Postuar më: 20 Prill 2018

Olimpiada e Aftësive 2018. Invacioni, jetësimi i një transformimi të thellë, sfida për njohuri dhe aftësi

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar Ambasadorë, donatorë dhe pjesëmarrës,

Ky është Edicioni i tretë i Olimpiadës së Aftësive, e cila për herë të parë organizohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe jo rastësisht, tematika e këtij viti është Inovacioni.

Inovacioni është në themel të asaj që po ndodh me arsimin dhe formimin profesional, me qasjen që ne si qeveri po mundohemi të materializojmë për të zhvilluar e reformuar sistemin, por edhe në reflektim të tendencave globale, qoftë në aspektin ekonomik, por dhe atë të zhvillimit të industrive, të industrisë së komunikimit.

Është koha e revolucionit teknologjik, apo siç quhet ndryshe revolucioni 4.0 që po aplikohet në një sërë fushash; jetësimi i një transformimi të madh në të gjithë sistemin e prodhimit, menaxhimit dhe qeverisjes, siç e njohim sot dhe, në të njëjtën kohë, sfida e madhe në të cilën do të duhet t’i përgjigjemi në kohë, me dije, aftësi dhe profesionalizëm.

Besoj e patë dhe do e shihni dhe më pas, robotin që na mirëprit në hyrje të Panairit. Në qendrën multifunksionale të Vlorës ka një laborator të teknologjisë së lartë ku përdoren printerat 3D. Disa javë më parë, nxënësit e shkollës IT në Tiranë prezantuan, në punimet e tyre të diplomës, ide dhe produkte tejet inovative ICT; sot në shkolla nuk flitet dhe mësohet më thjesht për ndërtimin, por flitet për ndërtesa inteligjente, siç do ta shikoni dhe shtëpinë inteligjente dhe serën inteligjente.

Shifrat reflektojnë një realitet më inkurajues për zhvillimin e arsimit profesional.

  • Në vitin 2017-2018, numri i nxënësve që ndjekin arsimin në shkollat profesionale publike ka shkuar në 19,000.
  • Krahasuar me 4 vite më parë, ka një rritje të konsiderueshme, megjithëse akoma mbetet vetëm 20 për qind e totalit të nxënësve.
  • Bazuar në sistemin e gjurmimit, 42 % e të diplomuarve në shkollat e Arsimit Profesional janë menjëherë, ditën e parë të mbarimit të shkollës, të punësueshëm.
  • Ajo që është më e rëndësishme, kemi kaluar nga një sistem ku përfundonin nxënësit që e shihnin shkollën profesionale si derën e fundit ku mund të trokisnin, tek një sistem i “zgjedhjes së parë” që shumë të rinj e të reja i ka ndihmuar të gjejnë rrugën e punës dhe suksesit.

 

1.Së pari, jo të gjithë mund dhe duhet të shkojnë në Universitet, jo të gjithë kanë nevojë për edukim shkencor dhe akademik. Shumë të rinj, siç do t’i shikoni më pas, kanë talente për edukim, për punësim praktik dhe teknik.

Një prind në Lezhë, përpara disa muajsh, më tha se djalin e tij me të gjitha 10-ta e çoi në shkollë profesionale. Thanasi, që do ta dëgjoni të flasë pak më vonë, është një tjetër nxënës, me të gjitha 10-ta, që po ashtu ka zgjedhur shkollën profesionale në vend të Universitetit. Sërish do t’i referohem shkollës Herman Gmeniner (shkolla IT Tiranë) ku mesatarja për nxënësit nuk është në asnjë rast më pak se 9.5.

 

2.Së dyti, gama e mundësive për punë është shumë e pasur, nga ato më tekniket tek ato më kreativet. Perceptimi i vjetër i zanateve si punë thjesht manuale dhe me nivel të ulët aftësish, është pjesë e së kaluarës.

Po të shikojmë sot tregun në Shqipëri, janë rreth 40 mijë vende të lira pune të shpallura nga sipërmarrjet, 40 mijë mundësi që janë aty, akoma të pashfrytëzuara, në ICT, në turizëm, në shërbime apo në fusha të tjera. Shërbimet e sidomos turizmi, në vitin 2017, ishin motorrët kryesorë të ekonomisë dhe të eksporteve në total, që do të thotë se e ardhmja e punës është e garantuar për qytetarët që marrin profesione të kësaj natyre. Vetëm në një ditë në panairin e Shkodrës, u shpallën 760 oferta pune për të gjithë ata që dëshironin të aplikonin. Në Fier, ku do të mbahet Panairi i Punës nesër, janë mbi 70 ndërmarrje që kanë deklaruar rreth 2000 vende të lira pune.

Punësimi është fjala kryesore e mandatit “Rama 2” dhe është në themel të gjithë atij plani të detajuar që ne kemi filluar për arsimin dhe formimin profesional. Është lajm i mirë dhe gjej rastin nga ky podium t’i referohem raportit të fundit të Bankës Botërore, në vlerësim të tregut të punës në Shqipëri. Në vitin 2017, thotë raporti, papunësia arriti nivelin më të ulët historik ndërsa papunësia tek të rinjtë, megjithëse akoma është e lartë, vazhdon të jetë më e ulëta në rajon, 26 %. “Pagat reale u rritën në 2017-ën, në ndërtim, në turizëm, në energji, duke reflektuar kërkesën e rritur për punë” – thotë raporti.

Një vlerësim i drejtpërdrejtë për atë përpjekje të strukturuar që po bën qeveria Rama për të nxitur punësimin në përgjithësi por, mbi të gjitha, punësimin e grave e të rinjve përmes programeve të nxitjes, si dhe punësimin të atyre me ndihmë ekonomike, për të dalë nga një skemë pasive që garanton minimumin jetik, për t’u bërë të punësueshëm, për të rritur standardin e jetesës dhe mirëqenies. I jam referuar disa herë, do të vazhdoj ta theksoj atë mundësi për të rinjtë, për të reja, për ata pjesëtarë familjesh që dalin nga ndihma ekonomike apo që janë në ndihmën ekonomike, që kanë mundësi të trajnohen në kurset e formimit profesional duke u paguar nga buxheti i shtetit, 55-60 mijë lekë, pra sa mesatarja e ndihmës ekonomike.

 

3.Së treti, përmes arsimit profesional është shumë më prezente mundësia për të filluar një jetë profesionale dhe karrierë të pavarur, përmes start up-eve, siç është për shembull rasti i të rinjve që studiojnë në shkollat e IT-së. Përpara disa ditësh ishim në kompaninë gjermane “Forchner” dhe një grup shumë i mirë i të punësuarve vinin nga shkollat profesionale teknike.

 

4.Së fundmi, arsimi profesional nuk duhet dhe nuk mund të jetë hallka e fundit në zinxhirin e edukimit, por duhet krijuar mundësia për edukim të mëtejshëm po profesional.

Për ta mbyllur, dua të theksoj që qeveria i kushton një vëmendje me rëndësi të posaçme arsimit dhe formimit profesional. Përgjatë tre muajve të fundit, kemi vizituar, prekur nga afër, diskutuar, ndarë mendime dhe ide, në gjithë Shqipërinë, në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Tiranë, Vlorë. Siç e theksova, nesër do të jemi në Fier, pas dy javësh do të jemi në Korçë, e pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë ku me kënaqësi shoh të flitet gjithnjë e më shumë për nevojën për arsim profesional, nga nxënës, prindër dhe sipërmarrje.

Edhe prezenca sot në këtë panair është reflektim i interesimit të të gjithë aktorëve. Janë mbi 60 shkolla profesionale e qendra formimi nga i gjithë vendi; mbi 500 nxënës që me punën e tyre krenohen dhe mbi 15 kompani që ofrojnë trajnim dhe praktika profesionale për nxënësit.

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe ju uroj një panair sa më të këndshëm.

Faleminderit