Postuar më: 25 Shtator 2017

Akti normativ i Buxhetit 2017, mbështesim rritjen ekonomike, zero ndryshim të borxhit dhe deficitit

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për prezantimin e Aktit Normativ të Buxhetit 2017

Akti Normativ, përgatitur nga Ministria e Financave në muajin gusht dhe që sot prezantohet para jush, vjen si rezultat i një nevoje të domosdoshme që u materializua gjatë një vere veçanërisht të thatë, për të siguruar hapësirën e mjaftueshme financiare të sektorit energjitik për garantimin e energjisë elektrike për qytetarët.

Vlera prej 3 miliardë lekë iu akordua sektorit energjitik në formën e huasë, e theksoj në formën e huasë, pasi ky sektor, falë reformave rrënjësore dhe të shëndetshme të ndërmarra nga kjo Qeveri, është në gjendje disa herë më të mirë financiare dhe e gatshme që në një të ardhme të afërt jo vetëm të shlyejë tërësisht këtë hua të dhënë nga buxheti i shtetit por edhe të tjera të cilat deri më tani kanë qenë paguar nga buxheti i shtetit tek bankat dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Kjo shumë e dhënë hua për sektorin energjitik, u sigurua nga përdorimi i disa kursimeve në disa zëra të tjerë shpenzimesh, pra pa cënuar aspak targetet e deficitit, balancës primare dhe stokut të borxhit publik të vendosuara që në dhjetor të vitit 2016 kur u miratua buxheti 2017.

Dua të theksoj që treguesit makroekonomikë dhe performanca fiskale gjatë 8-mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2017. Deficiti buxhetor ka zero ndryshim nga niveli i programuar në buxhetin fillestar.

Më lejoni të parashtroj fillimisht një tablo të përmbledhur të treguesve kryesorë të situatës ekonomike në vend. Ekonomia shqiptare ka vijuar përshpejtimin e rritjes përgjatë gjysmës së parë të vitit dhe në tremujorin e parë norma e rritjes shënoi një nivel prej 3.94% çka pason rritjen prej 3.46% të vitit 2016.

Parë nga ana e kërkesës agregate, rritja e tremujorit të parë u mbështet në mënyrë thuajse të njëtrajtshme nga investimet, konsumi dhe eksportet.

Kërkesa agregate gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 (në terma vjetorë) vazhdoi të mbështetej nga

  1. kërkesa e brendshme duke pasqyruar zgjerimin e investimeve me rreth 10.9% ( ku IHD u rritën me rreth 10.4% kundrejt T1 2016), si dhe rritje pozitive të konsumit (2.54%), kryesisht duke reflektuar rritjen e besimit të konsumatorëve dhe sipërmarrjes,
  2. rritje të kërkesës së huaj e cila, në dallim nga viti i kaluar, kontribuoi pozitivisht duke reflektuar kryesisht zgjerimin e eksporteve për mallra dhe shërbime me rreth 7.44%.

 

Parë nga ana e ofertës, sektorët kryesorë të gjenerimit të rritjes gjatë tremujorit të parë të 2017 ishin Ndërtimi, Industria dhe gjithashtu sektori i Tregtisë, Strehimit, Transportit dhe Ushqimit.

Në përputhje me aktivitetin ekonomik, tregu i punës ka vijuar përmirësimin. Shkalla e papunësisë për tremujorin e dytë të vitit 2017 shënoi nivelin 13.9% (1.6 pikë përqindje më pak se T2-2016, dhe 0.3 pikë përqindje më pak se T1-2017). Punësimi për popullsinë e moshës 15-64 vjeç u rrit me 3.4% në tremujorin e dytë të vitit 2017 në terma vjetorë, ndërkohë që për popullsinë mbi 15 vjec ky indikator u rrit me 3.4%.

Gjatë muajit korrik 2017, stoku i kredisë u ul me 0.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, zhvillim pozitiv është fakti që stoku i kredisë në lekë u rrit me 7.5%. Ndërkohë, stoku i kredisë në valutë u ul me 7.6% krahasuar me muajin korrik të vitit të kaluar. Zgjerimi i kredisë është përqendruar kryesisht në segmentin e individëve, ndërkohë që kreditimi i bizneseve mbetet në nivele modeste, por në përmirësim. Reduktimi i raportit të kredive me probleme në 15.28% në muajin korrik 2017 është një zhvillim pozitiv si për sistemin bankar ashtu edhe nga pikëpamja e kreditimit.

Në korrik të vitit 2017, totali i depozitave bankare u rrit me 1.6% krahasuar me majin korrik 2016. Stoku i përgjithshëm i depozitave në lekë u ul me 2.1%, ndërsa në valutë u rrit me 5.3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2016. Tregjet financiare karakterizohen nga norma të ulëta interesi për depozitat dhe kreditë. Monedha vendase (Lek) vazhdon të karakterizohet nga një sjellje mbivlerësuese kundrejt të dyja monedhave kryesore EURO dhe Dollarit Amerikan ndonëse me sjellje më të moderuar kundrejt periudhës së pikut turistik.

Për sa i përket treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën Janar-Korrik 2017, të ardhurat janë realizuar në masën 103.2% (ose rreth 7.7 mld lekë më shumë se projeksioni), ndërsa shpenzimet janë realizuar në masën 98.3%. Por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë post-zgjedhore, balanca fiskale e Qeverisë në muajin Korrik është rreth 2.9 mld lekë suficit, për herë të parë në 27 vjet në një vit elektoral.

Për ta mbyllur, rritja ekonomike për vitin 2017 parashikohet të jetë në nivelin 3.8%, në përputhje me projeksionet fillestare. Kjo rritje do të mbështetet si nga kërkesa e brendshme ashtu edhe nga ajo e jashtme. Brenda kërkesës së brendshme, pritet që investimet  dhe konsumi të kenë kontributin kryesor. Performanca më e lartë e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, krahasuar me vitin e kaluar do të jetë gjeneruesi i rritjes brenda kërkesës së jashtme neto.

Sa i takon ndryshimeve që propozon akti normativ, më lejoni të paraqes një tablo të tyre:

  • Fonde shtesë në formën e huasë (nga kredia e BB) për sektorin energjitik në masën 3 miliardë lekë, që përmbush nevojat për furnizim me energji elektrike deri në fund të 2017. (çka përbënte edhe faktorin bazë për emergjencën e ndërhyrjes me anë të aktit normativ)

 

  • Shtimin me 1.2 miliardë LEK të Fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, ku 1 miliardë lekë parashikohet të përdoren vetëm për emergjencat që lidhen me faktorë natyror (qofshin nga thatësira apo të tjerë faktor).

 

  • Deficiti buxhetor mbetet i pa ndryshuar, ndërsa të ardhurat dhe shpenzimet e pushtetit vendor shtohen me 2 mld lekë (bazuar mbi performancën e të ardhurave të 6-mujorit)

 

  • Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri te ngadalte tek ato me ecuri te lartë për të rritur efiçencën e përdorimit të burimeve publike si dhe për të eleminuar rastet e krijimit të detyrimeve të prapambetura.

 

Konkretisht:

  • Në programin “Transporti rrugor” janë pakësuar fondet nga projektet që nuk kanë pasur ecuri të mirë si p.sh. By Pass i Fierit dhe Vlorës dhe Projekti i Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale me Bankën Botërore, të cilat iu shtuan fonde të cilat u shtuan projekteve të ndërtimeve të akseve nacionale Tiranë- Elbasan dhe Qukës – Qafë Plloçë të cilat kanë avancuar përtej pritshmërive të fillim-vitit;

 

  • Shtesë fondi për mbulimin e TVSH për financimin e rrugës “Tiranë – Elbasan” (680 milion lekë) dhe projektet në kuadër të programit IPA në disa institucione buxhetore përfituese;

 

  • Faturat e papaguara për të ulur nivelin e detyrimeve të krijuara rishtaz (kryesisht për financimin e aksit Korçë – Ersekë në vlerën 300 milion lekë) 

 

  • Vazhdimin e financimit të objekteve prioritare që lidhen me Unazën e re Tiranë (Loti 2 dhe 3 Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit 530 milion lekë)

 

  • Fond shtesë në masën 400 milion lekë në Ministrinë e Mbrojtjes në kuadër të mbështetjes së FA për angazhimet në NATO.

 

  • Krijimi i një fondi kontigjence në masën 1 miliard LEK i cili do të alokohet nga Këshilli i Ministrave për projektet e investimeve, pavarësisht burimit të financimit, bazuar në performancën e tyre për periudhën e mbetur të vitit.

 

  • Shtimin me 500 milionë lekë te fondit të shpronësimeve i parë si një element shumë i rëndësishëm në progresin e projekteve të infrastrukturës publike.

 

  • Rritjen e zërit “Shpenzime personeli” me 300 milionë LEK, si pasojë e akomodimit të politikës së rritjes së pagave dhe ndryshimeve strukturore të disa institucioneve;

 

  • Rritjen e shpenzimeve Operative dhe Mirëmbajtje me 200 milionë lekë për të përballuar kryesisht shpenzime të lidhura me përfaqësimin e Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të Gjykatave ndërkombëtare, për të evituar krijimin e detyrimeve të prapambetura, shpenzimet të lidhura me emergjencat civile nisur dhe nga situata aktuale problematike e lidhur me temperaturat e lartë dhe zjarret në masive pyjore të vendit.

 

  • Reduktimin e shpenzimeve për fondin e Pensioneve (ISSH) në masën 600 milionë LEK, duke u bazuar në realizimin faktit të 6 mujorit të parë të vitit 2017;

 

  • Reduktimin me 200 milionë lekë të pagesë së papunësisë, nisur nga niveli i ulët i realizimit në 6 mujorin e parë.

 

  • Reduktimin e shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.

 

Ndërhyrjet e sipërpërmendura plotësojnë kushtet e paraqitjes së aktit normativ si instrument i ndryshimit të buxhetit duke plotësuar si nevojat emergjente të lindura gjatë kohës së miratimit të tij në Qeveri, si dhe mundësisë së dhënë për rritjen e eficiences së përdorimit të burimeve publike.

Në këto kushte unë ju ftoj ta miratoni aktin normativ, në mbështetje të miradministrimit të financave publike dhe të nevojave të ekonomisë së vendit.