Postuar më: 16 Nëntor 2017

Akuzat ndaj sistemit bankar, politikë me kursimet e shqiptarëve

Fjala e Ministrit në Kuvend

Si mund të flisni ju për te varfrit?! E dini ju që politika jonë e taksës mbi pagat, tatimit të të ardhurave personale, ka përjashtuar 60% të të punësuarve? Ju i tatonit ata, ne nuk i tatojmë. E kemi pragun 30 mijë lekë, ne kemi përjashtuar pikërisht atë shtresë që paguajnë më pak.

E dyta, brenda taksës së pronës, meqë folët për të gjithë paketën fiskale vetëm dy sqarime të rëndësishme kam për të thënë. Tek taksa e pronës, qytetarët në nevojë, që janë pensionistët e vetëm, pra ata që janë pa fëmijë, lirohen nga kjo taksë. E dyta, vetëm në Bashkinë e Tiranës, janë 60 mijë familje që janë të përjashtuara nga kjo taksë, që jetojnë me ndihmë ekonomike. 60 mijë familje. Kjo është politikë sociale.

E treta, nëqoftëse doni të vini e të bëni politikë, bëni politikë me paketën fiskale për 5 yjet? Çfarë do të thotë që ky do paguajë, ai s’do paguajë? Jo. Janë të gjithë projekte në potencë, projekte të reja për segmentin me 5 yje meqë Shqipëria nuk ka arritur të tërheqë hotele me 5 yje. Cilët janë pastruesit e parave?  Kempinski, Hilton, Sheratoni? E kemi theksuar aty që do të jenë “brand names”, marka.

Doni vendet e punës? Shqiptarët të pasur nuk janë, nuk diskutohet, pasi ne nuk konsiderohemi as vend i pasur, e as vend me të ardhura mbi mesataren. Kemi problemet tona patjetër. Po të ishim vend i pasur nuk do të kishim probleme me infrastrukturën, nuk do të kishim probleme me anën sociale, nuk do të kishim probleme me shërbimet publike. Patjetër, ky është një vend që ka probleme me infrastrukturën, me infrastrukturën shëndetësore, ama të thuash që këtu nga 2013 në 2017 janë varfëruar shqiptarët?! Në 2012 arriti kulmin varfëria!

Ja ku i keni vendet e punës, t’i marrë dhe media, dhe qytetarët. Në vitin 2013 ishin 423 mijë të punësuar, kurse në shtator 2017 janë 657 mijë të punësuar dhe i kemi në sektorin e ndërtimit, në sektorin e prodhimit. Këto janë shifra. Pastaj doni fabula politike ku c shqiptarë kanë aplikuar tek llotaria Amerikane, e ca të tjerë u ndaluan në Gjermani. Po, edhe mund të jetë e vërtetë sepse shqiptarët levizin, disa duan të ikin e disa duan të kthehen, e disa ikin e disa kthehen, por po ju them që janë mbi 200 mijë vende pune në 4 vite. Janë me bordero, statistika të sfidon, e vërteta të sfidon.

Doni një të vërtetë tjetër për borxhin publik? Për 100 lek të marra borxh në dy mandatet e PD-së 2006-2013, janë investuar 118 lek. Në mandatin e parë “Rama 1”, për 100 lekë të marra borxh janë investuar 166 lekë. Po të doni të merrni dhe shifrat për vitin 2017, (se 2018 është akoma më shumë në përmirësim), investimet publike, vetëm 40% e tyre paguhen nga borxhet dhe 60% paguhen nga tatimet dhe nga taksat. Ky është raporti.

E fundit, flisni që ky buxhet është për të pastruar paratë dhe ja ku e kam deklaratën e Guvernatorit, kur u ngrit nga PD një argument i kursit të këmbimit. Deklarata flet drejtpërsëdrejti, qoftë për burimet e rritjes ekonomike, qoftë për burimet e rritjes së të ardhurave, qoftë për konsolidimin fiskal.  

Të vish këtu të flasësh për konçesionet kur vetë ke bërë 178 konçesione; të vish këtu e të flasësh për varfërinë ndërkohë që në 2012 ka qënë kulmi i varfërisë; të vish këtu e të flasësh për parajsat fiskale ndërkohë që markimi i naftës e ka pronarin në parajsë fiskale?! Një njeri i afërt me këta është në parajsë fiskale. Doni të flasim për të vërtetat? Këto janë të vërtetat.

Ju akuzoni bankat për pastrim parash?! Thirrini mendjes, 97’ dhe 2013 nuk kthehen më. Akuzoni kë, Raiffeisen, BKT, cilën akuzoni nga bankat që monitorohen nga Banka e Shqipërisë? Politikë do të bëni me kursimet e shqiptarëve? Panik doni të krijoni, doni të shpallni që në Republikën e Shqipërisë bankat janë pastrues parash? Thirrini mendjes, se Shqipëria nuk është as e Edi Ramës, as e Lulzim Bashës, as e Saliut, as e jotja, as e imja. Shqipëria është e të gjithë shqiptarve dhe të sulmosh bankat, ke sulmuar depozituesit shqiptarë që kanë kursimet e veta.

Të vish këtu e të bësh politikë e në potencë të sjellësh një 2013 e një 97’ tjetër, kjo është përgjegjësi e madhe shumë dhe nuk e di se si e merrni përgjegjësinë kur vini e flisni për sistemin bankar.

Unë po jua them sërish, replikë nuk kam ndërmend të bëj me njeri, por transparencë të fakteve unë do vazhdoj të bëj gjatë gjithë ditës së sotme. Unë prap jam tek ajo që tha Kryeministri, nuk është e mjaftueshme 4%, është katër herë më shumë se 1% patjetër, por hajde ta diskutojmë. Çfarë duhet të bëjmë që ta përmirësojmë? Ku? Si? Sa? Nuk është se nuk ka deputetë e deputete të mençur këtu, edhe nga njera anë, edhe nga ana tjetër, ndryshimi është përgjegjshmëria dhe përkatësia.

Faleminderit.

***

Replikë e Ministrit:

Tani në kuadrin e transparencës, jo në kuadrin e replikës. Unë nuk do të bëj replikë me askënd sot.

Dua t’i kujtoj të gjithë qytetarëve, bizneseve dhe të gjithë anëtarët e Parlamentit majtas dhe djathtas, apo në qendër, cfarë ishte Rapiskani? Ishte ndonjë konçesion në energji? Rapiskani të dashur qytetarë, ishte një konçesion që i kushtonte sipërmarrjes për një deklaratë 40 euro. Në energji ishte kjo? Po Terminalet e Portit, të dhëna copa-copa në gusht të 2013? Në energji ishin këto që e kanë bërë portin ditë e zezë që nuk menaxhohet?! Po konçesioni i kontrollit të koalodimit të makinave, në energji ishte? I kushtonte shqiptarëve rreshta, kohë dhe para. Në energji ishte kjo?

Faleminderit! Rrofshi!