Postuar më: 18 Nëntor 2016

Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe Ministri i Financave z. Ahmetaj, në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare në Baden-Baden

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj, morën pjesë në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë në Baden-Baden.

Z. Meta dhe z. Ahmetaj ishin të ftuarit e nderit në konferencën vjetore, që mbledh pronarët e kompanive më të mëdha familjare gjermane në Baden-Baden, ku ofruan një ekspoze të gjerë të zhvillimit dhe potencialeve ekonomike të Shqipërisë pranë disa prej investitorëve më të rëndësishëm gjermanë.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e pandalur të Gjermanisë në konsolidimin politik të vendit, në rrugëtimin evropian të tij dhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, ku Shqipëria shërben si një portë hyrëse.

 “Besoj që kjo është koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit. Për ne shqiptarët është bekim fakti që fokusi dhe prezenca e Gjermanisë në rajon po rriten shumë. Ne duhet të shqyrtojmë çdo mundësi për të krijuar biznese dhe për të tërhequr kompanitë gjermane në vendin tonë, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ne duhet të mësojmë nga kultura gjermane e punës, menaxhimit dhe disiplinës dhe mbi të gjitha të frymëzojmë një brez të ri të liderëve tanë të rinj se “modeli gjerman” nesër mund të jetë një realitet dhe në Shqipëri” – theksoi z. Meta.

Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj, bëri një prezantim të ecurisë së ekonomisë shqiptare përgjatë tre viteve të fundit, performancën makroekonomike e stabilitetin fiskal, ku mes të tjerash vuri në dukje reformat strukturore që po ndërmerren në Shqipëri, të cilat tashmë janë kthyer në gjeneratorin kryesore të rritjes ekonomike dhe po e bëjnë vendin shumë më atraktiv për investitorët e huaj. 

Ministri i prezantoi të pranishmit me sistemin fiskal në Shqipëri dhe klimën e biznesit, mundësitë për investime dhe incentivat, kryesisht në ligjin e investimeve strategjike, turizmit apo zonave të zhvillimit ekonomik e teknologjik.

I pyetur për kualifikimin e fuqisë punëtore, Ministri shpjegoi se në tre vitet e fundit ka pasur një fokus te posacëm nga ana e qeverisë për promovimin e arsimit professional dhe mbështetjen për shkollat profesionale, bazuar në modelin gjerman.

Me interes ishte edhe perspektiva e ekonomive të rajonit, rritjes së bashkëpunimit, interkonektivitetit dhe promovimit të një tregu të integruar rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.