Postuar më: 06 Dhjetor 2016

Projektligji për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, fond garancie me kontributin e bankave, larg kostos së tatimpaguesve

Fjala e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj gjatë prezantimit të projektligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka” në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Unë do të bëj një prezantim të shkurtër të logjikës, arsyes, pse është avancuar ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka” dhe për konseguencë edhe prekja e dy ligjeve të tjera “Për sigurimin e depozitave” dhe “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”. Të dy ligjet e fundit që unë përmenda, janë ligje që ndryshojnë për shkak të konseguencës së krijuar nga projekt-ligji që kemi përpara ““Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.

Një retrospektivë do doja t’ju bëja. Në vitin 2012 Banka e Shqipërisë dhe Qeveria bënë një ndryshim të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” për të garantuar të themi, ndërhyrjet, instrumentat e duhur dhe autoritetet ndërhyrëse nëse do të kishte një krizë bankare dhe besoj të gjithë e mbajnë mend që ishte pjesë e reformës në sistemin bankar e reflektuar edhe për shkak të krizës financiare të atëhershme, dhe që në kohë, ka reflektuar dhe Direktiva e BE-së dhe është menduar që të ketë një ligj të integruar “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”, ku detajohen instrumentat, autoritetet dhe procedurat.

Pra projekt-ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka” ka si qëllim krijimin e një baze të qartë ligjore, përcaktimin e kritereve, procedurave, indikatorëve dhe natyrisht rolin e institucioneve të përfshira në rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në rastet kur këto të fundit përballen me kriza serioze financiare. Ai synon të përafrojë pjesërisht legjislacionin shqiptar me Direktivën 2014/59/BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 15 maj 2014 (Banking Recovery and Resolution Directive-BRRD). 

Kriza financiare e shfaqur qartësisht pas vitit 2008, tregoi se kishte një mungesë të konsiderueshëm të instrumenteve të mjaftueshëm për të trajtuar në mënyrë të efektshme bankat, të cilat nuk janë në pozita të shëndosha financiare ose që janë drejt një kolapsi të pritshëm. Gjatë krizës, shumë vende për t’i shpëtuar bankat nga falimentimi përdorën paratë e tatimpaguesve, nëpërmjet mbështetjes me likuiditet të tyre, nga bankat qendrore ose me dorëzani nga shteti. Ky proces paraqet një ngarkesë të madhe monetare për buxhetet e shteteve dhe krijon një barrë jo të vogël financiare për tatimpaguesit. Një nga qëllimet e këtij projekt-ligji është shmangia sa më shumë e nevojës për një veprim të tillë nga shtetet.

Si pjesë e programit të bashkëpunimit me Bankën Botërore “Modernizimi i Sektorit Financiar” DPL II, duke filluar nga qershori 2015, filluan diskutimet midis BSH dhe Bankës Botërore. Me asistencen e FINSaC, financuar nga BB me qendër në Vjenë, u krye nje analizë e thellë e nevojave për nje shtrat të qartë normativ në Shqipëri, duke vlerësuar se në Shqipëri nuk ishte asnjë instrument tjetër përveç ndërhyrjes së menjëhershme të shtetit në situata të krizës financiare të sektorit, ai instrument i cili u formatizua në ndryshimet e vitit 2012 me të drejtë kështu.

Projektligji i propozuar, i jep Bankës së Shqipërisë (Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore, në dispozicion për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek sistemi financiar, tek kreditorët dhe tek ekonomia e vendit në tërësi.

Si parim, është normale që një bankë e falimentuar të likuidohet në bazë të procedurës normale të likuidimit, mirëpo, likuidimi mund të vendosë në rrezik sic e thamë më sipër, stabilitetin financiar, të ndërpresë sigurimin e funksioneve me rëndësi kritike dhe të cënojë mbrojtjen e depozituesve. Në një rast të tillë, ka interes publik për vënien e bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe zbatimin e instrumenteve përkatëse sipas parashikimeve në projekt-ligj dhe jo për përdorimin e procedurës normale të likuidimit. Natyrisht që pas analizave të qarta, pasi është tentuar që një bankë që për nga pesha përbën rrezik për cenimin e stabilitetit financiar, të rimëkëmbet dhe pasi është vlerësuar se një bankë e tillë nuk mund të marrë veten, edhe pse janë vënë në shfrytëzim instrumentet e parashikuar nga projekt-ligji, pasi është minimizuar rreziku i ndonjë luhatje serioze të stabilitetit financiar, një bankë e tillë mund t’i nënshtrohet likuidimit.

Instrumentet e parashikuara në projekt-ligj sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të bankës të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët. Për këtë projekt-ligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuar në projekt-ligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka.

Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, kjo është dhe arsyeja pse preket ligji “Për sigurimin e depozitave”. Termi i përdorur në ndërhyrjen e jashtëzakonshme është “bail-in” në krahasim vetëm me ndërhyrjen shtetërore, siç ka qenë e parashikuar në ndryshimin e bërë në vitin 2012, duke përdorur para publike dhe ngarkuar tatimpaguesit me barrën e “shpëtimit” të bankave, të ashtuquajturën “bailout”. Pra ka një ndryshim të instrumentit, shumë cilësor, por edhe sigurisht më larg kostos së tatimpaguesve. Pra, nëqoftëse buxheti do të ishte mundësia e fundit dhe gjithsesi, buxheti është në cdo rast mundësia e fundit, në rastin konkret ofrohet një instrument pengimi me kontribut të bankave, me një fond të krijuar me kontributin e bankave ndër vite, i cili përdoret nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bazë të procedurave të detajuara në këtë projekt-ligj.

Instrumente të tillë i japin mundësi Autoritetit të Ndërhyrjes, në rastin konkret Bankës së Shqipërisë, për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për grumbullimin e depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës kur është e nevojshme dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove për tatimpaguesit.

Nëse e mbani mend në ligjin “Për bankat në RSH” ishte autorizuar ngritja e asaj që quhen bankat urë, “bridge bank” e cila kalonte në një proces të detajuar deri në ndarjen e aseteve të mira dhe jo të mira dhe ndoshta në një proces rimëkëmbjeje, tani procesi është shumë më i detajuar, është në një korsi tjetër dhe një hap më larg tatimpaguesit.

Nga ana tjetër ndërhyrja në një bankë, duke ruajtur vijimësinë e veprimtarisë, mundet që, si masë të fundit, pasi të jenë ezauruar instrumentet e tjerë të parashikuar në ligj, do të kërkojë përdorimin e instrumenteve shtetërore të stabilizimit financiar, përfshirë edhe pronësinë shtetërore të përkohshme. Prandaj edhe është me rëndësi të hartohen kompetencat për ndërhyrje dhe skema të tilla financimi që të realizohet ristrukturimi i një banke.

Projekt-ligji është draftuar me asistencë të specializuar nga ekspertë të angazhuar nga Banka Botërore, ka vlerësimin pozitiv të departamentit ligjor të FMN-së dhe është diskutuar gjerësisht dhe me sektorin bankar.

Në përfundim dua të ndaj me ju që vërtetë është diskutuar në detaje, në mënyrë që draft-ligji të jetë sa më i qartë. Sigurisht që situata të tilla mund të mos ndodhin kurrë, por potencialisht mund të ndodhin një ditë, por nëse do të ndodhin, atë ditë, procedurat, instrumentat, autoritetet të jenë jashtëzakonisht shumë të qartë, të shpejtë dhe të padiskutueshëm.

Faleminderit!