Postuar më: 20 Prill 2018

Progres Raporti i BE vlerëson disiplinën fiskale në Shqipëri. Rritja ekonomike krijoi punësim. Papunësia në nivelin më të ulët hstorik. Politikat fiskale reduktuan pabarazinë.

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Faleminderit për prezencën.

Unë sot ju ftova për të ndarë disa informacione që kanë lidhje me dy raportet kryesore të fundit, me Raportin e Progresit të Komisionit Europian dhe me raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore. Sigurisht që përsa na përket ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë, theksi do të jetë te pjesa ekonomike.

Raport i Progresit të Komisionit Europian i bën jehonë zhvillimeve pozitive ekonomike të vendit dhe sigurisht që, ashtu siç lë detyra, thekson dhe rrugën e gjatë e të vështirë që kemi përshkruar, që nga mundësia e skenarit grek në vitin 2013, edhe sot që jemi vendi me rritjen më të lartë në rajon.

Po ju sjell një pjesë nga raporti, ku flet për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen ekonomike. Janë të gjitha materiale të marra nga raporti, nuk janë të thëna nga Kryeministri Rama, nuk janë të thëna nga kabineti Rama, nuk janë të thëna nga unë si Ministër i Finacave dhe Ekonomisë, por janë të thëna nga Komisioni Europian që na monitoron, si dhe nga Banka Botërore që na monitoron së bashku me institucionet e tjera. Pra përtej debatit politik, emocionit politik, dijes dhe padijes, qëllimit dhe mungesës së qëllimit, këto janë shifra dhe fakte të konfirmuara e të skanuara nga Komisioni Euriopian dhe nga Banka Botërore. Ky është dhe qëllimi i takimit të sotëm.

Stabiliteti makroekonomik dhe rritja ekonomike; Siç e shikoni dhe në grafik, duket përshpejtimi i rritjes dhe konsolidimi. Raport Progresi thotë: “Kombinim i duhur i politikave makroekonomike”. Në themel të politikave makroenomike ka qëndruar modeli i ri ekonomik dhe ja ku na e konfirmon Raport Progresi.

Rekomandohet vazhdimi i konsolidimit fiskal; Reduktimi i mëtejshëm i kredive me probleme; Formalizimi i mëtejshëm i ekonomisë.

Specifikisht thuhet: “Ekonomia shqiptare ka vazhduar rritjen falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme”.

Në grafikun e dytë kemi konsumin dhe unë do t’i referohem me besnikëri Progres Raportit të Bashkimit Europian që thotë:

         Të gjithë komponentët e kërkesës së brendshme kontribuan pozitivisht në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

         Ekonomia u rrit falë kërkesës së brendshme dhe tregtisë së jashtme.

         Konsumi privat rikuperoi në dy vitet e fundit; shikoni dy vitet e fundit, konsumi është më i larti në shtatë vitet e fundit. Jo pa qëllim e ka sjellë që nga viti 2010, për të krahasuar çfarë ka ndodhur dhe çfarë është duke ndodhur me konsumin. Kur dëgjoni bolorinë politike që thonë u varfëruan shqiptarët, sigurisht që shqiptarët janë larg asaj që meritojnë që jenë, por janë larg skenarit grek të 2013-ës;

         Eksportet neto ndihmuan në rritjen, veçanërisht eksporti i shërbimeve, përfshirë turizmin, dhe eksporti i mallrave.

Këto i thotë Progres Raporti i Bashkimit Europian, as fjalim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, as fjalim i anëtarëve të Kabinetit, as qëndrim i Kryeministrit të Shqipërisë, por qëndrim i Komisionit Europian.

Po prapë Progres Raporti i Komisionit Europian për investimet e huaja:

Investimet e huaja direkte janë më të mëdha se deficiti i llogarisë korrente.

Pra kanë kontribuar për zvogëlimin e deficitit. Patjetër që këtu e dimë shumë mirë sfidën që kemi për të vazhduar trendin rritës dhe risqet që ka tërheqja e investimeve të huaja.

Raport Progresi thotë për sektorin financiar:

Stabiliteti i sektorit financiar u përmirësua, ndërsa niveli i kredive me probleme u reduktua në 13.2 % në fund të vitit 2017;

Ka hapësirë për bankat që të zgjerojnë kreditimin dhe të mbështesin më mirë rritjen ekonomike, atë që së bashku e kemi vënë re nga muaji në muaj, kur takohemi sipas traditës.

A mund t’iu kujtoj nga Parlamenti dje, ku z. Basha iu referua marrëdhënieve ekonomike të Shqipërisë, të zvogëluara me Perëndimin dhe të fokusuara nga Lindja. Shifra në slide-n që shikoni tregon se volumi i tregtisë është rritur.

Progres Raporti i Komisionit Europian thotë:

Bashkimi Europian-Partneri tregtar më i madh i Shqipërisë dhe rritja e volumit të tregtisë nga 72.1 % në 2015, në 74.8 % në 2016, të vërteta të Progres Raportit që rrëzojnë çdo lloj bolorie politike për të baltosur vendin.

Kalojmë tek deficiti; Deficiti u përgjysma në raport me vitin 2015. Deficiti në vitin 2016 ra në 1.8 % e në vitin 2017 mbeti në 2 %, nga 4.1 % në 2015-ën.

Deficiti i lartë në 2015-ën për shkak të pagesave të detyrimeve të prapambetura, - thotë Progres Raporti, e mbani mend 726 milionë dollarëshin.

Të ardhurat fiskale ndikuan ndjeshëm në reduktimin e deficitit.

Dhe e fundit, që është shumë interesante: U zbatua rregulli fiskal i vendosur në ligjin organik të buxhetit gjatë vitit elektoral.

E mbani mend çfarë premtuam në janar të vitit të kaluar, kemi qenë bashkë këtu, premtuam që kjo qeveri nuk do të të abuzojë asnjëherë me financat publike. Kjo qeveri nuk do të abuzojë në vit elektoral, ashtu siç ka ndodhur rëndom me qeveritë e tjera. Rezultatin e keni të shkruar shumë qartë në Progres Raport.

Borxhi publik në rënie;

Kur dëgjoni boloritë e Parlamentit, borxhi u rrit, borxhi u rrit, nuk e di për çfarë e kanë fjalën, por Progres Raporti konstaton:

Borxhi në trajektore rënëse.

Politika fiskale e kujdesshme dhe pse një vit elektoral, reduktoi deficitin buxhetor dhe bëri borxhin publik më të qëndrueshëm, -thotë progres raporti i Bashkimit Europian.

Maturiteti i borxhit është zgjatur dhe stoku është orientuar drejt tregut të jashtëm.

Banka Botërore, me një raport shumë prestigjoz të vetin, Shqipëria i vetmi vend në rajon ku punësimi u rrit në mbi 50 %, në raport me pjesëmarrjen në forcat e punës.

Raporti thotë: Papunësia e të rinjve në Shqipëri, më e ulëta në rajon, në nivelin 26 %, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Serbia me 30 %. Këtë e thotë Banka Botërore, jo kryeministri Rama, jo anëtarët e Kabinetit, asnjëri nga ne, kushdo qoftë, ministri i Financave dhe Ekonomisë apo ministrat e tjerë, por Banka Botërore.

Shtator 2017, tre vende arritën normat e tyre të papunësisë historike të ulëta, në 13.6 % Shqipëria, 14.8 % Mali i Zi dhe 22.1 % Maqedonia.

Po Progres Raporti i Komisionit Europian thotë të njëjtën gjë, për herë të parë punësimi në sektorin jo bujqësor kaloi atë bujqësor dhe thotë: Rritja ekonomike ka krijuar vende pune, rritja ekonomike ka krijuar punësim.

Banka Botërore thotë në raportin e vet, që i keni të referuara me faqe dhe paragrafe: Shqipëria me rritjen më të madhe të pagave që prej 2010-ës. Baza ka qenë e ulët, do të duhet të kemi një ritëm më të shpejtë për të konverguar më shpejt. Këtu është sfida, por Shqipëria me rritjen më të madhe të pagave që prej 2010-ës, në raport me vetveten sigurisht. Ka shumë për të bërë në krahasim me rajonin.

Kam sjellë një slide shumë interesant, debati për varfërinë. Debati për varfërinë është debat që duhet bërë çdo ditë, në Parlament apo në çdo mundësi ku mendjet e përgjegjshme, të ditura, të azhornuara me informacionin apo me problemet e njerëzve do të duhet të debatojnë. Shqipëria është larg asaj që duhet të jetë, larg pritshmërisë që kanë qytetarët, por ka lënë mbrapa kulmin e varfërisë që ka qenë viti 2012, e ka lënë mbrapa skenarin grek. Sfida është e madhe, përpjekja është e madhe.

Shikoni elementët e tabelës, ku varfëria me referencë 5 dollarë në ditë, si ka rënë nga viti 2014, nuk kaluam te 2012 që është ditë e zezë, por e nisëm nga 2014-ta krahasimin. Shikoni rënien, nga 36 % do të shkojë në 2019-ën nën 30 % dhe në 2018-ën në 31 %. Pra, janë statistika që kanë parasysh aty jetë njerëzish që në sakrificë, në punë e mundim janë më pak të varfër se sa kanë qenë në kulmin e tyre në 2012-ën.  Banka Botërore thotë: Varfëria ka rënë dhe vazhdon projeksioni rënës. Boloria politike vazhdon hedh baltë.

Për ju që jeni gazetarë ekonomie dhe keni mundësi ta elaboroni dhe në mënyrë më të thjeshtë, e unë po mundohem ta ndaj me qytetarët në mënyrë më pak të thjeshtë, kam sjellë koeficentin GINI. Për ata që nuk e dini, koeficenti GINI është një koeficent që i referohet pabarazisë dhe shikoni se çfarë thotë Banka Botërore: Sistemi fiskal në Shqipëri po redukton pabarëzinë.

E mbani mend Kryeministrin ditën e parë të punës si Kryeministër? Taksa e sheshtë rrit varfërinë, tatimi progresiv do të ndihmojë shtresat më në nevojë. E vërteta ja ku është. E vërteta pas katër vitesh, e vërtetuar në shifra, që tatimi progresiv është në favor të shtresave më në nevojë, të qytetarëve të zakonshëm që shkojnë në punë në mëngjes e kthehen në mbrëmje dhe, siç e kemi theksuar, janë mbi 540 milionë dollarë që nëpërmjet kësaj politike fiskale kaluan nga buxheti në xhepat e qytetarëve. Këtu flet Banka Botërore, nuk flasim ne, meqë rëndom ne i referohemi Bankës Botërore.

Kemi sërish një qëndrim të Bankës Botërore përsa i përket buxhetit dhe buxhetimit në Shqipëri: Buxhetimi në Shqipëri, më i besueshmi në rajon.

Shqipëria ka bërë progres domethënës në disiplinën fiskale, ­- thotë Banka Botërore. Ajo boloria politike ku flitet për medemek një taksë të re të biznesit të vogël, medemek një koncesion të ri për TVSH-në…Ju kam thënë, ju them, do ta përsëris, nuk ka pasur, nuk ka, nuk do të ketë koncesion për TVSH-në. Përkundrazi, procedura që ne po bëjmë me biznesin e vogël është në favor të formalizimit dhe në favor të biznesit të vogël; politikat nxitëse dhe lehtësuese, në iniciativë të Kryeministrit, do të vazhdojnë dhe në muajt që vijnë do të ftoheni t’i dëgjoni.

Të ardhurat janë të qëndrueshme në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Rritja e të ardhurave në Shqipëri u përdor për infrastrukturë publike dhe mbështetje të sektorit energjetik.

Kjo është Banka Botërore dhe e gjithë ajo boloria politike se ku u përdorën paratë e shqiptarëve…Paratë e shqiptarëve janë përdorur për projekte sociale, për rritje pagash, për rritje pensionesh, për mbështetje të shtresave në nevojë, për mbështetje të nxënësve, nga klasa e I-rë deri në klasën e 5-të me libra falas, dhe për infrastrukturë publike dhe mbështetje për sektorin energjetik.

Këto ishin ato që unë desha të ndaja me ju, në jehonë të të dy raporteve, sidomos të Progres Raportit të Komisionit Europian dhe në referencë të raportit të Bankës Botërore, të para tre javëve.

Faleminderit dhe shpresoj që, në favor të perceptimit pozitiv të ekonomisë dhe nxitjes dhe nëpërmjet perceptimit, të nxirrni faktet dhe shifrat reale të zhvillimeve ekonomike dhe patjetër edhe risqet që, siç e keni zakon, e filloni me risqet e pastaj e vazhdoni me rezultatet, e kështu duhet të jetë.

Faleminderit.