Postuar më: 25 Nëntor 2016

Treguesit fiskalë paraprakë të 10-Mujorit 2016

Gjatë 10-mujorit 2016, të ardhurat në total u realizuan në masën 334.7 miliardë lekë ose 99% e planit.

Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT)  për 10- mujorin e vitit 2016, u realizuan në vlerën 289.7  miliardë lekë dhe 22.2 miliardë lekë ose 8.3%  më shumë se 10- mujori i vitit 2015.

Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 4.9 miliardë lekë ose 4.8% më shumë se 10 mujori i vitit 2015 dhe 0.7% më shumë se plani.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 34.5 miliardë lekë, 5.7 % më shumë se 10 mujori i vitit 2015.

Sasia e cigares së importuar është rritur me 306 ton ose 14.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, duke arkëtuar 2.4 miliardë lekë më shumë. Arsyet e performancës positive, përveç përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit, lidhen edhe me situatën e normalizuar të fluksit të importeve të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret.

Për zërin “Karburant import + prodhim vendi”, ka një rënie në të ardhurat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 me rreth 4.2%. Arsyet e kësaj rënieje kanë të bëjë me çmimin e karburantit. Edhe pse sasia e karburantit është rritur me 0.9% ose me 3,893 ton, efekti i rënies së çmimit të karburanteve ka sjellë për pasojë rënien e të ardhurave nga akciza për karburantet. 

Për mallrat e tjerë të akcizës në përgjithësi paraqitet situatë pozitive me rritje të sasive të importuara dhe të prodhuara brenda vendit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015.          

Të ardhurat nga renta minerare janë realizuar në vlerën 2.2 miliardë lekë, duke reflektuar rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi që megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto ka rënë me 27,273 ton ose me 3.3%, të ardhurat nga renta u ulën me 1 miliard lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Renta për kg e naftës bruto ka rënie nga 3.35 lekë/kg për 10 -mujorin 2015 në 2.1 lekë/kg  për 10- mujorin 2016.

Të ardhurat nga TVSH-ja në import  janë realizuar në vlerën 79.9 miliardë lekë, 2.9% më shumë se 10 mujori  i vitit 2015.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 27.8 miliardë lekë ose 11.9% më shumë se 10 mujori i vitit 2015, duek shënuar një realizim të planit të periudhës në masën 91.3%. Faktor që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e rimbursimeve me 17.8% ose me 1.1 miliard lekë, si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtëzimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.

Të ardhurat nga  tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 23.9 miliardë lekë ose 21.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 21.1% më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dytë të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësinë e proceseve. Thjeshtëzimi i procedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë.

Nga tatimi mbi të ardhurat personale janë realizuar 26.3 miliardë lekë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 8.6% më shumë se 10- mujori i vitit 2015.

Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar 26.9 miliardë lekë, 10.3% më shumë se 10- mujori i vitit 2015.

Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 63 miliard lekë, 12.8% më shumë se 10 mujori i vitit 2015 dhe 1.2% më shumë se plani.

 

Shpenzimet e Përgjithshme Publike

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2016, arritën në rreth 321.6 miliardë lekë me një realizim në masën 95 përqind të planit të periudhës.

Gjatë 10-mujorit është ndjekur një politikë e kujdesshme për realizimin e shpenzimeve buxhetore, duke synuar  kufizimin e shpenzimeve të panevojshme,  kryesisht shpenzimeve korrente dhe rritjen e shpenzimeve, që sjellin vlerë të shtuar në ekonomi.

Shpenzimet kapitale në raport me planin 10- mujor janë realizuar në masën 99.3 për qind, duke ruajtur nivelin optimal të realizimit, në përputhje me objektivat e programimit.

Shpenzimet faktike, krahasuar me planin e periudhës 10 mujore, janë realizuar në masën 95 përqind, duke ruajtur një trend të qendrueshëm. Shpenzimet korente ashtu edhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim tejet të mirë, në nivelin respektivisht 96 përqind dhe 99.3 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 10- mujor të këtij viti, prej 96 për qind duke rezultuar 282.9 miliardë lekë. Rishikimi i strukturave administrative të institucioneve publike, si dhe menaxhimi efektiv i kostos së personelit ka sjellë një trajtim të kujdeshëm të shpenzimeve dhe masës së përdorimit të fondit te veçantë.

Gjithashtu, niveli i shpenzimeve publike dhe realizimi pothuajse i plotë i të ardhurave të planifikuara në masën 99 përqind të planit të periudhës, është shoqëruar me një nivel sufiçiti prej afërsisht 13.108 miliard lekë ose 2.6 miliard më shumë se një muaj më parë. Kjo politikë, sigurisht që edhe në muajit në vazhdim do të synojë një efiçiencë të shpenzimeve korrente dhe rritje të atyre kapitale, në mënyrë që të influencohet drejtpërdrejt në nxitjen ekonomike të vendit përmes investimeve.

Nga sa më sipër, vërehet qartë që në 10- mujorin e vitit 2016, performanca fiskale dhe buxhetore ka qënë në nivele shumë të mira duke realizuar planin e të ardhurave dhe duke u treguar e kujdesshme me kryerjen e shpenzimeve me qëllim rritjen e produktivitetit të ekonomisë.