Postuar më: 13 Shtator 2017

Z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka bërë sot betimin para Presidentit të Republikës z. Ilir Meta, së bashku me anëtarët e tjerë të Kabinetit të ri qeveritar.

Z. Ahmetaj u emërua në këtë detyrë nga Kryeministri Rama në datën 27 Gusht 2017 gjatë punimeve të Asamblesë së Përgithshme të Partisë Socialiste dhe u dekretua nga Presidenti Meta më 9 shtator.

Ministri Ahmetaj mbajti detyrën e Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë përgjatë periudhës Shkurt 2016 – Maj 2017, ndërsa më herët shërbeu si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ministria e re e Financave dhe Ekonomisë, u krijua në kuadër të rikonceptimit të strukturës qeverisëse, duke ndërthurur funksionet dhe fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Financave, Zhvillimit Ekonomik dhe komponentin e Punës dhe Arsimit Profesional.

***                  

 

Arben Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjitike, diplomuar në vitin 2009 në Universitetin e Bukureshtit, Rumani. Me hërët u diplomua në degën Financë Ndërkombëtare, Tregjet Financiare Ndërkombëtare, pranë Edmund A. Walsh School of Foreign Service, në Georgetown University, Washington, D.C

Z. Ahmetaj ka kryer studimet Master në degën Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Patterson School of International Trade and Diplomacy, University of Kentucky, Lexington. Në vititn 1991 përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në degën Gjuhë Angleze, Literaturë Amerikane dhe Angleze.

Z. Ahmetaj ka një sërë kualifikimesh profesionale dhe internshipe në një sërë fushash si “Politikat e Zhvillimit”, akorduar nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; “Ekonomiksi i Teknologjisë”, Programi Kokkalis në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; Programet e Financimit të Fermerëve, Farmers Credit Union of Texas, Texas University, Austin, Texas etj.

Ai ka një karrierë të gjatë në administratën publike në disa pozicione të rëndësishme, ndërsa angazhimi i tij politik zë fill me Lëvizjen Studentore të vitit 1990.

Z. Ahmetaj ka shërbyer në detyrën e Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë përgjatë shkurt 2016- maj 2017 dhe më herët si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shtator 2013- shkurt 2016.

Në vitet 2004- 2005 mbajti postin e Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Integrimit Europian, ndërsa në periudhën 2003-2004 atë të Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Z. Ahmetaj ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në vitin 1998-1999 ndërsa më herët shërbeu si Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për marrëdheniet Ndërkombëtare, anëtar i grupit të koordinimit të negociatave me Fondin Monetar dhe për konkretizimin e marrëveshjes post konfliktuale me ESAF.

Ndër eksperiencat e tjera profesionale janë edhe detyra si Këshilltar për çështjet Fiskale në Bankën Amerikane të Shqipërisë Janar-Qershor ’99; Këshilltar për Çështjet Fiskale në Bankën e Shqipërisë; angazhimi pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë periudhës nëntor ’93- shkurt ’95.

Z. Arben Ahmetaj është anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në zgjedhjet e qershorit 2017, ai u zgjodh deputet i Qarkut Tiranë, duke përfaqësuar Bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë. Në vitin 2013 u zgjodh deputet në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 2009 përfaqësoi qarkun e Korçës në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.