Postuar më: 02 Shkurt 2018

Lehtësim shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen

Fjala e Ministrit Ahmetaj

Faleminderit Zv. Kryeministre,

Të nderuar kolegë e të nderuar pjesëmarrës.,

Besoj që është nga ato reforma që përtej fjalëve, është duke u prekur shumë shpejt nga kushdo që operon në terrenin ekonomik, që ka kontakte të drejtpërdrejta me institucionet shtetërore dhe praktikisht me Tatimet, me Doganat, me ISSH, me Zyrat e Punës, apo me çfarëdo lloj zyre që, puna, halli, apo domosdoshmëria, jua sjell të kontaktoni.                                                

Para dy ditësh, së bashku me Kryeministrin dhe disa prej jush, inauguruam qendrën e re të vlerësimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që është një shembull i drejtpërdrejt, konkret, jo vetëm i një transformimi të thellë brenda sistemit doganor nga praktika e vjetër e mundimeve shumëvjeçare të importuesve, por dhe në filozofinë e të bërit biznes tashme. Duke zgjeruar shërbimin e vlerësimit në qendër online, kontakti i drejtpërdrejtë i sipërmarrjes me doganierin ndërpritet, pra kontakti i drejtpërdrejt në pikat doganore. Vlerësimi nuk do të bëhet më nga doganierët, por do të bëhet nga një qendër vlerësimi e cila, siç e patë edhe në media kur u vizitua nga Kryeministri dhe nga unë, do të bëhet në mënyrë elektronike, të qendërzuar dhe shumë transparente.

Ka shumë elementë që e përmirësojnë punën dhe kontaktin tuaj me doganën.

E para ishte ajo që përmenda, kontakti me doganierin, ajo negociata e vazhdueshme prej 27 vitesh, qoftë në funksion të vlerësimit, qoftë në funksion të procedurave që ndërpritet dhe mbi të gjitha, qendra, më në fund standardizon trajtimin në të gjithë Shqipërinë të një kodi/ malli brenda listës së nomenklaturës sepse e vërteta është që në 27 vite ka pasur edhe momente kur i njëjti mall është trajtuar ndryshe në dogana të ndryshme. Dhe mbi të gjitha, do të sjellë një ulje të drejtpërdrejtë të korrupsionit.

Ajo që ju do të prekni drejtpërsëdrejti është koha e kursyer, përtej transparencës, përtej kostove të negociatës në të gjitha format, apo procedurave. Një procesim i një deklarate do të jetë 20 minuta. Do të jetë vetëm 20 minuta dhe nuk do të ketë më atë përqasjen dhe përballjen me doganierin, por përkundrazi, të gjitha shërbimet doganore që kryhen nga agjencitë, duhen të transferohen online dhe ju mund t’i bëni edhe nga shtëpia të gjitha këto procese dhe deklarime, apo në një moment pastaj edhe nga telefoni.

Shumë shpejt, besoj brenda mesit të prillit, do të fusim edhe shërbimin e eksportit dhe kjo do të bëjë që të ketë shërbim eksporti 24 orë. Një nga arsyet pse nuk kemi pasur shërbim eksporti 24 orë, është sepse agjencitë e mbyllin në orën 20:00 apo 21:00 dhe nuk operojnë më. Tani nëpërmjet shërbimit online, agjencitë kanë mundësi që edhe 24 orë të bëjnë shërbimin e eksportit për ju, ndërkohë qendra doganore e vlerësimit do të funksionojë.

Hapi i tretë që besoj do ta fillojmë në periudhën në mes Gusht-Shtatorit, do të jetë gjurmimi i plotë i trafikut komercial, që do t’ju vlejë ju, do t’i vlejë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, dhe sigurisht do të largojë çdo pikëpyetje në ambientin ekonomik midis sipërmarrjes dhe doganave.  

Unë e kam thënë dhe herë të tjera dhe do ta theksoj jo pa qëllim që, puna për deregulimin ka filluar realisht që në fund të qershorit, menjëherë pas mbylljes së zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe u materializua me një dokument shumë të detajuar deregulimi, një iniciativë e drejtpërdrejtë e Kryeministrit Rama.

Ky dokument që ne prodhuam gjatë verës bazohej në dy shtylla kryesore: (i) lehtësimi i shërbimeve publike dhe (ii) riinxhinerimi i shërbimeve, duke synuar ofrimin në sportele unike si këto që po bëjmë si në QKB, qoftë në institucionet e tjera, apo në rastin konkret tek Doganat, e më vonë siç do ta shpjegoj edhe tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Faza e dytë më e avancuar e reformës është ajo që ka të bëjë me rishikimin e të gjitha lejeve, licencave dhe autorizimeve, me qëllim hartimin e një liste fundore, të miratuar nga Këshillin e Ministrave.

Dua të ndaj me ju që në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë procesi ka avancuar me intensitet, edhe për shkak të impaktit të madh në reformën institucionale të lidhur drejtpërsëdrejti me sipërmarrjen, Tatimet, Doganat, QKB, Zyrat e Punës, po edhe ISSH-ja.

Ne bëmë një skanim, një inventarizim të hollësishëm, të detajuar të shërbimeve që ofrojmë për publikun, dokumenteve që kërkohen për përfitimin e këtyre shërbimeve dhe atyre që mund të eliminoheshin menjëherë.

Në 1 tetor, unë kam nxjerrë një urdhër, një listë prej 13 dokumentesh, që nuk do të kërkoheshin më nga administrata për qytetarët dhe sipërmarrjen, por do të gjeneroheshin nga zyrat e shtetit. Pra thënë ndryshe, detyrimi për të gjeneruar këto dokumente nuk ishte më i sipërmarrjes, nuk ishte më i juaji, por është drejtpërdrejtë i administratës, dhe administratës i mjafton vullneti se të gjitha instrumentet, mbi të gjitha atë teknologjik, platformën e-Albania e ka në dispozicion, mjafton të logohet, të kërkojë dhe gjithë ajo sorollatja juaja për të printuar, marrë, verifikuar, stampuar, sigluar një dokument bëhet thjesht nëpërmjet portalit, platformës e-Albania.

Me një përllogaritje të thjeshtë që bëmë, këto 13 dokumente, në një vit janë lëshuar rreth 600 mijë herë. Koha e kursyer  e bizneseve është 56 vite në një vit. Pra, imagjinoni për ato 13 dokumente të gjeneruara gati 600 mijë herë, koha e kursyer është 56 vite në një vit.

Në periudhën 2017 dhe deri në fund të janarit të këtij viti, nëpërmjet portalit e-Albania janë lëshuar elektronikisht 144 mijë vërtetime të Tatimeve. Imagjinoni 144 mijë herë në radhë. Pra, 144 mijë herë besoj që nuk e ekzagjeroj nëse them që një vajtje tek tatimet, një pritje në radhë, në rastin më ekselent ka qenë 20 minuta. Pastaj në rastin kur administratori në anën e sportelit rastiste gjysmë i përgjegjshëm ose i papërgjegjshëm, mund të shkonte edhe dy orë, dhe tre orë. Sot është thjeshtë online, pra asnjë kontakt, asnjë pritje, gjenerimi bëhet online.

Po kështu në QKB, në të njëjtën periudhë, numri i ekstrakteve të lëshuara me nënshkrim elektronik është mbi 14 mijë. Pra, sërish imagjinoni 14 mijë herë të pritur në radhë dhe printimi, koha dhe gjithë ato kusure që kalon radha, kur të rastisin të përgjegjshëm sërish është e shpejtë, por për ju duket e gjatë. Kur rastisin ata që s’duhet të rastisin e s’duhet të jenë atje, radha bëhet përsëri dy orë. Pra, sërish kemi një avancim të një thjeshtëzimi dhe transparence në këndvështrimin tim, shumë të domosdoshme në punën tuaj.

Printimi me vulë elektronike është përdorur 800 herë. Pra, ne e filluam para dy muajsh, ka filluar të kthehet në kulturë. Ju lutem të gjithë sipërmarrjes, ju që jeni këtu patjetër, por dhe ata që kanë kohë e na ndjekin nga ekrani, përdoreni firmën elektronike, pasi ju thjeshtëson jetën dhe ju bën të mundur që të jeni brenda sistemit e-Albania, për të gjitha ato domosdoshmëri që ju keni, që dikur keni rendur vetë, apo keni vënë njerëz për të rendur në të gjithë administratën për t’i printuar, për t’i firmosur, për t’i stampuar, për t’i përdorur si dokumente zyrtar.  Tani është fare e thjeshtë me firmën elektronike, ju keni mundësi t’i printoni nëpërmjet sistemit dhe ajo ka fuqi zyrtare. Imagjinoni një certifikatë ose një vërtetim i printuar nga Tatimet, nga QKB-ja, nga Dogana, etj.,  për të cilin keni pritur me orë e orë të tëra, dhe imagjinoni një dokument, i cili është printuar nga shtëpia me firmën elektronike. Unë sërish do ta theksoj edhe më vonë, thelbi është përdorimi i këtyre instrumenteve. Është një kulturë e re, diku diku është e vështirë, diku-diku dhe impozohet, diku-diku për shkak të traditës e ke këtu te telefoni nuk e përdor dhe merr rrugën për një orë të vajtur te institucioni sepse duket më e besueshme. Megjithatë, vullneti e vendosmëria jonë, dhe teknologjia patjetër, në kohë bën të vetën.

Ndërkohë, besoj që shumicës prej jush do të duhet t’i ketë shkuar, pasi unë i kam drejtuar një letër gjithë sipërmarrjes, ku e kam informuar për të gjithë shërbimet e reja që ne jemi duke afruar, në fazën e dytë të reformës:

Në Dogana, dua të theksoj se vlerësimi në qendër ka sjellë një sërë lehtësish: Gjatë vitit 2017 janë dorëzuar 220 mijë deklarata doganore importi për hedhje në qarkullim të lirë. Me vlerësimin doganor në qendër, ky vlerësim do të bëhet tërësisht online, siç e theksova më sipër, pa letra. Ofrimi i kanalit blu shkurton ndjeshëm kohën, në vetëm 20 minuta. Kanali blu, për ju dhe për qytetarët, po e shpjegoj me fjalë të thjeshta, është një kanal kalimi i sipërmarrjes gjatë importimit, ku koncepti është që të gjithë ata që janë rreshtuar në logjikën e riskut të doganave janë me risk të ulët, kalojnë vetëm duke u deklaruar dhe pa u kontrolluar. Kuptohet që në një rast kur sistemi na thotë që një importues është ngjitur në risk për 1 milionë arsye, kategorizimi apo praktike, ai kalon në një kanal tjetër. Por, ne duam që të ruajmë logjikën e 10 % të risk të të gjithë totalit të importeve, në mënyrë që 90 % të kalojë në kanalin blu dhe në kanalin jeshil, dhe për këtë, në Dogana dhe në Tatime janë ndërtuar e sigurisht vazhdon të punohet, profile të sipërmarrjes ndër vite: sipërmarrje që nuk kanë patur probleme me institucionet nuk ka nevojë që të jenë brenda 10 % të riskut të lartë dhe të kontrollohen deri në detaje, por vazhdojnë në kanalin blu dhe në kanalin jeshil, në bazë të kategorizimit.

Ndërkohë, ajo që unë dua të ndaj me ju është që shumë shpejt, vlerësimi në qendër do të bëhet edhe për eksportuesit, siç edhe e theksova.

Dua të ndaj gjithashtu dhe një proces tjetër që ka të bëjë me licencat dhe me autorizimet. Janë 141 autorizime të lëshuara nga 19 institucione,  si dhe 95 licenca.

Ne kemi nisur një proces, së bashku me ministritë e tjera, për të hequr/fshirë 10 licenca. Besoj që shumë shpejt do ta përfundojmë procesin. Unë jam i bindur që kalimi online i një pjesë të madhe të shërbimeve, gjithë procesi i deregulimit, në finale do të jetë në favor të punë suaj, të produktivitetit tuaj, të kursimit, qoftë të kohës, qoftë të parave, dhe në favor të të bërit biznes në Shqipëri gjithmonë e më mirë, dhe sigurisht të rritjes së transparencës dhe të përgjegjshmërisë së administratës.

Unë do ta mbyll duke ju ftuar të jepni kontributin në këtë proces të rëndësishëm, duke dhënë mendime dhe sugjerime në adresën që ne kemi shpërndarë me ju, deregulimi@financa.gov.al. Më besoni që do të na vlejnë aq shumë sa na vlejnë ato mendime që na dhatë kur së bashku shkruam ligjin e administrimit të taksave dhe të tatimeve.

Faleminderit.