Postuar më: 04 Nëntor 2016

Prezantimi i Buxhetit 2017, Ministri Ahmetaj, “100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Ulim ndjeshëm borxhin”

Përshëndetje

Ky takim sot është në vazhdën e traditës për të ndarë sëbashku zhvillimet e fundit ekonomike dhe zhvillimet e fundit në kuadrin e negociatave me FMN të Buxhetit 2017 dhe sigurisht, të reformave që kemi arritur të financojmë brenda Buxhetit 2017.

Siç jeni në dijeni, ne kemi pasur një negociatë të gjatë dhe të vështirë, megjithatë shumë konstruktive me FMN, për të dakordësuar Buxhetin e vitit 2017.

Me kënaqësi ndaj me ju që jemi në dakordësi të plotë me FMN për të gjithë kuadrin buxhetor të vitit 2017. Brenda buxheti të vititi 2017, financojmë një sërë reformash dhe sot, në një Mbledhje të dedikuar të Këshillit të Ministrave, Qeveria kaloi draft-ligjin për Buxhetin e vitit 2017 dhe në bazë të procedurës, ditën e hënë, Buxheti i kalon Parlamentit për diskutim, debat dhe aprovim.

Çfarë bën buxheti i vitit 2017?

Buxheti i vitit 2017 në këndvështrimin tim , është buxheti i financimit të reformave dhe  i rritjes së pagave e pensioneve, e përtej kësaj buxheti i vitit 2017, është buxheti i uljes së borxhit publik.

U arrit të garantohet një rritje mesatare pagash për administratën publike  prej 10% dhe u arrit një  rritje, indeksim, pensionesh prej 3% dhe këto efekte fillojnë nga data 1 mars 2017 për pensionet dhe për pagat, efektet bëhen të prekshme në fillimin e muajit prill.

Në terma vjetore, pra për 12-mujorin, efekti i rritjes së pagave dhe pensioneve shkon pak më shumë se 100 mln USD, që është rritja më e madhe nominale e pagave dhe pensioneve si fond brenda buxhetit.

Në të njëjtën kohë, është arritur brenda buxhetit të vitit 2017, që të konsolidohet trajektorja ulëse e borxhit publik nga 71.8% që është dakordësuar me Aktin Normativ për 2016, në 69.1%. Mos harroni që në vitin 2013, duke futur edhe detyrimet e prapambetura prej 5.2% të PBB, borxhi publik ishte mbi 69% dhe duke përllogaritur risqet e trashëguara dhe eminente në tryezën e Qeverisë dhe në fabrikën e ekonomisë shqiptare, borxhi publik së bashku me risqet, e konfirmuar nga FMN, shkonte në 83% të PBB. Sot risqet janë të ulura për shkak të reformave dhe trajektorja ulëse e borxhit publik ka filluar që në vitin 2016 dhe vazhdon dhe në 2017.

Mos harromni që këto që po ndodhin, konsolidimi i mëtjeshëm fiskal, ulja e borxhit, po ndodhin në një vit zgjedhjesh paralamentare. Nuk ka ndodhur në historinë e financave publike të 20 viteve të fundit, që një Qeveri të ketë përgjegjshmërinë maksimale për të vazhduar konsolidimin fiskal  në një vit elektoral, të ulë borxhin publik me gati 3% nga viti në vit, edhe në një vit elektoral, dhe të ketë një balancë primare pozitive 0.7%.

Balanca primare është një indikator i efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së Qeverisë, që do të thotë se Qeveria me operacionet e veta nuk prodhon borxh të ri, përkundrazi, prodhon një suficit i cili vihet në shërbim të reduktimit të borxhit. Pra është një përgjegjshmëri e drejtpërdrejtë e një qeverie. Në të njëjtën kohë, ka një balancë korrente prej rreth 2.9% të PBB, është ai raporti midis huamarrjes dhe  investimeve publike dhe ju ftoj që ta krahasoni këtë shifër ndër vite dhe do të shihni se është më e mira në historikun e financave publike të këtyre 20 viteve.

Çfarë financojmë me buxhetin e 2017?

Buxheti i vitit 2017 mbështet rritjen ekonomike. Rritja ekonomike e këtij viti do të jetë rreth 3.4%. BERZH dje ka konfirmuar pritshmërinë për ekonominë shqiptare në 3.3% (ka një diferencë prej 1% apo 2% në traditën e shifrave mes FMN, BB dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim), pra jemi në një trajektore rritëse të ekonomisë.

Buxheti i vitit 2017, nëpërmjet instrumenteve të veta, mbështet një përshpejtim të rritjes ekonomike në 3.8% në 2017 dhe në kuadrin e dy viteve, ne kalojmë ndër dy vendet me rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe vendi, ndoshta i vetmi, që do të ketë një trajektore rritëse të ritmeve të rritjes ekonomike. Kjo është shumë e rëndësishme. Nëse shikoni vendet e Rajonit, ka luhatje në ritmet e rritjes, ndërsa ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare, janë të konsoliduara vetëm në rritje, si edhe reformat që kemi financuar në vitin 2016.

  • Reforma e Drejtësisë, e cila do të ketë një trajektore financimi në disa vite, fillon në vitin 2017.
  • Reforma administrativo-territoriale.  Ka një shtim të konsiderueshëm të grantit, përtej asaj të pritshmes me 2 mld, e cila shkon në financim të funksioneve të reja që pushteti vendor ka marrë në kuadrin e decentralizimit. Në të njëjtën kohë, granti do të kushtëzohet edhe me pagesat e detyrimeve të prapambetura që njësitë e reja vendore kanë trashëguar apo krijuar.  Në aspektin e financave publike, jemi në një fazë të re të disiplinimit të financave publike jo vetëm në nivel qendror, po domosdoshmërisht, edhe në nivel vendor/ lokal.
  • Reforma tjetër është reforma e sektorit të ujit, e cila ka një trajektore kohore më shumë se një vit dhe ka të bëjë me administrimin e ndërmarrjeve të ujësjellësave në territor. Besoj se në muajt në vijim, vetë Kryeministri, do të ketë më shumë detaje për këtë reformë.
  • Reforma e administratës publikë që përfshin rritjen e konsiderueshme të pagave me një mesatare 10%, duke u fokusuar tek arsimi, tek shëndetësia, duke vazhduar me Policinë e Shtetit dhe administratën publike dhe sigurisht, edhe me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.
  • Do të vazhdojë reforma për kompensimin e pronës, reformë tejet e rëndësishme për ta mbyllur njëherë e mirë atë plagë dhe  për të kompensuar pronarët në bazë të ligjit të ri që ka kaluar Parlamenti.
  • Reforma në shëndetësi. Do të zgjerohet lista e rimbursimit tek të gjithë shqiptarët. Pra dua të ndaj me qytetarët se Buxheti 2017, merr përsipër të rimbursojë listën e aprovuar të ilaçeve të rimbursueshme për të gjithë shqiptarët. Shtohet numri i personave që mund të përfitojnë rimbursim me rreth 600 mijë. Sigurisht që ministri i Shëndetësisë do të ketë detaje për këtë reformë, është një premtim i mbajtur drejt shëndetësisë falas që nuk mbyllet as me një ditë, as një vit dhe sigurisht që nuk mbyllet as edhe me një mandat. Por nëse i kthehemi mbrapa ditës së parë të këtij mandati, dhe t’i referohemi këtij lajmi që unë ndaj me ju me kënaqësi, mund të shohim, skanojmë, verifikojmë, dëshmojnë rrugën e gjatë për të ardhur deri këtu.

Sigurisht brenda këtij buxheti kemi konsolidim fiskal. Gjej rastin që të jap një përgjigje për të gjithë atë dyshim se rritja e pagave do të bëhej duke rritur borxhin.

Rritja e pagave u bë pa rritur borxhin! Rritja e pagave, financimi i të gjithë reformave, po bëhet një kuadër konsolidimi shembull që nuk e kanë përdorur më parë dhe ndodh në një vit elektoral, pra në një vit elektoral qeveria financon reformat, bën konsolidim fiskal, rrit pagat dhe ul borxhin në mënyrë të ndjeshme.

Në 2017 borxhi publik do të jetë 69.1% duke vijuar traketoren rënëse. I pritshmi i këtij viti do të jetë më i ulët se 71.8% dhe rezultantja, të jeni të bindur, do të jetë 71.3%, pra do të ketë një konsolidim akoma më të madh se ky që shikoni këtu.

Investimet publike për vitin tjetër papërfshirë mbështetjen për sektorin energjetik, pra llogaria kapitale plus Fondin e Zhvillimit të Rajoneve është  tek 74.4 miliardë, pra edhe dilema se po uleshin investimet publike besoj se nuk ekziston më.

Lidhur me disa nga zhvillimet e fundit ekonomike, tremujroi i dytë i 2016 ka një rritje prej 3.21% që është një rritje e konsiderueshme dhe na çon drejt garantimit të rritjes vjetore prej 3.4% në 2016. terma. Banka e Shqipërisë në raportin e sa të fundit në muajin Gusht theksonte: “Aktiviteti ekonomik pritet të shënojë  përmirësim të vazhduar gjatë viteve 2016-2018. Në afatshkurtër, konsumi dhe investimet private pritet të mbështesin rritjen duke përfituar nga kushtet monetare stimuluese dhe nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomik . Financimi i tyre pritet të gjenerohet nga kursimet e akumuluara nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte dhe nga përmirësimi i tregut të punës”

Rritja ekonomike e pritshme për vitin 2017 është 3.8 %, jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga institucionet ndërkombëtare. Edhe në raport me rajonin, rritja ekonomike në tremujorin e dytë është më mire se mestarja e rajonit sikurse duket në grafik.

Të dhënat operative, e theksoj, janë ende operative pra të pacertifikuara nga Thesari, të të ardhurave të 10-mujorit, tregojnë se vazhdon përmirësimi, ndërkohë ulja e shkallës së papunësisë është një lajm i mirë. Sigurisht që papunësia vazhdon të jetë e lartë në Shqipëri, është më e ulëta në rajon por kjo nuk mjafton dhe besoj që të gjitha politikat që ne kemi ndërmarrë, na çojnë në këtë trajektore ulëse të papunësisë.

Po ndaj me ju me kënaqësi një shifër të re të punëismit në sektorin  jo bujqësor në bazë të borderove të tatimeve, shifra ka shkuar 183 mijë vende të reja pune në sektorin jo bujqësor, 183 mijë vend të reja pune.

Rritja e kredisë ngelet një sfidë e rëndësishme e ekonomisë shqipëtare. Paketa në mbështetje të sektorit financiar, pra ndryshimet në Kodin Civil, apo ndryshimet në Ligjin e Falimentimit, apo ndryshimet në Ligjin e Përmbaruesve Privat të negociuara dhe të draftuara me Bankën Botërore, të mbështetura fuqimisht nga Parlamenti, do bëjnë të mundur një përmirësim rrënjësor në sektorin finaciar duke pasur rezultate pozitive në uljen e kredive me probleme dhe automatikisht, edhe rritjes së kredisë. Megjithatë, rritja e kredisë për individët ka ecur jashtëzakonisht shumë mirë dhe ajo koorporative në bazë të të dhënave operative ka ndryshuar pozitivisht, sigurisht, jemi akoma larg pritshmërisë.

Kam sjellë një slide për depozitat në paranë e gjerë, jo pa qëllim në fakt, sepse prej tyre lexojmë një të dhënë indirekte për të ardhurën e disponueshme që është rritur.

Debatin për inflacionin e mbani mend besoj, deflacioni në fillim të vitit që nuk ishte deflacion, por ishte inflacion i ulët, dhe besoj më mbani mend që ju kam thënë që është një goditje kalimtare në ofertë për shkak të çmimeve të energjisë dhe çmimeve të konsumit në rënie nga Italia apo nga partnerë të tjerë tregtarë.

Siç e shikoni goditja në ofertë ka kaluar, kemi një stabilizim të inflacionit në nivelet mbi 1.5, 1.6 % dhe parashikimet për fundin e vitit do të jenë midis 1.6 1.8%, që gjithsesi është normal për momentin që po kalon ekonomia shqiptare.

Ekonomia shqiptare me të dhënat e sotme e ka lënë mbrapa krizën, e ka lënë mbrapa fantazmën e skenarit grek të shumëpritur nga opozita në fund të 2013-tës. Në paralajmërim kishte edhe emocion, ja ku jemi, shumë larg atij momenti vetëm për një shkak, për shkak të reformave të thella që kemi marrë.

Konsumi final i popullatës, një e dhënë gjithësesi legjitimisht e debatuar edhe midis forcave politike, patjetër është një indikacion i mirë për të korrigjuar veten, apo për të mbështetur atë që po bëjmë dhe në rastin konkret, tre mujori i dytë ka një rritje të qenësishme prej afërsisht 4% të konsumit final të popullatës. Indikacionet janë të njëjta për tre mujorin e tretë të vitit 2016-të.

Eksportet pa mineralet dhe lëndët djegëse, të cilat janë të afektuara nga çmimet në tregjet ndërkombëtare, kanë një rritje të krahasuar me të gjitha vitet më parë. Sigurisht që, në totalin e eksporteve çmimet shumë të ulta të energjisë, të naftës dhe të mineraleve, influencojnë llogarinë totale të eksporteve. Importi ka shenja shumë të rëndësishme influencuar edhe nga importi i makinerive dhe pajisjeve, mund të dalloni ç’farë ka ndodhur që nga viti 2011-të ku shikoni rënie në importin e makinerive dhe pajisjeve dhe në vitin 2014-të ka filluar një trajektore rritëse, e cila ka këtë kulmim në nëntë mujorin e këtij viti.

Patjetër që nuk mund të lë pa përmendur progresin në Doing Business, përmirësimi me 32 vende i ardhur kryesisht për tre indikatorë: lejet e ndërtimit me përmirësim 83 vende, pas kontrollit të territorit që qeveria vendosi të bënte kaloi në fazën e dytë të dhënies së lejeve dhe është reflektuar drejtpërsëdrejti në renditje. E dyta është pagesa e taksave me një përmirësim të ndjeshëm mbi 40 vende, përsa i përket orëve, përsa i përket herëve të pagesës së taksave apo harxhimit të kohës së bizneseve për pagimin e taksave që nga online etj, etj dhe përmirësime të tjera do të kemi edhe për shkak të ligjit të proçedurave tatimore që kaluan në parlament, i cili sjell një thjeshtësim shumë të rëndësishëm në favor të përmirësimit të klimës së biznesit. Ligji është bërë me asistencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është një ligj shumë i rëndësishëm e përmirëson marrëdhënien e administratës më sipërmarrjen, jep lehtësime serioze për sipërmarrjen dhe jam i bindur që do të ketë efekt të drejtpërdrejt në uljen e borxhit të pambledhur dhe në rritjen e të ardhuarve dhe në përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit.

Faleminderit!

 

Pyetje nga gazetarët:

1.Zoti Ministër çfarë do të thotë që ilaçet do të jenë të rimbursueshme për të gjithë qytetarët, mund të na e shpjegoni më në detaje? Pyetja e dytë, ju keni vendosur të rrisni pagat por a mund të ketë rritje në krahun e të ardhurave përmes uljes së taksave, e keni konsideruar këtë si opsion?

Përgjigje.

Ka patur një diskutim të gjerë në Kabinet përsa i përket zgjerimit të numrit të përfituesve tek lista e aprovuar e rimbursimit, e cila ka një kosto të përafruar tek afërsisht 7 milion dollarë dhe është vendosur duke parë dhe hapësirën e krijuar në buxhet që të kalohet në këtë politikë të re për të zgjeruar numrin nga përsonat e deritanishëm të cilët kanë qenë të kategorizuar, pensionistët apo ato shtresa, të cilat janë konsideruar në pamundësi të pagesës së çmimit të plotë të ilaçeve. Jashtë kësaj skeme kanë qenë afërsisht 600.000 shqiptarë dhe me këtë poltikë të re, 600.000 shqiptarë të ngelur jashtë kësaj skeme, futen brenda skemës për të përfituar rimbursimin e ilaçeve brenda listës së aprovuar.

Pyetja juaj e dytë përsa i përket uljes së taksave, është interesante që më në fund ka filluar të duket shumë normale ajo që po bëjmë ne, rritja e pagave, ulja e borxhit dhe nuk keni faj se me atë tmerr që kemi parë në 2012 -2013 sigurisht që askush nuk e mendonte që do vinim këtu. Me paketën e re fiskale ka disa lehtësime dhe ulje modeste të një ngarkese fiskale për fasonët apo për prodhuesit e brendshëm të industrisë, por ne jemi në konsolidim fiskal dhe ne kemi ulur taksat nëpërmjet taksës progresive, në fund të vitit do t’ju bëjmë një ekspoze të çfarë kanë përfituar të punësuarit, jo vetëm të administratës por të gjithë të punësuarit në Republikën e Shqipërisë nga taksa progresive. Po jua them drejtpërsëdrejti, janë 110 milion dollarë të përfituara nga punonjësit e administratës, mbrapsht në xhepat e tyre, në familjet e tyre, vetëm nga taksa progresive. Imagjinojeni qe keto para mungojnë në buxhet, por janë në xhepat e qytetarëve. Imagjinojeni taksën e sheshtë, që këto para jua merrte nga xhepat qyetarëve dhe i kalontenë buxhet dhe megjithatë, vetëm e ka rritur borxhin. A e dini çfarë është të mos paguash fatura, të kesh detyrime të prapambetura 5.2% e PBB ose 726 milion dollarë? Eshtë falimentimi I shtetit, është pamundësi, është paaftësi pagese. Ka qënë një nga shtyllat e programit dhe sot në program, kemi arritur jo vetëm ta vëmë në kontroll por dhe ta minimizojmë, dhe vitin tjetër ta zhdukim si fenomen.

Detyrimet e prapambetura janë shumë modeste dhe fshihen brenda vitit fiskal. Pra , detyrimet e krijuara të prapambetura afërsisht 1.4 miliardë fshihen brenda këtij viti, nuk i bien në kurriz biznesit. Diferencë jashtëzakonisht shumë e madhe dhe ky 1.4 miliardë ose 14 milon dollarë, (krahasoni 726 milion dollarë me 14 milion dollarë) në 1 janar nuk do të ekzistojnë, është aksion prioriatr brenda marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që t’i fshijmë dhe të mos lejojmë më këtë fenomen. Kështu që ne i kemi ulur taksat dhe do të vazhdojmë t’i ulim.

Pyetje:

Z. Minister, dua t’ju pyes për atë çka thatë së fundmi për detyrimet e prapambetura, po vjen fundi mandatit e vijoni të thoni që qeveria e kaluar na ka lënë këto borxhe e do ta keni si refren të përhershëm, ndërkohë që vetëm në katër mujorin e parë të 2016 siç thatë edhe ju, është krijuar një borxh, një detyrim I prapambetur, 1.4 miliardë e bashkuar dhe 2015, shkon tek 2.3 miliardë lekë ndërkohë që dhe FMN ju ka thënë që nuk duhet të krijoni borxhe, detyrime ndaj biznesit. Dhe pyetja e dyte, Qeveria vijon të ketë si prioritet konçesionet e formës së partneritet privat publik duke vijuar të financojë nga buxheti I shtetit dhe vetëm për 2017, keni parashikuar një fond prej 7.3 miliardë lekë për dy konçensine të reja në mjedis dhe në shëndetësi, a është ky efikasitet?

Përgjigje:

Më lejoni modestisht t’ju korrigjoj, detyrimet e prapambetura të 2015 janë fshirë brenda 2015 , të rejat që krijohen brenda këtij viti fshihen po brendakëtij viti, gjatë 2016. Refreni jonë nuk është detyrimet e prapambetura, duhet t’ju korrigjoj, refreni jonë është rritja ekonomike, refreni jonë është rritja e pagave dhe pensionve, refreni jonë është ulja e borxhit. Kështu që nuk e di, por keni ngatërruar refren, është refreni i qeverisë së kaluar ai i borxheve. Sa i takon 1.4 miliardshit, në operacionet normale të transportit për shkak të ecurisë fizike të projekteve më shpejt seç mund të themi që ishte planifikuar, krijohet në terren një lloj diference mes buxhetimit dhe faturimit I cili në fund të vitit nëpërmjet rialokimeve fshihet, dhe këto ne nuk I duam t’i lejojmë dhe kemi rënë dakord me Ministrinë ë Transporteve që këtë fenomen në 2017 ta zhdukim dhe brenda Marrëveshjes me FMN kemi një sërë masash që nga inspektimi financiar me qëllim gjetjen e rekomandimeve dhe përgjegjësive dhe deri te forcimi I procedurës te supervizori nëse doni, te supervizori I projektit, pra një diferencë totale.

Përsa i përket konçesioneve janë 7.3 miliardë (jo 7.5 miliardë) por gjithsesi kjo nuk ka rëndësi. Nuk është për një apo dy konçesione, është pagesa vjetore e të gjitha konçesioneve me mbështetje buxhetore, e cila është sa gjjysma e lejuar në bazë të ligjit organik të buxhetit të dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sa gjysma e lejuar e 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës.

I gjithë fondi në kuptimin e 5% të totalit të të ardhurave nga tatimet e doganat do të ishte 150 milionë dollarë, pra 15 miliardë lekë që do të vihej në dispozicion të mbështetjes për konçensionet. Por është vetëm gjysma e këtij fondi, pra 7.3 miliardë në mbështetjen buxhetore dhe mos harroni që vetëm nëpërmjet konçesioneve, është arritur të ketë më shume se 400 milion investime në shërbime që nuk do mund t’i financonim me paratë aktuale të buxhetit. Janë financuar nëpërmjet këtij instrumenti I cili është i disiplinuar brenda tavaneve buxhetore , kjo zhurmnaja për konçesionet nuk është e vërtetë, konçesionet patjetër që duhet të marrin parasysh risqet por mbi të gjitha, duhet të jenë brenda tavaneve buxhetore; janë brenda tavaneve buxhetore , janë llogarisë të paktën 95 % e tyre se një pjesë shfaqet edhe tek shpenzimet operative, pjesa tjetër është brenda llogarisë kapitale. Pra cdo veprim me konçesionet, është brenda limiteve buxhetore të aprovuara dhe afatmesëm.

Pyetje:

Zoti Ahmetaj, meqënëse ju thoni që ekonomi ka hyrë në një trend rritës, a mendoni se është koha për të realizuar premtimin politik për të ulur TVSH në sektorin e turizmit, konkretisht për njësitë akomoduese?

Pyetja e dytë, dëgjuam përfaqësuesen e FMN në konferencën për shtyp teksa tha që një nga tre kushtet për vitin 2017 është që duam të shikojmë zbatimin e taksës së pronës së pasurisë nga qeveria, a mund të na thoni konkretisht çfarë është kjo taksë, do rishikohet, do aplikohet apo jo në 2017 zbatimi I saj?

Përgjigje:

Ju me thatë sipas jush është rritur ekonomia, pyetje retorike e kam,  po sipas jush?

Përgjigjia është jo, nuk do ta ulim 20% e TVSH për strukturat akomoduese, personalisht kam pasur shumë dëshirë që ta arrija por është e pamundur për ta bërë këtë në afatshkurtër. Ne afatmesëm besoj, me konsolidimin fiskal që kemi nisur, sigurisht që është e mundur për ta bërë, por sfida e turizmit si ish- Minister I Turizmit besoj se nuk është 20% i TVSH . Sfida e turizmit është zgjerimi, rritja e numrit të strukturave akomoduese , rritja e numrit të shtretërve. Shqipëria në kuadrin e një viti nuk do të ketë dot më shtretër të akomodojë gjithë prurjen e turistëve dhe brenda kësaj, rritja e cilësisë së akomodimit të shërbimit. Kjo është sfida, nuk është sfidë 20% , TVSH 20% është në zinxhirin e sfidave, por kurrë jo I pari madje mund të jetë I fundit.

Taksa e pronës nuk ka filluar tani, taksa e pronës ka një jetë që është atje por është më e ulta e mbledhur në historinë e mbledhjes së taksave dhe ne duam ta forcojmë instrumentin duke filluar një proçes të ndërtimit të kadastrës fiskale. Në vende të ndryshme taksa e pronës përsa I përket të ardhurave qoftë brenda tabelës së përgjithshme fiskale qoftë brenda të ardhurave të pushtetit vendor , është komponent shumë I rëndësishëm. Në Shqipëri është komponent jo ekzistent gati, është e papranueshme që qytete si Tirana, Korça, Durrësi, të mos e kenë zgjidhur këtë si problem. Besoj që ne do të krijojmë katër projekte pilotë në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, për të bërë hapin e parë të kadastrës fiskale të vlerës dhe pastaj instrumenti mbledhës të funksionojë më kuadrin aktual të legjislacionit për taksën e pronës, për të rritur të ardhurat. Besoj se jeni dëshmitarë që taksa e pronës në shumë vende brenda Republikës së Shqipërisë, në shumë bashki, mblidhet në nivele minimale dhe kjo është e papranueshme, ndërkohë që nevoja për investime për nevojat e qytetarit është e madhe dhe pushteti vendor nuk mundet të varet gjatë gjithë kohës nga grantet. Përvec kësaj duhet të ketë nje shëndetshmëri fiskale që vjen midis të tjerave dhe kryesisht, nga të ardhurat që mund të siguroje potencialisht taksa e pronës.

Pyetje:

Në Ligjin e faljes së bizneseve, a do te përfshihen detyrimet e prapambetura për automjetet para 2011 dhe pyetja e dyte, mund të na thoni dicka më shumë për paketën fiskale që shoqëron buxhetin 2017?

Përgjigje:

Nuk është ligj faljesh, është ligj fshirje detyrimesh, lehtësim pagese detyrimesh dhe jemi në proceset përfundimtare të konsultimit me FMN përsa I përket atij draft ligji. Unë e kam që nuk do të ketë falje borxhesh. Përsa I përket periudhes 1 janar 2011 deri 31 dhjetor 2014 do të ketë një lehtësim, kush paguan detyrimin, principalin, I falet gjoba. Kush paguan, ky është parimi. Të vetmet gjoba që do të falen janë ato që kanë të bëjnë me gjenerimin nga sistemi në muajin Qershor të gjobave për shkak të vonesave të dorëzimit të formularit të puënsimit, të cilat u premtuan nga Kryeministri per t’u falur. Kaq është, nuk ka falje, nuk ka amnisti. Kush ka detyrim, të paguajë detyrimin, t’i falet gjoba. Si funksion bazë I administratës tatimore, mbledhja e borxhit do të  jetë një nga krahët më të fuqishëm të administratës.

Për paketën fiskale ka një sërë elementësh, ka ulje në rentë për përpunimin e brendshëm; ka ulje në detyrimin në taksën doganore të disa produkteve që përdoren nga fasoni, është zgjerim i tyre; ka një korrektim midis gazit dhe gazit në përdorimin e makinave ku përdorimi për makina është 3-5% I totalit. Nuk ka asnjë ndryshim për gazin e përdorur nga qytetaret dhe nga industria. Ka kryesisht masa administrative, disiplinim të sektorit të naftës që ka të bëjë qoftë më cmimin e naftës bruto e nje metodologji më e shëndetshme me disiplinimin e “biofuel”, pra të karburanteve bio dhe sigurisht forcimin e mbledhjve të taksës së pronës. Ka ndryshime që kaluan dje në paketën administruese të thjeshtësimit. Ka edhe një ndryshim në atë që ka të bëjë në ndryshimin e të ardhurave, një korrektim në formulën e kapitalizimit, megjithatë shumë shpejt do t’i keni prezent, unë I kam firmosur për mendim-marrje, kështu që besoj shumë shpejt do të jenë publike.

Pyetje:

Zoti ministër ju përmendët pak korrektimin e paketës fiskale për përdorimin e makinave , sa do të jetë korrektimi si do të jetë?

Përgjigje

Korrektimi bazë për makinat që përbën gati 35 % të popullsisë, do të korrektohet në nivel me, le të themi, karburantet.

Pyetje

Çfarë do të thotë me korrektim sepse shumica e njerëzve nuk e kuptojnë në çfarë konsiston kjo?

Përgjigje:

Pra, gazi për makinat përbën gati 3-5% dhe është jashtë sistemit të akcizës, është i pa akcizuar, e cila është në ndryshim nga direktiva. Ne jemi duke korrektuar filozofinë e akcizës duke e përputhur atë me rekomandimet që kanë këto direktiva. Vendoset akcizë për përdorimin e makinave dhe sigurisht që ulet niveli i çmimit të makinave që konsiderohen makina luksi nga 7 milion në 5 milion.  Pra, do të rritet taksa për makinat e luksit. Do të ulet akciza për duhanin e lirë të brendshëm dhe sigurisht që nuk do të rritet akciza e cigareve, nuk do të rritet, detajet e tjera kemi mundësi që t’i shohim në ditët që vinë.

Pyetje:

Po për makinat e luksit që ta kemi të qartë?

Përgjigje:

Makinat e luksit me vlerë reference prej 7 milion lek konsiderohen makina luksi dhe kanë një ngarkesë vjetore takese  më të madhe. E ulim këtë nivel nga 7 në 5 sepse siç e nxorri dhe raporti i EBRD në mos gabohem, nevoja për të pasur një ngarkesë më të madhe fiskale për ata që janë të pasur, në rastin konkretë për makinat e luksit, është e domosdoshme. Pra, paketa ka ulje dhe thjeshtëzime, ulje modeste ngarkese fiskale dhe thjeshtëzime të rëndësishme të proçedurave që sjellin jashtëzakonisht shumë lehtësim përsa i përket marrëdhënies me sipërmarrjen. Mos harroni që industria përpunuese dhe e mineraleve ka filluar të japë impulset e para dhe jemi duke përgjysmuar rentën për minieralet për përdorim nga industria përpunuese vendase nga 6 në 3, pra përgjysmimi i rentes.

Pyetje:

Zoti ministër në çfarë niveli është taksa e pronës aktualisht dhe ku doni të arrini me mirë-administrimin në aspektin ligjor?

Përgjigje:

Ne duam të arrijmë dy hapat e parë, evidentimi i pronës, sidomos në projektet pilot sepse ka një proçes, i cili ecën me dy shpejtësi. Ka një shpejtësi në Zyrën e Pronës, i cili ka projektin e vet dhe në dijeninë time nuk po ecën keq, por ka dhe një domosdoshmëri për të rritur mbledhjen nga të ardhurat nga kjo kjo taksë. Nuk ka lidhje me shifrat, ka lidhje me disiplinimin e bazës së të dhënave pastaj sigurisht kur përmirësohet baza e të dhënave, automatikisht e ardhura është më e madhe.

Pyetje:

Doja të përmendja pak debatin e djeshëm politik, ju akuzoi opozita se rritja praktikisht nuk është prej 100 milion dollarësh por është prej 64 milion dollarësh?

Përgjigje:

Po nuk është qesharake, e para njëherë që debatojnë sesa është rritur, që është interesante. E dyta, efekti prej 100 milion dollarësh është 12 mujor. Efekti 12 mujor shkon pak më shumë se 100 milion dollarë.

Faleminderit!