Postuar më: 21 Shkurt 2017

Treguesit fiskalë të 12 mujorit 2016.

Treguesit fiskalë paraprakë të 12-mujorit 2016

Ministria e Financave ka publikuar sot treguesit fiskalë paraprakë të 12 Mujorit 2016.

Të ardhurat totale në vitin 2016 janë realizuar në masën 404.9 miliardë lekë ose rreth 98% në raport me planin.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 12 mujorin e vitit 2016, u realizuan në vlerën 350.7  miliard lekë, me një rritje prej 26.1 miliard lekë ose 8% më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim prej 1.6% më pak se plani.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 6.1 miliard lekë, me një rritje prej 341 milion lekë ose 5.88% më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim prej 101 milion ose  1.67% më shumë se plani.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 41.9 miliard lekë, me një rritje prej 2.8 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe 6.17% më pak se plani.

Importi i cigareve për 12 Mujorin 2016 është 2,910 ton, me një rritje prej 430 ton ose 17.3% më shumë krahasuar me vitin 2015, duke u reflektuar në një rritje të arkëtimeve me 3.1 miliard lekë më shumë. Arsyet e performancës pozitive përveç përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit, lidhen edhe me situatën e normalizuar të fluksit të importeve, të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit.

Importi dhe prodhimi vendas i karburanteve për vitin 2016 ka rezultuar 528 mijë ton, me një rritje prej 22,532 ton ose 4.4% më shumë se në 2015.

Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 2.8 miliard lekë, duke shënuar në rënie krahasuar me 12 mujorin e vitit 2015 dhe planin, si rezultat i rënies drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 97.6 miliard lekë, me një rritje prej 2.2 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe një realizim 2.7% më pak se plani, e ndikuar nga rënia e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare ku kuotohen këto produkte dhe rënia e importit të energjisë elektrike si rezultat i rritjes së prodhimit vendas.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 33.8 miliard lekë, me një rritje prej 11.85% ose 3.5 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe një realizim prej 3.8 miliard lekë  më pak se plani.  Faktor që ka ndikuar në këtë performancë është rritja e rimbursimeve me 15.5%, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtësimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 29.2 miliard lekë duke rezultuar me një rritje prej 18.84% ose 4.6 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 19.88% ose 4.8 miliard lekë më shumë se plani.  Impaktin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve, edhe në reflektim të rezultateve të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe komunikimit intensiv me sipërmarrjen për vetëkorrigjim.

Tatimi mbi të ardhurat personale është realizuar në vlerën 31.4 miliard lekë duke e rritur kontributin e këtij zëri në të ardhurat totale, me 7.31% ose 2.1 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015.

Taksat Kombëtare janë realizuar në vlerën 33 miliard lekë, duke shënuar një rritje me 11.47% ose 3.3 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe me  një realizim të planit në masën 99.61%.

Të ardhurat nga kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore që paguhen pranë DPT janë realizuar në vlerën 74.9 miliard lekë, me një rritje prej 12.12% ose 8.1 miliard lekë më shumë se 12 mujori i vitit 2015 dhe 493 milion lekë më shumë se plani. Numri i kontribuesve aktivë është rritur me 6,341 kontribues krahasuar me vitin 2015.

  • Ecuria e shpenzimeve

 

Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2016 arritën në rreth 431 miliardë lekë me një realizim në masën 96% të planit. Gjatë vitit 2016 është ndjekur një politikë e kujdesshme për realizimin e shpenzimeve buxhetore, duke synuar kufizimin e shpenzimeve të panevojshme, kryesisht shpenzimeve korrente dhe rritjen e shpenzimeve që sjellin vlerë të shtuar në ekonomi.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për vitin 2016 u realizuan në masën 96% të planit. Shpenzimet korente ashtu edhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim të mirë, në nivelin respektivisht 95% dhe 100%.

Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin vjetor të këtij viti, prej 95%, duke rezultuar në 366.8 miliardë lekë.

Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve për vitin 2016 është konstatuar një realizim në masën 105% në raport me planin. Investimet me financim të brendshëm rezultojnë me një realizim në masën 107% e planit. Ndërkohë, projektet e investimeve me financim të huaj shënojnë një realizim faktik në masën 105%, gjë që reflekton ritmet e larta të realizimit të projekteve të financuara nga grantet e huaja.

Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale në vitin 2016 janë realizuar në masën 404.9 miliardë lekë ose rreth 98% në raport me planin. Realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 431 miliardë lekë ose rreth 96% kundrejt planit. Kjo situatë është shoqëruar me një defiçit buxhetor prej afërsisht 26.2 miliardë Lekë.