Postuar më: 10 Mars 2017

15 projekte përfitojnë financim nga IADSA. 20 milion euro në mbështetje të komuniteteve nga faza e parë e Programit.

Ministria e Financave zhvilloi sot ceremoninë e shpalljes së projekteve fituese që u përzgjodhën nga thirrja e pestë në kuadër të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit IADSA.
Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Financave Arben Ahmetaj dhe Ambasadori Italian Alberto Cutillo si dhe drejtuesit e Bashkive fituese.
Programi IADSA konsiston në financimin e projekteve sociale në shërbim të komuniteteve, si një instrument i drejtpëdrejtë mbështetje për bashkitë në të gjithë vendin.
Në kuadër të thirrjes së pestë u dorezuan aplikimet për 50 projekte nga bashki të ndryshme, nga të cilat u përzgjodhën 15 fitues. Në total, vlera e financimit për këto 15 projekte është 5 milionë euro. Thirrja e pestë është e fundit e fazës së parë të programit, gjatë të cilit janë investuar 20 milionë euro në mbështetje të komuniteteve, përfshire ndertimin dhe rikonstruksionin e shkollave, qendrave shëndetësore, banesave sociale, shtëpivë të fëmijëve, shtëpitë e të moshuarve, ndërtimin e qendrave mulitfunkisonale për të rinjtë, mbështetje për fëmijët me probleme, krijimin e inkubatorëve për biznesin etj. Së shpejti do të hapet edhe faza e dytë e Programit.

Fjala e Ministrit Ahmetaj
Sot shpallim projektet fituese të thirrjes së pestë dhe të fundit të fazës së parë të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit (IADSA), një program i cili është patjetër shprehje e një modeli tejet  të suksesshëm bashkëpunimi por edhe vullneti të mirë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Dua të theksoj që, në kuadër të programit, impakti i më shumë se 15 milion eurove të shpenzuara, të investuara më se miri deri tani përmes katër thirrjeve të para, ka sjellë një ndryshim në shumë kontekste në nivel lokal. Sot, falë këtij programi, disa mijëra nxënës mësojnë në shkolla me kushte bashkëkohore, sipërmarrës të vegjël kanë mbështetje të drejtpëdrejtë falë inkubatorëve të ndryshëm të bizneseve që kemi financuar, turizmi ka gjetur mëbshtetje falë disa ndërhyrjeve në zona të ndryshme të vendit, kategori të komuniteteve në nevojë kanë gjetur një përgjigje për probleme sociale nga më të ndryshmet e mund të vazhdoja me një listë të gjatë, nëse do të përmendnim të gjitha projektet që janë përfunduar apo janë akoma në zbatim. 
IADSA, ka qenë një përvojë dhe një sfidë e drejtpërdrejtë, të cilën ne e kemi çuar përpara me sukses deri tani dhe bashkitë na kanë dhënë besimin e tyre në vazhdimësi, sikurse duket dhe nga numri i lartë i aplikimeve në të gjitha thirrjet që kemi shpallur nga fillimi i programit deri te kjo e sotmja. Kjo tregon natyrisht një interes të madh për programin dhe është një sinjal pozitiv rreth efikasitetit dhe perceptimit të shpejtësisë zbatuese nga ana e përfituesve. Plot 50 kanë qenë bashkitë që kanë aplikuar në thirrjen e pestë dhe 15 prej tyre, që jemi duke i prezantuar sot në këtë ceremoni, kanë rezultuar fituese. 
Vlera e financimit të këtyre projekteve në kuadër të thirrjes së pestë është 5 milionë euro, duke e përmbyllur fazën e parë të projektit me investimin e 20 milionë eurove në mbështetje të drejtpëdrejtë të komuniteteve, gjë e cila është në linjë tërësisht edhe me plotikën dhe qasjen tonë si qeveri për perkujdesjen sociale dhe solidaritetin me komunitetet apo shtresat në nevojë. Patjetër që në një vend me shumë vështirësi sikurse është Shqipëria, zhvillimi ekonomik nuk është dot i njëtrajtshëm në të gjithë territorin, dhe efektet e tij pra, të zhvillimit ekonomik, nuk prekin dhe nuk ndihen njësoj nga të gjithë komunitetet, prandaj IADSA është një instrument tejet ndihmues, për të plotësuar disa nevoja dhe mangësi që kanë komunitetet dhe që sot qytetarët kanë nevojë të drejtpërdrejtë të adresohen. 
Këto propozime, pas vlerësimit të Njësisë Teknike Mbështetëse, bashkëdrejtorët e së cilës përfitoj nga rasti t’i përgëzoj për punën e bërë, kemi vendosur t’i financojmë duke i konsideruar si projektet më të mira dhe që u përgjigjen më mirë nevojave të bashkive përkatëse dhe prekin sektorë të ndryshëm apo komunitete të ndryshme, me një vlerë totale prej afërsisht 5 milion euro. Projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të grupeve të ndryshme dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare.
Shpesh herë, dëgjojmë për projekte, mendojmë se nuk kemi të bëjmë me projekte, të cilat janë aty për shkak se janë shtuar apo janë përpunuar nga dikush apo disa. Në rastin e IADSA ato janë projekte konkrete, janë projekte që kanë prekur, kanë përmirësuar drejtpërsëdrejti jetën e komuniteteve dhe kanë furnizuar pozitivisht nevojat që qytetarët dhe komunitetet kanë në nivel lokal. Me programin IADSA kemi vendosur një standard të ri në konceptin e projekteve, duke i detyruar bashkitë që më shumë se 80% të buxhetit të kërkuar ta investojnë në infrastrukturë, në mënyrë që ndërhyrjet të jenë të prekshme dhe mbi të gjitha të qëndrueshme pas mbarimit të financimit.
Shtrirja gjeografike e projekteve prek pak a shume gjithë vendin. Ka qenë një kujdesje qoftë nga Ambasada Italiane, qoftë nga Ministria e Financave, shpërndarja e projekteve të prekë pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë pra, të ketë një shpërndarje gjeografike të mirë menduar patjetër. Asnjë pjesë e Shqipërisë nuk është lënë pas dhe shpërndarja territoriale, pa hequr asnjëherë vëmendjen nga cilësia, tregon një ekuilibër të veçantë që e pozicionon IADSA-n në sinergji me programe të tjera të qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë.
Bashkisë së Malësisë së Madhe, Elbasanit, Kavajës, Devollit dhe Skraparit, i kemi akorduar financime për të ndërhyrë në disa objekte shkollore, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e mësimdhënies.  
Bashkisë Roskovec, Librazhd dhe Cërrik i kemi financuar rikonstruksionin e disa godinave për t’i shndërruar ato në qendra polifunksionale për të rinjtë mbi të gjitha, në mënyrë që alternativat mos të jenë vetëm braktisja dhe largimi nga qytetet më të vogla por jeta e gjalle në qytete. 
Bashkisë së Delvinës dhe Himarës i kemi financuar ndërhyrje infrastrukturore në rekuperimin e disa lagjeve dhe shndërrimin e tyre rrënjësore në një funksion social zhvillimi dhe patjetër pse jo të turizmit. 
Në Korçë do të ketë një qëndër të re për zhvillimin e qëndrushëm turistik dhe rajonal ashtu si dhe në Vlorë do të lindi një model i ri për sipërmarrjet që operojnë në fushën turistike. 
Në Tiranë, duke konsideruar përmasat e Bashkisë së re, do të ndërtohet një strehëz për personat që për arsye të ndryshme nuk kanë fatin që të kenë një shtëpi dhe shpesh herë gjatë dimrit e gjejnë veten të flenë jashtë në kushtë të vështira. Besoj e mbani mend përpjekjen e Bashkisë së Tiranës, Kryetarit apo edhe të qeverisë, për t’ju përgjigjur nevojave të të pastrehëve gjatë dimrit. Nëpërmjet këtij projekti ky komunitet gjeti mbrojtje të drejtpërdrejtë qoftë nga qeveria, qoftë nga Bashkia e Tiranës. 
Në fund, por natyrisht jo për nga rëndësia, do të ndërhyjmë dhe me dy projekte në sektorin e shëndetit parësor, që do të bëjnë të mundur rikonstruksionin dhe pajisjen totale me aparatura të qëndrës shëndetësore të Bashkisë Vau i Dejës dhe rikualifikimin dhe pajisjen me aparaturat e nevojshme, sidomos ne fushën e talasemisë për ambulatorin e Bashkisë Divjakë. Një projekt me një profil shumë të kujdesshëm social, sidomos për për një komunitet me nevoja specifike, por edhe inovativ nga ana e përqasjes. 
Ky ishte një përshkrim shumë i shkurtër i projekteve të financuara dhe pres përkushtimin maksimal nga kryetarët e bashkive në realizimin e objektivave të caktuar në këto projekte. Njësia Teknike Mbështetëse do të jetë në dispozicion për t’ju asistuar dhe monitoruar në zbatimin e aktivitetve të parashikuara. 
IADSA, përveç financimit të projekteve është dhe një model se si mund të zhvillohen bashkëpunime në nivel dypalësh, dhe përfitoj këtu nga rasti të shpreh konsideratën për partneritetet me subjektet italiane, eksperienca e të cilëve me siguri përben një vlerë të shtuar për kontekstin tonë. 
Gjej patjetër rastin të mos ndal së falenderuari qeverinë Italiane dhe Ambasadorin Cutillo, për ndërlidhjen specifike, të vecantë, të përditshme që i kushton suksesit të projekteve IADSA, në favor të komuniteve lokale në të gjithë Shqipërinë. 
I bindur se nga ana e Ministrisë së Financave, sëbashku me Ambasadën italiane, do të vazhdojë mbështetja për projektet që i përgjigjen nevojave të vendit, nuk më mbetet veçse t’u uroj punë të mbarë dhe realizim të plotë të objektivave të projekteve që kemi financuar.
Faleminderit!