Postuar më: 05 Tetor 2017

Shërbimet për qytetarin, MFE redukton 13 dokumente, shkurtohen mbi 270 mijë orë pritje në vit

 

Në kuadër të reformës së deregulimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur procesin e lehtësimit të shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen, që ofrohen përmes institucioneve në varësi të saj.

Ministri Ahmetaj nxori ditën e hënë, datë 2 Tetor, Urdhrin për "Lehtësimin e Kërkesave Dokumentare të Shërbimeve të Ofruara ndaj Biznesit dhe Qytetarëve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Institucionet në Varësi të saj", ku detajohet lista e dokumenteve që institucionet në varësi të Ministrisë së Finanacve dhe Ekonomisë, nuk do t'i kërkojnë më nga qytetarët dhe sipërmarrja, por do t'i sigurojnë përmes platformës elektronike e-Albania ose nëpërmjet komunikimit dhe ndërveprimit ndërinstitucional.

Pjesë e rëndësishme e këtyre dokumenteve janë një numër vërtetimesh të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të cilat vetëm në vitin 2016 janë lëshuar mbi 275,702 herë. Përmes gjenerimit të këtyre vërtetimeve nga platforma e-Albania, iu kursejmë qytetarëve dhe bizneseve mbi 91,912 orë pritje në sportele në një vit, ose gati 11,400 ditë pune.

Po kështu, janë mbi 152,237 ekstrakte të lëshuara nga QKB në një vit, për të cilat janë shpenzuar rreth 71 mijë orë punë, që sot eleminohen përmes ofrimit online apo mbi 9200 autorizime të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që në një vit kursejnë rreth 74 mijë orë punë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po vijon me procesin e deregulimit në të gjithë gamën e shërbimeve që ofrohen në institucionet e varësisë, duke synuar reduktimin drastik të dokumenteve të kërkuara nga qytetarët dhe sipërmarrja dhe kalimin në një nivel të ri të modernizimit dhe dixhitalizimit të tyre.

Urdhër Nr.101/1, dt.02/10/2017 “Për lehtësimin e kërkesave dokumentare të shërbimeve të ofruara ndaj biznesit dhe qytetarëve nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve në varësi të saj”.