Postuar më: 08 Tetor 2016

Takimet Vjetore 2016 të FMN dhe Bankës Botërore - Ministri Ahmetaj vizitë zyrtare në Washington

Ministri i Financave Arben Ahmetaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Takimeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore “Annual Meetings 2016”.

Në ditën e parë të vizitës, në një sesion të vecantë kushtuar Shqipërisë, Ministri prezantoi në Selinë Qendrore të Bankës Botërore, ecurinë e ekonomisë shqiptare në tre vitet e fundit, zhvillimet kryesore dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Në takim i pranishëm ishte Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv për Ballkanin, Italinë, Greqinë dhe Maltën; Ellein Goldstein Drejtore Rajonale për Europën Juglindore; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Shefja e Misionit të FMN në Shqipëri si dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Pagano theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të thella strukturore të cilat kanë mundësuar rigjallërimin e rritjes ekonomike, uljen e risqeve fiskale dhe stabilizimin e financave publike.

z. Pagano theksoi gjithashtu se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për kapërcimin e sfidave dhe përforcimin e rritjes në rajon.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj mbajti prezantimin me temë “Shqipëria, përforcimi i rritjes përmes reformave të thella dhe bashkëpunimit rajonal”. Ai pasqyroi zhvillimet e ekonomisë shqiptare në tre vitet e fundit, me fokus të vecantë konsolidimin e financave publike dhe reformat strukturore të cilat kanë bërë të mundur rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik, të reflektuar në uljen e papunësisë dhe shtimin e konsumit e investimeve private.

Ahmetaj theksoi se ekonomia shqiptare po prodhon çdo dite lajme të mira, siç konfirmohet edhe së fundmi nga rritja ekonomike në tremujorin e dytë me 3.2%, por edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare.

“Për herë të parë kemi shënuar balancë primare pozitive ndërkohë që kemi vijuar uljen e borxhit publik” – tha Ministri.

“Po kështu, pagimi i detyrimeve të prapambetura, ishte një sakrificë e domosdoshme për financat publike dhe klimën e biznesit. Nuk duhet harruar nga vijmë, në mënyrë që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës” – theksoi Ministri.

Ai përmendi gjithashtu impaktin e reformave kyçe si ajo në energji, pensione, reforma administrative-territoriale, stabilizimi i financave publike dhe sistemit financiar dhe së fundmi, edhe reforma në drejtësi, që e con vendin në një nivel tjetër zhvillimi, theksoi Ministri.

Ndër nismat e fundit, Ministri veçoi kalimin në parlament të Ligjit organik të buxhetit, ligjin e procedurave tatimore dhe së shpejti, edhe ligjin e ri për financat vendore.

Së fundmi, në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Ministri u shpreh se Procesi i Berlinit, hapi një faqe të re për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre europiane ndërsa një sërë projektesh me impakt rajonal janë tashmë në rrugën e realizimit.

***

Në një bisedë telefonike pas takimeve të ditës së parë, i pyetur nga Top Channel për bisedimet me Misionin në kuadër të programit, Ministri Ahmetaj u shpreh:

"Ajo që është e rëndësishme në sytë e Fondit dhe të Bankës Botërore është konfirmimi i konsolidimit të rritjes ekonomike.

Tashmë Shqipëria konsiderohet një vend me ekonomi që e ka lënë pas krizën e vitit 2008-2013 dhe ka hyrë në një rritje të konsoliduar dhe shifrat e fundit të rritjes ekonomike të botuara nga INSTAT e konfirmojnë trendin jashtëzakonisht të konsoliduar të rritjes ekonomike.

Kjo na bën që gjithë negociatën që kemi me FMN përsa i përket komplet kuadrit makro të buxhetit të 2017 të kemi një avantazh duke iu referuar tashmë vërtetësisë së rritjes prej 3.4% të këtij viti dhe përshpejtimit të rritjes vitin tjetër.

Përsa i përket vitit tjetër të buxhetit, besoj se jemi afër dakordësisë për të financuar një sërë reformash, reformën në drejtësi, reformën territoriale, reformën në administratën publike dhe rritjen e pagave dhe të pensioneve duke ruajtur të gjithë ato parametra makrofiskalë që do të thotë uljen e borxhit publik me minimalisht 1% të prodhimit të brendshëm bruto dhe ruajtjen e një balance primare pozitive, pra përgjegjshmërinë e qeverisë për mos të krijuar asnjë cent borxh të ri.

Kjo do të thotë që në 20 vite, në një vit elektoral, qeveria është tejet e përgjegjshme jo vetëm që te ruaj kuadrin fiskal, të ruajë borxhin, të mos krijojë asnjë cent borxh të ri, të rrisë ekonominë por mbi të gjitha, të financojë reformat dhe të rrisë dhe pagat e pensionet" - u shpreh Ministri.

***

Axhenda e takimeve do të vazhdojë gjatë ditës me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të FMN z. Tao Zhang dhe Drejtorin e Departamentit Fiskal në FMN Carlo Cotarelli, z. Cyrill Myller zv. President i Bankës Botërore për Europën Juglindore dhe Azinë etj. Pjesë e vizitës janë edhe bisedimet me Misionin në kuadër të rishikimit të Programit.