Postuar më: 28 Janar 2018

Rilindja Urbane e Prrenjasit

Ministri Ahmetaj dhe deputeti Balla në Prrenjas, inspektojnë punimet për ndertimin e qendrës se qytetit.

Ahmetaj: “Në harkun kohor të tre viteve, rreth 1 miliardë euro do të investohen në akset rrugore nacionale dhe rurale”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socilaiste Taulant Balla dhe deputetë të qarkut, inspektuan punimet për ndërtimin e qendrës se Prrenjasit, në kuadër të Projektit të Rilindjes Urbane, investim me fondet e qeverisë shqiptare.

Falë këtij projekti, tashmë, Prrenjasi do të ketë një shesh qëndror dhe një hapësirë shlodhëse dhe argëtuese për të gjithë grupmoshat. Bashkia e Prrenjasit është përfituese edhe e një projekti shumë të rëndësishëm, në kuadër të bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Italiane për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore dhe shndërrimin e saj në një qendër multidimensionale, përfshirë këtu edhe një bibliotekë të munguar për qytetin.

Ministri Ahmetaj tha se falë projektit madhor të Rilindjes Urbane, sot shumëkush mund ta shohë Shqipërinë të ndryshuar, në të gjitha qendrat e qytetave apo të qarqeve.

“Qendra e Prrenjasit është një qendër e re. Përfiton një lulishte, një qendër të re shumë moderne mutlifunksionale dhe besoj që projekti duhet të vazhdojë në mënyrë që ta kthejmë të gjithë fasadën në harmoni të plote me qendrën dhe me qytetin.

Sa i takon vazhdimit të projektit të Rilindjes Urbane, tashmë ne do të kalojmë përtej qyteteve, në rajone dhe në fshatra. Jemi duke negociuar dy projekte shumë të rëndësishme për rrugë rurale, rrugë rajonale të cilat do të lidhin qytetet me pjesën tjetër të qarkut, do të lidhin turizmin me qytetet dhe me akset kryesore, do të lidhin bujqësinë, agroindustrinë me qendrat e turizmit dhe me tregjet.

Besoj që kombinimi i të dy projekteve do të jetë rreth 200 milionë euro dhe dua ta nënvizoj që janë 750 milionë euro brenda buxhetit afatmesëm, pra në dy-tre vitet e ardhshme, që do të investohen në akset kryesore dhe 200 milionë euro që do të investohen në rrugët rajonale dhe rurale”

Deputeti i zonës Taulant Balla tha se, falë bashkëpunimit me Qeverinë Italiane, tashmë do të rikonstruktohet edhe Qendra kulturore e Përrenjasit që për herë të parë do të ketë një bibliotekë.

Kryetarja e Bashkisë Prrenjas Miranda Rira, falenderoi qeverinë dhe Ministrin Ahmetaj për kujdesin e treguar ndaj Bashkisë së Prrenjasit dhe po ashtu shprehu bindjen se të tilla investime të rëndësishme Prrenjasit do t’i përfitojë edhe gjatë vitit 2018.