Postuar më: 07 Mars 2018

7 marsi, inaugurohet shkolla profesionale e rikonstruktuar në Shkoder. Qeveria do të ofrojë stimuj ndaj përfituesve të ndihmës ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional.

7 Marsi, Ahmetaj në Shkodër, inaugurohet shkolla profesionale e rikonstruktuar. Qeveria do të ofrojë stimuj ndaj përfituesve të ndihmës ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte në Shkodër e rastin e 7 Marsit, për të inauguruar shkollën e rikonstruktuar profesionale Hamdi Bushati, një investim I buxhetit të shtetit në vitin 2017, në vlerën 85 milionë lekë.

Falë këtij investimi mbi 500 nxënës të profileve hoteleri-turizëm, konfeksione dhe ekonomi-biznes, do të mësojnë e zhvillojnë praktikë në ambientet moderne të klasave, laboratorëve dhe kabineteve të kuzhinës, rrobaqepsisë, qëndisjes etj.

“Në vitet e fundit arsimi profesional ka ndryshuar rrënjësisht, jo thjesht në numra, por dhe në cilësi. Numrat kanë ndryshuar nga 3 mijë në 19 mijë nxënës në shkollat profesionale, në të gjitha drejtimet, dhe sigurisht cilësia ka ndryshuar drastikisht në krahasim me shumë vite më parë.

Sot sistemi arsimor është më i gjerë, më i fokusuar tek arsimi profesional, jo thjesht një fokus për të shkuar të gjithë në universitet, por për të ndjekur dhe rrugë të jetës në profesione teknike, si këto që lëvrohen në këtë shkollë, qoftë ekonomik i mesëm, qoftë turizëm apo konfeksione, sigurisht.

Këtu në Shkodër ka një gamë të gjerë shkollash profesionale të fokusuara dhe në teknologjinë e informacionit, që besoj se është e ardhmja, pra platforma dhe mbështetja për shumë industri.

Unë dua të theksoj që është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të kemi kurrikulumet dinamike, t’i përmirësojmë në vazhdimësi, sepse kërkesa e tregut privat është gjithmonë në ndryshim, gjithmonë më dinamike, gjithmonë më e zgjuar dhe ne kemi nisur një proces shumë të rëndësishëm konsultimi me sipërmarrjen dhe me shkollat në të gjithë Shqipërinë, për të mësuar më shumë para se të formatojmë përfundimisht kurrikulumet për vitin tjetër” – tha Ministri Ahmetaj në fjalën e tij.

Ministri bëri me dije edhe një vendim të fundit, për stimulimin e familjeve në ndihmë ekonomike që të orientohen drejt formimit profesional me qëllim punësimin, duke iu mundësuar atyre një pagesë në masën e gjysmës së pagesës së papunësisë.

Gjej rastin të theksoj edhe një inicativë të kryeministrit Rama, të qeverisë shqiptare, që ka të bëjë me ndihmën që duhet t’i japim ne si sistem arsimor familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ne sapo kemi kaluar një vendim, i cili do të bëjë të mundur ndihmë gjysmën e pagesës së papunësisë, pra 35 mijë lekë të vjetra, për çdo anëtar familje që përfiton ndihmë ekonomike dhe që do të trajnohet në kurset e formimit profesional. Pra thënë thjesht, çdo i papunë që përfiton familja e tij ndihmë ekonomike, do të duhet të shkojë që të bëhet më i punësueshëm, të mësojë më shumë në një kurs profesional, dhe aty qeveria do ta paguajë atë anëtar të kësaj familje në nevojë, që ai ose ajo të mësojë dhe të bëhet më i punësueshëm” – tha Ahmetaj.

Pjesë e aktivitetit, ishte dhe shpërndarja e certifikatave për mësuesit që kanë përfunduar me sukses programin e trajnimit për rritjen e cilësisë në mësimdhënie, projekt i GIZ. Janë 320 mësues e instruktorë të trajnuar deri më tani, ndërsa projekti parashikon mbi 600 të tillë në të gjithë vendin.