Postuar më: 02 Dhjetor 2016

Lufta kundër tregtisë së paligjshme të duhanit, bashkëpunim serioz mes qeverisë dhe biznesit.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Phillip Morris International

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Kompania Phillip Morris International nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit në kuadër të lufts kundër tregtisë së paligjshme të duhanit.

Kjo Marrëveshje ngre një kuadër të gjerë bashkëpunimi në luftën kundër tregtisë së paligjshme dhe minimizon pengesat që hasin operatorët e ligjshëm. Ky kuadër bashkëpunimi përfshin shkëmbimin e praktikave më të mira, trajnime për oficerët doganorë për njohjen e cigareve kontrabandë, shkëmbimin e informacionit të mbledhur përmes monitorimit të tregut si dhe fushata vetëdijësimi të publikut të gjerë rreth këtij fenomeni me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj theksoi se “Lufta kundër tregtisë së paligjshme e informalitetit dhe duhani, si një nga industritë që është prekur vazhdimisht nga ky fenomen, ka pasur nga ana e qeverisë një fokus të veçantë. Vetëm në dy vitet e fundit janë zhvilluar një numër i madh aksionesh, sidomos për mallrat e akcizës që rezultuan në mbylljen e disa fabrikave ilegale, sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të duhanit dhe në ndërprerjen e zinxhirëve ilegal të prodhimit dhe furnizimit me këto produkte.

Krahas kësaj, ne po implementojmë politika fiskale të përgjegjshme dhe si rezultat, të ardhurat e mbledhura nga duhani dhe produktet e tij,  janë rritur me pothuaj 17%. Rezultati i pritshëm i deklarimit  të importit të cigareve me rreth 500 ton më shumë, se viti i kaluar, është tregues patjetër i suksesit të administrimit fiskal” – theksoi Ministri i cili inkurajoi bashkëpunimin qeveri-sipërmarrje për avancimin e luftës kundër paligjshmërisë në ekonomi.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi tha se “Administrata Doganore prej kohësh është e angazhuar në monitorimin e situatës për këtë fenomen, por jam e sigurt se me këtë marrëveshje që finalizojmë sot, shumë shpejt do të kemi rezultate të matshme. Gjithashtu, dëshiroj të siguroj se Administrata Doganore Shqiptare ka të gjithë vullnetin  për të qenë në krah të biznesit të ndershëm, për luftuar konkurrencën e pandershme dhe për të forcuar hap pas hapi, gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me operatorët ekonomikë në të gjithë sektorët. Ndaj, inkurajoj cilindo operator të bashkëpunojmë dhe të ndërtojmë së bashku një partneritet të tillë, në luftën ndaj paligjshmërisë dhe për të mbështetur konkurrencën e lirë e të ndershme”

Roman Khrushch, Menaxheri i Përgjithshëm i Philip Morris Shqipëri u shpreh se “Qeveria shqiptare po bën një punë të kënaqshme në luftimin e këtij fenomeni dhe rezultatet pozitive janë të dukshme në vitin 2016. Sidoqoftë, nëse dëshirojmë të jemi të sukseshëm në këtë betejë, ne duhet të jemi së bashku në kërkimin dhe zbatimin e të gjitha strategjive të mundshme. Duke firmosur këtë marrëveshje, Philip Morris, si një kompani e përgjegjshme e duhanit, tregon përkushtimin e vet në mbështetjen e aktiviteteve që do të udhëhiqen nga Doganat Shqiptare, si dhe do të sigurojë të gjithë mbështetjen e duhur në përpjekjet për të luftuar tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit”.

Firmosja e Marrëveshjes së Mirëkuptimit do të mundësojë, përmes shkëmbimit reciprok të informacionit, që lufta kundër tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit të jetë më eficiente, për sa kohë ky lloj bashkëpunimi është thelbësor për identifikimin, parandalimin dhe luftimin e tregtisë së paligjshme të cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit.

***

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi mbledhur për ceremoninë e firmosjes së Memorandumit të Mirëkuptimit në luftën kundër tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Kompanisë së mirënjohur Philip Morris International.

Është një rast i mirë jo vetëm për të materializuar frymën e bashkëpunimit qeveri-sipërmarrje, por edhe për të theksuar faktin se ligjshmëria në ekonomi, është një përpjekje e përbashkët reciproke mes të dy palëve.

Mua më vjen mirë, që edhe në Raport progresin e fundit të BE-së kriteri ekonomik kishte një avancim të konsiderueshëm pozitiv dhe sigurisht që është detyra e qeverisë, patjetër në bashkëpunim me sipërmarrjen e ndershme, për të avancuar luftën kundër informalitetit dhe paligjshmërisë.

Lufta kundër tregtisë së paligjshme dhe informalitetit dhe duhani, si një nga industritë që është prekur vazhdimisht nga ky fenomen, ka pasur nga ana e qeverisë një fokus të veçantë.

Vetëm në dy vitet e fundit janë zhvilluar një numër i madh aksionesh, nëpërmjet organeve ligjzbatuese ku padyshim Dogana luan rolin kryesor, sidomos për mallrat e akcizës. Këto aksione rezultuan në mbylljen e disa fabrikave ilegale, sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të duhanit dhe në ndërprerjen e zinxhirëve ilegal të prodhimit dhe furnizimit me këto produkte.

Krahas kësaj, ne po implementojmë politika fiskale të përgjegjshme dhe si rezultat, të ardhurat e mbledhura nga duhani dhe produktet e tij,  janë rritur me pothuaj 17%. Rezultati i pritshëm i deklarimit  të importit të cigareve me rreth 500 ton më shumë, se viti i kaluar, është tregues patjetër i suksesit të administrimit fiskal.

Në disa takime me Industrinë e duhanit personalisht kam kërkuar me ngulm bashkëpunimin e të gjithë aktorëve që të bashkojmë forcat kundër këtyre fenomeneve, janë gërryese për ekonominë shqiptare dhe sigurisht janë gërryese edhe për bilancin e kompanive të ndershme.

Ndaj gjej rastin ta falenderojë Philip Morris International dhe Philip Morris Albania, por edhe të kompanive të tjera që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Ministrisë së Financave për të nxitur dhe mbështetur aplikimin e metodikave më  bashkëkohore kundër kontrabandës dhe falsifikimit të produkteve të duhanit.

Ndaj me ju gjithashtu që dje në Parlament kemi kaluar në parim Buxhetin e shtetit dhe Paketën Fiskale. Në Paketën Fiskale ka disa ndryshime, të cilat janë disiplinuese, por edhe relaksuese për sa i përket prodhimit të duhanit vendas, duke ulur akcizën gati gjysëm për gjysëm me atë të importit, shkojnë të gjitha si masa drejt antiinformalitetit dhe formalizimit deri tek fermerët dhe prodhuesit e duhanit.

Ju uroj suksese!

Faleminderit!