Postuar më: 16 Mars 2017

Një ditë më afër reformës në drejtësi, një ditë më afër Bashkimit Europian

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

Dua të theksoj të vërtetën e ngjarjeve të fundit dhe nuk e kam fare me ndryshimet e qeverisë. Ndryshimet e qeverisë janë tagër i Kryeministrit dhe në finale Partia Socialiste, Aleanca, përvec qeverisë janë edhe në një fushate elektorale që zyrtarisht fillon në 3 maj.

Të thuash që qeveria ka falimentuar dhe pastaj të merresh me qeverinë, i bie që të kesh një problem serioz, ta shohësh qeverinë në punë dhe të mos të të pëlqejë. Do kap një element, i cili ka dalë si statistikë ditët e fundit, për ta ndarë me shqiptarët mbi të gjitha, shqetësimin që ka kjo qeveri, kjo mazhorancë, për atë që është thelbi i të qënit në shërbim të qytetarëve, punësimi.

Para një jave ka dalë statistika e punësimit dhe papunësisë dhe brenda një viti papunësia ka zbritur në 14.2 për qind. Shumëkush mund të thotë po çfarë do të thotë 3 për qind nga 17.3% në 2015, në 14.2% në 2016? Statistika është kokëfortë, e theksova dhe herën e kaluar sepse shumëkush mund të dëgjojë qoftë fjalime populiste, qoftë fjalime poetike, qoftë fjalime që i shërbejnë vijës ndarëse, nuk diskutohet, por vija ndarëse është e thellë dhe 14.2% do të thotë për qytetarët gati 183 mijë vende të reja pune.

Këtu diskutimi nuk është a janë apo s’janë këto 183 mijë vende të reja pune, sepse këto janë. Janë në bordero, e thenë thjesht, ka shqiptarë që paguhen nga borderoja e përditshme e sipërmarrjes mbi të gjitha, apo të gjithë aktorëve ekonomikë. Thelbi është që një mazhorancë si kjo, një qeveri si kjo, në një ditë si kjo, reflekton dhe gjykon që 183 mijë vende pune nuk janë mjaft, ky do duhet të jetë diskutimi. Diskutimi populist që kanë ikur jashtë 100 e ca mijë, kanë ardhur nga jashtë 100 e ca mijë të tjerë, që nuk ka punësim, këto janë populizma që shqiptarët nuk i dëgjojnë më. Nuk i dëgjojnë më, se janë në punë dhe duan punë, që të jesh në punë dhe të duash punë, do të duhet të jesh shumë i vërtetë me atë që thua dhe me atë që bën.

Këtu ka një element që ti nuk e përmende; nuk e përmende me qëllim apo pa qëllim unë nuk e di, po ka dhe një elemet tjetër që përmende me qëllim, rrëzimin me forcë. Unë e dëgjoj Saliun përditë që bën thirrje për Revolucion demokratik. Revolucioni demokratik është një kundërshti në tog-fjalëshin e vet që i referohet dhunës dhe të padrejtës. Është një histori që shqiptarët e kanë parë nga Saliu i vjetër çdo herë, e kanë parë në ’94, e kanë parë në ’97, e kanë parë në ’98, e kanë parë në 2008 me Gërdecin, e kanë parë në 2011 dhe tani është kthyer në vendin e krimit. Krimin nuk e ka kryer kundër PS, krimin nuk e ka kryer kundër LSI, krimin nuk e ka kryer kundër LIBRA-s, krimin e ka kryer kundër shqiptarëve, e ka kryer krimin kundër shqiptarëve. I ka vrarë dhe i ka vjedhur shqiptarët dhe tani vjen, a thua se me një të larë në darkë a në mëngjes, u pastrua nga të gjitha vjedhjet dhe vrasjet e 20 e kusur viteve.

Këtë nuk e përmende, përmende Republikën e Re. Republika e Re në themel ka shtetin e së drejtës. A ka defekte shtetbërja apo shteti në 25 apo 27 vite? Patjetër ka, përditë ka, pafund ka, ama çfarë diference ka në Shqipëri sot? Një mazhorancë dhe një qeveri që kërkon Reformë në Drejtësi! Ndërkohë që pothuajse gjithandej është e kundërta, opozita e kërkon Reformën në Drejtësi, këtu qenka ndryshe. Pse qenka ndryshe? Sepse pronarët e Republikës së Re janë qytetarët dhe qytetarët sot përfaqësohen me një mazhorancë që ngul këmbë përditë për Reformën në Drejtësi.

Je kundër kësaj republike, apo pro kësaj republike? Je për një republikë të fragmentuar ku të marrësh 5%-ishin tënd apo je për një republikë qytetarësh që kërkon të vendosë drejtësi në një vend ku akoma nuk ka drejtësinë që meriton? Dhe drejtësia që meriton, nuk është e lidhur vetëm me drejtësinë që meriton, ështe e lidhur me ekonominë. E ke stil të mos merresh me statistikat, e ke se nuk do, e ke si nuk I ndjek apo e ke se nuk I di, këtë nuk më takon mua ta vendos, megjithatë statistikat janë kokëfortë, statistikat nuk janë emocionale. Nganjëherë nuk kanë ngjyra fare, janë të bardha, ngjyrat qëndrojnë tek përpjekjet mbrapa asaj statistike; ngjyrat qëndrojnë tek 183 mijë vendet e punës. Cfarë ngjyrash janë këto? Janë ngjyra jete. Po vendet e munguara të punës?! Ato janë gri.

Prandaj ne i referohemi reformës në drejtësi. Politikë e vjetër është ajo që pengon reformën në drejtësi, ajo është politikë e vjetër. Nëse ti mendon se politikë e vjetër është mosha 70 apo 75 apo 65 dhe politikë e re është 22, 25 po 35, për mua ky është gabim konceptual.

Politikë e re është ajo që sjell të renë në vend. E sjell reforma dhe reforma në drejtësi është realisht platforma ku qendron e reja në këtë vend. Reforma në drejtësi ështe republika e re. Është platforma ku do të duhet të qendroje republika e re. Kush e do reformën në drejtësi? E sheh anën e majtë të gjithën? Ana e majtë e gjitha, punon cdo ditë për reformën në drejtësi. Pse? Sepse e lidh me të drejtën, e lidh me punësimin, e lidh me zhvillimin ekonomik.

Do ta them sërish. Më pyesin shpesh qytetarë, “pse këmbëbngulni kaq shumë tek reforma në drejtësi, ne duam punë”! Epo pikërish për këtë gjë këmbëngulim për reformën në drejtësi. A ka ndonjë investitor të huaj apo vendas që do investonte paratë e tij në një vend nëse nuk ka drejtësi ashtu sic e duam drejtësinë, një drejtësi të drejtë?! E pra, përderisa nuk I ke bërë për shkak të drejtësië së munguar ato investime, kanë munguar 100 vende punë, 1 mijë vende punë, 100 mijë nëse doni, vende pune të munguara. Këto vende pune të munguara, janë për shkak të drejtësisë së munguar. Po të kishim një drejtësi të mirë, do kishim edhe vende pune më shumë. Dhe për shkak se mungojnë investime, mungojnë edhe të ardhura në buxhetin e shtetit. E për shkak se mungojnë të ardhurat në buxhet për shkak të investimit të munguar, mungon një rrugë që duhet të ishte atje, mungon një shkollë që duhet të ishte atje.

A ka dallim më të madh se ky mes politikës së vjetër dhe politikës së re? Se këto janë klishe, politikanë të vjetër dhe politikanë të rinj. Politika e vjetër dhe politika e re ndahen me thikë nga reformat dhe kjo maxhorancë, kjo qeveri, është akoma maxhorancë dhe qeveri e re vetëm për një arsye, jo për arsye moshe, po për arsye mendimi. Rinia është mbi të gjitha gjendje mendore, qoftë në politikë, qoftë në jetën e përditshme. Dhe gjendja mendore e kësaj maxhorance është në reforma dhe reforma është e re dhe duke qenë e re, është cdo ditë një vatër e ideve dhe zhvillimit ekonomik apo në cdo dimension tjetër. Prandaj konceptet politikë e re, politikë e vjetër, janë koncepte populiste nëse detashohen, largohen nga reformat.

Dhe, mik I dashur, nuk kam dëshirë të bëj replikë me ty sepse kemi mendime të ndryshme, diku-diku edhe ekstremisht të ndryshme. Patjetër që ndajmë edhe mendime të përbashkëta, nuk e diskutoj, por në këtë aspekt jemi ndryshe.

Republika e re është pronë e shqiptarëve dhe republika e re si pronë e shqiptarëve, e ka fillimin e saj tek reforma në drejtësi. Një ditë më afër të jetë reforma në drejtësi, një vend punë më shumë për cdo shqiptar. Një ditë më afër të jetë reforma në drejtësi, një përqindje më shumë nese do, në zhvillimin ekonomik. Një ditë më afër reforma në drejtësi, një ditë më pranë Bashkimit Europian. Kjo është e reja.

Faleminderit!