Postuar më: 23 Janar 2017

Akti Normativ II i Buxhetit 2016, stimuj të rinj zhvillimit ekonomik dhe mbështetjes sociale

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për prezantimin e Aktit Normativ 2 të Buxhetit 2016

Akti Normativ që prezantojmë sot në Komision reflekton një përditësim në terma pozitivë të treguesve kryesorë makroekonomikë, si dhe nevojës për të dhënë stimuj të mëtejshëm në drejtim të rritjes ekonomike dhe përkujdesjes sociale. Ne nesër konkludojmë dy rishikimet e fundit të Programit me FMN dhe ajo që dua të ndaj me ju është se performanca e ekonomisë dhe ecuria e treguesve kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë është tërësisht në linjë me pritshmëritë tona të fillimvitit 2016, tashmë e konfirmuar zyrtarisht edhe nga FMN.

Do doja ta filloja me një panoramë të përgjithshme të ekonomisë në vitin që sapo mbyllëm:

Viti 2016 ishte viti i konsolidimit të trajektores rritëse të ekonomisë shqiptare. Tashmë, jam i bindur, kemi hyrë në një cikël pozitiv afatgjatë, sikurse reflektohet edhe në shifrat e rritjes ekonomike të tremujorit të tretë dhe të nëntëmujorit 2016 me 3.27% krahasuar me periudhën respektive të një viti më parë ku rritja shënonte 2.6%. Rritja në sektorin e bujqësisë, ndërtimit dhe vecanërisht turizmit si dhe vazhdimësia në rritjen e konsumit, tregojnë se tashmë ekonomia e vendit nuk prodhon më thjesht sinjale pozitive, të gjithë këta janë indikatorë të fortë që konfirmojnë parashikimet tona për një rritje afër 3.4% – 3.5% për vitin 2016 dhe një bazë solide për projeksionet e rritjes për vitin 2017, pranë kufirit të 3.7%– 3.8%.

Lajmi më i fundit i mirë është treguesi i ndjesisë ekonomike, apo besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi, që në tremujorin e katërt 2016 shënoi një rritje prej 9.4 pikë përqindje dhe një kapërcim prej 18.6 pikë përqindje mbi mesataren historike afatgjatë, niveli më i lartë i besimit në ekonomi në 10 vitet e fundit.

Edhe në aspektin e investimeve të huaja direkte, ekonomia ka shënuar një tjetër rekord historik, bazuar në vlerësimet e Bankës Botërore, me 9% të GDP duke u renditur të dytët në rajon pas Malit të Zi (dhe për informacionin tuaj, Maqedonia ishte vendi i parafundit në rajon me 3% e GDP, duke lënë pas vetëm Bosnje – Hercegovinën). Në tremujorin e tretë 2016, sipas Bankës së Shqipërisë, Investimet e huaja direkte shënuan një rritje me 13% krahasuar me një vit më parë osë thënë në vlerë, 288 milionë euro.

Së fundi, gjatë vitit të kaluar Shqipëria u rikthye sërish një vend eksportues neto i energjisë elektrike, për herë të parë pas 6 vjetësh. Sipas raportimeve zyrtare të KESH, vitin e kaluar u eksportuan rreth 700 milionë kilovat ore energji në vendet e tjera, si rezultat i përmirësimit të ndjeshëm të bilancit energjetik falë rritjes së prodhimit vendas dhe uljes së ndjeshme të abuzimeve në rrjet.

Për të renditur disa nga aspektet kryesore makroekonomike:

Kërkesa agregate u rrit në mënyrë të qëndrueshme përgjatë 9 muajve të vitit 2016, e mbështetur kryesisht nga rritja në kërkesën e brendshme. Konsumi final total, i cili përbën peshën kryesore në kërkesën agregate, u rrit me rreth 2.2% përgjatë nëntë muajve të parë të vitit 2016 (në terma realë vjetorë), e mbështetur kryesisht nga rritja e të ardhurave të disponueshme dhe nga përmirësimi i besimit të konsumatorëve dhe biznesit në ekonomi. Ndërkohë konsumi final privat (i familjeve) u rrit me rreth 2.3% gjatë këtyre nëntë mujve të parë, duke patur një përshpejtim të ndjeshëm nga viti 2015 ku shënonte një rritje pozitive, por të moderuar, prej rreth 0.9%.

Komponenti i “Formimit Bruto të Kapitalit Fiks”, ose ndryshe investimet totale në ekonomi,  gjatë nëntë muajve të parë u rritën me rreth 8.1% (në terma realë vjetorë), ndërkohë që për tremujorin e tretë të vitit vihet re një përshpejtim i ritmit të rritjes së investimeve prej rreth 11.9%, mbështetur edhe nga flukse të larta hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Ndërkohë kërkesa e huaj dha një kontribut negativ në rritjen ekonomike gjatë nëntë muajve të parë, në reflektim të ecurisë së eksporteve të mallrave e ndikuar nga eksportet e naftës bruto si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e efektit të konjukturës së cmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, ashtu edhe një rritje e ndjeshme e importeve të mallrave në reflektim të përshpejtimit të fortë të konsumit final dhe investimeve private, sikurse tregohet nga rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve. Megjithatë impakti në deficitin e llogarisë korente ka qënë i moderuar pasi thellimi i deficitit të bilancit tregtar u kompensua në një masë të madhe prej përmirësimit të suficitit të bilancit të shërbimeve. Këtu evidentohet rritja e eksporteve të shërbimeve dhe vecanërisht e shërbimeve turistike.

Ndërkohë, nëse i zhveshim eksportet nga efekti i naftës bruto dhe mineraleve, rezulton se eksportet në periudhën janar-nëntor 2016, kanë shënuar një rritje prej rreth 8.1% në terma vjetorë.

Gjithashtu është e rëndësishtme të evidentohet se që prej muajit Gusht 2016 rritja e eksporteve totale të mallrave (përfshirë naftën dhe gjithcka tjetër) ka kaluar në territor pozitiv dhe me nje trend përshpejtues. Ndërkohë që vetëm për muajin Nëntor edhe kategoria e eksporteve të naftës bruto, mineraleve dhe energjisë shënoi një rritje të fortë pozitive prej rreth 28.5% në terma vjetorë, ndërsa eskportet totale për nëntorin, shënuan një rritje prej rreth 17.4% në terma vjetorë.   

Në këndvështrimin e ofertës agregate, rritja ekonomike përgjatë nëntëmujorit të vitit 2016 është gjeneruar kryesisht nga performanca e vazhdueshme pozitive e sektorit “Tregti, Transport, dhe Hotele”, i cili shënoi një rritje reale në terma vjetorë prej 5.2%, e cila shkon në linjë edhe me performacën e turizimit këtë vit.  Gjthashtu, nga pikëpamja e ofertës, rritja u gjenerua edhe nga nga një performancë mjaft pozitive e sektorit të Ndërtimit, i cili shënoi një rritje reale prej rreth 6.1%, në linjë me ecurinë e investimeve, si private ashtu edhe publike, krahasuar me nëntë muajt e parë të 2015.

Ndërkohë sektori i “Bujqësisë” ka patur gjithashtu një rritje pozitive për nëntë muajt e parë të vitit prej rreth 1%. I vetmi nënsektor brenda bujqësisë, është peshkimi, megjithese ne vazhdojmë ta subvencionojmë nëpërmjet përjashtimit të akcizës për naftën që ata përdorin.

Ndërsa sektori i “Industrisë” ka rezultuar praktikisht në të njëjtat nivele, ku rënia e fortë e industrisë nxjerrëse (kryesisht indistria nxjerrëse e naftës dhe mineraleve) u kompensua nga ajo përpunuese, sikurse theksova më lart si rezultat i përformancës së përmirësuar ndjeshëm të sektorin energjetik.

Në të njëjtën linjë me përshpejtimin e aktivitetit ekonomik rezulton edhe dinamika në tregun e punës. Sipas Anketës së forcave të punës, punësimi në nëntë muajt e parë të vitit 2016 u rrit me rreth 7.4%, kundrejt të njëjtës periudhë të 2015, ndërkohë  shkalla e papunësisë ka vijuar trendin e saj rënës duke zbritur gradualisht në rreth 15.2% në T3-2016. Në harkun kohor të një viti, pra krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2015 ku shkalla e papunësisë regjistronte nivelin 17.5%, rezulton një reduktim prej 2.3 pikë përqindje, i cili përbën gjithashtu një indikacion të rëndësishëm pozitiv sa i takon situatës ekonomike dhe pritshmërive në vijimësi.

Gjithashtu në të njëjtin trend pozitiv shfaqet edhe kreditimi i ekonomisë. Ndonëse sërisht në nivele të moderuara, gjatë vitit 2016 norma e rritjes së kreditimit për ekonominë ka qëndruar në territor pozitiv dhe me nje trend rritës. E zhveshur nga efekti i  fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave, një prej masave të ndërmarra në kuadër të strategjisë së qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për uljen e kredive të këqija në ekonomi, rezulton se rritja e stokut të kredisë për ekonominë deri në Nëntor 2016, është rreth 3% në terma vjetorë. 

Edhe inflacioni ka shfaqur një prirje përgjithësisht në linjë me ecurinë e aktivitetit ekonomik. Gjatë 2016 ai ka patur përgjithësisht një trend rritës, vecanërisht gjatë gjysmës së dytë të vitit. Inflacioni mesatar për 2016 është 1.3%, ndërs ai në fund të vitit (muaji Dhjetor) ishte 2.2%.

Një element që dua të theksoj që në fillim është se Akti i dytë Normativ që prezantojmë sot, sikurse edhe Akti i parë normativ për Buxhetin 2016, ruan të pacënuar parametrat kryesore te buxhetit si totali i te ardhurave dhe shpenzimeve, deficiti dhe rrjedhimisht borxhi publik.

Nga të dhënat paraprake, për vitin 2016 janë arkëtuar në buxhetin e shtetit mbi 405 miliardë lekë, me një nivel realizimi kundrejt planit prej rreth 98%. Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat gjithsej janë rritur me 7% ose 26 miliardë lekë, dhe përfaqësojnë mbi 27.1% të PBB-së nga 26.4% që rezultuan në vitin 2015, pra kemi një rritje prej 0.7% të kontributit të të ardhurave në GDP krahasuar me një vit më parë dhe nuk kemi asnjë ndryshim në nivelin e taksave.

Të ardhurat tatimore në vitin 2016, paraqiten me realizim mbi  98.5%, duke arkëtuar nga tatimet dhe taksat mbi 370 miliardë lekë, ose 24.6 % e PBB-së, me një përmirësim prej 0.9 pikë përqindje ndaj PBB-së krahasuar me vitin 2015. Në terma absolutë, në vitin 2016 janë arkëtuar rreth 28 miliard lekë më shumë se në vitin 2015, ndërkohë që nuk ka patur politika të rritjes së taksave, përkundrazi, ka pasur përjashtime, si në rastin e tatimit të thjeshtuar të fitimit për biznesin e vogël dhe nëse doni, edhe një zgjerim të listës së përjashtimit nga TVSH të makinerive dhe pasjisjeve.

Lidhur me Aktin Normativ:

Ky Akt vjen si rrjedhojë e përmbushjes së dy angazhimeve themelore të Qeverisë: Trajtimi sa më dinjitoz i kategorive të shtresës më vulnerabël të shoqërisë dhe Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të Ministrisë së Transportit.

Vëmendja jonë si qeveri ndaj shtresave më të varfëra dhe atyre në nevojë, pensionistëve, familjeve me ndihmë ekonomike, personave me aftësi të kufizuara apo familjeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore, është në themel të politikave të mbështetjes sociale, që përbën një nga shtyllat kyce të programit tonë në qeveri, prandaj dhe një pjesë të kësaj politike, e quajtëm “paketa e solidaritetit”.

Pikërisht në reflektim të kësaj qasje, të materializimit të kësaj vëmendje dhe mbështetje, ishte e nevojshme të bëhej ky ndryshim përmes Aktit Normativ, për të mundësuar atë Paketë të Solidaritetit në festat e fundvitit, për ato shtresa që më shumë se të tjerët kanë nevojë për mbështetje, përkujdesje dhe solidaritet dhe që jo domosdoshmërisht, preken njësoj nga përshpejtimi i rritjes ekonomike.

Po kështu, propozimi i këtij Akti Normativ,  i jep zgjidhje situatës aktuale të detyrimeve të reja të krijuara nga njësitë e qeverisjes qendrore, duke shlyer gati 100% të tyre. Kjo, nëpërmjet hapësirës së krijuar nga fondet e lira dhe rialokimet e tjera, në funksion të rritjes së efiçencës së përdorimit të fondeve buxhetore, si korente por sidomos atyre kapitale. Gjë që, jo vetëm përmbush një nga objektivat tonë kryesore fiskalë, por njëkohësisht respekton rigorozisht edhe një nga shtyllat më të rëndësishme të Programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Pra cfarë përfshihet në Aktin Normativ?

Paketa e solidaritetit konsiston në akordimin i një fondi në masën 4 miliard lekë. Kategoritë përfituese për këtë qëllim, kriteret dhe procedurat e së cilave u përcaktuan në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, paraqiten si më poshtë:

  • Pensionistët – pa përjashtim, morën një shpërblim në masën 6.000 LEK. Nuk ka ndodhur asnjëherë një mbështetje e tillë në fund të vitit. Ështe hera e parë në 25 vite dhe vjen menjëherë pas vendimmarjes se qeverisë për të rritur penisonet. Vetëm në harkune  një viti, dua t’i numëroj, janë gati 16 milionë dolarë në maj të vitit që kaloi për shkak të idnkesiomit të peniosneve; 40 mln dollarë në paketën e solidraitetit, dhe 36 mln dolarë është shtesa në fondin e pensioneve që shkojnë për rritjen në 2017.

 

  • Personat me aftësi të kufizuara – në masën 2.000 LEK. Mos harroni që në vitet 2005-2009, vitin 2010, vitin 2011 kjo katgeori njerëz morën 0 lekë mbështetje. Jo vetëm kaq, po nuk morën dot as pagesën mujore që u takon me ligj, gjetëm 44 milionë dollarë detyrime të prapambetura kësaj kategorie në 2013. Jo vetëm nuk u ka dhënë, por u ka marrë para njerëzve në nevojë.

 

  • Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike – në masën 2.000 LEK.

 

  • Akordimi i një fondi në masën 450 milion LEK për emergjencat civile, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të dëmshpërblimeve (nga fatkeqësitë, përmbytjet, etj), nga viti 2013 e në vazhdim.

 

  • Akordimi i një fondi total në masën 600 milion LEK për Ministrinë e Bujqësisë, në kuadër të Paketës për Mbështetje të Bujqësisë, që konsiston konkretisht në:

 

  • 300 milion LEK shpenzime korente, për blerjen e krerëve të lopëve, në kuadër të kompensimit të fermerëve për lopët e sëmura. Shumë shpejt, besoj cështje ditësh do të fillojë shpërndarja në territorin e Republikës së Shqipërisë të lopërvë për feremerrët që kanë ëpsuar këto dëme.

 

  • 150 milion LEK për projektin e investimeve publike “Krijimi i karantines per kafshet e gjalla nga importi”.

 

  • 150 milion LEK për projektin e investimeve publike “Sistemi i kamerave neper hidrovore”   që ka të bëjë me monitorimin e fatkeqësive natyrore, krysisht përmbytjeve, të lidhura me përmirësimin e funksionimit të hidrovoreve.

 

  • Akordimi i një fondi në masën 142 milion LEK për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të vendimeve gjyqësore, në sektorin e mirëmbajtjes së rrugëve.

 

  • Akordimi i një fondi në masën 50 milion LEK për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në programin “Zhvillimi i Sportit”

 

  • Rialokime të brendshme në projektet e investimeve publike, duke synuar kryesisht:

 

  • Rialokimin e fondeve drejt projekteve të investimeve publike me ecuri më të lartë, për të lehtësuar edhe zbatimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

 

  • Shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të sektorit të infrastrukturës rrugore dhe të ujësjellës-kanalizimeve, në masën 3.4 miliard LEK.

 

Njëkohësisht, mbështetur në detyrimin ligjor për monitorimin e funksioneve të transferuara vendore për një periudhë 3 vjeçare, janë evidentuar disa problematika në financim të cilat janë të domosdoshme për t’u sistemuar përmes këtij Akti Normativ.

Dua sërish të theksoj që ky Akt Normativ nuk është sjellë me qëllim rishikimin në ulje të të ardhurave apo shpenzimeve.

Së fundi, dua të përmend elementët kryesorë makrofiskalë:

  • Viti 2016 është viti i parë pas shumë e shumë vitesh ku trajektorja e borxhit fillon e konsoliduar. Borxhi publik i palnifikuar 71.8% e PBB zbret në nivelin 71%, pra 0.8% përmirësimm serioz mbi planin.

 

  • Së dyti kemi një balancë të përgjithshme prej -1.8% të PBB.

 

  • Kemi një balancë korrente 3% të PBB;

 

  • Dhe kemi një balancë primare pozitive prej 0.6% te PBB.

 

Pra viti 2016, sigurisht që ka problematikën e vet, por është një vit jashtëzakonisht shumë pozitiv për ekonominë shqiptare dhe është një fakt serioz, i pakundërshtueshëm për trajektoren pozitive që ka filluar ekonomia shqipatre dhe për trajektoren konsoliduese në vazhdim, në favor të zhvillimit ekonomik që kanë financat publike.

Faleminderit!