Postuar më: 12 Shkurt 2018

Interpelancë me ish të përndjekurit politikë që kanë punuar në minierë

Interpelancë me ish të përndjekurit politikë që kanë punuar në minierë

Vitet e vuajtjes së dënimit, do të llogariten dyfish vite pune në funksion të pensionit. Mosha e daljes në pension u ul nga 25 vite punë, në 12 vite punë. Së shpejti, ndryshimet ligjore në Kuvend.

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:

Përshëndetje të gjithëve!

Ne jemi njohur me ankesën tuaj në detaje që përpara dy javësh. Kryeministri na ka kërkuar në takim për ta adresuar ankesën tuaj, që në këndvështrim tim është shumë e drejtë. Unë së bashku me ekipin tim pamë arsyet pse ju nuk keni arritur që të merrni të drejtën tuaj, t’ju  njihen vitet e burgut, ajo fatkeqësi, dhe sidomos kur keni punuar në nëntokë, t’ju njihen, për arsye pensioni, një vit burg si dy vite punë. Pra, ky është edhe koncepti dhe problemi.

Unë do t’i kthehem pak kronologjisë së dy javëve të fundit, për t’ju sqaruar më mirë që kur të çohemi nga këto tryeza të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin. Menjëherë pasi ka ardhur ankesa në platformë, ne kemi pasur një takim të detajuar me Kryeministrin, ku i referuam atij se cila është arsyeja që ju jeni vonuar.

Arsyeja, në bazë të ligjit 7514, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist”, ju kërkon juve që të merrni një dokument në ministrinë e Drejtësisë dhe në ministrinë e Brendshme, në një komision që duhet të ishte ngritur në një nga këto institucione. Pasi Kryeministri e gjykoi gjithë procedurën, e konsideroi të padrejtë dhe të lodhshme për ju dhe kërkoi drejtpërsëdrejti të thjeshtësohet, që do të thotë që, vitet e burgut që ju fatkeqësisht keni bërë, të njihen si dy vite punë në funksion të pensionit, por që ju të mos jeni të detyruar më të merrni atë letër por t’ju njihet automatikisht.

Unë ju informoj se me kërkesë të Kryeministrit, kam bërë gati ndryshimin e ligjit, i cili do të vijë në qeveri besoj për 10 ditë, për një muaj do të shkojë në Parlament dhe ju nuk do të keni më asnjë pengesë. Pra, me atë ndryshim që ne po i bëjmë ligjit, hiqet detyrimi i vërtetimit nga ana juaj, por merret automatikisht një vit burg, dy vite punë për pensionin dhe në rastin e minatorëve e pastaj, në bazë të saj, kuptohet që vijnë dhe përfitimet.

Pra, e thënë shkurt, menjëherë pas ankesës suaj ne jemi vënë në lëvizje me urdhër të Kryeministrit. Rezultati është që shumë shpejt do të vijë në qeveri ligji i thjeshtëzuar që ju përfitoni atë ju takon. Kjo është përgjigja e drejtpërdrejtë për ankesën tuaj në platformën e bashkëqeverisjes.

Jeni 264 persona që përfitoni dhe menjëherë sa të ndryshojë ligji që do të bëhet brenda një muaji e gjysmë, maksimumi 2 muaj për shkak të procedurës parlamentare, ju menjëherë automatikisht përfitoni të drejtën që ju ka munguar.

Pra, nuk do të shkoni nëpër dyert e ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Brendshme, etj., tani është njohja automatike. Nëse flasim për Institutin e Sigurimeve, dikur nëse e mbani mend, ka qenë mosha për të dalë në pension 25 vite pune nëntokë. Ne e ulëm e bëmë 12 vjet, që do të thotë që në rastin tuaj, kush ka 6 vjet punë, i njihet dyfish dhe merr të drejtën e pensionit menjëherë.

I pyetur për dosjet që pritet të kalojnë në Ministrinë e Financave për pagesë, Ministri Ahmetaj u përgjigj:

“Sigurisht që ne do të punojmë së bashku kur të fillojnë dosjet të trajtohen një e nga një dhe do të jemi në bashkëbisedim të vazhdueshëm, qoftë nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes, qoftë në kontakte të drejtpërdrejta. Do të jetë realisht kënaqësi edhe përgjegjësi ligjore që të ulemi së bashku, edhe për dosje specifike që mund të ketë paqartësi dhe probleme, t’i trajtojmë po prapë së bashku me Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Por, e mira është që po heqim pengesën e madhe që ju kishit dhe realisht kur e pashë edhe zyrtarisht në procedurë, mendova se jeni në të drejtën tuaj që ta kërkonit këtë të hiqej dhe ne po e heqim”