Postuar më: 09 Mars 2018

Shërbime publike të shpejta, profesionale dhe transparente ndaj qytetarëve

Shërbime publike të shpejta, profesionale dhe transparente ndaj qytetarëve.

Ministri Ahmetaj në Korcë, inspekton zyrat e shërbimeve në tatime, postë dhe hipotekë.

Gjatë vizitës së tij në Korcë ku zhvilloi një sërë takimesh, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj u ndal edhe në sportelet e shërbimeve ndaj qytetarëve, në Drejtorinë Rajonale Tatimore, zyrën e Postës dhe atë të Regjistrimit të  Pasurive të Paluajtshme.

Ne zyrën e shërbimit të tatimpaguesvë Korcë, mbi 1200 vërtetime printoheshin cdo ditë për sipërmarrjet dhe qytetarët, duke shkaktuar rradhë të gjata dhe orë pritje. Falë reformës së deregulimit, një pjesë e mirë e këtyre vërtetimeve tashmë nuk merren më në sportele, por gjenerohen lëhtësiht online përmes platformës e-Albania. Reduktimi është drastik, nga 1200 vërtetime të lëshuara në muaj, 1000 prej tyre merren online dhe vetëm 200 lëshohen në sportele, që përkojnë me dokumente më specifike.

Në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve në Korce dhe në të gjithë vendin, janë ngritur tashmë edhe sportelet e dedikuara për asistencë, informim dhe trajnim të biznesit të vogël, që nga 1 prilli do të përfshihet në skemën e TVSH.

“Është një reformë e tërë e Deregulimit, e cila prek çdo qytetar, çdo sipërmarrje dhe me kënaqësi shohim, ditë pas dite, që ato shërbime që ne i kemi thjeshtësuar kanë filluar të japin rezultat të prekshëm në terren. Sot tek Tatimet e pamë shumë qartë, nga mbi 1 mijë vërtetime që jepeshin, sot pjesa më e madhe e tyre jepen online dhe vetëm vërtetime specifike, të cilat janë në proces të thjeshtësimit dhe të dixhitalizimit, pra vetëm një pjesë e vogël e tyre, jepen në sportelet e Tatimeve” – tha Ministri.

 E njëjta gjë sipas tij, ndodh edhe me Postën, e cila po kalon një revolucion të thjeshtësimit të procedurave dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Lidhja me platformën e-Albania, një platformë që ndihmon të  gjitha institucionet të bashkëveprojnë në mënyrë dixhitale në favor të kursimit të kohës ndaj qytetarëve është në avancim e sipër edhe me Postën dhe shumë shpejt Posta Shqiptare do të jetë një sportel jo thjesht për ato shërbime tradicionale të saj, por për një gamë të gjerë shërbimesh që nga ankesat e qytetarëve ndaj institucioneve të qeverisë apo institucioneve vendore, e deri te lëshimi i vërtetimeve më të thjeshta që qytetarët kanë nevojë”, theksoi Ministri, duke shtuar se edhe në zyrën e Hipotekës është bërë shumë progres, duke sugjeruar që së shpejti, në qytetin e Korçës të hapë sportelin e vet dhe ADISA.

“Në zyrën e Hipotekës, unë besoj që është bërë shumë progres. Unë besoj që ADISA, në këndvështrimin tim, si një nga sportelet e dalluara të shërbimit rigoroz, të shpejtë, modest ndaj qytetarit, është e domosdoshme dhe jemi duke diskutuar me punonjësit, e mendojmë që shumë shpejt t’i sugjerojmë dhe Agjencisë që të hapë sportelin e vet dhe këtu në Korçë”, tha Ministri Ahmetaj.