Postuar më: 14 Nëntor 2016

Menaxhimi i Financave Publike, sfida e përgjegjshmërisë së një qeverie

E nderuar zonja Ambasadore

Të nderuar pjesëmarrës,

Meqë jemi në një auditor edhe studentësh, përpara se të flasim për detajet e Strategjisë së Përmirësimit të Financave Publike, dua t’ju them se kjo strategji dhe kjo reformë, nuk është si ato reformat që bëjnë zhurmë, që kthehen në debat pulbik, që kthehen në “pro” dhe “kundër”. Kjo është një reformë e heshtur që kalon në “shtresën” e dytë të menaxhimit të financave publike, por më besoni që është reformë kyçe, që ka të bëjë me raportin thelbësor midis qytetarit dhe qeverisë,  me raportin thelbësor midis transparencës dhe mungesës së saj, me raportin thelbësor të efektshmërisë së përdorimit të parasë publike osë në rast të kundërt, të abuzimit me të. Për këtë arsye unë personalisht, por Ministria e Financave dhe Qeveria, e ka konsideruar një nga reformat kyçe në axhendën qeveritare dhe pas tre vitesh, me kënaqësi ndaj me ju, që hapat kanë qenë tejet të rëndësishëm.

Nuk do ta kaloj këtë moment pa falenderuar Komisionin Europian,  FMN, BB dhe gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar të bëjmë këto hapa tejet të rëndësishëm, që janë hapa për qytetarin, që nuk janë hapa thjesht për përmirësimin e menaxhimin të financave publike.

Synon forcimin e praktikave më të mira në kryerjen e shërbimeve publike, që do të thotë forcimin e sistemit, që garanton që çdo lek i shpenzuar, shkon aty ku ka efektivitet më të lartë, për mbështetjen e ekonomisë, punësimit, mbrojtjen e shtresave në nevojë, duke racionalizuar definitivisht barrën e taksave, qoftë mbi individët, qoftë mbi sipërmarrjen. Siç e theksova kjo reformë ka nisur tre vite më parë me pastrimin e një fenonmeni, i cili u kthye në gangrenë të financave publike dhe jo vetëm, por edhe të borxhit publik - detyrimet e prapambetura. Ka dy dimensione të rëndësishme që unë dua t’ju përmend, që lidhen drejtpërsëdrejti me mospagesat e detyrimeve të prapambetura.

Pikë së pari është transparenca në menaxhimin e financave publike, mungesa e saj, moszbatimi I ligjit të buxhetit. E  dyta është falimentimii i shtetit. Çfarë është kur shteti me buxhetin e vet nuk paguan detyrimet e tij? Është falimentim i drejtëpërdrejtë. Nuk është falimentim de jure, por është falimentim de facto kur një qeveri fsheh të vërtetën e financave publike, fsheh të vërtetën e borxhit publik, nuk paguan detyrimet dhe teknikisht do ta përkufizonim një falimentim indirekt i shtetit, që përkthehet në falimentim të drejtpërdrejtë në raport me detyrimet ndaj të tretëve.

Sot, dua të ndaj me ju që kemi kaluar një proces transperence të thellë. Komisoni Europian financoi auditimin e të gjithë detyrimeve të prapambetura, për të qenë korrekt me atë që kishte kaluar, për të qenë korrekt edhe me qytetarët (sepse në finale ai ishte borxh publik i fshehur), dhe për transparencë ndaj publikut, por dhe informacion ndaj jush, shifra zyrtare e borxhit publik në vitin 2013 nuk ishte e njëjtë me borxhin real për shkak të shumës prej 5.2% në raport me PBB, e detyrimeve të prapambetura.

Më pas vazhduam me hartimin e një pakete disiplinuese, por edhe reformuese, siç janë 5 ligjet kyçe: është menaxhimi dhe kontrolli financiar, auditi i brendshëm në sektorin publik, inspektimi financiar publik, prokurimi publik, organizimi dhe funksionimi i auditit të lartë shtetëror.

Sigurisht që në këndvështrimin tim personal, por besoj edhe të shumë pjesëmarrësve në këtë reformë, ndryshimet më thelbësore kanë qenë me ligjin organik të buxhetit dhe përfitojë nga rasti t’ju sjell disa elementë që kanë të bëjnë me Ligjin, edhe në reflektim me projektbuxhetin 2017.

Buxheti i vitit 2017 është buxheti i parë që ndjek konceptin e rregullave fiskale, duke bërë uljen e borxhit të detyrueshëm nga viti në vit, që jep siguri për ndjekjen e një politike të përgjegjshme afatgjatë. Çfarë dua të them me këtë? Për herë të parë kemi shkruar në ligj detyrimin, pra atë rregull fiskal, të uljes së borxhit, detyrimin që ka çdo qeveri për të ulur borxhin vit pas viti deri kur ta zbresim në nivelin 45% të PBB. Tashmë është i shkruar në ligj dhe asnjë qeveri nuk i shmanget dot kësaj përgjegjësie. Ju ftoj si student apo si pjesëmarrës, ta mendoni jo thjesht politikisht, por në termat e përgjegjshmërisë së një Qeverie në raport me qytetarin, nëpërmjet reformës së mirëmenaxhimit të financave publike.

Po t’i kthehemi historikut, kam bërë një analizë shumë të thjeshtë se çfarë ka ndodhur me financat publike në vite elektorale. Sa herë që ka pasur zgjedhje, financat publike kanë kaluar gati- gati në kolaps, sigurisht në prishje të rregullave. 2013 ishte realisht kolaps. Ju lutem mos e merrni politikisht, por në koncept trashëgimie dhe mirë-administrimi të financave publike.

Imagjinoni së pari, në thesar, në mesin e vitit ishte harxhuar deficiti buxhetor i gjithë vitit. Për ta thënë më thjesht nëse për 12 muaj duhet të harxhoheshin 100 lekë, këto 100 lekë ishin harxhuar për 5 muaj,  për të kuptuar logjikën se çfarë ndodhi me financat publike.

Kemi vënë një rregull, përveç atij fiskal, që asnjë qeveri në vit elektoral nuk mund të shpenzojë më shumë se 55% të deficitit vjetor të lejuar me ligj, që detyron çdo qeveri të jetë e disiplinuar në një  vit elektoral. E pra, është vetëdisiplinim në finale. Për vitin që vjen borxhi publik reduktohet me 3%, nga 71.3% (71.8% ishte i pritshmi fillimisht, por është akoma më i ulët se 71.8%, shkon 71.3%- 71.4%) e PBB dhe vitin tjetër shkon në 69.1%, pra gati 3%. Pra dhe në një vit elektoral vazhdojmë axhustimin fiskal, i cili i përkthyer për qytetarët, është borxh më pak. Por jo thjesht borxh më pak i parë në një vit, por një përgjegjshmëri afatgjatë në raport me qytetarin, sepse çdo gjë që themi po nuk u përkthye në raport me qytetarin, nuk ka vlerë.

Në të njëjtën kohë për herë të parë kemi një bilanc primar 0,7% pozitiv. Çfarë do të thotë kjo? Është përgjegjshmëria e një qeverie për të mos krijuar borxh të ri, përkundrazi jo vetëm që nuk krijon borxh të ri, por nëpërmjet operacioneve të veta kursen për të paguar borxhin e akumuluar në vite dhe kjo ndodh në një vit elektoral.

Në të njëjtën frymë në buxhet për herë të parë formalizojmë tavanet 3 vjeçare duke i bërë detyruese në procesin e nisjes së prokurimeve publike. Sot ndava në Komisionin e Ekonomisë një shembull shumë interesant, në fakt është një ironi tragjike e financave publike. Kam sjellë një listë me rrugë të hapura në vitin 2012 dhe po ju them, i gjithë fondi I rrugëve të hapura kushtonte 250 milion dollarë, për t’u mbyllur të gjithë projektet. E dini sa ishin alokuar në buxhet atë vit? 200 mijë dollarë. 200 mijë dollarë me 250 milion dollarë, rrugë të bëra në ajër, rrugë virtuale që nuk ekzistojnë asgjëkundi. Konsideroheshin si të hapura, si të mbaruara por ishin vetëm në letër.

Por çfarë ndodhi me këto rrugë? Më besoni që ishte shkaku i parë i krijimit të gjithë atyre detyrimeve të prapambetura që sollën edhe falimentim të bizneseve, edhe rritje të kredive të këqija por edhe kuptohet, shkatërrim të financave publike.

Në të njëjtën kohë, buxheti i vitit tjetër ka brenda vetes financimin e disa reformave shumë të rëndësishme. Është reforma në drejtësi, që të materializohet, do mbështetur me financa publike. Është e përfshirë në buxhetin e vitit 2016 dhe në afatmesëm, qoftë mbështetje institucionale qoftë mbështetje pagash, është i përfshirë në trajektore të plotë duke filluar që nga viti tjetër.

Është reforma e ujit. Reforma e ujit ka të bëjë me disiplinimin e përdorimit, konsumimit dhe efektshmërinë e ndërmarrjeve të ujësjellsave në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Uji është mall si gjithë të tjerët.

Kemi reformën e decentralizimit. Kanë kaluar shumë funksione nga qeveria qendrore në qeverinë vendore, këto duhen shoqëruar me financim për t’i dhënë një dimension përveç faktit që ne vitin tjetër kemi akorduar për pushtetin vendor 20 milion dollarë më shumë sesa ky vit. Në krahasim me vitin 2013 është nga 2.1% e PBB që ka qënë kontributi nëpërmjet pushtetit vendor, tani është 3.1% pra, ka një kërcim serioz dhe mos harroni që për herë të parë financojmë reformat, rriten pagat dhe pensionet, ulet borxhi publik dhe kemi atë rregullin e artë që kushdo nga studentët e ekonomisë e ndjek mire, ajo që quhet balanca korrente që ka të bëjë me rregullin e artë të investimeve. Për herë të parë, është rekord, është 2.9% të PBB.

Mund të vazhdoja pafund se ka materie sa të duash, por në themel, është transparenca dhe efektiviteti i përdorimit të burimeve publike, të parave publike. Verën e kaluar ne kemi filluar një proçes që këtë vit besoj do ta intensifikojmë dhe përmirësojmë, është buxheti për qytetarin. Shumë interesante është se si është përkthyer dhe se si përthyhet buxheti tek qytetari.

Një nga shembujt që dua ta ndaj me ju është taksa progresive në vite. Shumë shkurt taksa progresive i kthen qytetarëve me një pagë nën 130 mijë lekë, pra le të themi shtresës së mesme, 110 milion dollarë mbrapsht. Që do të thotë, në 4 vite një qeveri akumulativisht I kthen qytetarëve, gati 500 milion dollarë që shkojnë drejtpërsëdrejti në konsum individual. Sërish këtë vit do të bëjmë një prezantim të buxhetit për qytetarët duke u fokusuar tek ato risi që sjell dhe buxheti 2017 për secilin nga ne, për secilin nga ju.

Kjo nuk do të thotë që nuk kemi sfida për të ardhmen, kemi shumë shumë sfida për te ardhmen dhe nuk jemi akoma as në gjysëm të rrugës. Kemi rrugë të gjatë në këtë aspekt dhe unë besoj që nëpërmjet Komisionit, nëpërmjet Fondit Monetar, Bankës Botërore etj., ne kemi mundësinë të vazhdojmë reformën për përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Faleminderit.