Postuar më: 23 Nëntor 2016

Paketa fiskale 2017, mbështetje sektorëve, lehtësim procedurash për biznesin

Të nderuar anëtarë të këtij Komisioni,

Në dijeninë time kjo është seanca e fundit në këtë Komision për sa i përket prezantimit në parim të saj. Pas datës 1 dhjetor kur të jemi në Parlament në parim, besoj se do të kalojë nen për nen dhe sërish do të diskutojmë, debatojmë apo përmirësojmë edhe elementë të Paketës, në varësi të sugjerimeve që do të ketë. Por para se të vazhdoj me Paketën e shoh të rëndësishme të bëjmë një rezyme të zhvillimeve të gati 12 viteve të fundit për sa i përket të ardhurave, jo thjesht për të bërë dallime, por më tepër për të reflektuar se çfarë ka ndodhur në aspektin fiskal në këto vite.

Unë u mundova edhe herën e kaluar të sjell një rezyme për të treguar se sa të gabuar mund të jemi kur planifikojmë në mënyrë optimiste, diku pa qëllim, diku me qëllim. Diku pa qëllim, thjesht sepse planifikuesit, ndonjëherë Qeveria, beson që do të ketë një përmirësim në mire-administrimin apo një elasticitet në të ardhura gati 1 me 1. Gjë që, për të gjithë ata që kanë punuar në fisk, shpesh e kanë të pamundur dhe shpesh herë planifikimet nuk materializohen ashtu siç duan. Një arsye tjetër është edhe keq-administrimi i shpeshtë i mbledhjes së të ardhurave. Nuk kam marrë në fakt  shumë periudha, kam marrë vitin 2009 me vitin 2015 dhe vitin 2016, për të parë se çfarë ka ndodhur.

Kemi një deficit ndaj programit në vitin 2009 prej 12%, i materializuar me 35 mld lekë, pra 350 mln USD. Në 2010 kemi një deficit mes programit dhe faktit me 10% ose 310 mln USD. Në vitin 2011 kemi një deficit prej 9% mes programit dhe faktit, me një shumë të materializuar 320 mln usd. Në vitin 2012 një deficit prej 6.5% ose 240 mln USD ose 24 mld lekë në vit. Në vitin 2013, 33 mld apo 330 mln USD, që në një periudhë 4-vjeçare, deficiti shkon rreth 155 mld lekë ose thënë ndryshe 1.5 mld USD.

Një tregueshmëri për 2014, 2015 dhe 2016. Deficiti në vlera absolute nga programi, ka një suficit +2 mld në vitin 2014, deficit në 2015 rreth 340 mln USD dhe i pritshmi në rastin më të keq për vitin 2016, është -5%, që i bie 56 mld lekë, gjithsesi i pritshmi mund të rezultojë pak më mirë se kaq, po deficiti do të luhatet rreth këtyre shifrave, që do të thotë se në tre vitet e fundit deficiti shkon në gati 38 mld. Pra diferenca mes dy periudhave të analizuara është 155 miliardë me 38 miliardë.

E solla këtë pasqyrë për të alertuar Komisionin që debatin për sa i përket kësaj pjese, përtej politizimit të shifrave, e kemi për të parë performancën e administratës tatimore dhe për të parë më pas, për të ndarë me ju, se çfarë ka ndodhur me performancën vit pas viti.

Kemi një tabelë të vitit 2006. Në këtë vit rritet tatimi mbi shitjen e pasurisë nga individët dhe bëhet 10% nga 1-3%  që ishte dhe efekti është 2 mld lekë rritje takse. Po në atë vit, në 2006, kemi të ardhurat personale në fashën e përjashtuar 1%, efekti llogaritet 55 mln lekë dhe totali është një rritje takse prej 4.6 mld lekë vetëm në vitin 2006.

Po të shikoni performancën e vitit 2006, vetëm nga mirëadministrimi ka 1.4 mld në vit. Ky trend vazhdoi për 3 vite rresht, ndërkohë që më duhet të them që në vitin 2007 është e vërtetë që ulen sigurimet nga 42.9 në 32.9, por vendosen pagat e referencës dhe efekti neto ka qenë  +2.68 mld lekë dhe për punësimin privat ka qenë +5.8 mld lekë. Megjithatë unë për pagat referente, efektet në buxhet nuk i kam përfshirë, më tepër për të qenë korrekt për të krahasuar të njëjtët elementë me të njëjtët elementë dhe ka një lehtësi prej 7.3 miliardë.

Ndërkohë që në vitin 2008 kufizohet skema e kreditimit të karburanteve. Tatimi mbi fitimin për shoqëritë ulet nga 20 në 10 %, vendoset taksa e sheshtë prej 10% mbi të ardhurat nga pagat dhe tatimi mbi fitimin e bizneseve të vogla 10%. Efekti plus ngarkesë fiskale në atë vit është 6.5 miliardë lekë. Këtu shohim dhe një ngadalësim të performancës. Në 2008 shohim një ngadalësim të performancës së mbledhjes së të ardhurave.

Në 2009 kemi akcizë për fishekzjarre, dua të bëj një sqarim që tek performanca e kemi zhveshur nga rritja ekonomike nominale dhe nga efektet e paketave pra qoftë ngarkesë, qoftë lehtësi dhe kemi lënë vetëm performancën për të  parë se si ka reaguar performanca në vite dhe unë besoj që këtu duhet të fokusohet dhe diskutimi  apo debate, për përmirësimin  e administrimit.

Në 2009, ka një rritje të barrës fiskale nëpërmjet aksczës për fishekzjarre, akcizës për goma, akcizës për pilat bateri, akciza për nënproduktet e naftës si mazuti, akcizë për naftën virgin, akciza për kafenë. Të gjitha këto shkojnë në një ngarkesë fiskale plus 780 milion lekë dhe nëse do marrim performancën të zhveshur nga këto elementë që unë përmenda, kemi një renie të konsiderueshme të vlerës së të ardhurave. Detyrim fiskal nga ky efekt është minus 100 milion dollarë. 100 milion dollarë minus. Sigurisht mundohem t’i shkëpus periudhat sepse besoj që administrimi fiskal do duhet të trajtohet i njëtrajtshëm, sepse qëndron në themel të shëndetshmërisë fiskale.

Në 2010 kemi kufirin e regjistrimit të tvsh nga 8 në 5 dhe ulen sërisht sigurimet nga 32.9% në 27.3% dhe ka një lehtësim prej 4 miliardë. Megjithatë performanca vazhdon të jetë negative.

Në vitin 2011 kemi një rritje të barrës fiskale me 6.5 miliardë të detajuar. Shërbimet ndërkombëtare nuk trajtohen si eksporte me risk zero por trajtohen si kufizime të përjashtuara, teknikisht e dimë shumë mirë për çfarë jemi duke folur. Shitja e barnave dhe shërbimeve shëndetësore ka pasur efekt plus 1 miliardë dhe akciza për cigare, plus 4.5 miliardë lekë. Dhe e zhveshur sërisht nga rritja nominale dhe nga efekti i paketës, performanca është sërish negative.

E njejta gjë ndodh dhe në vitin 2012 dhe e njejta gje ndodh dhe në vitin 2013.

Pra, është defiçenca e performancës e akumuluar në vite vetëm nga administrimi. Besoj që kjo është beteja që do duhet të kemi me njëri tjetrin dhe më duhet të them që ka filluar të ndryshojë, por sigurisht nuk është akoma larg sa do duhej, më duhet të jem shumë i drejtë me të vërtetën.

Dua gjithashtu të sjell në vëmëndjen tuaj një debat që është bërë, që për mua nuk duhet të ishte bërë në këtë komision se është i padrejtë dhe është nonsens. Ju zyrtarisht më kërkuat dhe unë kam sjellë këtu, një sjellje të kursit të këmbimit se nje nga kolegët deputetë foli për kursin e këmbimit të euros dhe e lidhi me një aktivitet kriminal. Ju kam sjellë pra sjelljen e kursit euro/lekë dhe po ta shikoni, ka një trajektore gati të sheshtë gjatë gjithë periudhës. Në të vetmin interval që ka qënë më poshte se mesatarja 2009 -2016, është viti 2006 -2009, konkretisht mesi i vitit 2008. Po të ndiqnim të njejtën logjikë atëherë I bie t’i refereohemi asaj periudhe 2006-2009 si periudha e hashashit. Dhe sërish unë nuk I bëj ato  gabime as si Ministër i Financave, as si anëtar kabineti. Grafiku ëshët kokëfortë dhe tregon një stabilitet të lekut.

Kam sjellë ndryshimet ligjore, në vitin 2005- 2013 për të parë efektin total. Dhe efekti total në mos gabohem është një rritje taksash me 120 milon dollarë neto. Për të qënë të qartë për historinë, se pastaj historia kthehet me dashje dhe shpesh bën mire, në politike.

Çfarë ndodhi në vitin 2014 e më pas?

  • Hoqëm taksën për biznesin e vogël, përfituan rreth 70 mijë biznese.

 

  • Taksimi 0 për bizneset me xhiro 0-5milion lekë, përfituan rreth 73 mije biznese. Janë 1.3 miliardë lekë në vit më shumë për biznesin e vogël.

 

  • Taksimi 5% për bizneset nga 5-8 milion, përfituan 15,650 biznese, 0.5 miliardë lekë në vit më shumë për biznesin e vogël.

 

  • Mos harroni që kthyem gjobat elektorale të 2013, ishte dhe një premtim. Efekti ishte 30 milion dollarë.

 

  • Vendosëm garancinë si mundësi për biznesin për apelim. Ka qenë cash garancia. Rreth 2 miliardë lekë garanci të përdorura nga biznesi për apelim vendimesh nga viti 2014-2016.

 

  • Hoqëm penalitetin në rast të korrigjimit të deklaratës fillestare. Si filozofi shkon drejt incentivimit të vetdeklarimit.

 

  • Rimbursimi I TVSH, ka një diferencë 100% sistemi I ri tatimor. Nuk I lihet më në dëshirë qoftë drejtorit, qoftë inspektorit.

 

  • Shlyem rreth 180 milion dollarë detyrime të prapambetura TVSH për 630 biznese, 200 nga të cilat ishin kompani të huaja, investitorë të huaj, një dëm i drejtpërdrejtë ndaj imazhit të vendit dhe ndaj klimës së biznesit.

 

  • Përjashtimi nga tvsh për makineri dhe pajisje, efekti 9.3 miliardë lekë për periudhën 2014 -2016.

 

  • Përjashtimet në 2014, 4.8 herë më shumë se në 2013.

 

  • Mbështetje e prodhimit vendas - është renta minerare, sektori i industrisë së lehtë dhe paketa e famshme tashmë e njohur e bujqësisë.

 

  • Ka një set me përfitime për biznesin nëpërmjet tjeshtimit të procedurave që ndodhi pak më shumë se një muaj më parë në këtë komision dhe pak më pak se një muaj më parë në parlament të cilat i diskutuam dhe mua më vjen mirë që dhe opozita i mbështeti shumicën e tyre.

 

Kthehemi tek paketa e sjellë nga qeveria në këtë komision.

Projektligji për tatimin mbi të ardhurat - theksohen masat anti-shmangie të cilat janë të rekomanduara dhe nga OECD dhe që po implementohet në mos në të gjitha vendet, në shumicën e vendeve. Do të zbatohet vetëm për shoqëritë e lidhura, por për ta thjeshtëzuar është kufiri i njohjes së shumës së interesit si shpenzim I zbritshëm. Është ruajtur dispozita ekzistuese për huamarrjet bankare në raportin 1 me 4 kapitalite- borxh pra s’e kemi prekur, kemi një nga rregullat më liberale në këtë drejtim. Ndryshimet e propozuara në këtë projektligj lidhen me ndryshimet e rregullave për shpenzimet e njohura, siç e theksova, për efekt të llogaritjes së tatim fitim lidhur me borxhin apo huanë e marrë nga shoqëritë e lidhura. Jemi të fokusuar, metoda që propozohet është bashkëkohore dhe e lehtë për t’u administruar.

Projektligji për taksat kombëtare - ka të bëjë me rishikimin e politikës fiskale për renten minerare të minerareve metalore  të destinuara për përpunim brenda vendit dhe të rentës për përmbajtjen e mineralit metalor e nenproduktin, për qëllim vlerësimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve metalore. Qartëzimi I dispozitës dhe aplikim i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për sasinë e benzinës dhe gazolitit të përfshira në biokarburante është një disiplinim i mëtejshëm. Heqjen e aplikimit të taksës së qarkullimit për sasinë e gazolitit dhe benzinës së prodhuar në vend por të eksportuar, pra të destinuara për eksport. Ndryshimi e vlerës për kategorizmin e makinave të luksit nga 7 milion në 5 milion. Aplikimin e përjashtimit nga taksa e karbonit nëpërmjet procedurës së rimbursimit. Dhe disa saktësime të tjera dhe ndryshimi i nivelit të rentës së minerarit zhavor bituminoz.

Projktligji për aksizat në Republikën e Shqipërisë  - me anë të këtij projektligji propozohen masa që lidhen me uljen e kostove për bizneset që operojnë në tregun e mallrave të akcizueshme. Synohet që nëpërmjet rishikimit të nivelit të akcizës për disa produkte, të përafrohet niveli taksmit në rajon. Në të njejtën kohë janë propozuar disa ndryshime të rëndësishme në kreun e shkeljeve ne fushën e akcizës dhe sanksionet orientojnë rregullimin e procedurës të autoritetit doganor për mallrat e sekuestruara dhe konfiskuara që në fakt ka qënë konfuz. Me anë të këtij projektligji synohen ndryshime të rëndësishme në nivelin e aksizës së duhanit dhe nënprodukteve të tij. Rritja e aksizës për gazin e lëngshëm si korrektim, vetëm kur përdoret si lendë djegëse për automjetet. Ndryshim I formës së përjashtimit nëpërmjet dhenies së rimbursimit të akcizës për karburantin që përdoret nga anijet e peshkimit, për ta disiplinuar. Rishikimi i masës dhe procedurës së rimbursimit për vlerën e detyrimit të aksczës së paguar që I korrespondon sasisë së produktit bio në biokarburantet që përdoren në sektorin e transportit.

Projektligji për miratimin e niveleve të taksës doganore ka të bëjë me kreditimin e tarifës nga 2, 6, 10, 15 në 0 për lëndët e para të përdorura në industrinë e lehtë. Reduktimi i tarifës në masën 0 të produktit koks dhe gjysme koks nga qymyrguri.

Pra këto le të themi janë pjesë të përmbledhura të paketës, paketa është modeste në influencën e të ardhurave, gati gati e papërfillshme. Dua të them që ne kemi planifikuar rreth 27 miliardë lekë të ardhura më shumë në vitin 2017 dhe i gjithë kontributi është nga rritja ekonomike dhe nga përmirësimi I administrimit.

Faleminderit!