Postuar më: 08 Shkurt 2018

Statusi i Minatorit, maturi sociale dhe përgjegjshmëri financiare

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament

Jeni në të drejtën tuaj për të diskutuar me atë frymë që diskutoni, negativiste, a thua se jeni një forcë politike që keni zbritur me parashutë në 2017 me një humbje spektakolare dhe vini këtu e flisni me të drejtën e “Tabula Rasa-s”.

Unë po ju bëj një pyetje retorike. Më thoni një status që ju bëtë? Më thoni një status që respektuat nga ato dy që janë bërë që në ‘92? Vetëm një më thoni. Më thoni një status që keni respektuar. Pyetje fare e thjeshtë. Në 8 vjet pushtet, përse nuk e bëtë statusin e minatorit? Çfarë problemi kishit që nuk e bëtë? Pse i latë të dalin në pension 65 vjeç? Pse nuk e votuat në vitin 2014 uljen moshës së pensionit? Këtu thoni që “ne jemi penduar për gjëmën që i kemi bërë vendit në 8 vite e kusur dhe tani vijmë me parashutë të freskët”, a thua se nuk është i njëjti njeri ai dhe i njëjti njeri ai tjetri atje, që vjen edhe tund gishtin këtu nga të gjitha anët. I njëjti njeri ky, i njëjti njeri ai atje. Edhe ish-kryetari, edhe kryetari.

E dyta, pse nuk e votuat statusin e naftëtarit? Çfarë problemi kishit me Statusin e Naftëtarit? Pse nuk e respektuat statusin e Ish të Përndjekurve Politikë, nuk i dhatë lekët që i takonin? Po me ish-pronarët, përse nuk ua dhatë paratë? Po ua japin ne, ne që nuk paskemi fare mëshirë për këta dhe vini këtu e bëheni qesharakë. Këto janë pyetje që ju nxjerrin ashtu siç jeni në sytë e qytetarëve. Po çfarë thoni ju tani, keni marrë ju përsipër që të mbroni minatorët? Po ju i keni lënë rrugëve. Një minator që të dilte në pension duhet të punonte 65 vjeç dhe ajo që është gjëja më e rëndësishme, një qeveri mendon me pjekuri dhe maturi, nga ana financiare dhe nga ana sociale.

Hapi i parë social ishte ulja e moshës së pensionit. Hapi tjetër është Statusi i Naftëtarit dhe mos kujtoni se nuk kanë kosto në buxhet, por raporti midis kujdesit social dhe kostos në buxhet shkon në favor të kujdesit social të të gjitha profesioneve të vështira. Çfarë kemi thënë ne mbrapsht, se realisht kjo ka qenë qesharake, dhe këtë e kam dhe për ju, dhe për qytetarët. Bëmë një debat në një Komision të Ekonomisë për TVSH-në e ulur të ushqimeve edhe i thamë një personi që mungon: Po mirë, ti e di koston? Unë, tha ai, koston e di shumë mirë dhe e di që nuk bëhet, por ne e sollëm për ta provokuar. Kë provokoni, veten apo qytetarët? Dhe historia e minatorëve është një provokim aspak njerëzor. Është politikë e pastër që bëni me hallin e tyre. Nuk jeni ju që i qani hallin. Nuk jeni ju. As fatin e mirë dhe as fatin e keq nuk e keni.

Këtë fat e ka Partia Socialiste, qeveria e saj, që të merret me shtresat në nevojë, siç është marrë. Po si mund të vini e të diskutoni për shtresat në nevojë e për profesionet e vështira? Ore a e kuptoni që i latë invalidët pa bukë? I mbajtët lekët, 4.4 mld. Merrni një fytyrë sikur qani, si Halloëeen Party edhe qani këtu për minatorët. Invalidëvë i mbajtët 44 milionë dollarë, i latë pa bukë, e kuptoni apo jo? Ju nuk duhet të vini fare këtu. Ju duhet vetëm të mbani shënime dhe ditën që ne të sjellim statuset të çoheni e t’i votoni e të thoni “ Po, faleminderit që i sollët statuset dhe ne po i votojmë”.

Edhe një thirrje miqësore, nuk bëhen statuse me sherr e as me të çjerrë. Statuset janë politikë sociale për të shkuar tek e vërteta por e vërteta nuk është te kesh 4-5 vrima në Bulqizë e në Dibër. E vërteta është të kapësh thelbin e hallit të minatorit. Thelbi i hallit të minatorit ishte i pari dhe u adresua në 2014. E mos harroni që historia është shumë më e dhimbshme se aq. E latë me borxhe gjithë Shqipërinë dhe tani vini e bëni këtu fabula sociale. Mos e bëni këtë se nuk ka vlerë. Sinqerisht më vjen keq që nuk është Saliu ose Luli.

Ne do vijmë të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare dhe do ulemi vetë me minatorët, do ulemi vetë me metalurgët dhe pasi ta kemi pjekur, do ta sjellim këtu. Atë ditë jeni të ftuar të votoni statuset dhe të falënderoni sigurisht edhe Partinë Socialiste që gjithë kohës ka treguar kujdes të veçantë për këto shtresa.

Faleminderit.