil Bennett dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave firmosën sot në ambjentet e Ministrisë së Financave marrëveshjen 100 milionë euro, në ndihmë të ASD-së, me qëllim rritjen e besimit në sektorin financiar në Shqipëri.

Fondi do të sigurojë të ardhura për ASD-në nëqoftëse do të jetë e nevojshme për të kompensuar depozituesit e siguruar. Ky instrument, jepet në formën e një kredie gatishmërie e jo të një huaje, është i përshtatur për nevojat e ASD-së dhe është projektuar për të mbështetur Agjencinë në mandatin e saj të mbrojtjes së depozituesve të bankave në Shqipëri. Krediti i gatishmërisë do i japë mundësinë ASD-së të përmirësojë raportin e saj të mbulimit të depozitave, ndërkohë që gradualisht ndërton fondet e veta, duke siguruar mbrojtje më të mirë për depozitorët dhe rritjen e besimin në sistemin financiar në tërësi.

Një skemë e sigurimit të depozitave që funksionon mirë është një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës financiare që ndihmon ndërtimin e besimit të publikut në sistemin bankar të një vendi dhe stabilitetin e sistemit financiar të tij. Duke ofruar mbështetje për ASD-në përmes kreditit të gatishmërisë, BERZH do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës financiare në Shqipëri, rritjen e besimit në sistemin bankar dhe mbrojtjen për depozituesit nëpërmjet përmirësimit të raportit të mbulimit të depozitave të Agjencisë.

"Ne mirëpresim mbështetjen e dhënë nga BERZH për sektorin financiar të Shqipërisë. Ky financim do të na ndihmojë për të rritur besimin e depozituesve në sistemin financiar në përgjithësi dhe do të ofrojë më shumë mundësi për bankat vendase ", tha ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani.

BERZH ka nisur tre linja të ngjashme krediti për të mbështetur sigurimin e depozitave në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë me qëllim parandalimin e çështjeve sistematike në raste të izoluara të dështimit të bankave.

Që nga fillimi i veprimtarisë së saj në Shqipëri, BERZH ka investuar rreth 795 milionë Euro në 66 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

ASD është një institucion i pavarur publik i themeluar në vitin 2002 me detyrën për të mbrojtur depozituesit individualë dhe për  të paguar depozitat e siguruara në rast të falimentimit të një banke me objektivin më të gjerë për të forcuar stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në Shqipëri. Duke i siguruar depozituesit me siguracion, ASD rrit besimin në bankat vendase, dhe ndikon pozitivisht në vendimin e individëve për të depozituar paratë e tyre në institucionet përkatëse.