Postuar më: 16 Janar 2018

Ministri Ahmetaj letër sipërmarrjes për shërbimet e reja që lehtësohen. Ftesë për konsultim të gjerë për avancimin e reformës.

Në kuadër të reformës së Deregulimit të iniciuar nga Ministria e Finanacve dhe Ekonomisë në muajin shtator, Ministri Arben Ahmetaj i është drejtuar sot sipërmarrjes me një letër të hapur, mbi avancimin e procesit të deregulimit, arritjet e deritanishme dhe shërbimet e reja që do të lehtësohen për sipërmarrjen brenda muajit janar.

Po kështu, Ministri fton sipërmarrjen në një proces konsultimi të përbashkët, për shkëmbimin e mendimeve, opinioneve dhe sugjerimeve, me qëllim thellimin e reformës dhe garantimin e impaktit të pritshëm nga sipërmarrja në funksion të thjeshtimit të procedurave, ofrimit të shërbimeve online dhe uljes së peshës së burokracisë në institucionet shtetërore, brenda 15 shkurtit 2018, në adresën deregulimi@financa.gov.al .

“Qeveria shqiptare ka prezantuar prej muajsh një nga reformat kryesore të mandatit të dytë, me në fokus përmirësimin e shërbimeve publike për biznesin dhe qytetarin, uljen e peshës së burokracisë, thjeshtimin e procedurave, reduktimin e kohës dhe kostove si dhe ofrimin e shërbimeve të reja online.

Nga 1 tetori, në bazë të Urdhrit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 101/1 “Për ofrimin e dokumenteve online”, 13 dokumente nuk kërkohen më nga qytetarët apo sipërmarrja, për asnjë shërbim të ofruar nga MFE dhe institucionet e saj të varësisë. Këto dokumente gjenerohen nga zyrat përkatëse të ofrimit të shërbimeve përmes platformës elektronike e-Albania ose nëpërmjet ndërveprimit dhe komunikimit mes institucioneve.

Në fazën e dytë të reformës, ne po avancojmë në dy korsi paralele, së pari reduktimi i numrit të lejeve, licensave dhe autorizimeve të cilat përbëjnë mbirregullim të tregut, për të cilat është përgatitur tashmë paketa e plotë e ndryshimeve ligjore dhe së dyti, në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), po punojmë për ofrimin e shërbimeve të reja online, që përfshijnë pagesat elektronike në tatime, autorizime të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, leje të punës dhe vërtetime të zyrave të punës etj” – shkruan Ministri Ahmetaj në letrën dërguar biznesit.

Ministri shton se brenda janarit, një sërë shërbimesh të reja të rëndësishme për sipërmarrjen do të lehtësohen në tatime e dogana:

 

1-      Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave:

Katër autorizime të rëndësishme të regjimeve doganore do të ofrohen online:

 

•                    Autorizim për Regjim të Lejimit të Përkohshëm me Përjashtim të Pjesshëm

•                    Autorizim për Regjim të Përpunimit Pasiv (RPP)

•                    Autorizim për Regjim të Magazinimit Doganor

•                    Autorizim për Regjim të Përpunimit Aktiv (RPA)

 

Tre procese të rëndësishme në kërkesat e subjekteve pranë DPD-së lidhur me produktet e akcizës, do të ofrohen online:

 

•                    Porosi pulla fiskale për produktet e akcizës

•                    Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë furnitori

•                    Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë kategorie produkti të akcizës

 

Çertifikimi elektronik i dokumentacionit nga ana e Agjensive Doganore për llogari të operatorëve ekonomikë, duke shmangur dorëzimin e tyre pranë Degëve Doganore, pra duke kaluar në një sistem doganor “paperless”.

Lehtësim i procedurave doganore nga ana e operatorëve ekonomikë duke shtuar kategorinë e përfituesve në kanalin “jeshil”.

Lehtësim i qarkullimit të mallrave nëpër pikat doganore për operatorët ekonomikë – duke prezantuar për herë të parë kategorizimin e kanalit “blu”- ushtrim i kontrollit dokumentar duke liruar në mënyrë automatike (brenda 20 minutave) mallrat në qarkullim të lirë.

Ngritja e një sistemi të vlerësimit qendror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave- për vlerësimin e deklaratave doganore elektronike në sistem për të gjithë ato raste që janë kategorizuar në kanalin e “ kuq” dhe kanalin e “verdhë”.

 

2-            Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 13 shërbime pagesash do të ofrohen online:

 

•             Pagesa online e taksës së TVSH të biznesit

•             Pagesa online e tatim fitimit të biznesit

•             Pagesa online e tatimit të lojrave të fatit të biznesit

•             Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat personale

•             Pagesa online e rentës minerare të subjektit

•             Pagesa online e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit

•             Pagesa online e taksave kombëtare

•             Pagesa online e tarifave kombëtare

•             Pagesa online e tatimit të mbajtur në burim

•             Pagesa online e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga biznesi

•             Detyrimet globale

•             Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi nga biznesi

•             Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël

 

Letër e Ministrit Ahmetaj për sipërmarrjen për deregulimin