Postuar më: 17 Prill 2018

Ligji për Financat Vendore, autonomi lokale pa cënuar unitetin fiskal. Bashkitë, jo më detyrime të prapambetura.

Konferenca Kombëtare “Ligji për Financat Vendore – Një vit më pas”

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje,

Faleminderit për ftesën.

Dua të filloj duke ju falënderuar të gjithë ju dhe USAID.

Ne kemi punuar së bashku shumë intensivisht. E filluam dy vite e gjysmë më parë, duke debatuar së bashku me stafin e USAID, por edhe me përfaqësues të shoqatave, se sa i domosdoshëm ishte ligji për financat vendore.

Qeveria Shqiptare, gjatë mandatit të saj të parë e të dytë tashmë, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për jetën e qytetareve dhe të sipërmarrjes dhe sigurisht që, në kompleksin e reformave të ndërmarra, njëra nga më të rëndësishmet, sot është fakt, është Reforma Administrativo-Territoriale e miratuar në vitin 2014.

Objektivat kryesore të kësaj reforme janë: fuqizimi i qeverisjes vendore, që sot është një fakt; thellimi i decentralizimit, që sot sërish është një fakt; rritja e autonomisë financiare dhe fiskale e njësive të vetëqeverisjes vendore, që sot është një fakt, madje më lejoni që të përmend dhe një element të autonomisë vendore dhe fiskale, ku në diskutimet që bëjmë me FMN për sistemin e taksave, shpesh vihet re që qeveria qëndrore ul ngarkesën fiskale, në tarifa e taksa, sidomos tek fasha e biznesit të vogël, ndërkohë që qeveritë vendore, në faktin tashmë të vënë re nga Ministria e Financave, e ngarkojnë sipërmarrjen me tarifa dhe taksa vendore që diku-diku fatkeqësisht kanë kompensuar edhe atë ulje drastike të ngarkesës që ka bërë qeveria qendrore.

Gjithsesi, ky është një diskutim që shumë shpejt do ta ribëjmë edhe me ndihmën e USAID-it, për të krijuar një unitet fiskal në vend dhe jo disbalanca në territore të ndryshme në njësi vendore dhe në diskordancë me qeverinë qendore.

Viti 2017 ishte viti i parë i implementimit të kësaj reforme dhe rezultatet janë të dukshme.

Për të ndarë me ju disa shifra të rëndësishme, të ardhurat nga burimet e veta të njësive vendore janë rritur nga 11.7 miliard lekë në vitin 2013, në 20.4 miliard lekë në vitin 2017, pra me rritje prej 87 milionë dollare apo 8.7 miliard lekë, që është e konsiderueshme.

Zbatimi i reformës Administrativo-Territoriale ka vijuar me thellimin e procesit të decentralizimit duke kaluar në bashkitë e vendit,  kompetencat dhe përgjegjësitë për disa funksione si: arsimi parashkollor, arsimi i mesëm, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri, rrugët rurale, administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, me një faturë financiare rreth 8 miliard lekë ose 80 milion dollarë që përbën rreth 60 për qind të transfertës së pakushtëzuar që pushteti vendor merrte vitet e mëparshme.

Në këto funksione u transferuan rreth  8,915 punonjës në nivel vendor. Këtu dua të theksoj që, me gjithë rritjen e të ardhurave, pushteti qendror nuk e kufizoi në kombinim transfertën/grantin, përkundrazi, siç do ta theksoj dhe më pas, e ktheu në detyrim ligjor, madje kushtetues më duhet të them, që transferta të mos jetë asnjëherë më pak se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Shpenzimet kanë shënuar një ndryshim cilësor në strukturë, duke i dhënë më shumë peshë shpenzimeve për shërbime dhe investime publike.

Kishim rreth 35 % të ish komunave dhe bashkive që shpenzonin 90-100 % të buxhetit për paga të administratës, që do të thotë se de fakto nuk ofronin shërbime për qytetarët. Sot, në shumicën e bashkive, dominojnë shpenzimet për investime.

Megjithatë, ka ende punë për të bërë në drejtim të disiplinimit të shpenzimeve për administratën e bashkive. Fakti është se po të zbresim funksionet e decentralizuara pas reformës, në asnjë rast nuk rezulton që shpenzimet administrative të jenë rritur. Ne kemi bërë një analizë në Ministrinë e Financave, njësi vendore pas njësi vendore dhe sigurisht që edhe konkluzionet e detajuara do t’i ndajmë dhe me USAID-in dhe me secilin prej jush.

Megjithatë, me qëllim disiplinimin e shpenzimeve administrative, do të punohet në drejtim të standardizimit sipas një metodologjie, e cila do të synojë që të lidhë funksionet e njësive vendore me cilësinë e ushtrimit të tyre, mbi bazën e karakteristikave të çdo njësie vendore. Pra, jo një standard i niveluar, por një standard sipas nevojave dhe profilit të njësive vendore.

Me rolin që na jep ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në mënyrë të vazhdueshme, do të nxisë ndryshimin e strukturës në drejtim të shpenzimeve kapitale dhe zvogëlimit të shpenzimeve të personelit.

Këtu, për herë të parë në ligjin e buxhetit të vitit 2018 vendosëm një klauzolë ku i jep të drejtë Ministrisë së Financave si autoriteti fiskal që të ndërhyjë kur shikon disbalancime, pa cënuar autonominë dhe autonomia juaj sigurisht të mos cënojë unitetin ekonomik të vendit, balancimin midis shpenzimeve me shpenzimet kapitale, pra me investimet dhe me ato shpenzime që shkojnë në funksion të shërbimeve.

Kjo sigurisht që do të ndihmojë në rritjen e efektit të drejtpërdrejtë të investimeve publike vendore në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Një problematikë shqetëuese të cilën dua ta ndaj me ju janë edhe detyrimet e prapambetura në nivel vendor. Nga raportimet e vazhdueshme kemi konstatuar në tërësi një rritje të detyrimeve të prapambetura në nivel vendor, efekt i cili nuk është evidentuar thjesht dhe vetëm nga ne, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Këtu dua të ndaloj një sekond të vetme, të ndaj me ju shqetësimin e thellë që Kryeministri ka, që ne si Ministri Financash kemi, përsa i përket detyrimeve të prapambetura që ju keni ndaj palëve të treta. Dua të dini që, në finale, çdo detyrim i prapambetur që ju keni numërohet në borxhin publik të qeverisë së përgjithshme në aspektin teknik, në aspektin financiar dhe në aspektin politik.

Më duhet të ndaj me ju dhe me USAID-in që qeveria shqiptare ka hyrë në një konsolidim fiskal të thellë dhe në tre vitet e fundit, qeveria shqiptare në buxhetin e vet del me balancë primare pozitive. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që qeveria qëndrore ka një angazhim të panegociueshëm për uljen e borxhit publik, ka një angazhim të panegociueshëm që të dalë me balancë primare. Çfarë është balanca primare? Balanca primare, nëse ne këtu jemi të gjithë përfaqësues të qeverive të ndryshme, qeverive vendore, njësive vendore dhe unë në emër të kabinetit qeveritar, angazhimi i Kryeministrit dhe i qeverisë është të ulë borxhin publik. Si? Patjetër duke promovuar rritjen ekonomike, por dhe duke disiplinuar operacionet, që do të thotë balanca primare pozitive, ne si qeveri nuk krijojmë asnjë cent borxh të ri. Përkundrazi, shërbejmë borxhin e trashëguar, tre vjet rresht, ndërsa përgjegjësia juaj duhet të reflektohet e njëjtë me përgjegjësinë që ka Kryeministri dhe qeveria ndaj qytetarëve.

Detyrimet tuaja të prapambetura rrinë në kurriz të qytetarëve dhe kur ato konsolidohen në nivel qendror në qeverinë e përgjithshme, sigurisht që duhet ta dini secili nga ju që jeni përfaqësues të qeverive vendore, që padashje, nëse ju vazhdoni kështu, i jepni kosto qytetarëve të Shqipërisë nëpërmjet vetes por dhe në kurriz të qeverisë qendrore. Ky është një element që do të duhet të marrë fund, është gangrenë dhe e trashëguar. Ne kemi një përpjekje disa vjeçare për t’i zeruar detyrimet e prapambetura dhe sigurisht që Ministria e Financave ka nxjerrë ndaj njësive vendore letrat zyrtare ku i ka kërkuar mënyrën dhe kohën, pra skedulin e shlyerjes së këtyre detyrimeve.

Dua të ndaj me ju në modesti të plotë, në mirëkuptim të plotë, jam i bindur që dhe USAID do të më mbështesë në këtë lutje shumë të drejtpërdrejtë ndaj jush që të merret seriozisht skeduli i shlyerjes në mënyrë që Ministria e Financave, në emër të qytetarëve, të mos detyrohet që të prekë transfertat.

Besoj që ky është një mesazh shumë i qartë, e kërkuam ligjin e financave vendore, një ligj shumë i rëndësishëm dhe cilësor, ka angazhim politik por, mbi të gjitha, angazhimi politik për autonominë e njësive vendore shoqërohet me disiplinë financiare.

Nëse qeveria qendrore vetë-ushtron dispiplinë shumë rigoroze financiare, automatikisht dhe njësitë vendore do të duhet ta bëjnë këtë në favor të qytetarëve.

Pra, balanca është aty, ligji na detyron të kalojmë më shumë mbështetje për ju, që nga 1 % e GDP-së dhe ato që do të përmendim më vonë por, në anën tjetër, balanca duhet të shkojë tek transparenca dhe disiplina financiare në favor të shërbimeve, në favor të investimeve kapitale por dhe në favor të përgjegjshmërisë së borxhit publik sepse borxhi publik qëndron në kurriz jo thjesht tonin këtu, por në kurriz të qytetarëve dhe jo indirekt, por direkt.

Në këtë kuadër të ligjit të miratuar në Kuvend “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, do të përmirësohet cilësisht menaxhimi i financave në nivel vendor, me disa instrumenta:

 

  • Trasferta e pakushtëzuar do të jetë jo më pak se 1 % e PBB.

Dua që në sfond të sjellë atë punë që kemi bërë me USAID-in. USAID, në ndihmën që i jep ndihmë Shqipërisë, qytetarëve shqiptarëve, qeverisë qendrore dhe qeverive vendore, është kampion i autonomisë vendore në të drejtë dhe në legjitimitet të asaj që qeverisja vendore afron afër qytetarëve. Për një ministër Financash, për këdo qoftë, është e vështirë të vendosë në ligj e të thotë: po, unë po kushtëzoj veten time dhe po them që, nuk do kalojë më pak se 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. E megjithatë, ka një angazhim politik që është transferuar dhe është transformuar në një ligj shumë të konsoliduar dhe cilësor, që nuk ka më negociatë midis nesh në këtë aspekt.

Pra, dua që t’i ktheheni kohës kur transferta bëhej negociatë, jo 0.7, jo 0.8, jo do jap kaq, jo s’do jap aq, jo më takon mua, ju takon ju. Kjo nuk është më dhe këtë dua ta dijë secili nga ju, i pavarur, i majtë, i djathtë, apo i qendrës që kjo qeveri, me këtë ligj, i ka vendosur vetes kushte të rënda, por shumë të shëndetshme, në favor të decentralizimit fiskal dhe autonomisë vendore. Unë jam i bindur që secili nga ju në tryezat e punës suaj, kur fillon punën për planifikimin e buxhetit ka një rehati plus, pasi thotë: sido që të vijë puna, qeveria do të më kalojë jo më pak se 1% të Prodhimit të Brenshëm Bruto, pra kam mundësi të planifikoj; përveçse ka vënë një tavan më të lartë se çfarë ka qenë, më ka dhënë dhe një qetësi dhe një mundësi për një parashikim të shëndetshëm.

  • Për herë të parë ndahet 2% e të ardhurave nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale.

E meduam mirë, diskutuam mirë me njëri-tjetrin, me specialistët, me USAID-in dhe besuam që është në funksion të rritjes së decentralizimit dhe aftësisë suaj paguese dhe autonomisë.

  • Norma e ndarjes së të ardhurave nga taksa e automjeteve u rrit nga 18 në 25 %.
  • Përmirësim cilësor i menaxhimit financiar në nivel vendor përmes një kuadri ligjor e nënligjor të dedikuar për pushtetin vendor.
  • Të sigurojmë financimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në përputhje me parimet e autonomisë vendore të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.

Ligji nuk është thjesht një pasqyrim teknik i asaj që duhet të jetë. Ligji është pasqyrim i angazhimit të qeverisë, për të vazhduar procesin e decentralizimit të bazuar mbi atë reformë thelbësore të vitit 2014, ku nga 363 e kusur njësish vendore shkuan në 61, por nuk jemi duke bërë thjesht aritmetikë, por ka ndodhur një ndryshim cilësor në vetëfuqishmërinë tuaj nëpërmjet këtij ligji.

  • Të sigurojmë mjaftueshmërinë e burimeve financiare në dispozicion të njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e funksioneve dhe kompetencave të tyre.
  • Të garantojmë autonominë fiskale të njësive të vetëqeverisjes vendore nëpërmjet të drejtës për të vendosur dhe mbledhur taksa dhe tarifa vendore.

Këtu më duhet të them që kemi vendosur një rregull shumë transparent se çfarë do të quhet tarifë, çfarë do të quhet taksë, në mënyrë që ju mund të ulni apo të ngrini në njësitë tuaja vendore. Kjo bëhet për të ruajtur unitetin ekonomik të vendit, për të mos lejuar disbalanca qoftë për poshtë, qoftë për lart, nëpërmjet tarifave dhe taksave në njësitë vendore. Është shumë e rëndësishme që silueta fiskale e Republikës së Shqipërisë të jetë e lëmuar dhe jo me gërvishtje apo me disbalanca ku mund të vërë pikëpyetje dhe në zhvillimin ekonomik, dhe në legjitimitetin e ngarkesës fiskale.

  • Të kontribuojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe territorial nëpërmjet përcaktimit të një mekanizmi efektiv për ekualizimin fiskal, që përmenda dhe mësipër.
  • Të vendosim rregulla që sigurojnë disiplinë fiskale, politika të qëndrueshme dhe transparente për menaxhimin e fondeve publike, përshirë rregulla për parashikimin realist të të ardhurave dhe shpenzimeve vendore.

Çfarë dua të them me këtë? Imagjinoni vite më parë kur buxheti i shtetit, për shkak të një qëllimi politik në kurriz të së ardhmes, planifikonte rritje të ardhurash jo realiste. Debatin me FMN çdo vit, edhe kur kemi marrëveshje, edhe kur nuk kemi marrëveshje, e bëjmë shumë transparent, si rriten e sa rriten të ardhurat, logjika makro dhe sigurisht baza tatimore në mikro dhe vijmë në logjikën 7-7.2 %.

E gjithë kjo është e bazuar në politika, në procedura dhe në përllogaritje të detajuar të bazës tatimore, duke përfshirë dhe rritjet e importeve apo gjithë elemenët makro. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me ju. Në cilin aspekt? Nëse ju doni të bëni investime në njërën anë, por nuk do të mendoni për atë mundësi të krijuarit të detyrimeve të prapambetura, sigurisht që njësia juaj më shumë do t’i bëjë dëm qytetarëve me këtë planifikim, se sa do të avancojë njësinë apo komunitetin ekonomikisht. Këtu kemi vendosur rregulla, ato rregulla që i kemi vendosur vetes ia kalojmë dhe njësive vendore sepse në finale, sërish jemi duke iu referuar unitetit ekonomik të vendit.

  • Të përcaktojë instrumentet dhe procedurat për menaxhimin e financave vendore dhe të rregullojë marrëdhëniet me qeverisjen qendrore në këtë fushë, në mënyrë që të kemi një marrëdhënie shumë transparente me njëri-tjetrin, ku fillon e drejta juaj e ku mbaron e drejta jonë dhe ku janë përgjegjësitë të përputhura ndaj qytetarëve dhe ndaj terrenit ekonomik. Më ndjeni për këtë që po them por, së bashku me USAID dhe me specialistët kemi vendosur një harmoni rregullash të menaxhimit financiar të cilat nuk e cënojnë por, përkundrazi, e zhvillojnë decentralizimin fiskal dhe autonominë vendore, por ama në balancë na bëjnë e ju bëjnë më të përgjegjshëm ndaj disiplinimit fiskal që duhet t’i vendosni vetes, në favor të qytetarëve.

Vetëm nga efektet e ligjit të financave të vetëqeverisjes vendore, të ardhurat vendore nga transferta e pakushtëzuar dhe taksat e ndara në 2018 dhe vitet në vijim do të jenë 2.2 miliard lekë plus, ose 13% në raport me transfertat faktike të vitit 2017, ose 5.1 miliard lekë, pra rreth 37 % më shumë në raport me mesataren historike të 10 viteve të fundit.

Nuk i theksoj pa qëllim, sepse shpesh debati nuk mbetet thjesht vetëm brenda disiplinimit financiar, decentralizimit fiskal apo autonomisë vendore, por kalon dhe në debat politik patjetër, dhe shifrat tregojnë që ndër vite, sidomos në pesë vitet e fundit, decentralizimi dhe autonomia vendore është politikë thelbësore e qeverisë.

Në kuadër të modernizimit të financave publike në nivel vendor është unifikuar klasifikimi i shpenzimeve në nivel vendor dhe qendror me qëllim prodhimin e një sistemi të unifikuar të dhënash buxhetore në nivel kombëtar. Në një të ardhme të afërt synojmë krijimin e një sistemi online të buxhetimit në nivel vendor, duke përfunduar me sukses modernizimin e plotë të procesit të menaxhimit financiar vendor. Një instrument brenda Ministrisë së Financave tashmë e kemi, besoj secili nga ju apo punonjësit tuaj kanë punuar me njësine vendore brenda Ministrisë së Financave dhe janë të mirëinformuar.

E fundit që dua të ndaj me ju lidhet me metodologjinë e re të taksimit të pasurisë së paluajtshme - banesë, një proces i cili ka filluar nga 1 prilli 2018. Para se të vazhdoj me metodologjinë, dua të ndaj me ju një emërues të përbashkët politik: taksa e ndërtesës është neglizhuar në 27 vite. Unë e mbaj mend, kam qenë punonjës i Ministrisë së Financave në vitet ’93-’94 dhe që atëherë neglizhohej, njëherë kalonte përgjegjësi e qeverisë vendore, njëherë kalonte përgjegjësi e qeverisë qendore, nuk është marrë asnjëherë seriozisht.  

Së bashku me Fondin, së bashku me agjencitë e tjera që na ndihmojnë, së bashku me USAID-in, ne vendosëm që t’i bënim një përqasje thelbësore për ta rregulluar njëherë e mirë taksën e ndërtesave, në favor të pushtetit vendor dhe, sigurisht që jam i bindur, në favor të transparencës dhe formalizimit.

Në shumicën e rasteve ngarkesa është ulur dhe në shumicën e rasteve për shumë kategori, ngarkesa është transparente e në të njëjtën kohë brenda ligjit kemi menduar aspektin social, që do të thotë se pensionistë të vetëm apo persona të kategorive në nevojë që përfitojnë nga skemat indirekte të mbështetjes janë të përjashtuar nëpërmjet koeficentëve që kemi përdorur.

Kemi mbështetur kategori të ndryshme siç janë ata që kanë shtëpi të ndërtuar para vitit 1993 dhe, në të njëjtën kohë, kategori të biznesit, të sipërmarrjes së prodhimit kryesisht, e të prodhimit në bujqësi gjithashtu, ku i kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme ngarkesën.

Nëpërmjet ligjit i kemi dhënë një mundësi shumë të mirë dhe njësive vendore që të mendojnë aty ku ata duhet të lëvizin ciklikisht apo kundër ciklikisht në logjikën e tyre fiskale dhe  ekonomike, një 30% balancë ulje apo rritje, pa cënuar unitetin ekonomik të vendit.

Parlamenti ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore për taksën mbi ndërtesat. Po ashtu Qeveria ka miratuar disa vendime në lidhje me taksën mbi ndërtesat ku më i rëndësishmi është vendimi për metodologjinë e vlerësimit të ndërtesave. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ngritur një njësi të posaçme për administrimin e kësaj takse. Gjithashtu, në vijim të këtyre masave do të krijohet edhe kadastra fiskale.

Dua të ndaj me ju që ne jemi në një proces tashmë në fillimet e veta me Agjencinë e Taksave të Suedisë dhe SIDA-n, me një grant prej 3.6 milionë euro, në funksion të ngritjes së Kadastrës Fiskale. Qëllimi nuk është që ta monitorojë Ministria e Financave gjatë gjithë kohës. Qëllimi është që të ndërtojmë Kadastrën dhe pastaj ne ta kalojmë Kadastrën Fiskale tek kadastra multifunksionale që do të jetë gjithsesi në shërbimin e njësive vendore. Mendohet që agjenti do të jetë OSHEE-ja, për shkak të database-it më të mirë dhe më transparent që zotëron sot kompania.

Unë jam i bindur që pas një periudhe kur ju ta keni zbatuar, duke u bazuar tek metodologjia e re që në themel ka vlerën reale të ndërtesës, pikë së pari formalizimi, e dyta transparenca dhe e treta më shumë të ardhura në buxhet për ju, për të investuar në shërbime dhe në asete, jam i bindur që ju do t’i referoheni këtij ndryshimi, këtij ligji si një nga ligjet më të mira në funksion të decentralizimit fiskal dhe autonomisë së njësive vendore.

MFE ka zhvilluar një proces komunikimi me bashkitë për marrjen e masave në implementimin e ndryshimeve ligjore dhe metodologjike për taksën e pasurisë dhe kjo po vazhdon. Megjithatë, më duhet të them se ne jemi në dispozicionin tuaj për çdo nevojë që ju të keni. Unë personalisht dhe Ministria e Financave, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka ndërmarrë të paktën në katër muajt e fundit, deri në 14 korrik, një fushatë informimi për biznesin e vogël në të gjithë Shqipërinë. Do t’ju lutesha, përdoreni prezencën tonë, të inspektorëve, të ministrisë së Financave, prezencën time, prezencën e çdo njësie që ka lidhje me fiskun për të komunikuar, për t’u sqaruar por dhe për të sqaruar qytetarët të çdo kategorie që ligji i referohet. Pra do t’ju lutesha që ju dhe stafi juaj, të jemi në mënyrë intenstive në funksion të informimit të qytetarëve.

Konsultimet dhe takimet e punës me bashkitë vetëm për taksën e pasurisë do të vazhdojnë besoj deri në fund të muajit Prill, për të evidentuar çështje që mund të adresohen ose që kanë nevojë të adresohen sepse procesi nuk është asnjëherë perfekt deri kur ne kemi zbuluar edhe ato të meta, qoftë të vogla, që duhen korrektuar nga ana jonë, por dhe nga ana juaj, në punën e përditshme.

Rekomandojmë bashkitë të përdorin fleksibilitetin e instrumentave metodologjik dhe të jenë sa më transparent me taksapaguesin, nëpërmjet informimit.

Këtu besoj se ka vend për më shumë angazhim dhe adresim nga secili nga ju.

Për ta mbyllur, ne sigurisht, jemi të ndërgjegjshëm se kemi ende shumë për të bërë, që sistemin e menaxhimit financiar t’a kthejmë në një instrument të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe teritorial, si dhe një instrument tradicional, jo ad-hoc, pra standard.

Po ashtu, Ministria e Financave është angazhuar që financat e pushtetit vendor, si pjesë e objektivave të konsolidimit të financave publike, t’i zhvillojë dhe modernizojë në funksion të rritjes së shërbimeve dhe investimeve publike në nivel vendor.

Faleminderit.