Postuar më: 02 Mars 2017

“Zharrëza”, një tjetër dëshmi e përgjegjshmërisë sociale të kësaj qeverie. Dëmshpërblejmë 90 familje, rivlerësojmë dëmet për të tjerët.

Pikë së pari nuk është qeveria Rama, Kryeministri apo Ministri i Energjisë, që e çoi naftën aty nën dhe. E dyta, nuk është as ky Kryeministër, as ai Ministër, as kjo qeveri, që e ka dhënë atë marrëveshje hidrokarbure. E treta që është po kaq e rëndësishme, nuk është një hall i ri dhe një krahasim do duhet ta bëjmë. Ata njerëz, pikërisht ata njerëz, janë zënë me dru nga qeveria Berisha. Nuk guxonin as të hapnin gojën se kërciste druri dhe ktheheshin me dhunë në shtëpi.

Ata qytetarë protestuan paqësisht. U pritën me shumë vëmendje nga qeveria, nga zv.Kryeministri dhe ministrat përkatës dhe është gjetur një zgjidhje njerëzore.

Tani, nëqoftëse se para dy javësh kërkoje zgjidhje, sot vjen dhe thua “pse keni gjetur zgjidhje”! Prap do duhet të vendoshësh se ku je, tek zgjidhja, apo tek konfuzioni? Tek e majta, apo tek e djathta? Po të paktën do duhet të rrimë tek qytetaria dhe dua që për qytetarët, të shpjegoj çfarë ka ndodhur.

Bankers ka vite që vepron në atë mënyrë me teknologjinë e vet. A është në të drejtë të vet apo jo, këtë do ta vendosë ekspertiza. Dua ta sqaroj z. Blushi që ekspertiza vazhdon.

Tani pyetja retorike është: një qeveri zgjidh hallin urgjent që kanë banorët, apo pret që të dalë ekspertiza dhe ndërkohë aty mund të ketë ndodhur ajo që s’duhet të ndodhë kurrë?! Dua ta sqaroj qoftë edhe nga ana teknike, që aty janë gati 1000 shtëpi të cilat kanë problematika për shkak të lëkundjeve nga injektimi, apo për shkaqe natyrore.

Ne patjetër mendojmë, kemi mendimin tonë, por mendimi jonë nuk do duhet të jetë mendim populist, do duhet të jetë një mendim i bazuar tek ekspertiza. Unë besoj personalisht që ato shkatërrime, ato lëkundje, ndodhin për shkak të injektimit. Ekspertiza do ta verifikojë e megjithatë, vendimi i qeverisë Blush, për ta ditur, ka katër kategori të dëmtuarish.

Kategoria e parë, janë shtëpitë që janë shkatërruar plotësisht. Kategoria e dytë, janë shtëpitë që janë shkatërruar rëndë. Kategoria e tretë, janë shtëpi të dëmtuara mesatarisht dhe kategoria e katërt, janë shtëpitë që janë dëmtuar lehtë. Janë afërsisht 90 shtëpi që janë dëmtuar ose shkatërruar.

Çfarë bëri qeveria? Qeveria ndërhyn, se në finale ka profilin social që e tregon çdo ditë dhe nuk i lë njerëzit në rrugë, megjithëse mund të ishte një instrument presioni nga ana e protestuesve në hall të vet dhe në legjitimitet të vet.

Ka vendosur me atë vendim qeverie, mbështetur në një vendim bazë të shpërblimit në raste fatkeqësish, të dëmshpërblejë banorët e kategorisë së parë dhe kategorisë së dytë dhe patjetër në atë vendim, ka detyruar Bankers-in të dëmshpërblejë këto 90 shtëpi sëbashku me qeverinë, deri kur të ketë një analizë finale.

Ne nuk jemi Robin Hood që pa dalë një analizë finale ligjore, ne të ndërhyjmë në llogaritë e Bankers-it, po përkundrazi e detyrojmë me vendim qeverie që të bëjë atë që do bëjë në bazë të këtij vendimi.

Po pse ikën ata banorë? Pse e falenderuan qeverinë ata banorë? Pse nuk u përzienë as me ty, as me Lulin ata banorë, se të dy çadra janë? Pse nuk u përzienë? Sepse janë shumë të qartë për atë që ndodh. U dëmshpërblyen nga qeveria në një moment shumë të vështirë.

Dhe banorët e tjerë që bëjnë pjesë në kategorinë e tretë e të katërt dhe që nuk ishin parashikuar për t’iu rivlerësuar dëmet, sot, në bazë të atij vendimi, do t’u rivlerësohen dëmet. Në katër muaj do të kemi një shifër të re të rivlerësimit dhe besoj që në atë periudhë e ndoshta më parë, do kemi dhe arsyen zyrtare të lëkundjeve.

Për t’u kthyer tek Bankers. Bankers-it i kemi bërë një luftë ligjore, fiskale, sociale, sepse ne besojmë që industria e naftës patjetër që duhet të pagujë më shumë. A ka paguar më shumë këto gati katër vite? Ka paguar shumë më shumë. A ka treguar - i detyruar nga qeveria - përgjegjshmëri sociale ndaj banorëve aty? Shumë më shumë. Është riparë i gjithë formati fiskal, është vendosur akcizë. Në 2013 nuk kishte akcizë, ishin gati 60 milionë të munguara për akcizën. Sot ka një detyrim që po e mbledh shteti gati 5.7 miliardë lekë dhe po sot është në gjyq me shtetin për 37 milionë dollarë detyrime për akcizën.

Çfarë duhet t’i bëjë një shtet ligjor një kompanie? Po si ka mundësi që ju ishit vetë ditën që ne ndërmorëm atë aksion, dolët dhe thatë: “Po i prishni imazhin Shqipërisë, po largohen investitorët”. Tani që ne e bëmë atë, po thoni po s’i keni bërë gje Bankers-it. Po ne nuk erdhëm në pushtet që të vrasim Bankers-in. Ne erdhëm në pushtet që të gjithë aktorët ekonomikë të paguajnë detyrimet ligjore.

Faleminderit!