Postuar më: 06 Shkurt 2018

“People First”, certifikohen 100 studentët më të mirë në turizëm

Fjala e Ministrit Ahmetaj në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për 100 studentët më të mirë në hoteleri-turizëm, të trajnuar në kuadër të programit People First, program bashkëpunimi mes projektit Head Hunter dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, me mbështetjen e qeverisë Amerikane, USAID dhe qeverisë Suedeze.

Emanueli dhe Emanueli tjetër, janë shembulli spektakolar se si shtohet turizmi në Shqipëri. Emanuel, me rizoton tënde të bërë mirë, suedezët, amerikanët, italianët, francezët apo austriakët, apo kushdo qoftë, pasi ta kenë provuar, vitin tjetër do i thonë miqve, familjarëve, dhe për një rizoto tënden marrim dy turistë plus vitin tjetër. Kështu që, imagjino se sa i rëndësishëm je për ekonominë e Shqipërisë dhe të familjes tënde, je shumë.  

Emanueli 2, nëse i lë pa pastruar gjërat, nuk kthehen më ata dy turistë që solli Emanueli 1 apo anasjelltas.

Unë dua të them që e gjithë qeveria, Kryeministri, e vlerësojmë arsimin dhe formimin profesional si një nga instrumentet e rritjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Dua të sjell këtu tre shembuj që bëjnë diferencë.

Shembulli i parë është Mrizi i Zanave. Tek Mrizi i Zanave unë kam parë ndërthurjen e kujdesit të shtetit, e pasionit të mësuesit dhe bashkëpunimit me sipërmarrjen, pikërisht për kuzhinierë, për kamarierë, apo për mikëpritës në turizëm. Një funksionim, në këndvështrimin më të thjeshtë të fjalës, spektakolar, midis tre hallkave të zinxhirit ku ajo që prodhohej ishin profesionistë të fushës dhe punësim. Në finale, qëllimi nuk është thjesht që të kemi shkolla, që të kemi arsim profesional në vetvete, apo për të pasur kurse të arsimit profesional. Në finale, do të duhet të prodhojmë teknikë, do të duhet të prodhojmë profesionistë në bazë të kërkesës që ka ekonomia. Dhe Mrizi i Zanave është një rast shumë interesant për t’u studiuar se si mund të bashkëpunojnë të tre hallkat e zinxhirit.

Shembulli tjetër që na bën të reflektojmë, në vazhdim të asaj që tha ministrja e Arsimit, është “Forschner”. “Forschner” është një kompani gjermane, e cila e filloi me 21 punonjës para tre vjetësh. Më duhet të them, në reflektim, që e vetmja ndihmë që i dhamë në momentin e parë ishte lutja ime e vazhdueshme për gati një vit për të zgjedhur Shqipërinë, në krahasim me Maqedoninë e me Serbinë. Fatmirësisht zgjodhi Shqipërinë dhe sot ka 400 punonjës. Megjithatë, ne që bëjmë politikat dhe që strukturojmë administrimin, do të duhet që të gjejmë instrumente për t’i mbështetur drejtpërsëdrejti këto kompani, të huaja apo vendase, kur kanë nevojë për formim profesional të punonjësve të tyre. “Forschner” i trajnoi vetë sepse mënyra se si e kemi formatuar mbështetjen ne, qoftë nga ana administrative, qoftë nga ana financiare, është akoma jo e plotë që të mundim t’i trajnojmë në punët e tyre, prat ë garantojmë trajnim në punë, apo t’i marrim dhe t’i çojmë diku tjetër për t’u trajnuar, si rasti i tretë.

Rasti i tretë është specifik. Kemi një investitor të huaj që kërkon të rialokojë kompaninë e tij, fabrikat e tij nga dy vende. Është investitor francez, në procesimin e industrisë së gomës për industrinë e makinave. E kam pritur disa herë në zyrë. Po rialokohet më në fund, pas lutjeve dhe pas premtimeve të bazuara patjetër, dhe kërkon që të trajnojë 15-20 teknikë në Francë. Për këtë arsye, ne reflektuam dhe po ndërrojmë vendimin e qeverisë për t’i dhënë mundësi rasteve të tilla, që të marrin 15 apo 20 vajza dhe djem nga Shqipëria e për t’i çuar në atë kompani në Francë, apo kudo qoftë vendndodhja, që të përgatitet në mënyrë që të administrojnë dhe të menaxhojnë gjithë pajisjet e fabrikës këtu në Shqipëri. Çfarë përfitimi kemi ne? Rritja e punësimit, rritja e ekonomisë dhe zgjerimi i eksporteve.

Unë e falënderoj qeverinë amerikane, USAID-in, qeverinë suedeze. Unë sot vij nga një takim me të gjithë donatorët në fushën e punësimit, arsimit dhe formimit profesional. Dua të ndaj me ju dhe një informacion tjetër. Kryeministri ka nisur një proces të bërjes së një plan-aksioni, i kombinuar në funksion të rritjes së punësimit dhe të vënies në funksionim të të gjithë instrumenteve qeveritarë të arsimit profesional, në funksion të ndërmarrjeve. Dhe, kjo do të dojë një evolucion të tërë.

Në 3-4 vite arsimi profesional ka ndryshuar komplet. Dua të ndaj me ju një shifër që është krenari. Në katër vitet e fundit janë krijuar në Shqipëri mbi 220 mijë vende pune dhe jam duke iu referuar borderosë së Tatimeve, me terma fare të thjeshtë. Më besoni që rreth 60 mijë nga këta, janë kontribut i punës së Zyrave të Punës, arsimit dhe formimit profesional. Sigurisht që dikush mund të thotë “do ishte e mjaftueshme”? Nuk është e mjaftueshme. Ne kemi nevojë që të bëjmë një hap më tej dhe këtë eksperiencë ta replikojmë me sukses dhe në punën tonë të përditshme, por edhe duke iu referuar dhe donatorëve e duke i falënderuar, ne tani po e shtrijmë dorën tek platforma si juaja për të bashkë-trajnuar dhe për të përdorur së bashku të gjithë ato resurse, ne tonat, ju tuajat, që ta zgjerojmë numrin e atyre që mund të trajnohem.

Do ta mbyll fjalën time duke premtuar që të gjithë mësuesit e arsimit profesional do të vijnë të trajnohen për të qenë më pas trajnues të studentëve si sot. Të gjithë të diplomuarve i uroj suksese dhe punë të mbarë. Emanuel, duhet të na ftosh kur të bësh pjatën e parë të rizotos, kudoqofsh.

Faleminderit.​