Postuar më: 06 Nëntor 2017

Shqipëri - Slloveni, promovim bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Forumin e Biznesit Shqipëri – Slloveni

Dëshiroj së pari të falenderoj dhe të shpreh kënaqësinë që sot mirëpres në Tiranë Ministrin për Zhvillimin Ekonomik dhe Teknologjine e Republikës së Sllovenisë dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit që e shoqërojnë në këtë vizitë zyrtare.

Jam i bindur që ka hapësira të reja të rëndësishme për t’u zgjeruar, ndaj e konsideroj këtë forum të përbashkët biznesi, një oportunitet shumë të mirë për të shkëmbyer mundësi konkrete bashkëpunimi në të ardhmen në fusha e sektorë me interes të përbashkët dypalësh.

Me kënaqësi mësova që janë gati 30 kompani sllovene që shoqërojnë Ministrin. Jam i bindur që kompanitë, së bashku me Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe kompanitë sepcifike që janë të interesuara për bashkëpunim dypalësh, do të gjejnë mundësi dhe fusha të interesit të përbashkët.

Sllovenia si vend anëtar në Bashkimin Europian, përfaqëson për kompanitë shqiptare një destinacion tërheqës që ndërthur interesin dhe sfidën në të njëjtën kohë, të zgjerimit në një treg europian, por ata që nuk e dinë, Sllovenia është një vend shumë interesant sa i përket strukturës ekonomike.

Është një vend i orientuar nga eksporti me një sofistikim në prodhim, sidomos në përpunimin e produkteve ushqimore, prodhimin e anijeve, jahteve, prodhime të tjera industriale, dhe ka një markë shumë të respektueshme, jo vetëm në Bashkimin Europian.

Megjithatë, në raport me Shqipërine, volumi tregtarë është akoma modest 38 milionë euro, ndërkohë që fluturimi që këtu deri në Lubjanë është vetëm 55 minuta.

Nga ana tjetër, Shqipëria si një vend që së shpejti do të bëhet pjesë e familjes europiane, është një treg interesant, me rritje të vazhdueshme dhe me mundësi shumë të mëdha investimi në sektorë të shumëllojshëm: turizëm, energji, infrastrukturë, bujqësi, agroindustri, shfrytëzim i mineraleve dhe pasurive nëntokësore, sektori bankar dhe së fundi ICT.

Dua të ndaj me Ministrin dhe me të gjithë pjesëmarrësit një panoramë të përgjithshme ekonomike. Ekonomia shqiptare përgjatë katër viteve të fundit ka kaluar në një cikël të rëndësishëm konsolidimi afatgjatë. Sot Shqipëria rritet me mbi 4%, një rritje ekonomike e 4-fishuar në katër vite. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në fund të këtij viti do të kemi një rritje rreth 3.9% dhe në një konsiderim statistikor, brenda bllokut ish-komunist, do të jemi një nga dy vendet me rritjen ekonomike më të lartë së bashku me Rumaninë. Synimi i qeverisë Rama 2 është që të kemi një rritje mesatare në katër vitet që vijnë 4.5%, për të kapur 5.5% deri 6% në fund të mandatit.

Reformat kanë qenë një faktor kyc në rimëkëmbjen e sektorëve, duke filluar me reformën e rëndësishme të financave publike, reformën në sektorin e energjisë, reformën e pensioneve, reformën administrative-territoriale, reformën në klimën e biznesit dhe së fundmi, patjetër refoma në drejtësi, që sigurisht, do të jetë përvec furnizusi kryesor i drejtësisë në vend, do të jetë furnizuesi kryesor i tërheqjës dhe i garancisë për investitorët e huaj.

Në këtë fazë të re të ekonomisë shqiptare, ne do të fokusohemi drejt kalimit nga politikat konsoliduese tek ato të orientuara drejt garantimit të rritjes ekonomike, cilësore, gjithëpërfshirëse. Unë e theksoj vazhdimisht, do vazhdoj ta theksoj, e vërteta është që këto kater vjet që kanë kaluar kanë qenë vite të vështira për ekonominë shqiptare, për shkak të trashëgimisë, kaluam në një konsolidim fiskal me një korrektim ekonomik, dhe që nga viti 2016 kemi kaluar në një cikël rritje cilësore me trende të përshpejtuara.

Besojmë që edhe ky mandat do të jetë një mandat shumë i mirë për ekonominë shqiptare, me kusht që ne të mos ngadalsojmë asnjë nga reformat e nisura, e madje të avancojmë akoma më shumë reforma.

Shqipëria ka avantazhin e një fuqie punëtore të re në moshë mesatare, e dyta në Europë pas Kosovës dhe akoma me kosto të ulët. Megjithëse, vitet e fundit është parë një lloj rritje në koston e fuqisë punëtore, e cila është pozitive për shkak të trajnimit intensiv që sipërmarrja dhe jo vetëm, por edhe sipërmarrja në bashkëpunim me shtetin, i bën fuqisë punëtore për të përafruar kërkesën dhe ofertën në tregun e punës.

Investimet e huaja direkte janë themelet e mbështetjes kryesore të rritjes ekonomike në Shqipëri dhe në rajon. Në vitin 2016, Shqipëria shënoi investime të huaja direkte rreth 1.1 miliardë dollarë, ndërkohë që dhe në dy tremujorët e parë të vitit 2017, sërish kemi një trend rritës të tërheqjës së investimeve të huaja.

Në dy-tre vitet e fundit, Shqipëria ka miratuar katër ligje tejet të rëndësishme, do ta ftoja sipërmarrjen që të merrnin më shumë informacion. Është ligji për investime strategjike, me lehtësi dhe garanci të plotë, të drejtpërdrejta për investitorët deri tek miratimi kontratës me ligj të vecantë. Pra, në bazë të këtij ligji, nëse konsiderohesh, në referencë të definicioneve ligjore të këtij ligji, investitorë staregjik, mund të arrish të garantosh kontratën në Parlament. Pra, për atë diskutimin që ne bëjmë me njëri-tjetrin, edhe ju e keni bërë përpara nesh dhe ne vazhdojmë ta bëjmë. Mund te ofrojmë atë garanci maksimale, që kontrata të kthehet në një ligj nëpërmjet kalimit në Parlament.

Ligji për Partneritetin Publik Privat, në këtë drejtim Kryeministri ka prezantuar një tjetër instrument të rëndësishëm që injekton në ekonominë shqiptare rreth 1 miliardë dollarë, por ne i referohemi metaforikisht “1 miliardë dollar” për infrastrukturën. Do të fokusohemi në segmente të infrastrukturës, në sektorin e shëndetit publik dhe në arsim.

Ndërkohë, kemi një ligj shumë interesant që do t’iu ftoja ta eksploronit që është ligji për zonat e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, ne i referohemi si TEDA. Ligji afron mundësinë e krijimit, ndërtimit të një zone të lirë ekonomike, e cila në kuptimin më të thellë proccedurial, fiskal është një zonë e lirë ekonomike afatgjatë, ku mund t’i japi mundësi zhvillimi dhe internacionalizimi të kompanive sllovene në Shqipëri, por jo vetëm dhe sërisht do t’iu ftoja që ta eksploronit këtë mundësi, këtë oportunitet që ofron ekonomia shqiptare .

Ligji tjetër është ligji i turizmit, që gjithashtu ofron incentiva të drejtpërdrejta. Po ju sjell një shembull nga ligji, përsa i përket tokave me pronësi shtetërore në bregdet, ka mundësi me një projekt serioz të financuar nga ana financiare, që investitorët potencial ta marri tokën në përdorim 1 euro simbolike për 99 vite, e patjetër që përbërje të këtyre katër ligjeve është paketa publike në shërbim të infrastrukturës që mbështet, mbështjell investimin e mundshëm të kujtdo investitori që bie në këto definicione.

Këto ditë jemi duke prezantuar dhe diskutuar, në detaje paketën fiskale të vitit 2018. Paketa ka elementë incentivues shumë seriozë përsa i përket turizmit. Synimi është shumë i qartë, turizmi ka ecur shumë mirë në këndvështrimin tim dhe të të gjithëve, shifrat flasin vetë. Besoj e ardhura nga turizmi do të kalojë në 2017, do të kemi statistika shumë shpejt, gati 1.7 miliardë euro nga 1.5 e vitit të kaluar. Numrat janë seriozë dhe në rritje. Madje po i afrohemi pikës ku kërkesa dhe oferta do të jetë për të gjithë në proporcion.

Pra, mundësia për të afruar shtretër në hapësirat tona akomoduese do të vijë duke u shteruar gjatë sezonit, që do të thotë që, ne po përputhim edhe me insentiva sic do t’i dëgjoni pak më vonë, në mënyrë që të kemi investime serioze, nga kompani serioze në botë, në sektorin e turizmit. Për shembull, tatimi i vlerës së shtuar për turizmin në Shqipëri është në nivele tejet konkurruese në rajon në nivelin 6%.

Me paketën fiskale 2018, ne jemi duke parë investime të rëndësishme për strukturat akomoduese me 4 dhe 5 yje. Për ta thënë më thjesht, për ato brand names që regjistrohen në bazë të listës të Organizatës Botërore të Turizmit, investimet e tyre përfitojnë një TVSH-së 6% për të gjitha shërbimet brenda mureve të strukturës akomoduese të hotelit, ose resortit. Tatim fitimi 0 për 10 vitet e para fiskale dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për strukturat akomoduese me 5 yje.

Për strukturat akomoduese “brand names”, investime pra, kjo taksë bëhet zero dhe nuk është pak, por është e konsiderueshme. Tatim fitimi sic e theksova 10 vite zero dhe sigurisht që, s’dua të lë pa përmendur dhe taksën mbi ndërtesat, apo taksën e pronës, që për struktuar akomoduese me 5 yje do të jetë për 10 vite zero. Një kosto shumë e madhe për investitorët, por që lehtësohet që ditën një të marrjes së statusit special në bazë të investimit me 5 yje dhe brand name.

Ndërkohë, sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku ju në Slloveni jeni lider në rajon. Ne kemi vënë re që është një sektor në rritje të shpejtë, sigurisht që në nivele modeste akoma edhe në Shqipëri, dhe në këtë sektor ofrojmë mbështetje nëpërmjet lehësive fiskale.

Një iniciativë që do dëshiroja ta theksoja është që ne po e zbresim tatim fitimin për prodhuesit e softëare-ve nga 15% në 5%, për të krijuar mundësi që kompani që prodhojnë softëare te kenë mundësi të rialokohen në Shqipëri. Dua t’ju garantoj që Shqipëria ka talente në fushën ICT, ka shumë inxhinierë të certifikuar nga Microsoft në sekorin e ICT.  

Krahas incentivave fiskale ne po mundësojmë një reformë të rëndësishme dereguluese në ekonominë shqiptare me synim reduktimin në maksimum të peshës burokratike mbi qytetarët dhe sipërmarrjen. Ka qenë një iniciativë e drejtpërdrejtë e Kryeministrit me besimin maksimal se, thjeshtëzimi i procedurave, lehtësimi i sipërmarrjes dhe qytetarit do të prodhojë definitivisht dhe patjetër, zhvillim ekonomik. Një shembull dua të sjell lidhur me këtë eksperiencë që ne kemi me deregulimin. Brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ne ndërmorën një proces të detajuar të analizimit të letrave që prodhon Ministria në përqasje me sipërmarrjen dhe qytetarët dhe eleminuam një sërë dokumentash, të cilat i merrnin sipërmarrjes dhe qytetarëve 56 vite kohë në një vit. Procesi sigurisht që vazhdon.

Dua ta mbyll fjalën time duke ndaluar në aspektin rajonal të nderuar pjesëmarrës. Ju jeni kthyer në një vend eksportues në peshë të konsiderueshme në përqindje të prodhimit tuaj kombëtar. Ne akoma jemi larg, e madje gama jonë e eksportit është akoma modeste që për mua dhe për cdo njeri që analizon në detaje dhe në thellësi cdo komponent të ekonomisë shqiptare, është një risk dhe një sfidë dhe një oportunitet, patjetër.

Procesi i Berlinit ka hapur një korsi të re, pra të vetëm ne jemi shumë të vegjël. Rajoni në vetvete dhe pse me 26 milionë konsumatorë, mund të jetë një treg i konsiderueshëm. Ne besojmë që procesi i Berlinit afron një mundësi shumë të madhe në të dyja korsitë që derivojnë në një destinacion në Bashkimin Europian. Pra, qoftë në hapjen rajonale, qoftë në rritjen e standardeve dhe lehtësimin e tregtisë, gjithësesi të gjitha në funksion të avancimit të integrimit drejt Bashkimit Europian.

Ne po marrim iniciativa të detajuara për të lehtësuar tregtinë në rajon me Kosovën, me Serbinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë. Madje, ne po marrin së fundmi disa iniciativa të avancuara nga Kryeministri i Shqipërisë, vendimmarrje unilaterale, për të njohur standardet fitosanitare për shembull, që janë të gjitha barrierat jo tarifore. Një set i tërë i tyre për t’u njohur në mënyrë unilaterale nga ana jonë kundrejt partnerëve tanë tregtarë në rajon. Për shembull, ne do të njohim shumë shpejt në mënyrë unilateral ceritifatën fitosanitare, janë katër të tilla, pa kërkuar një certifikim të dytë. Pra, nëse je certifikuar në Kosovë, apo në Mal të Zi, apo në Maqedoni, apo në Serbi, këtu do të njihesh automatikisht si produkt i certifikuar. Është një proces i gjatë patjetër, por i domosdoshëm dhe tani jemi, të themi në një fazë shumë të detajuar të këtij procesi.

Ne jemi të bindur që jetësimi i aspiratës tonë integruese në Bashikim Europian fillon nga integrimi ekonomik, për të cilin Shqipëria ka marrë një rol aktiv për promovimin e kësaj axhende rajonale që unë iu referova.

Unë jam i bindur që vizita e juaj është në kohën e duhur. Ju mund të na jepni eksperiencën tuaj të vlefshme në procesin e integrimit europian dhe të lehtësimit të tregtisë. Sigurisht që, unë në njohjen time të proceseve dhe të zhvillimit ekonomik slloven, kam një respekt të jashtëzakonshëm për suksesin e sipërmarrjes dhe qeverisë për të bërë atë që ka bërë. Ne kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetëri, po është e sigurt që ne kemi shumë për të mësuar nga suksesi juaj në rrugën drejt Bashkimit Europian, por edhe përpjekjen për të rritur mirëqënien e qytetarëve.

Faleminderit! Faleminderit dhe sipërmarrjes dhe shpresoj të keni një vizitë të suksesshme.

Faleminderit!