Postuar më: 30 Nëntor 2016

Reforma në Administratën Publike 2017. Rritja e pagave, shpërblim për përgjegjësitë e reja në rrugën e integrimit europian

Përshëndetje,

Administrata publike në finale ka vetëm një detyrë, t’i shërbejë qytetarëve. Dhe dua t’ju sjell dy shprehje të një personaliteti të njohur në mendjen dhe veshët tanë, është ish- presidenti amerikan Uillson, i cili për të gjithë ju që ndoshta nuk e dini, ka shkruar esenë e parë për administratën publike dhe ka thënë midis të tjerash dy gjëra të çmuara, që besoj se secili nga ne, secili nga ju, nuk do të duhet ta harrojë asnjë ditë të punës së vet si administrator publik.

“Ideja e shtetit lind në ndërgjegjen e administratës” dhe “Administrata publike është aplikimi i detajuar dhe sistematik i ligjeve”, pra administrata është një qënie që kalon në venat proceduriale te të gjithë ligjeve të shtetit dhe aty realizohet çfarë të doni ju: reformat, suksesi apo dhe politikëbërja që rrjedh, që ideohet, nga grupimet apo përfaqësimet politike.

Unë vetë kam qenë dikur punonjës i administratës dhe dua të ndaj me ju që është një eksperiencë e pashlyeshme për atë që e merr seriozisht punën në administratë. Me stafin tim, me modesti, në ditë të mira apo të vështira të punës, I them sa herë mundem, “Mos harroni se përtej këtyre mureve ka njerëz që kanë nevojë për ju dhe ka një popull të tërë, qytetarë shiqptarë, tatimpaguesë që paguajnë pagat tuaja dhe pagat tona, që kanë nevojë për shërbime çdo ditë e më të përmirësuara për ta, duke filluar që nga Tatimet, Doganat, ADISA, shërbimet mjekësore, shërbimet utilitare apo dhe qoftë një shkresë, një letër. Mos harroni se ditën që ja vononi një ditë atë shkresë mbrapsht, i keni vonuar suksesin një muaj biznesit ose i keni lodhur jetën një muaj apo më shumë qytetarit”. Prandaj të jesh punonjës i administratës së shtetit nuk është një punë e zakonshme, dhe nuk është një sukses në vetvete thjesht mënyra se si futesh në punë. Mënyra se si futesh në punë është një instrument për një qëllim më të madh, që administrata të reflektojë suksesin që do të duhet të bëjë në emër të qytetarëve.

Dhe dua të dini gjithashtu që ka qenë një debat jo i vogël brenda nesh, por në fund ka qenë këmbëngulja dhe vendimmarrja e Kryeministrit për të rritur pagat e administratës publike. Pse e them këtë? Mos harroni që shumë vende të tjera në rajon, dhe përtej nëse doni, që jo vetëm nuk i ngriti pagat e administratës, por dikur- diku dhe i kanëulur dhe të gjitha këto shkojnë bashkë më atë sakroficë që bëjnë vendet apo shtetet për të lënë mbrapa krizën ekonomike.

Ne e lamë mbrapa krizën ekonomike. Mos harroni që ditën që ne erdhëm në pushtet, Partia Socialite dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, Aleanca jonë, atë ditë  rritja ekonomike ishte më pak se 1% statistikisht, sot është 3.5% dhe vitin tjetër ne i kemi të gjitha mundësitë të jemi vendi i dytë, jo pas Gjermanisë se nuk dua që me gjërat e shtrenjta të bëj shaka apo për t’u bërë shaka, por do të jemi besoj, vendi I dytë ndër vendet ish-komuniste pas Rumanisë me rritjen ekonomike më të lartë dhe besoj se në vitin 2017 do të jemi ekonomia me rritjen më të lartë në Rajon. 

Dua t’ju kujtoj të gjithëve dhe vetëm për një sekond po e konsideroj veten time si punonjës të administratës publike, se kjo është hera e dytë brenda mandatit tonë të pare, që ju rriten pagat, dhe hera e parë ka të bëjë me taksën progresive. Çdokush nga ju ka bërë llogaritë në tryezë dhe në shtëpi, dikur me taksën 10% të sheshtë, juve ju mungonin në shtëpi gati 40 mln USD në vit, vetëm administratës publike.

Me këtë lëvizje, me këtë politikë, në xhepat tuaja, në shtëpitë tuaja, në llogaritë tuaja, në shpenzimet tuaja të përditshme, janë 40 mln USD më shumë në vit dhe kjo është hera e dytë brenda mandatit tonë të pare, që administrata publike do të kalojë një eksperiencë të rritjes së pagave për shkak të suksesit të reformave. Dhe këtë dua ta theksoj, për shkak të suksesit të reformave. Sakrifikuam së bashku, ia dolëm, dhe raporti i sakrificës me suksesin, në finale, është shpërblimi i të gjithë administratës publike, ashtu siç janë shpërblyer edhe vazhdojnë të shpërblehen dita-ditës qytetarët shqiptarë me rritjen ekonomike.

Dua të bëheni misionarë të kësaj, të përditshëm, e mos ta merrni si një gjë të zakonshme, se nuk është një gjë e zakonshme, ndodh realisht për herë të parë në Shqipëri, rriten pagat, duke ulur borxhin. Po të merrnim historinë e rritjes së pagave në 25 vite, sa herë që janë rritur pagat, janë rritur me borxh të ri plus, me borxh të rritur. Për herë të parë, mos harroni, borxhi në vitin 2017 do të ulet nën 70%, pra shkon në 69.1% dhe ju jeni misionarët e së vërtetës dhe duhet ta merrni këtë të vërtetë ta shpërndani, sepse sakrificat siç kanë nevojë për shpërblim, kanë nevojë për dritë ndaj të vërtetës dhe mos harroni se 69.1%, është hera e parë që nga 2010 që nis trajektorja ulëse e borxhit deri kur një ditë, ju ta keni çuar në 45% të PBB.

Më tej dua të theksojë se shpejt do të hapen negociatat. Negociatat do t’i bëni ju dhe mos harroni kurrë që rritja e pagës nuk është një qëllim në vetvete, është një kënaqësi patjetër për ju dhe familjet tuaja, është rritje mirëqënieje, por në finale, është dhe një motivim për atë betejë të vështirë të domosdoshme drejt BE-së dhe atë e realizon vetëm administrata. Vullneti politik më shumë se kurrë është aty për të bërë atë që të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë kërkuar për më shumë se 25 vite. Mos harroni që çdo ditë që shkoni në punë të motivuar, e afroni një ditë më afër ditën kur të gjithë shqiptarët të jenë legjitimisht, ashtu siç e kanë dashur me vite, qytetarë të BE-së.

Pagat do të rriten mesatarisht 7% dhe me këmbënguljen e ministres Harito do të ketë një piramidë rritje me nivelin e lartë dhe me nivelin e ulët të administratës.

Fondi që vendoset për rritjen e pagës shkon 7.2 mld lekë në nivel 12- mujor. Ka dhe një fond tjetër, që shkon gjithashtu për të gjithë funksionet e transferuar nga administrata publike në atë lokale dhe më besoni, është hera e parë që ka një shumë kaq të konsiderueshme në dispocizion të administratës publike, në dispozicion të funksioneve të administratës publike duke filluar nga mjekët, duke vazhduar me mësuesit, policët, duke vazhduar me ju, me ushtrinë dhe sigurisht që unë nuk do ta them, sepse në finale është një vendimmarrje e drejtpërdrejtë e Kryeministrit, por kjo paketë ka edhe një fytyrë shumë interesante sociale, për sa i përket pagave të ulta.

Pra ka disa komponentë për ta mbyllur.

Së pari ka suksesin e reformave.

Së dyti është e bazuar në shëndetshmërinë e rritjes ekonomike, rritje pa borxh.

Së treti ka vlerësim për ju, për atë që do të bëni, jo atë që keni bërë për vendin;

Së katërti ka patjetër dimensionin social dhe vlerësimin që ka qeveria për administratën publike.

Faleminderit!