Postuar më: 16 Shkurt 2017

Rivlerësimi i pronave, vlera e pasurisë u rrit me 1 miliard dollarë për vetëm 27 mijë familje. Kursyen 156 milionë dollarë nga ulja e taksës

Projektligji për Rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme, Ahmetaj: “Në 6 muaj, 27 mijë aplikime. Qytetarët kursyen 156 milionë dollarë nga ulja e taksës, ndërsa vlera e pronës së tyre u rrit me 1 miliard dollarë. Opozita ka marrë formën e humbësit prej dështimit të rradhës në 18 qershor!”

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

Unë do t’i rikthehem për proçedurë ligjit të rivlerësimit të pronave të paluajtshme, për ta konsideruar patjetër dhe definitivisht, një sukses. Arsyeja e shtyrjes është fare e thjesht, ka çdo ditë 70-80 aplikime në institucionin e shërbimit publik ADISA, pranë ZRPP, nga qytetarë të ndryshëm.

E vizitova vetë atë zyrë, u takova me qytetarët, i pyeta drejtpërsëdrejti dhe shpreha falenderimin jo thjesht për mundësinë që i është dhënë qytetarëve për të paguar vetëm 2% nga 15 %, por edhe për shërbimin shembullor dhe të shpejtë që jepet nga institucioni, i cili është risi e një prioriteti që ka kjo qeveri për të përmirësuar shërbimet publike.

Është një shërbim publik i drejtpërdrejtë, nga i cili kanë përfituar 27 mijë familje deri në 31 janar të këtij viti, pra, ka 27 mijë aplikime, 27 mijë familje që kanë aplikuar për rivlerësim të pasurisë së tyre në bazë të ligjit të rivlersimit dhe kanë përfituar një formalizim të vlerës së pasurisë së tyre, një rritje të vlerës së pasurisë së tyre me një diferencë 1 miliard dollarë.

Pra, pronat e shqiptarve kanë një vlerë më të madhe për shkak të rivlersimit me çmimin e tregut, me 1 miliard dollarë. Shqiptarët në letrat e tyre të shtrenjta të tapive nëse doni ta quajmë, janë 1 miliard dollarë më të pasur e përvec kësaj, (po, 1 miliard dollarë më të pasur, nuk mund t’i mësoj askujt aritmetikën), dhe n.q.s doni sesa taksa kanë paguar, do duhet të paguanin 156 milion euro taksa, kanë paguar vetëm 16 milion, pra, diferenca është drejtpërsëdrejti në favor të qytetarëve.

Kemi tre avanca dhe risi, e para kursimi për qytetarët, e dyta formalizimi i një vlere prej 1 miliard dollarësh, e treta një shërbim publik shëmbullor. Këtu dikush, në padituri tha është dështim, prandaj e shtyni, d.m.th imagjinoni të dashur qytetarë, se qenka dështim një shërbim publik, një mundësi e afruar që çdo ditë ka 80 aplikime vetëm në Tiranë, një shërbim i kërkuar në vazhdimësi nga qytetarët që të shtyhet, qenka dështim. Pra suksesi, qenka dështim. Suksesi i një politike për t’i afruar një taksë të reduktuar qytetarëve, qenka dështim.

Eshtë qesharake në gjithë platformën e opozitës para zgjedhjeve, sigurisht që dështimi në 18 qershor i ka demotivuar dhe patjetër që kërkojnë ta kompensojnë me protesta dhe me pseudo-alarm për vjedhje votash.

Dua t’ju kujtoj sërish për rivlerësimin, që është bërë e njëjta politikë në 2011. Në qershor- dhjetor të 2011 është afruar e njëjta mundësi dhe janë marrë në 8 muaj 1.1 miliard lekë. Sot që flasim janë 2.4 miliard lekë vetëm në 6 muaj, për të kuptuar diferencën e një politike që funksinon, me një politikë të vjetër të qeverisë së vjetër.

E shtynë atëherë, në janar –gusht 2012, e shtynë edhe një 6 muajsh tjetër dhe morën 1.8 miliard lekë ne 8 muaj, ky është dështim. Pastaj e shtynë sërish herën e tretë, në maj-tetor 2013 dhe morën vetëm 1 miliard lekë.

D.m.th këtu ose ka një standard, ose ka ca njerëz që gënjejnë. Dhe nëse do ta merrja të gjithën si një standard, atëhere këtu ka ca njerëz, ka ca deputetë, që gënjejnë dhe gënjejnë për shkak të frikës së numërimit mbrapsht të 18 qershorit!

Opozita ka marrë që sot, formën e një humbësi të madh dhe ajo që bën është të ftojë në protestë, kundër reformës në drejtësi. Dhe sjellin Rumanië si shembull, por po të ishte shembulli i Rumanisë duhet të kishit votuar, duhet të kishit mbështetur Vettingun, atë duhet të kishit bërë.

Po vazhdoj më tej dhe dua t’i referohem të dhënave të fundit dhe ngjarjeve të fundit ekonomike. Më në fund kreditimi ka njohur rritje me 3%, edhe i ndërmarrjeve, jo vetëm i individëve. Të ardhurat tatimore kanë shkuar për herë të parë (pa asnjë ndryshim në nivelin e taksave) në 27 .2 % e PBB; për herë të parë pa asnjë ndryshim takse, përkundrazi kemi ulur taksat, si ajo e biznesit të vogël.

Një nga agjensitë më prestigjoze të vlerësimit ndërkombëtar të ekonomisë, raporti fundit i S&P, tregon që ekonomia shqiptare është në përmirësim të vazhdueshëm, dhe po ngushton atë hendek negativ të trashëguar nga ju, para 2013.

Sigurisht që roli i opozitës është të flasë dhe sa më shumë të flasë, aq mq mirë i bën vetes, aq më mirë i bën dhe qeverisë, por kur flet për gjëra, për evente, për politika që i ka bërë me fytyra të vjetra dhe i shet si risi, qytetarëve s’ka cfarë t’u ngelet përvecse t’i quajë opozitë e vjetër, qeveri e vjetër dhe ju jeni opozitë e vjetër e qeverisë së vjetër.

Po ju marr indeksin e lirisë ekonomike se dolët dje në mënyrë qesharake. Ata që janë profesionistë ndër jush, duhet të merren me detajet, janë shtuar dy kritere të rinj dhe e dini cili është njëri prej tyre? Është sistemi gjyqësor i vlerësuar në një minimum prej 28 pikë (nga 100). Nëse nuk do të kishim këtë vlerësim kaq të ulët për sistemin e drejtësisë, do kishim një tjetër renditje, duke lënë mbrapa të gjithë vendet e rajonit nëse doni.

E megjithatë, kjo duhet të jetë një thirrje. Dje Partia Demokratike duhet të dilte dhe të thoshte: “Të dashur qytetarë, ky sistem i drejtësië na ka zbritur në renditje (dhe e krahasoni me katër vite më parë, se ashtu ju leverdis më mirë, që të dilni e të thoni ka zbritur me 11 vende!) dhe nëse këtë sistem do ta kishim ashtu sic duhet, do të ishim vendi i parë në rajon!”.

Ja ku janë shifrat, i debatojmë një nga një. A ka hapësirë për të rregulluar? Pafundësisht, ditë për ditë. Ky nuk është vend i pasur që të ketë luksin të bëjë diskutime luksi, por ka detyrimin që të merret me problematikën kryesore të vendit.

Mbështeteni Vettingun. Ja ku e keni vlerësimin e Heritage Foundation. Kujt i tregoni lirinë ekonomike?! E ka vlerësuar me 87 pikë kriterin e tregtisë së hapur, është vend i hapur për tregti, 87 pikë, të parët në rajon! Liria për investime, e vlerësuar me 70 pikë, është vend që tërheq investime të huaja. I dyti në rajon, duke lënë mbrapa shumë vende të tjerë. Po pse i gënjeni shqiptarët? Mendoni së shqiptarët janë budallenj që del dikush atje tek podiumi i opozitës edhe flet për qeverinë?!

Cfarë flisni për krime ju? Doni të bëni debat për krimin? Është gjëja më legjitime në një vend, por ka një diferencë mes jush dhe nesh. Doni të thoni është rritur apo është ulur krimi? Hajde shohim statistikat. Në statistika, krimi është ulur. Ka problematika? Patjetër, të gjithë sektorët kanë problematikat e tyre në Shqipëri, por kjo nuk është qeveri e krimit!

E dini c’do të thotë qeveri e krimit? Të vrasësh në 21 janar! Të vrasësh në Gërdec! Të vidhje naftën dhe t’ia coje Milloshevicit, po, ky është krim qeveritar. Të gjitha këto, bëjnë diferencë. Këtu ka një betejë me krimin, aty ka pasur një qeveri të vjetër që bënte krime! Një qeveri që bënte krime drejtpërsëdrejti!

Dhe vini këtu diskutoni për krizë! Krizë jeni ju! “Të nxjerrim vendin nga kriza” thoni dhe sillni një propozim politiko-ekonomik që është qesharak, që kundërshtoni vetveten me ulje dhe rritje taksash, me ulje dhe rritje borxhi!

Të dashur qytetarë, dy gjëra do ju them për propozimin e tyre ekonomik, se ditët e ardhshme do ta zbërthejmë fije e për pe, për të treguar se sa opozitë e vjetër e qeverisë së vjetër janë këta!

Do të kthejë taksën e sheshtë, e thotë me plotë gojë. Po, ky do që ata 97% të shqiptarëve që përfituan lehtësim të barrës fiskale, ky do t’jua ngarkojë sërish. Pra cdo shqiptar I klasës së mesme që voton për të, I bie që të votojë për të paguar më shumë taksa në kurriz të vet, drejtpërsëdrejti.

Pastaj, vendet e punës. Vendet e punës, i kam numrat këtu. Keni pasur 423 mijë vende pune në 2013. 624 mijë janë sot! Kush i krijoi, ju i krijuat? Dhe po flasim vetëm për sektorin jo-bujqësor. Dhe vini këtu flisni për premtime të mbajtura.

Ka një gjë, për të qenë të qartë dhe të qetë e të përgjegjshëm me qytetarët. Një qeveri premton në vullnetin më të mirë të vet. Ka gjëra që nuk arrin t’i bëjë dot, patjetër, ka gjëra që nuk arrin t’i bëjë dot për një mijë arsye, për arsye të procesit përpara por, edhe për arsye të trashëgimisë. Trashëgimia, a të lejonte të bëje 6% TVSH-në për energjinë? Nuk ta lejonte se sistemi ishte copë –copë, kërkonte rimëkëmbje të drejtpëdrejtë! Ku do t’i gjenim 150 milionë dollarët që humbisnin cdo vit nga sektori energjetik? Sigurisht që paratë do të gjendeshin nga mirë-administrimi! Dhe sot, reformat flasin vetë, shifrat flasin vetë! Sikur asgje tjetër të mos numëroj, nga 1% në 3.4% rritja ekonomike, me objektiv 3.7% në 2017, kjo është domethënëse.

Po, ka një diksutim të maturuar, që lidhet me faktin se a ka risk që financat publike të dëmtohen në një vit zgjedhor parlamentar. Po, ka qenë një risk patjetër, risk i trashëguar nëse doni në 25 vite politike, të gjitha partitë, të gjitha qeveritë, kanë bërë të njëtjën gjë. E kanë vendosur buxhetin në funksion të vetes.

Hajdeni ta diskutojmë, të shohim shifrat. A ka sot një shifër të vendosur në buxhet në funksion politik? Ka sot ndonjë deficit të zmadhuar në funksion të objektivit tonë politik dhe të emocionit tonë politik? Ky është diskutim! Nëse ka, hajdeni këtu dhe thuajani qytetarëve, po, këto x lekë janë rritje borxhi, janë rritje deficiti dhe shkojnë për qëllime politike të qeverisë!

Nëse nuk ka, dhe në fakt nuk ka, atëherë për herë të parë është vendosur një disiplinë fiskale në një vit zgjedhor dhe nuk ështe e rastësishme që programi jonë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është nga të paktët programe që është mbyllur me sukses, sepse kemi bërë detyrat e shtëpisë.

Për ta mbyllur, po kthehem edhe njëherë tek shtyrja e afatit për rivlerësimin, edhe për të thënë një fjali tjetër. Shtyrja e afatit për rivlerësim është një ftesë e re për të ata qytetarë që duan të rivlerësojnë pronën e tyre, duke paguar një taksë gati sa 1/7 e taksës normale, në favor të formalizimit dhe rritjes së vlerës së pasurisë së tyre.

Faleminderit!