Postuar më: 29 Maj 2018

1.95 milionë euro për përmirësimin e furnizimit me ujë në 11 bashki, nënshkruhet marrëveshja grant me KfW

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Arben Ahmetaj dhe Drejtori i Zyrës së KfW-së (Banka Gjermane për Zhvillim), Z. Björn Thies nënshkruan marrëveshjen që mundëson një financim prej 1.95 milionë euro për të kryer studime paraprake për investime në lidhje me furnizimin me ujë dhe kanalizime në rreth 11 bashki në të gjithë vendin.

Programi mbi Performancën dhe Investimet në Sektorin e Ujit është një iniciativë e përbashkët e qeverisë shqiptare, qeverisë gjermane, Bashkimit Evropian dhe Sekretariati Zvicerian i Shtetit për Marrëdheniet Ekonomike (SECO) përmes KfW-së.

Me fonde të parashikuara deri në 130 milionë euro, ky program ka për qëllim që mekanizmi i investimeve të bazuar mbi performancën, tashmë i suksesshëm, të ngrihet në nivel sektorial. Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në 11 bashkitë e përzgjedhura do të mbështeten në mënyrë që të ulin humbjet si dhe të ofrojnë një shërbim më të mirë për qytetarët. Në të njejtën kohë ndërmarrjet do të duhet të përmirësojnë performancën e tyre dhe të mbulojnë kostot për të bërë të mundur që këto investime të jenë të qëndrueshme dhe të mund të shfrytëzohen dhe mirëmbahen për vitet në vazhdim.