Postuar më: 03 Maj 2018

Ligji për Strehimin Social, përgjegjshmëri e qeverisë ndaj shtresave në nevojë. 3% e sipërfaqeve të ndërtimeve të reja për banesa sociale

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend

Projektligji “Për strehimin social” është reflektim i drejtpërdrejtë i vëmendjes dhe rëndësisë që qeveria, në mandatin e parë dhe të dytë, i ka kushtuar mbështetjes sociale dhe mbështetjes së shtresave në nevojë.

Ky ligj është vazhdimësi e paketës së solidaritetit, pikërisht me shtresat më në nevojë të popullsisë, që nuk preken njëlloj, njëtrajshmërisht nga zhvillimi ekonomik dhe në vazhdimësi të jetës dhe të mirëqenies së tyre kanë pamjaftueshmëri ekonomike.

Për qytetarët është gjithmonë e rëndësishme ta theksojmë të gjithë paketën sociale të qeverisë, duke filluar që nga taksa progresive, dhe mendoj se është një moment i mirë t’i përmendim një e nga një, të gjithë elementët.

  • Taksa progresive, përtej taksës, është një politikë sociale e drejtë, që siç thotë dhe Banka Botërore në raportin e fundit, uli pabarazinë dhe ktheu mbrapsht në xhepat  e qytetarëve shqiptarë rreth 50 miliardë lekë, apo 500 milionë dollar, në 4 vite.
  • Taksa zero e biznesit të vogël është patjetër, përtej taksës, një politikë sociale e drejtë, e duhur. Kanë përfituar rreth 80 mijë biznese. Vetëm nga uljet e taksave për shtresat me pamjaftueshmëri ekonomike, apo që nuk preken njëlloj nga zhvillimi ekonomik, kanë përfituar rreth 500 mijë familje në vend.
  • Statusi i minatorit- një betejë e gjatë ndër vite, ku kulmoi me vitin 2014, me uljen e moshës së pensionit, duke i kthyer dinjitetin dhe të drejtën e shumë kërkuar ndër vite.

 

  • Statusi i Naftëtarit- e njëjta logjikë, e njëjta paketa solidariteti, në favor të mijëra naftërëve që e kishin shumë-kërkuar ndër vite këtë të drejtë të mohuar.

Një muaj më parë kemi bërë një debat për ndihmën ekonomike dhe faktet e statistikat treguan se është dyfishuar pagesa për ndihmën ekonomike. 15 mijë familje të cilat më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme, në masën 1 mijë lekë në muaj, tashmë përfitojnë ndihmë ekonomike, në shumicën e rasteve, mbi mesataren prej 53 mijë lekësh të vjetra në muaj.

Është kthyer në e drejtë e konsoliduar subvencionimi dhe kompensimi i çmimit të energjisë elektrike; subvencionet për arsimin. Mos harroni se në 1 janar të këtij viti ka hyrë në fuqi politika sociale, pjesë e paketës së solidaritetit, librat falas për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë, dhe sigurisht vaksinimi. Dhe nëse i referohemi, vetëm brenda paketës së pensioneve, janë 118 milionë dollarë që shkojnë vetëm për kompensim të ardhurash për shtresat në nevojë.

Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë që për herë të parë në vend u vendos pensioni social. Pensioni social, si concept, është pjesë e paketës së solidaritetit që është e domosdoshme me ato familje, me ata individë, me ata qytetarë që nuk kanë të ardhura, dhe sot janë mbi 5.500 qytetarë shqiptarë që përfitojnë pension social, që në një rast ekstrem siç e gjetëm do të ishin pa asnjë kokërr leku në xhep.

Në të njëjtën kohë, ka një kategori që sërish kam kënaqësinë ta theksoj, janë ish të përndjekurit e kategorisë parësore. Janë përfunduar 8 këste për ish- të përndjekurit, një pagesë e plotë për ata që kanë vuajtur në regjimin komunist dhe janë duke u trajtuar rreth 250 dosjet e fundit, në bazë të ndryshimeve ligjore që kemi bërë përpara një viti.

Përsa i takon strehimit social, gjatë periudhës 2014-2017 janë akorduar nga buxheti i shtetit rreth 3.5 miliardë lekë, apo thënë ndryshe 35 milionë dollarë.

Pra, siç e shikoni, paketa sociale, paketa e solidaritetit, janë të konsideruara, jo ad-hoc, dhe traditë e kësaj qeverie, nga të cilat, rreth 550 milionë lekë për investime për përmirësimin e kushteve të banimit të komuniteteve romë e egjyptianë, dhe diferenca subvencione për interesat e kredive, grant i menjëhershëm për personat me aftësi të kufizuara, qira familjare për familjet e shpërngulura nga zbatimi i punëve publike.

Vetëm para një jave Këshilli i Ministrave kaloi një paketë të re mbështetjeje për ato familje që janë shpërngulur për shkak të shpronësimeve në aksin e rrugës Tran-Ballkanike në Vlorë.

Për kujtesën tuaj, politikat e strehimit kanë filluar me miratimin e ligjit 9232, të vitit 2004. Për programet sociale të strehimit, deri në vitin 2013 kanë qenë vetëm dy programe: Programi i banesave sociale me qira në 8 bashki të vendit, me bashkëfinancim të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës dhe Programi i Subvencioneve të Interesave të Kredive, e më duhet të them që, nëse do të duhet të bëhet një debat i detajuar, ka pasur drejtpërsëdrejti abuzime nga njerëz të veshur me pushtet, që e kanë përdorur atë fond për t’i dhënë shtëpi familjeve të veta.

Në Sarandë, në të njëjtin pallat, jetojnë njerëz të cilët kanë marrë e kanë përfituar vetëm për shkak të influencës politike, të më shumë se 5 njerëzve të veshur me pushtet, që janë edhe këtu në këtë sallë.

Risitë e projekt-ligjit

Deri më dje, ka pasur kufizime ligjore për ato familje që kanë pamundësi për strehim social, për shkak se janë familje pa të ardhura, sepse koncepti ka qenë që bashkia do të bashkëfinanconte 50 % të kostos së qirasë. Këtë e kemi ndryshuar në ligj. Bashkitë me të ardhura të ulëta nuk kishin mundësi të akordonin fonde për strehimin, ndërkohë që buxheti i shtetit nuk mund t’i financonte, duke lënë kështu shtresat më në nevojë pa asnjë mundësi strehimi. Ky parim është korrigjuar në këtë ligj, duke i dhënë mundësi familjeve pa të ardhura të përfitojnë drejtpërsëdrejti subvencion për qiranë e shtëpisë.

Projektligji parashikon parimet kryesore mbi të cilat mbështeten politikat dhe programet e banesave sociale. Parimet e politikave të strehimit derivojnë nga e drejta për strehim të përshtatshëm, pra bazohen te kjo e drejtë, ashtu siç është përcaktuar qartë në Konventën për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, si dhe në Kartën Sociale Europiane. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të trajtimit të strehimit si një nga të drejtat e individit e lidhur me të drejtat themelore të tij të sanksionuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Një nga parimet kryesore që parashikon projektligji është “Siguria e qëndrimit”, sipas së cilës një individ apo familje nuk mund të dëbohet me forcë nga vend-qëndrimi, edhe atëherë kur ai/ajo nuk ka një dokument të rregullt ligjor mbi pronësinë a qiramarrjen. Kjo nuk do të thotë se çdokush mund të zërë një mjedis dhe të qëndrojë në të pa u shqetësuar, por zhvendosja do të jetë në bazë të procedurave të parashikuara e të detajuara ligjore.

Parimi tjetër është Kontributi i sektorit të ndërtimit për sigurimin e banesave sociale, pjesë e paketës së solidaritetit. Këtu jam i bindur që atë bolorinë politike që ju në anë të djathtë i referoheni, por është sindroma e shkuarjes te vendi i krimit, e oligarkëve. Kjo qeveri, që përfaqëson të majtën dhe jo më kot numërova atë paketë të konsoliduar solidariteti, për herë të parë vendos një parim, të shkruar në ligj, kushdo ndërtues do të kontribuojë në strehimin social me 3% të metrave katrorë që do të ndërtojë, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji e më tej, dhe do t’i vendosë ato 3% të metrave katrorë në favor të komunitetit për strehim social, meqë ju flisni për oligarkët dhe për kullat. Ta kishit bërë përpara, të ishit përballur me ne, ja, po e bëjmë ne, se e vërteta dhe fakti është se kjo mazhorancë, kjo qeveri e ka paketën sociale në ADN-në e vet dhe nuk e ka asnjëherë për emocione e referenca elektorale.

Ky është një argument që e kthen mbrapsht me ironi tek ju në anën e djathë, bolorinë politike të oligarkëve; 3% të të gjithë ndërtimit do t’i dorëzojmë në favor të njerëzve në nevojë dhe në Tiranë, në përllogaritjen që bëjmë, janë 45 mijë m2 në tre vitet që vijnë, në bazë të planifikimit të ndërtimit, që do t’i kalojnë komunitetit në favor të atyre që kanë nevojë për strehim social. Nuk është bërë asnjëherë, po bëhet për herë të parë! Natyrshëm dhe në legjitimitet të vet, komuniteti i ndërtuesve ka reagimin e vet, logjika e kostos.

Edhe këtu Kryeministri ka ndërmarrë një iniciativë për të riparë strukturën e taksës së infrastrukturës me dy parime: për të parë sfazimin në kohë të pagesës dhe të njohjes së shpenzimeve që ata kanë për infrastrukturën e ndërtimit që bëjnë, për t`ju përqasur dhe gjithë qasjeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Nëse dikush do vijë dhe do thotë, “çfarë është kjo, shpikje që bëni ju?”. Jo, nuk është shpikje! Nuk është se kemi shpikur rrotën me kontributin dhe me paketën e solidaritetit përsa i përket strehimit social, në mënyrë absolute jo!  Për shkak të përgjegjësisë kemi marrë shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e kanë në traditë të vet mbështetjen e drejpërdrejtë për strehimin social. Nga Britania, nëse doni, që i jemi referuar në mitin politik si e djathtë, kanë një politikë të strehimit social të konsoliduar duke prekur dhe mbështetur pikërisht shtresat më në nevojë. E njëjta gjë ndodh në Spanjë, në Itali, në Francë dhe tani po e kthejmë në politikë edhe në Shqipëri.

Pra, nuk është gjetje. Ka qenë aty kur keni qenë ju në pushtet, është aty dhe tani që jemi ne në detyrë, por ne kemi përgjegjshmërinë për ta parë në sy problemin dhe për të vendosur, po e kuantifikoj, 45 mijë m2 vetëm në Bashkinë e Tiranës, në favor të shtresave në nevojë që kanë nevojë për strehim social për shkak të pamjaftueshmërisë të të ardhurave.

Kjo është diferencë! Nuk kemi bërë gjetje! Nuk kemi bërë shpikje! Kemi bërë një kopjim të kujdesshëm, me përgjegjshmëri, me zemër dhe me mendje, në favor të atyre njerëzve që kanë nevojë për strehim social.

Nuk është mjaft, patjetër, se është një problem që nuk zgjidhet për një ditë, as për një vit e as për një mandat, por është një përpjekje e drejpërdrejtë, e prekshme, sado që ju ta sulmoni. E sulmoni për arsye politike, e një nga arsyet pse e shtytë këtë ligj në komision është pikërisht se nuk donit që këtu të përballeshim me atë konceptin që ju thoni: Oligarkët, Oligarkët, Oligarkët…

Ja e majta çfarë bën! Ja një mazhorancë e përgjegjshme çfarë bën! Po e theksoj prap, nuk është mjaft!  45 mijë m2 në tre vitet e ardhshme nuk janë mjaft, nuk e shpëtojnë dot atë shtresë shqiptarësh që nuk kanë mundësi të blejnë, e nuk kanë mundësi të marrin me qira nga tregu, por e kanë një zgjidhje.

E dyta, dua të ndaj me ju një iniciativë të Kryeministrit, tashmë të avancuar, duke u diskutuar deri në detaje financiare, për mbështetje strehimi për çiftet e reja, që mendojmë se do të kemi mundësi ta inicojmë në mes të mandatit. Pra, në ditën e parë të vitit të tretë të mandatit të dytë kemi mundësi që të nisim një politikë mbështetëse për strehimin për çiftet e reja. A janë mjaft? Jo, të gjitha që kemi bërë nuk janë mjaft! Ato që kemi bërë kanë qenë mjaft ta largojnë Shqipërinë nga skenari i qëllimshëm Grek i lënë prej jush. I qëllimshëm, i kalkuluar mirë por nuk kishit kalkuluar vetëm një gjë, përgjegjshmërinë e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance. Pra, kanë qenë mjaft të na largojnë nga skenari Grek. Nuk janë mjaft akoma dhe nuk do të jenë kurrë mjaft për të arritur atë që qytetarët me të drejtë aspirojnë.

Shpesh i referohemi ndjesive politike dhe çdokush thotë: “Jam i pakënaqur nga qeveria”! Patjetër që është i pakënaqur nga qeveria se e majta, kjo mazhorancë përfaqëson aspiratën europiane, që është e ardhmja! Prandaj kur i referohemi që me ju mendojnë se me të djathtën ka më keq, me të majtën asnjeherë nuk është mire, se ka gjithmonë më mirë. Kjo është paketë solidariteti që është e konsoliduar dhe do të vazhdojë të jetë në ADN-në e kësaj mazhorance.

Faleminderit.

Ministri Ahmetaj në replikë me Petrit Vasilin:

E dëgjova me vëmendje si zakonisht zotin Vasili. Shpresova si dikur të pozicionuar majtas edhe potencialisht me vëmendje për shtresat në nevojë, do të mbështeste projektligjin, por ditën kur flasim për strehimin social iu referua keq-lexueshmërisë që i bën vetë raportit të Departamentit të Shtetit.

Të tre raportet e fundit flasin për ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës. Nëse doni, do t’i referohem Raport Progresit që rekomandoi hapjen e negociatave. Ishte ëndërr e keqe për ju, ëndërr e mirë për shqiptarët. E keni vendosur veten përballë shqiptarëve.

Gjithë shqiptarët deshën e duan hapjen e negociatave, ju e kishit ëndërr që të vinte këtu Mogherini e të thoshte: “Më fal, nuk i hapim negociatat, ose i hapim me kusht sepse kështu ka thënë Luli, kështu ka thënë X-I, këshu ka thënë Y-i, kështu ka thënë Petriti”. Nuk ndodhi kjo. Më vjen keq, nuk ndodhi kjo. Raportet kanë nënvizuar zhvillimet politike, zhvillimet ekonomike, zhvillimet institucionale, madje dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

E kam theksuar dhe e theksoj, kemi diferencë. Nëse ju thoshit: “Jemi të dytët pas Gjermanisë”, ne themi me modesti: “Ne bëmë atë që bëmë, lamë pas skenarin tuaj Grek të përllogaritur me kujdes”. Ne jemi po në modesti të plotë kur numërojmë ato që janë bërë dhe gjithmonë themi që kurrë nuk janë mjaft.

Kjo është diferencë e madhe, të thuash “ne jemi të dytët pas Gjermanisë” dhe të vish të thuash me modesti para shqiptarëve “Po, nuk kemi bërë mjaft, do bëjmë akoma më shumë”, janë dy botë të ndryshme.

Të del detyrë miku im të vish të votosh ligjin se dikur ke qenë i majtë, sot mbase keni humbur busullën, nuk e di, nuk e mar përsipër, por ke qenë dikur i majtë, eja mbështete këtë ligj sepse është në nderin tuaj.

Faleminderit.